Fjala e ministres Gjermeni në hapjen e konkursit
ndërkombëtar për projektimin e vijës bregdetare të Vlorës

Fjala e ministres Gjermeni në hapjen e konkursit<br />ndërkombëtar për projektimin e vijës bregdetare të Vlorës
Të dashur miq,
Jam shumë e nderuar që jam sot në Vlorë këtu në 101 vjetorin e Pavarësisë dhe përfitoj nga rasti që t’i uroj të gjithë shqiptarëve Gëzuar Ditën e Flamurit, Gëzuar 101 vjetorin e Pavarësisë! Vlora na bën të gjithëve të ndihemi krenarë për hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar dhe për këtë ne edhe brezat që vijnë do t’i jemi mirënjohës.
 
Përvjetori i parë i Shekullit të dytë të Pavarësisë e gjen Shqipërinë shpresëplotë në të ardhmen e saj brenda Europës, në kuptimin më të gjerë e të plotë të kësaj fjale. Me zgjedhjet e Qershorit, pikërisht në këtë vit, qytetarët shqiptarë anembanë vendit, ia besuan qeverisjen e tyre një koalicioni progresist dhe kryeministrit Edi Rama.
 
Jemi të ndërgjegjshëm për pritshmëritë e mëdha që qytetarët shqiptarë kanë ndaj gjithë kabinetit ministror, ashtu siç jemi tërësisht të angazhuar për t’u përballur më sfidat e mëdha që kemi përpara të gjithë bashkë, për një të ardhme më të mirë, për ne edhe fëmijët tanë, për një të ardhme europiane, ashtu siç e meritojnë shqiptarët.
 
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit që unë drejtoj, në përbërje të kabinetit qeverisës, ka përcaktuar objektiva të qarta për një qasje të re ndaj zhvillimit të territorit, duke e konsideruar atë si hapësirën e krijimit të mirëqënies për çdo individ, çdo familje, çdo komunitet, ashtu siç edhe vlerëson se pa një zhvillim të qëndrueshëm edhe të kontrolluar të territorit, nuk mund të kemi zhvillim të turizmit.
 
E ku më mirë se në qytetin e Vlorës mund të flisja për këto dy fusha, zhvillimin urban dhe zhvillimin e turizmit.
 
Qytetarët vlonjatë, ashtu si të gjithë qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi të prekin nga afër produktin që do të sjellë realizimin e disa prioriteteve madhore, siç janë:
 
1) Hartimi i Planit të Përgjithshëm Kombëtar, që do garantojë një zhvillim të qëndrueshëm urban, ekonomik dhe social të territorit.
 
2) Hartimin e Planit të Integruar Sektorial për Brezin bregdetar, që do të përcaktojë një vizion të qartë për zhvillimin e turizmit në gjithë vijën bregdetare të vendit.
 
Strategjia e zhvillimit që Ministria e Zhvillimit Urban kërkon të implementojë nëpërmjet programit të aktiviteteve të saj dhe planeve qe do të hartohen, do të jenë instrumentat madhorë ligjorë me hapësira zbatimi për të gjitha entet apo agjencitë shtetërore sikurse për subjektet private, duke e futur zhvillimin e bregdetit në një fazë të re që përputhet me një vizion absolutisht të ri.
 
Këto dokumenta dhe projekte me shtrirje afatgjata në gjithë hapësirën territoriale të brezit bregdetar, do të garantojnë ruajtjen e vlerave natyrore dhe mjedisit, trashëgiminë kulturore dhe do të përfshijnë, gjithë shoqërinë, qeverisjen në çdo nivel dhe vetë qytetarët në mirëadministrimin e territorit të brezit bregdetar, për ta bërë atë cilësisht të shfrytëzueshëm dhe atraktiv për turistët, duke sjellë më shumë punësim, më shumë të ardhura edhe më shumë mirëqënie për qytetarët.
 
Pikërisht sot kam kënaqësinë të ndaj me ju nismën që e çelim sot në këtë ditë të shënuar, KONKURSIN NDËRKOMBËTAR PËR PROJEKTIMIN URBAN TË VIJËS BREGDETARE TË QYTETIT TË VLORËS.
 
Ky konkurs organizohet si nismë e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, e konkretisht Programit "ATELIER ALBANIA", si pjesë e integruar në aktivitetin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.
 
Bashkia e Vlorës dhe qytetarët e saj janë partnerët lokalë dhe përfituesit direkt të kësaj nisme. Zhvillimi i këtij konkursi është pjesë e Projektit Pilot të MZHUT për Rigjallërimin e Bregdetit të Jonit, që synon krijimin e një modeli të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri.
 
Vija Bregdetare e Vlorës është padyshim një ndër zonat e përzgjedhura për të pilotuar fillimisht rehabilitimin mjedisor dhe nxitjen edhe investimet në zhvillimin e turizmit, jo vetëm për faktin se ky qytet ka fatin të përfaqësohet me deputetin që është njëherësh Kryeministër i vendit, por sepse Vlora është një ndër qytetet më të bukura të bregdetit urban, të gjithë bregdetit Shqiptar dhe me potenciale të mëdha në zhvillimin e turizmit. Ky qytet tërheq një numër shumë të madh turistësh nga brenda edhe jashtë vendit. Këto fakte e bëjnë Vlorën të jetë në qendër të vëmendjes publike. Ndaj dhe projektimi urban i Vijës Bregdetare të saj nuk duhet të jetë produkt i një studioje të vetme. Ai duhet të jetë produkt i një opinioni të gjerë publik që i tejkalon kufijtë e qytetit, madje edhe të vendit. Kjo bëhet e mundur nëpërmjet instrumentit që siguron shprehjen e interesit të shumë projektuesve, i cili finalizohet nga një proces transparent dhe i hapur përzgjedhje me pjesëmarrje publike, dhe e lehtësuar nga ekspertë vendas dhe të huaj.
 
Konkursi shpallet sot, jo pa qëllim, në këtë ditë historike për të iniciuar këtë projekt kaq modern e të rëndësishëm.
 
Konkursi është i HAPUR për të gjithë profesionistët dhe ekspertët e fushës, vendas dhe të huaj.
 
Afati i Fundit i përfundimit të konkursit do të jetë data 16 Janar 2014. Fituesit do të Shpallen në datën 19 Janar 2014.
 
Uroj edhe besoj që kjo ditë e shënuar dhe plot pozitivitet të jetë veçse një fillim i mbarë për jetësimin edhe realizimin e të gjitha nismave që kemi ndërmarrë edhe jam e sigurtë që do t'ja dalim t’i realizojmë të gjithë së bashku.
 
Ju falenderoj dhe ju uroj edhe njëherë Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
 
Redaksia online

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit