Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri së bashku me ambasadorin gjerman në Tiranë, z. Helmut Hoffmann zhvilluan një takim me autoritetet portuale dhe ato të policisë së Vlorës.
 
Pas takimit, Ministri Tahiri dha një prononcim për mediat:

 
Erdhëm këtu në portin e Vlorës pas asaj që ndodhi dje, ku qytetarë të mashtruar, me idenë se mund të shkonin në Gjermani apo në vende të tjera të Bashkimit Europian për të kërkuar azil, krijuan një situatë jo pak problematike. Unë jam këtu për t’i bërë të ditur çdo qytetari shqiptar që është absolutisht e pamundur të marrësh përsipër të bësh një udhëtim në vendet e Bashkimit Europian, për të kërkuar azil dhe në këtë mënyrë, për t’i dhënë një zgjidhje problemeve ekonomike apo problemeve të tjera.
Nuk ka asnjë mundësi që në vendet e Bashkimit Europian të kërkohet azil.
Shqipëria është një vend i sigurt, ku respektohen liritë dhe të drejtat themelorë të njeriut. Ashtu siç është me mundësi zero të shkosh dhe të mashtrosh autoritetet, qoftë këtu apo në autoritetet në Bashkimin Europian. Policia po zhvillon hetime të plota, të cilat nuk ja të përqendruara vetëm në Vlorë, por në disa qarqe të vendit. Deri tani janë 5 qytetarë të arrestuar, ndërkohë që hetimet vazhdojnë.
Unë do t’i inkurajoja qytetarët të denoncojnë mashtruesit ose organizatorët e kësaj sipërmarrje të çmendur dhe do t’i ftoja qytetarët të ndanin me ne çdo informacion lidhur me njerëz të cilët përfitojnë nga qytetarët shqiptarë para, për t’i përplasur pastaj kundër autoriteteve, si këtu apo si në vendet e Bashkimit Europian. Hetimi është i shtrirë në disa qarqe. Do të vijojmë. Dhe askush që deri më sot ka organizuar këtë rrjet të paligjshëm të azilkërkuesve potencialë do të shkojë përpara drejtësisë.
 
A ka një numër të azilkërkuesve potencial, të cilët kanë udhëtuar tanimë, përpara këtij aksioni?
Ministri Tahiri: Nuk ka pasur fluks përpara asaj që ndodhi dje. Nga vërtetimet paraprake ishin diçka më shumë se 300 qytetarë të tjerë, të cilët kishin prenotuar udhëtimin po mbi bazën e azilkërkimit në mënyrë të paligjshme në vendet e Bashkimit Europian. Kjo, sigurisht, nuk mund të ndodhë më, jo vetëm në Vlorë, por në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Shqipërisë. Po bashkëpunojmë, ndërkohë, me partnerët, sidomos me partnerët me të cilët kemi regjim të relaksuar të udhëtimit, vetëm me Kartë Identiteti, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mos shfrytëzojnë mundësinë për të udhëtuar nga këto vende, po për të njëjtat qëllime, për azilkërkimin e paligjshëm.
Unë e gjej edhe një herë rastin për t’i bërë thirrje qytetarëve që të mos e provojnë. Është harxhim kohe dhe mbi të gjitha harxhim parash, i panevojshëm, sepse nuk mund të shkosh në asnjë vend të Bashkimit Europian dhe të kërkosh azil. Siç i bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, që  jo vetëm të mos e provojnë, por edhe të ndajnë informacion me Policinë e Shtetit që këta mashtrues t’i vëmë para përgjegjësisë. Këta njerëz që shfrytëzojnë të tilla momente për të përfituar para, qoftë edhe nga varfëria ose nga shpresa e njerëzve për një jetë më të mirë, duhet domosdoshmërish të shkojnë para drejtësisë. Ne jemi shumë të vendosur të garantojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve, por njëkohësisht, të garantojmë sigurinë në pikat kufitare.
 
Rrezikon Shqipëria kthimin e regjimit të vizave? Të paktën kështu pretendon opozita.
 
Ministri Tahiri: Jo, asnjë rrezik! Unë nuk merrem me çfarë pretendon opozita, por nuk ka asnjë rrezik.
Ne jemi duke punuar me partnerët për të garantuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, por nga ana tjetër, duhet të punojmë me partnerët për të garantuar siguri në lëvizjen e lirë. Që do të thotë se pikat kufitare nuk mund të kthehen në një han pa porta, ku qytetarë të mashtruar mund të shkojnë dhe të kërkojnë azil në mënyrë të paligjshme në vendet e Bashkimit Europian. Siç nuk mund të lejojmë që mashtrues të cilësdo race të përfitojnë nga shpresa e qytetarëve për një jetë më të mirë dhe të fitojnë para në mënyrë të paligjshme.
Tashmë që flasim janë 5 të arrestuar. Hetimet të plota do të ketë, edhe financiare, për kompanitë e tyre, të cilat deri më sot kanë fituar para nëpërmjet këtyre mënyrave. Është e pamundur të zhvillohet një biznes në Shqipëri, në kurriz të disa bizneseve të tjera të ndershme. Të zhvillohet një biznes duke mashtruar qytetarët për azil në vendet e Bashkimit Europian. Siç është e pamundur të përfitosh nga shpresa e njerëzve për një jetë më të mirë, duke i premtuar parajsën, nëpërmjet azilit të paligjshëm në vendet e Bashkimit Europian. Jemi shumë të vendosur që lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, për cilindo qëllim, në vendet e Bashkimit Europian, ta garantojmë duke evituar që të ketë disa që shfrytëzojnë këtë mënyrë për të kërkuar azil në mënyrë të paligjshëm.
Lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë është pasuria jonë më e madhe. Bë këtë mënyrë, duke ndaluar që të ketë azilkërkues të paligjshëm, ne garantojmë lëvizjen e lirë të 99.99% të qytetarëve shqiptarë. Azilkërkuesit e paligjshëm kanë vetëm një fat, do kthehen në Shqipëri. Edhe ata që do të kthehen, do të merren në intervistë dhe do të zhvillohen hetime se në cilën mënyrë kanë arritur të shkojnë dhe të kërkojnë azil në mënyrë të paligjshëm.
 
Rrezikojnë procedim për kalim të paligjshëm?
 
Ministri Tahiri: Këto i di policia, unë nuk mund të merrem me procedim. Por jam i sigurt që çdo qytetar që ka kërkuar azil të paligjshëm në vendet e Bashkimit Europian ka diçka për t’i thënë autoriteteve kur të vijë këtu, lidhur me ata që i kanë organizuar apo i kanë mashtruar, duke i marrë para, për t’i çuar atje dhe për t’i aventuruar në këtë çmenduri që, unë e ritheksoj, nuk është e vogël.

Redaksia online