Piemonte në Itali është në krizë për infermierë. Në spitale mungojnë rreth 6 mijë dhe zgjidhja po kërkohet jashtë Italisë, fillimisht në Shqipëri, tani në Uzbekistan.
Një delegacion nga shëndetësia e rajonit, bashkë me Urdhrin e Infermierëve dhe Universitetin e Piemonte Orientale, ndodhet në Tashkent për të hapur marrëveshje të reja bashkëpunimi. Në tryezë nuk janë kontrata të menjëhershme pune, por programe formimi.
Komisioneri për Shëndetësinë, Federico Riboldi, e përkufizon qartë situatën. Sipas tij, bëhet fjalë për një plan “double degree”. Pra, studime të përbashkëta dhe diploma të dyfishta që duhet të përfundojnë përpara se profesionistët të hyjnë realisht në sistemin shëndetësor italian.
Kjo do të thotë kohë, ndërkohë që mungesat janë sot. Në spitale mbetet e njëjta pyetje çdo ditë, si mbulohen turnet.
Edhe një vit më parë, Piemonte ndoqi të njëjtën rrugë me Shqipërinë. “Misioni Tiranë” synonte të tërhiqte një pjesë nga rreth 2.500 infermierët që diplomohen çdo vit në Shqipëri pa gjetur punë.
Projekti ishte ndërtuar si bashkëpunim më i gjerë. Parashikonte jo vetëm rekrutim, por edhe formim shtesë, kurse, specializime, gjuhë italiane dhe përafrim me standardet klinike italiane.
Pra, një qasje më shumë bashkëpunimi sesa rekrutimi i drejtpërdrejtë.
Tani vëmendja është zhvendosur në Azinë Qendrore. Delegacioni në Tashkent po kërkon të hapë programe të ngjashme, sërish me fokus te arsimi dhe jo punësimi direkt.
Strategjia është e qartë. Synohet ndërtimi i një sistemi bashkëpunimi dhe jo thjesht marrja e stafit me shpejtësi.
Megjithatë, nevoja mbetet urgjente. Mungojnë 6 mijë infermierë vetëm në Piemonte, ndërsa në nivel global mungesa arrin në rreth 2 milionë sipas OBSH-së.
Daljet në pension janë në rritje dhe universitetet nuk po arrijnë ta mbushin boshllëkun.
Pra, ndryshon vendi ku kërkohet zgjidhja, nga Shqipëria në Uzbekistan, por problemi mbetet i njëjtë.
Sepse në fund të fundit, pyetja që bëhet në spitale është 'kush është në turn sot'./CorrieredellaSera
Komente












