Ju faleminderit për mundësinë për të paraqitur sot, shkurtimisht, së bashku me koleget e mi, projektligjin “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit”, i miratuar nga Qeveria Shqiptare në mbledhjen e fundit të Dhjetorit 2014.
Duke u përpjekur të jem sa më i shkurtër në fjalën time, më lejoni të bëj një paraqitje të shkurter të procesit të ndërmarrë nga MMSR në hartimin e këtij projektligji, të përmend shkurtimisht ekspertizën dhe praktikën ndërkombëtare mbi të cilën mbështetet ai dhe të ndalem në tre elementet kryesore të përmbajtjes.
Siç edhe jeni në dijeni, në nëntor të vitit që shkoi, me porosi të Kryeministrit, si Ministria që mbulon çështjet e ish të Përndjekurve Politikë, u ngarkuam zyrtarisht nga Qeveria me përgjegjësinë për të sjellë në një platformë zyrtare diskutimi një çështje që përndjek jetën tonë publike dhe institucionale prej më shumë se 20 vitesh, që është përballja me trashëgiminë e ish Sigurimit të Shtetit në Shqipëri.
Që në fillim, më lejoni të them se si i ri i afrohem kësaj çështje me shumë përulje, me përulje sepse flas si dikush që vetë nuk e ka përjetuar drejtpërdrejtë kalvarin e vuajtjes komuniste, me vetëdije që bëhet fjalë për një ndër çështjet më komplekse me të cilën është përballur vendi ynë gjatë dy dekadave të fundit, por edhe me kurajon që buron nga fakti se kjo Qeveri nuk ka asnjë lloj kompleksi për t’u përballur qartazi dhe prerë me këtë temë të rëndë.
Kjo vendosmëri e mazhorancës qeverisëse shpresoj shumë që do të bëjë bashkë të gjithë ata njerëz-vullnetmirë, të cilët gjatë këtyre dy dekadave, pavarësisht përdorimit për përfitim politik të kësaj çështje, kanë besuar, sikurse edhe ne, që vetëm përballja me të vërtetën mundëson konsolidimin e lirisë në vend, kanë punuar për të mbajtur gjallë kujtimin e të gjithë atyre që u bënë subjekt i persekutimit nga më të egrit në histori dhe kanë vazhduar pa rreshtur përpjekjet për të mbajtur aktual këtë debat.
Në këtë vend mund të mos biem dakort me shumë çka, por besoj të gjithë bashkohemi në të pranuarit se përgjatë dy dekadave, pavarësisht përpjekjeve sporadike të ndërmarra zakonisht (duhet ta pranojmë) për përfitim politik apo elektoral, shoqëria shqiptare si e tërë ka dështuar të përballet prerazi dhe të njohë të vërtetat e dikaturës komuniste vend.
25 vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria mbetet vendi i vetëm, fatkeqësisht ende krah Rusisë, megjithëse është një vend anëtar i NATOs dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që nuk ka kryer transparencën e trashëgimisë së ish Sigurimit të Shtetit. Ende sot e kësaj dite asnjë i persekutuar në këtë vend, i djathtë apo i majtë, komunist apo nacionalist, të cilët në mënyrë ironike u bënë njëlloj viktima të dhunës së paprecedent, nuk e dinë se çfare ky Shërbim kurdisi kundër tyre.
Sigurisht, nuk jam këtu sot për të analizuar arsyet pse ky proces nuk është ndërmarrë deri më tani, por besoj, më e pakta, të gjithë mund të biem dakort se ky dështim tregon mungesë kurajoje për t’u përballur me të vërtetën e hidhur që na mban ende të lidhur me të shkuarën tonë.
Duke kuptuar mirë kompleksitetin e kësaj çështje, së bashku me grupin e punës i ngritur pranë MMSR, kemi qenë të vendosur të përfitojmë nga eksperienca më e mirë evropiane dhe ndërkombëtare në këtë fushë, për të siguruar respektimin e një të drejte themelore: të drejtën e çdo viktime të diktaturës për të njohur të vërtetën, për të hetuar dhe njohur çdo aspekt të dhunimit, të cilat mbeten ende të mbuluara nga fshehtësia arkivore që mbulon ende veprimtarinë e ish Sigurimit të Shtetit.
Në sigurimin e kësaj të drejte, kemi arritur në përfundimin se eksperienca gjermane përbën padyshim shembullin më të mirë Evropian në përballjen me të shkuarën e diktaturës. Më vjen mirë që ky qëndrim ndahet edhe nga përfaqësues të tjerë të politikës dhe shoqërisë civile.
Kemi arritur në këtë përfundim, jo vetëm për shkak të marrëdhënies së ngushtë dhe ndihmës së pakursyer që Qeveria gjermane ka ofruar gjatë gjithë këtyre dekadave edhe në përballjen me këtë çështje në vend, por mbi të gjitha për shkak të modelit që Gjermania ka vendosur në Evropë dhe më gjerë, me trajtimin e kësaj të shkuare.
Gjermania përbën shembullin unik në Evropë që ka ndërmarrë një përballje të thellë dhe shumë-dimensionale me të shkuarën, një herë në vitet e pasluftës së Dytë Botërore në përballjen me të shkuarën naziste të vendit dhe për herë të dytë në përballjen me të shkuarën komuniste të Gjermanisë Lindore dhe një prej shërbimeve sekrete më të urryera në botë, të STASIT.
Modeli i vendosur nga Komisioni Federal Gjerman për Arkivat e STASI-t, i quajtur ndryshe Komisioneri GAUCK, që mban emrin e Presidentit aktual të Gjermanisë, është ndjekur nga afër në hartimin e projektligjit nga grupi i punës i ngritur nga MMSR.
Për ndihmën e dhënë në njohjen nga afër të kësaj eksperience, dëshiroj të falenderoj në mënyrë të veçantë Qeverinë Gjermane, Sekretarin Gjerman të Shtetit z. Jorg Asmussen, Ambasadorin Hofman në Tiranë për mbështetjen e dhënë grupit të punës në marrjen dhe kontekstualizimin e kësaj eksperience në Shqipëri dhe mbështetjen publike të këtij procesi.
Të falenderoj në mënyrë të veçantë dhe ish nënkryetaren e Parlamentit Gjerman, znj. Petra Blass, e cila punoi ngushtë me grupin e punës në hartimin e projektligjit.
Të falenderoj prezencën e OSBE në Tiranë dhe miqtë strategjik të Shqipërisë për vlerësimin e bërë projektligjit në fjalë, duke garantuar në çdo rast respektimin e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe mbrojtjen e parimeve kushtetuese në ndërmarrjen e këtij procesi.
Krahas kësaj eksperience, grupi i punës ka vlerësuar me kujdes të gjithë trashëgiminë e akteve ligjore të mbetura në fuqi apo të shfuqizuara nga Gjykatat Kushtetuese ndër vite në vend, të ndërmarra si pjesë e procesit të pastërtisë së figurave.
Kemi vlerësuar në mënyrë të veçante vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 9, datë 23.03.2010 si dhe Opinionin shterues të Komisionit të Venecias të datës 13 tetor, 2009.
Më lejoni të ndalem tani, shkurtimisht, në tre elementet kryesore të projektligjit të paraqitur nga Qeveria për miratim në Kuvend, duke i besuar kolegëve të mi ndaljen më në hollësi në detajet më teknike të projektligjit.
Projektligji “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit” ka për qëllim të sigurojë:
1. Aksesin në dosjet e ish-Sigurimit. Duke e konsideruar aktivitetin e ish Sigurimit të Shtetit si aktivitet i një instrumenti të diktaturës, e cila ndryshe nga simotra e saj në ish vendet e Evropës Lindore, ka operuar gjatë gjithë historisë mbi dyzet vjeçare të funksionimit të saj në mënyrë të paligjshme, projektligji synon dhënien e aksesit në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit, sipas një procesi të mirë-rregulluar për të gjithë personat e prekur drejtpërdrejtë nga veprimtaria e ish Sigurimit të Shtetit.
Këtu përfshihen jo vetëm personat e përndjekur nga ish Sigurimi, por edhe vetë bashkëpunëtorët dhe ish punonjësit e Sigurimit, të cilët në përputhje me dispozitat e këtij projektligji do të kenë të drejtën e aksesit të plotë në të gjithë informacionin e grumbulluar kundër tyre apo prej tyre gjatë viteve të veprimtarisë së Sigurimit.
Për të gjithë trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të personave të prekur nga veprimtaria e ish Sigurimit të Shtetit, projektligji siguron akses në informacion në bazë të kritereve të mirëpërcaktuara, me qëllim vendosjen në vend të të drejtave të personave që nuk jetojnë më, përfshirë të drejtën për të siguruar rehabilitimin dhe ruajtjen e të drejtave të personalitetit të të vdekurve apo zhdukurve.
Akses do të mund të sigurohet gjithashtu, për efekt të veprimtarisë hulumtuese apo kërkimore me qëllim vlerësimin e veprimtarisë së ish Sigurimit të Shtetit apo vlerësimit të figurës dhe rolit të personave historik të kohës, për aq kohë sa ky informacion i shërben qëllimit të deklaruar.
2. Informimi i Institucioneve Publike mbi marrëdhëniet që një person, i cili do të promovohet apo emërohet në një pozicion të lartë shtetëror, kushtetues apo publik, ka pasur me ish-Sigurimin e Shtetit, në rast se kërkohet prej tyre, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 dhe Opinionin e Komisionit të Venecias.
Në lidhje me këtë pikë, më lejoni të theksoj edhe një herë bindjen e grupit të punës që dispozitat e propozuara në këtë projektligj i përmbahen në mënyrë të saktë përcaktimeve rigoroze në lidhje me procesin e pastërtisë së figurave të cilat përcaktojnë këto burime.
Kjo transparencë nënkupton gjithashtu përgjegjësinë që çdo person që kërkon post publik në vend, të bëjë të qartë publikisht asocimin e tij me të shkuarën komuniste përmes një procesi, i cili ka në thelb jo ndëshkimin përmes përjashtimit nga aksesi për të konkurruar, por detyrimin që t’ju japim besim institucioneve tona përmes transparencës përpara të gjithë votuesve apo strukturave politike emëruese.
Çdo nismë tjetër që do të shkonte përtej këtyre përcaktimeve, do të përbënte thjesht një spekulim politik. Më lejoni edhe për këtë të shpreh qartë vullnetin e plotë të Qeverisë që të ruajmë integritetin e procesit të hapjes së dosjes larg çdo minimi me element antikushtetues lustrativ.
3. Vënia në Administrim të Autoritetit e të gjitha dokumentave të prodhuara nga ish-Sigurimi i Shtetit, duke krijuar kështu një arkivë të re, të përqendruar të të gjithë dokumentave të ish-Sigurimit të Shtetit që, përtej qëllimeve të aksesit në informacion, do të mund t’i shërbejë edhe qëllimeve të Kujtesës.
Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e të gjithë kësaj çështje dhe këshillës së miqve tanë ndërkombëtarë të dhënë gjatë procesit të konsultimit të nismës, Qeveria ka propozuar ngritjen e një Autoriteti profesional dhe jashtë politikës për të siguruar menaxhimin me integritet të procesit kompleks të administrimit, përpunimit dhe informimit mbi dosjet e ish Sigurimit të Shtetit.
Duke shënuar një kapërcim të të gjithë eksperiencave të mëparshme në këtë fushë, të cilat kanë vënë në dyshim vërtetësinë e procesit të trasparencës dhe pastrimit të figurave, Qeveria është e vendosur që të hapë një kapitull të ri në këtë çështje, duke ndjekur praktikën gjermane të vendosjes nën administrim të plotë të Autoritetit të ngritur për përmbushjen e qëllimit të këtij projektligji, të gjithë lëndës arkivore të prodhuar nga ish Sigurimi i Shtetit, pavarësisht se ku gjendet ajo e ruajtur aktualisht.
Vendosja nën administrim të Autoritetit të kësaj arkive do të mund të japë garancinë e nevojshme për integritetin e procesit të ndërmarrë dhe mbylljen një herë e përgjithmonë të mundësisë për përdorimin e këtij materiali arkivor për shantazh politik apo të një natyre tjetër, siç ka ndodhur shpesh gjatë këtyre viteve.
Ngritja e një Institucioni të tillë në Shqipëri bëhet i domosdoshëm edhe për shkak të faktit se, sipas informacionit paraprak, që mbi 14 mijë dosje, apo 1.5 milion fletëve të ruajtura në arkivën e Ministrisë së Brendshme dhe mijëra dosjeve të tjera në ruajtje në institucione të tjera shtetërore, nevojiten t’i nënshtrohen një procesi të plotë unikimi, ruajtje dhe procesimi që përfiton nga eksperienca më e mirë ndërkombëtare, dhe që i qëndron larg çdo amatorizmi apo shkeljes së ligjit në administrimin e tyre, në raste që tashmë janë bërë dhe publike.
Duke ju falenderuar për vëmendjen, së bashku me grupin e punës në MMSR, mbetemi në dispozicion të Komisionit për çdo informacion apo shpjegim të metejshëm.