Fjala e ministrit të Saimir Tahiri

Në fakt unë besoj është perceptim i të gjithëve që, përkrah asaj që ndodh përditë, përkrah Shqipërisë që njohim, përkrah zhvillimit të vrullshëm të përditshëm, ka një dallim shumë të madh mes asaj që shohim, dëgjojmë, që na premtojnë, me atë që marrim. Dhe është ky shkaku pse në të paktën dy dekadat e fundit është krijuar një hendek jo i vogël ndërmjet Shqipërisë së fjalëve e llafeve dhe Shqipërisë në realitet.
 
Ka rreth 20 vite që ka thuajse dy botë për qytetarët shqiptarë. E para është kjo Shqipëria e llafeve, me të njëjtat premtime e gënjeshtra, të njëjtat akuza e fyerje, që i ka bërë shqiptarët të mos dinë e të mos kuptojnë më ku mbaron gënjeshtra e ku fillon e vërteta. Dhe qëllim i atyre që gënjejnë është saktësisht ky: t’i hutojnë shqiptarët sa të mos kuptojnë më kush gënjen e kush thotë të vërtetën.
 
Qëllimi i atyre që akuzojnë, shpifin e hedhin baltë është saktësisht ky: të shuajnë mundësinë që institucionet të zbulojnë të vërtetën dhe ta bëjnë pisllëkun ambientin e të gjithëve.
 
Dhe është jo pa shkak që pikërisht për këtë arsye – për gënjeshtra, akuza e sharje pa fund – që edhe njerëzit ndihen të hutuar sa e kanë të vështirë të dallojnë të Mirin nga i Keqi. Dhe është kjo arsyeja përse ata që gënjejnë janë të gatshëm të gënjejnë më shumë. Ata që flasin janë të gatshëm të flasin më shumë. Ata që akuzojnë janë të gatshëm të akuzojnë më shumë. Që për qytetarët të jetë e vështirë të dallohet kush është i miri e kush është i keqi.
 
E gjitha kjo është një botë: bota e fjalëve, Shqipëria e llafeve, që s’ka asgjë të përbashkët me Shqipërinë e punës. Dhe e gjitha kjo ka bërë të mundur që sot debati që u diktohet shqiptarëve është gjithçka tjetër përveç punëve që kemi bërë. Përpara pak ditësh ishim me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, këtu pranë, dhe hapëm një zyrë të re të Gjendjes Civile aty ku për mbi 10 vite, mbi 40 mijë banorë nuk merrnin as  shërbimet më minimale siç është një certifikatë.
 
Dhe unë pyesja veten nëse a duhej realisht të vinim deri këtu, të mundësonim hapjen e Zyrën e Gjendjes Civile që normalisht është minimumi i shërbimeve që mund t’u jepet qytetarëve? E në fakt mendove se sigurisht ia vlen.
 
Sepse ka një pyetje për të cilën unë besoj duhet të japin përgjigje të gjithë ata që kanë qeverisur: për cilën arsye 43 mijë banorë nuk merrnin dot një certifikatë por u duhej të bënin dhjetëra kilometra? Për cilën arsye të gjithë ata që qeverisnin në të kaluarën nuk bënin dot kaq?
 
Për cilën arsye u është trokitur derë më derë këtyre banorëve sa herë kanë pasur një fushatë, me lloj-lloj premtimesh duke u premtuar edhe qiellin por duke mos u dhënë as shërbimet më minimale? Dhe ajo Zyrë ishte saktësisht një ndër shembujt e vegjël të këtij dallimi të madh mes Shqipërisë së fjalëve dhe Shqipërisë të punës.
 
Sigurisht ka shumë gjëra për të bërë. Shqipëria jonë është një vend që në dy dekadat e fundit ka trashëguar një mal me probleme të cilat duan kohë të zgjidhen. Dhe ne kemi një garë me kohën, garë që nxitet pa asnjë diskutim nga pritshmëria që kanë njerëzit. Në 2013 e kujtoj se si shumë njerëz besonin se gjithçka do të zgjidhej brenda ditës. Ka ende dhe sot shumë njerëz që besojnë se po ashtu gjërat do të zgjidhen akoma më shpejt.
 
Dhe unë jam shumë dakord. Por ka një gjë që na jep shtysën për të bërë gjithçka po bëjmë e mbi të gjitha për të vënë përpara punët që kemi për të bërë në të ardhmen. Dhe është besimi i njerëzve. I të gjithë atyre që kanë parë se punët në këtë vend bëhen dhe pa fjalë. Se po, e Vërteta del, edhe pa qenë nevoja të bësh pis këdo ke në krah apo përballë me lloj-lloj akuzash. Se po, institucionet kanë mundësi të punojnë për qytetarët pa u bërë viktima apo (akoma më keq ndonjëherë) aktorë të së njëjtës valle gënjeshtrash e akuzash.
 
Është kjo arsyeja që nga dita e parë e detyrës ne kemi ideuar dhe po zgjidhim një çështje, të cilën t’ua thuash partnerëve në cilindo vend të botës jashtë kufijve tanë do habiten se si ka mundësi që ekzistoni si shtet pa ditur kush banon dhe ku banojnë qytetarët tuaj. Ne jemi ende i vetmi vend në rajon dhe në Europë që pyetjes “Sa jemi në Shqipëri?” i përgjigjemi “Afërsisht 3 milionë!”, kjo është pak a shumë përgjigjja e përgjithësuar e njerëzve. Ne jemi i vetmi vend që nuk kemi një bazë të dhënash për ku banojnë qytetarët tanë.
 
Sigurisht Shqipëria ka pasur zhvillim intensiv. Durrësi është një ndër qytetet, pas Tiranës, ka pasur një zhvillim shumë intensiv nga pikëpamja demografike, me njerëz që kanë ardhur për të ndërtuar të ardhmen e tyre dhe një jetë më të mirë këtu.
 
E nëse familjet kanë investuar e kanë sakrifikuar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë këtu në Durrës, shteti nuk ka shkuar pas (se të shkojë një hap me ta ishte ndoshta shumë dhe ta pretendoje), pro është shumë, shumë mbrapa. Është vite e  dekada mbrapa.
 
Sot ka zona në Durrës që janë në errësirë nga pikëpamja e dijenisë që ka shteti për njerëzit që banojnë në zona të caktuara. Ndaj duhet punë kolosale për të bashkuar dhe për të fituar kohën që kemi humbur ndërmjet Shqipërisë në realitet me Shqipërinë në letra.
 
Sot, edhe në Durrës, kemi adresa që njerëzit i gjejnë me instinkte. Të hipësh në një taksi i tregon me rrethana adresën. Ne sot nuk kemi një sistem që të jetë referenca e vetme  për çdo qytetar (dhe aq më pak për turistët). Për të shkuar në plazh një nga adresat që unë mbaj mend prej kohësh është “Te Rrota”. ‘Te Rrota’ nuk është adresë, është referencë. Është rrethanë, por nuk është adresë. Te rrota na kanë lënë ata që ishin deri dje. Prandaj Shqipëria është sot këtu ku është. Dhe ne këtë  në fakt nuk e pranojmë si model.
 
Është kjo arsyeja që kemi nisur një detyrë nga fillimi, e para për të përcaktuar një model unik adrese, të bashkërenduar, të konsultuar për më shumë se një vit me mbi 20 institucione, me shoqërinë civile, me  ekspertët më të mirë të zhvillimeve demografike në vend, me ekspertët më të mirë të urbanistikës në vend, dhe pa asnjë diskutim me partnerët ndërkombëtarë.
 
Ky model adrese do i bëhet me dije çdo qytetari, çdo njësie që jep shërbim në vend. Sepse kjo duhet të jetë e vetmja referencë, shtetërore po e po, por edhe e shoqërisë.
 
Ndërkohë kemi ndryshuar ligjin për t’u hapur rrugë  qytetarëve të ndërrojnë Gjendjen Civile pa penalizim. Edhe në Durrës ka shumë qytetarë që banojnë realisht në Durrës por gjendjen civile mund ta kenë në një qytet tjetër: në Kukës, Gjirokastër, kudo. Nuk e kanë përdorur Gjendjen Civile sepse nga njëra anë ishte neglizhenca,  e nga ana tjetër ishte taksa që duhet të paguaje në shtet. Kjo ka shërbyer si faktor frenues për qytetarët që duhet të deklaronin adresën.
 
Sepse shteti ka detyrim t’i shërbejë qytetarit, por qytetari ka detyrim t’i tregojë shtetit ku rri. Në çdo vend të botës është detyrim absolut të vetëdeklarosh rezidencën apo vendbanimin e përhershëm. Madje ka vende në botë që edhe nëse planifikon të dalësh jashtë vendit për më shumë se tre muaj, ke detyrimin të deklarosh pranë ambasadës vendin ku rri. Te ne ky detyrim ka qenë relativ, gati  i shkruar në letër por heshturazi i pazbatuar kurrë.
 
Detyra jonë e dytë ka qenë të korrigjojmë hendekun e madh të mungesës së informacionit në raport me qytetarin. Duke përcaktuar një kohë sipas të cilës qytetarët duhet të deklarojnë adresën e tyre, pra vendbanimin permanent, pa paguar asnjë taksë apo detyrim për shtetin. Kjo ama është një periudhë e caktuar kohe, pas të cilës nëse një qytetar nuk ka deklaruar vendbanimin e përhershëm do penalizohet me gjobë.
 
Ky është detyrim i yni për të rikuperuar të kaluarën. Është detyrimi ynë t’i japim rrugë qytetarëve që kanë humbur kohë për shkak të Shqipërisë së llafeve dhe sot nuk kanë më raportin që duhet të kenë me institucionet, me shtetin. Ne hapim këtë rrugë për qytetarët që vullnetarisht duhet të shkojnë në zyrat e Gjendjes Civile dhe të vetëdeklarojnë adresën permanente, pra adresën ku banojnë.
 
Pas kësaj periudhe ne do të penalizojmë të gjithë ata që neglizhojnë ende dhe nuk krijojnë këtë raport të detyrueshëm me shtetin. Është e pamundur për institucionet  t’u shërbejnë qytetarëve si duhet, aq më pak në shtëpi, nëse nuk bëjmë gjithçka  është e mundur për të lidhur qytetarin me adresën. Dhe për t’i dhënë shtetit, institucioneve dijeninë e domosdoshme për ku banon qytetari.
 
Nuk jemi ndalur deri këtu. Nga nesër fillojmë në Durrës një proces intensiv të trokitjes derë më derë, në çdo familje e shtëpi për t’i pyetur për adresën dhe jo vetëm. Sepse ne na duhet domosdoshmërisht t’i japim përgjigje ekzakte pyetjes sa jemi dhe ku jemi.
 
Sa shqiptarë banojnë brenda Shqipërisë dhe ku banojnë. Kjo është premisa e vetme, kjo është platforma e vetme për të pasur mundësi që shteti t’ju shërbejë qytetarëve të tij.
 
Ka një mori gjyqesh dhe veçanërisht gjyqe civile, ku qytetarët humbin toka, pronën, akoma më shumë ata që nuk jetojnë jashtë Shqipërie, vetëm sepse në gjykatë bëhet filmi i zakonshëm “nuk gjendet ku është”. Ky filmi “nuk gjendet” është gropa më e madhe ku bien prona në duart e lloj-lloj trafikanti të pasurisë. E ky filmi i grabitësve të pasurisë duhet të mbyllet, dhe mbyllet vetëm duke pasur mundësi, duke pasur një adresë për një qytetar.
 
Ka plot shërbime që nuk jepen dot për shkak të mungesës së adresës. Ka plot të drejta që mund t’i gëzoni më mirë nëse do kishim adresa të sakta. Një prej tyre pa asnjë diskutim edhe e drejta e votës. Unë nuk di sa prej jush e kanë dëgjuar, por unë e kam dëgjuar shpesh dhe nuk besoj që kjo është për shkakun se jam marrë me zgjedhjet. Por ka pa fund qytetarë që paraqiten në qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve me vullnetin për të votuar dhe diktuar të ardhmen e atyre dhe nuk e gjejnë emrin në listat e zgjedhësve.
 
E askush nuk i jep dot përgjigje pse ndodh kjo. Që të shkosh në qendrën e votimit ku je mësuar të votosh, apo të shkosh në qendrën e votimit ku banon dhe të mos e kesh emrin në listë votimit. Sepse shteti nuk të njeh që ekziston në atë qendër votimi, që je votues në atë qendër votimi. Ky proces e zgjidh në mënyrë definitive edhe të drejtën kushtetuese, të drejtën themelore që ka çdo qytetar për të votuar.
 
Dhe i jep fund rrëmujës me listat “e ke emrin, nuk e ke emrin”, “shko voto atje ku ke qenë”, “e ke ti, por nuk e ka bashkëshortja”, “e ke ti, por nuk e ka babai”, “e ka vetëm babai, por ti je prapë atje ku ishe”... Një rrëmujë që shpeshherë është përdorur për të deformuar votën, për të trafikuar votën, për t’i dhënë fuqi një pushteti që nuk merrte fuqi nga qytetarët, nga vota e tyre.
 
Sepse Shqipëria e llafeve ka pasur e ka ende nevojë për njerëz që nuk kuptojnë, që nuk informohen sa duhet, që nuk dallojnë dot të mirën nga e keqja, për njerëz që nuk dallojnë dot punën nga llafet bosh. Shqipëria e llafeve ka nevojë për injorancë dhe errësirë që të mbijetojë. Shqipëria e llafeve ka nevojë për rrëmujë, kaos e  akuza që fluturojnë nga të gjitha anët. Shqipëria e llafeve ka nevojë për Shqipërinë e prapambetur që trashëguam.
 
Ne nuk pajtohemi e nuk biem dakord me këtë. Ndaj dhe është kjo arsyeja që i kemi hyrë një rruge reformash që sigurisht është e vështirë. Sepse nga njëra anë gjërat nuk bëhen kollaj në vendin tonë. Por bëhet akoma më e vështirë për shkak të rezistencës, të luftës të të gjithë atyre që Shqipërinë duan ta mbajnë peng tek e shkuara.
 
Ky proces është i domosdoshëm për të ndërtuar Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Sot ka të rinj që kanë lindur në adresën “Te Rrota”, sot janë bërë 20 e kusur vjeç me po të njëjtën adresë “Te Rrota”. Këtë “Rrotën” ne nuk e duam.
 
Ne duam një Shqipëri të saktë, me mundësi zhvillimi ku pushtetarët të japin llogari për çfarë bëjnë – jo për çfarë flasin. Ne duam një Shqipëri ku mbi të gjitha të rinjtë të kenë mundësi për punësim. Ku familjet të kenë mundësi të zhvillohen me një ekonomi më të shëndoshë. Ku shteti të ketë mundësi t’u shërbejë dhe detyrimin për t’u shërbyer të mos e ketë opsion me “e gjeta ku banon, nuk e gjeta ku banon”. Kjo duhet të marrë fund.
 
Ndaj dua ta shfrytëzoj këtë moment për të bërë një lutje për të gjithë qytetarët që në mes të sakrificës për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, edhe këtu në Durrës, të bëjnë një sakrificë fare të vogël: të shkojnë e të deklarojnë adresën e tyre permanente.
Në të kundërt, këtë do e bëjë shteti, por me penalizim për të gjithë ata që sot kanë ende indiferencën apo neglizhencën për të mos bërë një detyrë të vogël qytetare siç është regjistrimi i adresës.
 
Ne do të trokasim derë më derë, do të shkojmë në çdo shtëpi e familje, kudo ku ka njerëz në Republikën e Shqipërisë. Sepse jemi të vendosur për ta nxjerrë në mënyrë definitive në dritë atë pjesë të Shqipërisë që sot është në errësirë.
 
Dhe ashtu siç jemi të vendosur t’i vëmë institucionet përballë detyrimit për t’u shërbyer qytetarëve. Ashtu siç jemi të vendosur t’i garantojmë çdo qytetari shqiptar në mënyrë definitive të drejtën për të votuar. E të mos ketë më qytetarë që kthehen mbrapsht nga qendrat e votimit dhe nuk votojnë dot sepse “s’ke emrin në listë”.
 
Kjo është Shqipëria që ne duam. Kjo është Shqipëria që duam të bëjmë bashkë me ju dhe me qytetarët që sot kanë një detyrë fare të vogël: të deklarojnë adresën e tyre. Në se do ju vijnë në derë mos refuzoni të jepni informacion, kjo nuk pranohet. Nëse do ju trokasin në derë për të pyetur për adresën në mënyrë që ne të bëjmë popullimin, mos i refuzoni, kjo nuk pranohet. Ne nuk do pranojmë asnjë pengesë për të bërë Shqipërinë që duam.
 
Faleminderit shumë!

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje