Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama:

Mirëmbrëma të gjithëve!

Jam shumë i kënaqur që ju gjej bashkë, vajzat dhe djemtë e gjeneratës tjetër, me Pandin, me Erionin, me Valin dhe me radhë, disa bashkëpunëtorë dhe bashkudhëtarë të një rruge përpjekjesh të rëndësishme.

Nuk ndodh gjithnjë që të mund të hapim siparin e Akademisë Politike në vigjiljen e një revolucioni të mirëfilltë, siç është Reforma në Drejtësi.

Nuk ndodh gjithnjë që një revolucion i vonuar për 25 vjet me radhë të jetë objekti i një diskutimi kaq të madh, përballë një muri shurdh që synon me çdo kusht ta pengojë këtë revolucion paqësor dhe transformues për gjeneratën tjetër dhe gjenerata të tjera.

Ky është një rast unikal për të thënë se ja se ç’mund të bëjë politika. Politika, që për fat të keq në Shqipëri është diskretituar kaq shumë, sa shumëkush me të drejtë, nuk ia di apo ia ka humbur kuptimin.

Politika, që është bërë si diçka e keqe, të cilës duhet t’i rrish larg se përndryshe bëhesh pjesë e së keqes. Në fakt politika është diçka që mund të bëjë shumë keq, por në radhë të parë është një fuqi njerëzore për mirë. Ajo ka lindur që njerëzit së bashku të bëjnë gjëra që e kanë të pamundur t’i bëjnë vetëm. Si mund të bëhet revolucioni në drejtësi pa politikën?! Është e pamundur! E kush mund ta çelë rrugën e këtij revolucioni të madh përveç politikës.

Sot pamja për të kuptuar se politika është një forcë që mund të bëjë shumë mirë, por edhe një forcë që mund të bëjë shumë keq është e qartë para të gjithëve. Sepse, nga njëra anë është domosdoshmëria jetike e një populli të tërë për ta parë më në fund të ndodhë këtë revolucion dhe nga ana tjetër është pengesa e ngritur nga një grup njerëzish që thonë se përfaqësojnë popullin, thuhet se përfaqësojnë popullin, por që në të vërtetë po i bien ndesh interesave të mëdha që lidhen drejtpërdrejtë me suksesin e këtij revolucioni.

Kjo është reforma më e rëndësishme dhe padyshim më historikja që ne kemi marrë përsipër ta çojmë përpara dhe së cilës ne i kemi dhënë të gjithë mbështetjen tonë.

Edhe pak ditë na ndajnë nga një moment që unë do ta uroj deri ditën e fundit, deri orën e fundit, që të jetë momenti i bashkimit të të gjithëve dhe i votimit të të gjithëve bashkë për t’i çelur rrugën këtij revolucioni, por, që mund të jetë dhe momenti dramatik i një ndarje të re. I ndarjes së qartë dhe të prerë, mes atyre që janë të vetëdijshëm në atë parlament për atë pse janë aty dhe që do ta përfaqësojnë me dinjitet ambicien e popullit shqiptar për t’u çliruar nga kthetrat e një sistemi të korruptuar drejtësie. I cili, iu ka marrë frymën, iu ka nxirë jetën dhe iu ka penguar të ardhmen për 25 vite me radhë. Dhe, atyre që po bëjnë çmos për të mos e lejuar këtë transformim kolosal të ndodhë.

Unë dua t’u them, duke patur parasysh dhe interesin që ka ngjallur takimi që përfunduam pak më parë, ne kemi qënë, jemi dhe do të jemi deri në fund të vendosur që t’ia hapim rrugën këtij revolucioni dhe ta bëjmë të mundur që Shqipëria të ndahet nga një epokë e cila është e karakterizuar në radhë të parë nga mungesa e drejtësisë, nga kultura e pandëshkueshmerisë dhe nga pamundësia e njeriut të zakonshëm për të gjetur normalisht të drejtën në një derë gjykate.

Vendosmëria jonë nuk lidhet vetem me faktin që kjo është një reformë, e cila është një detyrim karshi njerëzve, karshi vendit tonë dhe sigurisht edhe në raport me partnerët tanë ndërkombëtare, pasi ne kemi marrë një rrugë, rrugën për t’u bërë pjesë e BE dhe për t'u ulur dhe në tryezën e BE me të njëjtin dinjitet që ulemi në tryezën e NATO-s.

Sot është më shumë se kaq!

Sot është edhe një përpjekje për të mos lejuar që të na marrin peng vendin tonë.

Ne nuk mund t’i lejojmë vetes për asnjë arsye, për asnjë interes të natyrshëm, legjitim, politik, partiak, numerik, që të pranojmë në heshtje pengmarrjen e vendit tonë. Që në heshtje të shohim se si Shqipëria, në vend që të çelë dyert e BE-së dhe të fillojë negociatat për t’u anëtarësuar në BE, jo vetëm ta humbë këtë mundësi, por të damkoset si vendi që nuk pati kurajën për shkak të përfaqësuesve të vet në parlament, të kalojë Reformën në Drejtësi dhe pengoi, refuzoi përfshirjen e partnerëve tanë strategjikë në procesin e pastrimit të sistemit të drejtësisë, nga prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar.

Merreni me mend se çfarë mund të mendojë çdo mik, çdo partner, çdo i huaj, nëse dëgjon që ky vend po troket për të hapur dyert e negociatave dhe ndërkohë ka refuzuar të fusë në shtëpinë e vet partnerët që duan ta ndihmojnë për të pastruar shtëpinë e vet.

Kjo është diçka që është përtej çdo mundësie për të ruajtur “status quo” –në. Është përtej çdo mundësie për ta bërë Partinë Socialiste bashkëfajtore, qoftë edhe pse votat tona nuk diskutohen, vullneti ynë është i hekurt dhe prirja jonë është e qartë.

Edhe një herë tjetër, sot unë kam bërë të qartë që ne pranojmë çdo propozim dhe çdo zgjidhje që ofron Partia Demokratike me kusht që zgjidhja në fjalë të konsiderohet zgjidhje, dhe jo zgjedhë mbi sistemin e drejtësisë, nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

Ne, këtë reformë si gjithë reformat e tjera dhe vetë rrugëtimin për në BE nuk e bëjmë se na e kërkon Brukseli. Nuk e bëjmë se na kanë vënë të huajt një detyrë, si ato detyrat që shpesh herë bënim ne e bëni ju, gjysëm angari në një lëndë që nuk e kishim e nuk e keni qejf.

Ne, në këtë rrugëtim jemi të imponuar nga fëmijët tanë.

Ky rrugëtim, rrugëtimi drejt BE dhe të gjitha përpjekjet, sakrificat dhe reformat e domosdoshme që sjellin dhimbje, sjellin sakrifica janë borxhi që ne u kemi fëmijëve tanë. Ne nuk mund të marrim borxh të ardhmen e tyre për të zgjatur jetën e një pushteti të ngritur mbi çdo lloj bashkëjetese, që nuk ka në themelin e vet bindjen e plotë se jemi të gjithë në krahun e drejtësisë dhe jemi të gjithë në mbështetje të këtij revolucioni të pashmangshëm e të pazëvendësueshëm nga asgjë tjetër. 

Asnjë ditë Shqipëria nuk mund të vazhdojë të presë drejtësi nga ata që sot e kanë kapur prej fyti drejtësinë.

Çdokujt që atyre kthetrave do t’i japë energji, ne jemi të vendosur t’i themi haptazi në sy të vërtetën, siç kemi kaq kohë që po e themi. Sepse është e pamendueshme që një parti, e cila lindi nga barku i revolucionit demokratik që përmbysi regjimin, me klithmën “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”, sot t’i bëhet mur Europës dhe SHBA, në emër të sovranitetit, që në fakt, për fat të keq siç ndodh gjithmonë kur patriotizmi, flamuri, kombi, sovraniteti përdoren për të fshehur gjithçka që s’ka lidhje fare me lartësinë ideale të këtyre koncepteve, -nuk janë asgjë tjetër përveç se mburoja për t’u kundërvënë në një betejë që zhvillohet me deklarata, zhvillohet me fjalime, zhvillohet me media, por në fakt është beteja më e egër që i është hapur komunitetit ndërkombëtar, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe mbi të gjitha interesit jetik të popullit shqiptar.

Është beteja për të mbrojtur bandën e të korruptuarve në sistemin e drejtësisë dhe për të vazhduar për të mbajtur peng ata, që në këtë sistem janë njerëz të zotë, janë njerëz të ndershëm e që janë të privuar nga një karrierë meritokratike. Sepse, në sistemin e drejtësisë që kemi, shitet dhe blihet jo vetëm drejtësia, por shitet e blihet karriera, shitet e blihet promovimi në karrierë, shitet e blihet çekiçi dhe toga e gjykatësit.

Unë vazhdoj të jem besimplotë që ne në 21 korrik do ta kalojmë Reformën në Drejtësi. Vazhdoj të jem katërcipërisht i bindur me konsensus ose pa konsensus, Kushtetuta ka vetëm një konsensus.

Konsensusi kushtetues është vota e 2/3-ve të Kuvendit të Shqipërisë. Konsensusi tjetër me 100% të votave mirë se të vijë, por nuk është i vetmi konsensus. Përkundrazi, se nëse do të ishte i vetmi konsensus, ata që shkruan Kushtetutën do ta kishin përcaktuar si konsensusin e vetëm kushtetues. Ashtu sikundër, dua t’ju them të gjithëve që në gjithë këtë përpjekje titanike dhe durimplotë për të afruar qëndrimet tona me ato të PD, nuk ka absolutisht asnjë lëkundje në raport me atë që është themeli i Reformës në Drejtësi dhe që është energjia e revolucionit në sistemin e drejtësisë, që është pastrimi i shtëpisë së përbashkët nga mbeturinat e korruptuara dhe korruptuese të këtij sistemi.

Pse nuk mund ta bëjmë dot ne skanimin e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar?

E para, sepse nëse do të ishim të zotë ta bënim, do e kishim bërë me kohë.

E dyta, sepse për fat të keq në sytë tanë, para syve tanë, për 25 vjet me radhë është ushqyer me gjakun e këtij populli, është ushqyer me dhunimin, me përfitimet nga dhunimi i të drejtave të këtyre njerëzve, një monstër, të cilës ne nuk i bëjmë dot ballë vetë. Ne i bëjmë ballë vetëm në bashkëpunim të ngushtë me miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë. Ne i bëjmë ballë vetëm duke pasur në krahun tonë Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilin ata që janë mësuar të blejnë gjithçka e të dhunojnë gjithkënd, nuk mund ta blejnë dot!

Është e hatashme të mendosh se si një parti politike mund t’i kundërvihet Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili nuk do bëjë as më shumë e as më pak, po thjesht skanimin mbi kriteret të mirëpërcaktuara të pasurisë, të vendimmarrjeve dhe të aftësive të të gjithë atyre gjykatësve dhe prokurorëve, përfshirë dhe ata që do të jenë në fillim fare, anëtarë shqiptarë, burra e gra në komisionin e skanimit. Ne jemi të bindur që vetëm ky bashkëpunim, vetëm ky ndërveprim e vetëm kjo mbështetje mund të na çojë ne drejt qëllimit që duam. Përndryshe, e gjithë reforma ka rënë. Përndryshe e gjithë ngrehina e re është e destinuar të rikapet me dorë nga gjykatës dhe prokurorë që prej 25 vjetësh e kanë mbajtur peng drejtësinë me avazin e vjetër.

Ne sot jemi në kushtet kur duhet t’i japim jetë këtij procesi, pa humbur kohë. Duhet ta bëjmë këtë me vendosmëri dhe me bindjen se ky proces është jetik për Shqipërinë. Është jetik për familjet e zakonshme, për njerëzit e zakonshëm dhe për gjeneratën tjetër.

Reforma në Drejtësi nuk do japi rezultatet të nesërmen e ditës së votimit. Do të kërkojë disa vite për të parë efektet e drejtpërdrejta dhe për t’i dhënë njerëzve mundësinë që të shohin edhe përfitimet e drejtpërdrejta, duke u ndjerë qytetarë të barabartë në dyert e gjykatave dhe duke marrë ato që iu takon sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Por, nëse Reforma në Drejtësi dështon ditën e enjte, ajo nuk është një reformë apo një paketë ligjesh që mund të rifutet kollaj në punën e parlamentit dhe mbi të gjitha do të jetë një dështim i madh dhe i pamerituar për gjithë popullin shqiptar. Dhe ato frute të saj që ne do t’i marrim pas disa vitesh nëse e kalojmë ditën e enjte, do të vonohen për shumë e shumë vite të tjera.

Nuk ka bërë vaki që nga viti 1990 që të gjithë miqtë e partnerët e Shqipërisë deri në nivelet më të larta, që nga Shtëpia e Bardhë deri tek kancelaria në Berlin, tek Presidenca në Francë e pastaj me radhë - nuk diskutohet në të gjitha nivelet e Komisionit Europian, - të angazhohen kaq masivisht e për një kohë kaq të gjatë, një vit e gjysëm, për të ndihmuar popullin shqiptar për të shpëtuar nga një e keqe shumë e madhe.

Nëse do të kthenim kokën pas e do kërkonim një gjë të ngjashme do gjenim vetëm operacionin e shpëtimit të vitit 1997. Por ato ishin kushte lufte. Këto janë kushte paqeje. Që do të thotë se akoma më shumë vlejnë këto kushte për të kuptuar se çfarë luhet në datën 21 korrik;

Luhet fati i Shqipërisë!

Unë do ta mbyll, duke ju thënë në sy, një për një, të gjithë deputetëve të Partisë Demokratike, që të luash me fatin e Shqipërisë në këtë farë feje, thjesht e vetëm sepse ke hallin se si do shkojë puna e mandatit tënd, është vërtet diçka që ka vetëm një emër. Këtë emër unë e kam ruajtur ta them ditën e enjte.

Unë personalisht dhe jam i bindur që njësoj si unë edhe të gjithë bashkëpunëtorët, miqtë, shokët, shoqet e grupit tonë parlamentar, ditën e enjte do shkojmë në parlament, jo për fatin e mandatit tim, por për fatin e Shqipërisë. Jam i bindur që jo vetëm kjo është rruga e duhur, por kjo është rruga e vetme. Çdo rrugë tjetër, çdo kthesë tjetër, çdo rrethrrotullim tjetër, nuk është asgjë tjetër përveçse ikja me bisht ndër shalë përpara njërit nga ato momentet më të rralla, më të jashtëzakonshme, më historike që vijnë në jetën e një njeriu që merret me politikë. E nëse njeriut në ato momente nuk është aty, atëherë politika nuk është asgjë tjetër veçse diçka shumë e keqe me të cilën nuk ia vlen të merret askush.

Unë besoj se politika është diçka që është e mirë, përmes së cilës mund të bësh mirë e ia vlen të merresh me të për sa kohë ti je në gjendej të luftosh deri në fund për të bërë mirë.

Unë jam i vendosur deri në fund të luftoj për të bërë mirë e jam i bindur që në 21 korrik do të jenë 94 vota për të bërë mirë.

Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ I vodhën me dhunë aparatet celulare një turisti, arrestohen 2 autorët