Mbrëmë, Banka Botërore akordoi për të mbështetur Shqipërinë, shumën më të madhe të akorduar ndonjëherë në një program të sajin me vendin tonë, 1.2 miliardë dollarë.
Arsyen e shprehu vetë shumë qartë, po Banka Botërore, përmes bordit të drejtorëve ekzekutivë, me dy fjali që thonë shumë: ‘Vendosmëria e fortë e qeverisë, mundësia historike që ka krijuar kjo vendosmëri për t’u ndarë nga e shkuara.’
Kjo është një shenjë shumë kuptimplotë e besimit që pak nga pak po krijojmë tek vendi dhe tek e ardhmja e vendit, reformat tona. Reforma që, u vonuan për shumë vite, ku u zgjodh politika dritëshkurtër e mbajtjes së pushtetit, duke rrënuar shtetin. Politika dritëshkurtër e sigurimit të sotmes, duke sakrifikuar të ardhmen. Politika e mjaltit të gënjeshtrave, në vend të ilaçit nganjëherë të hidhur të të vërtetave.
Sigurisht që, 18 muaj janë shumë pak për të zgjidhur problemet e shumta dhe të rënda të Shqipërisë, por janë mjaft për të kuptuar nëse rruga për t’i zgjidhur është e duhura dhe nëse populli ka të drejtë, siç ka të drejtë, kur thotë se dielli duket që në mëngjes.
Unë besoj se këto 18 muaj janë absolutisht mjaftueshëm për të parë që në mëngjesin e kohës që populli na ka dhënë për të qëndruar në detyrë, se e ardhmja do të jetë shumë më e mirë se e tashmja dhe se rruga drejt destinacionit është në drejtimin e duhur.
Të gjithë shembujt nga çdo sektor besoj se flasin për këtë, duke filluar nga energjia ku ju e dini mirë, të gjithë shqiptarët e dinë mirë, qeveria vendosi të ndërmarrë një reformë, që asnjëherë më parë askush nuk guxoi ta ndërmerrte. Një reformë radikale dhe të dhimbshme. Një reformë që i ngjan plotësisht një operacioni shumë të vështirë në një organizëm shumë të degraduar, me 1 miliardë euro borxh, të akumuluara në vetëm gjashtë vjet nga viti 2007 në vitin 2013. Një borxh i krijuar nga fakti unik në Europë dhe në çdo vend normal të botës, ku gjysma e popullit paguante edhe për gjysmën tjetër, që kishte harruar prej shumë vitesh se energjia paguhet. E jo vetëm kaq, por që në të shumtën e herës e konsideronte energjinë si mall pa zot, që mund të vidhej pa të hyrë asnjë gjemb në këmbë. Faktikisht sot, pas 18 muajsh, ne nuk kemi arritur ende që të kemi një sistem shpërndarje të energjisë, siç e meritojnë të gjithë ata që e paguajnë energjinë.
Ne nuk kemi arritur ende që çdo qytetari, çdo familjeje që paguan për dritat që ndez në shtëpi t’i çojmë faturën që i takon, në kohën e duhur dhe t’i japim shërbimin e duhur. Por, nëse pas 18 muajsh, ne kemi sot mbi 300 mijë konsumatorë që e kanë braktisur rrugën e gabuar të së shkuarës, kanë nënshkruar aktmarrëveshjet dhe janë bërë pjesë e gjithë atij populli që paguan për atë që merr dhe sëbashku kanë sjellë tek fakti që në prillin e shkuar për herë të parë në historinë e vet, kompania doli me të vetat, pra nuk ka nevojë që të fusë duart në arkën e shtetit, atëherë është e qartë që ne jemi në drejtimin e duhur.
Le të marrim arsimin. 18 universitete jashtë çdo lloj binari dhe rruge të ligjit. 13 gjimnaze po njësoj. Fabrika dhe ofiçina që prodhonin diploma pa asnjë vlerë dhe që thithnin kursimet dhe paratë e gjakut dhe të sakrificave të shumë prindërve, të cilët duke i çuar fëmijët në universitet shikonin “ëndrrën” më të bukur të jetës së tyre.
Ne i mbyllëm këto fabrika dhe këto ofiçina, ashtu sikundër pasi hoqëm qysh në fillim, 120 tekste idiote që u servireshin nxënësve në rrugën e dijes dhe pasi për këtë vit që vjen do të heqim edhe 500 tekste të tjera me votën e mësuesve në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Qysh këtë vit do të fillojmë t’i zëvendësojmë këto absurditete të kushtueshme me tekste të Oksfordit, të Kembrixhit, të Pirsonit, besoj që është e qartë që jemi në drejtimin e duhur.
Deri përpara 18 muajsh, ne e dinim shumë mirë sesi mund të bëheshe mësues apo mësuese, sesi mund ta humbje vendin e punës dhe sesi mund ta zinte dikush tjetër, thjesht dhe vetëm për qejfin e një drejtori, për madhësinë e një ryshfeti apo për urdhrin e një partie. Sot kjo është një histori që i përket të shkuarës, sepse të gjithë ata që duan të bëhen mësues tanimë klasifikohen në bazë të një provimi kombëtar. Askush nuk ka të drejtë të emërojë kë të dojë, por sa herë ka një vend të lirë i referohet klasifikimit dhe sipas radhës në klasifikim bëhet edhe emërimi i mësuesve. Padyshim, kjo nuk do të thotë që të gjithë mësuesit në Shqipëri janë ata të cilët nxënësit meritojnë, janë ata të cilët prindërit meritojnë, janë ata të cilët të gjithë ata që bënë zgjedhjen e 23 qershorit meritojnë. Por, nga ana tjetër, kush thotë që ky nuk është drejtimi i duhur, është ose i marrë, ose i lig, ose të dyja bashkë.
Le të marrim spitalet. Askush nuk mund të thotë, - ne jo e jo, - që sot pas 18 muajsh, shqiptarët duhet të na duartrokasin, sepse tmerri pafund i shërbimit shëndetësor dhe pamja, shërbimi dhe shija e tmerrshme e spitaleve ia ka lënë vendin diçkaje që është si dita më natën me atë, që ishte deri para 18 muajsh. Kjo nuk ka ndodhur, por askush nuk mund ta harrojë se deri para 18 muajsh, njerëzit rrinin tek dyert e spitaleve, të dëshpëruar, me receta në dorë, duke kërkuar farmacitë rreth e rrotull spitalit, për të blerë ilaçe 30% më të shtrenjta sesa në Bashkimin Europian dhe sesa në vendet e origjinës së eksportit. Ndërkohë që sot, jo vetëm që nuk ka më mungesë ilaçesh, jo vetëm që ka 85 barna më shumë në listën e rimbursimit, nga të cilat kanë përfituar 150 mijë qytetarë, jo vetëm që 70 milionë dollarë u janë kursyer shqiptarëve me këtë ulje të çmimit, duke mbajtur zotimin që nuk do ketë ilaçe në Shqipëri më të shtrenjta se ato që shiten apo importohen nga Bashkimi Europian, por edhe më shumë se kaq. Sot, në spitalet tona ka filluar të hyjë telemjekësia, e cila i ka kursyer rrugën, mundimet, paratë, kohën, 70% të njerëzve në nevojë për një konsultë urgjence në Kukës, apo në njërin prej spitaleve të tjera rajonale të vendit. Padyshim që, kjo nuk mjafton për të thënë që ky është kapitull i mbyllur, prandaj gëzohuni dhe jetoni të lumtur. Por, ama, kjo mjafton për të thënë se rruga për t’u dhënë shqiptarëve shërbimin shëndetësor që meritojnë është plotësisht në drejtimin e duhur.
SHQUP-i bërtiste dje në parlament për korrupsion me rimbursimin e barnave. Është e vërtetë që ne, përmes strukturave tona të antikorrupsionit, kemi zbuluar një histori të tillë. Prokuroria e ka marrë padinë tonë dhe ka të gjithë mbështetjen tonë për të ndëshkuar që të gjithë fajtorët, kushdo qofshin ata. Sepse në Shqipëri, historitë e korrupsionit janë larg që qeni histori që i përkasin të shkuarës. Në 18 muaj, ne as e kemi pretenduar dhe as e kemi realizuar shfarosjen e korrupsionit, por ndryshe nga 18 muaj më parë kanë ndodhur dy gjëra të rëndësishme;
E para, nuk ka asnjë ministër që jo vetëm të jetë i përzierë me korrupsion, por që të mos e ketë luftën kundër korrupsionit, prioritet në sektorin e vet. Askush nuk ka më imunitet politik, nëse përfshihet në korrupsion, çka padyshim vlen edhe për ministrat, po qe se ndonjëri e humbet drejtimin e duhur nesër.
E dyta, korrupsioni, për ne, nuk ka as ngjyra partie, nuk ka as lidhje farefisnore me ne, nuk është i pafalshëm kur prek kundërshtarët dhe i pafajshëm kur hyn në gjirin tonë. Për ne, korrupsioni është armik që përmes kujtdo që na shfaqet, ne jemi të gatshëm ta luftojmë pa asnjë mëshirë.
Shikoni legalizimet, kali i vjetër i betejës antiligj, antishtet për të mbledhur vota në thesin e SHQUP-i, 20 vjet. Ata që i jepnin votën atij kali, duke menduar dhe shpresuar se shtëpitë e tyre, të bëra me aq mundim, me aq shumë sakrifica, me kursime në emigracion, apo me kursime të punëve të vështira këtu, më në fund, duke e mbajtur në kurriz atë kalë, do merrnin legalizimet, në fakt morën 2 gishta në gojë, 20 vjet. Në 8 vitet e harbimit të kalit në lëndinën e pushtetit u bënë vetëm 21 mijë legalizime, nga të cilat 70% e tyre biznese, ngrehina të shëmtuara mbi rrugë, mbi lumë, mbi kanale kulluese, mbi kanale vaditëse, mbi monumente kulture, mbi parqe mbi terrene sportive. Ne, vetëm në një vit, për hir të së vërtetës, jo në 18 muaj se 6 muaj na u deshën për të bërë inventarin e strofullës pa inventar, pa derë, pa dritare të Shabanit, kemi bërë 32 mijë e 200 legalizime. Pra, 11 mijë legalizime më shumë. Dhe jo vetëm 11 mijë legalizime më shumë, por pothuajse 99% shtëpi dhe të gjitha falas.
Sigurisht që a jemi ne sot, në gjendje t’u themi të gjithë njerëzve që presin të legalizojnë shtëpitë se: Jini të lumtur tani se u bëtë me pasuri të patundshme? Absolutisht jo! Në këto 18 muaj, nuk sistemohet dot rrëmuja e 20 vjetëve. Por ama, këto 32.200 legalizime në vetëm 1 vit mjaftojnë për të thënë me bindje, se rruga e shpëtimit të qindra mijëra familjeve të mbetura peng, në gropën e varfërisë, pasi të gjitha kursimet i kanë bërë shtëpi është absolutisht në drejtimin e duhur.
Kthimi këtyre shtëpive që ekzistojnë vetëm si strehë, por nuk ekzistojnë asgjëkundi tjetër në pasuri të patundshme, në titull pronësie, në kapital të qarkullueshëm, do të bëjë që ato familje të kenë një mundësi më shumë për të dalë nga gropa e varfërisë, të kenë një instrument real në duart e tyre, për të kredituar ekonominë e tyre familjare për të bërë një biznes, për t’u bashkuar me të tjerët në një fermë në vendlindje, për të mbështetur studimet e fëmijëve dhe, padyshim, do të kenë një impakt të jashtëzakonshëm në ekonominë tonë kombëtare.
Ne jemi gati të flasim për punësimin. Shqipëria, 18 muaj më parë na solli në detyrë me një votë plebishitare sepse ishte e papunë, sepse ishte e varfër, sepse ishte e pashpresë. Kjo ishte arsyeja se përse ne u zgjodhëm.
Prandaj, nuk besoj se ka budallenj që të mund të besojnë se varfëria, papunësia, mungesa e shpresës lindën në këto 18 muaj. E kundërta është e vërtetë, që ne jemi ata, që në 18 muaj i hapëm një luftë të betuar, në rradhë të pare, skllavërisë së punës në të zezë.
Ne jemi ata që në 18 muaj bëmë që 93.392 shqiptarë, deri në 31 dhjetor të vitit 2014, nga njerëz të padukshëm që shfrytëzoheshin si mish për top, nëpër ndërmarrje, sot janë qytetarë që kontribuojnë me taksat e tyre dhe paguajnë sigurimet e tyre shoqërore. Pra, asnjë orë pune nuk ju shkon dëm, në funksion të pensionit, njësoj si në çdo vend të Europës.
Kjo luftë vazhdon. Shifrat e këtij viti do të vazhdojnë të jenë shifra impresionuese në nxjerrjen e shqiptarëve punëtorë, nga zinxhirët e skllavërisë moderne.
Ndërkohë nga ana tjetër duke e marrë këtë si diçka që nuk ka ndonjë rëndësi, “hë se s’keni bërë ndonjë gjë, formalizim”, ndërkohë që ka transformuar jetën e thuajse 100 mijë njerëzve deri në fund të vitit të shkuar, - i referohen INSTAT dhe thonë papunësia është rritur m 7%.
E bëjnë me pasion, e bëjnë me zell, e bëjnë ne një mënyrë të atillë që nuk fshehin dot kënaqësinë. Por kjo nuk është e vërtetë. Ç’ka është shtuar me 7% është numri i të papunëve që është regjistruar në Zyrat e Punës, sepse tanimë kanë fituar besimin që mund ta gjejnë një punë me shtetin si ndërmjetësues, falë atij sistemi të zyrave të punës, që po ndërtohet në Shqipëri dhe që nisi nën lidershipin e ministrit të mirëqenies sociale.
Ndërkohë që, po INSTAT-it i referohemi dhe ne. Ky institucion thotë që në fakt në tremujorin e katërt të 2014, në raport me tremujorin e katërt të 2013-s, në Shqipëri kishte 82.629 të punësuar më shumë. Pra, një rritje të punësimit me 8% dhe një ndër raportet e FMN thotë që viti i shkuar ishte viti i parë pas shumë e shumë vitesh me rritje reale të punësimit. Sigurisht që, ne jemi po ata, që deri para 18 muaj thoshin që janë një milion të papunë në Shqipëri. E ne këtë nuk e mohojmë sot si shifër. Ishte e vërtetë para 18 muajsh, është e vërtetë dhe sot që po aq të papunë ishin Shqipëri.
E sigurisht që, niveli i punësimit që ne kemi sjellë në këto 18 muaj është krejt i pamjaftueshëm për të thëne se ne e zgjidhëm problemin e papunësisë, por është plotësisht i mjaftueshëm për të kuptuar se ne i kemi dhënë vendit mundësinë të marrë kthesën në drejtimin e duhur edhe në luftën me papunësinë.
Nuk dua të zgajtem në të gjitha, por e vërtetë është e njëjta gjë edhe për taksat, e vërtetë është e njëjta gjë dhe për reformën e pensioneve.
Një reformë pensionesh që na ka vendosur në një pozitë shumë të vështirë me ata të cilët patën fatkeqësinë të dalin në pension me Saliun. Sepse kush del në pension pas 23 qershorit, falë reformës sonë të pensioneve, merr që nga 1 janari i këtij viti, një pension nga 2% deri në 40% më të lartë.
Ne e shembëm tavanin e pensioneve që e bënte të pamundur për këdo, sado vite të kishte punuar, sado të ishte rropatur, sado sigurime të kishte paguar, të merrte më shumë se 240mijë lekë.
Me reformën tonë janë 20 mijë gra këtë vit të cilat marrin pension nga 2 deri në 40% më të lartë.
Me reformën e tonë janë 5 mijë gjyshe, gra që i kanë shërbyer burrave gjithë jetës dhe nuk kanë shkuar në punë, por, nëse më Saliun do të kishin mbetur pa kokërr leku, marrin një pension social, 67 mijë lekë. A është pensioni social, 67 mijë lekë, një pension që ne të themi se këto gjyshe do të jenë të lumtura? Nuk besoj se mund ta themi këtë dhe nuk e themi. Por a është pensioni social i mjaftueshëm, që këto gjyshe të buzëqeshin për faktin se nuk kanë hyrë në listën e të vdekurve për së gjalli dhe se ndryshe nga e shkuara, sot kanë një shumë që e marrin ato dhe që është e tyrja?
Bëjnë një betejë, Zoti i ruajt, për ndihmën ekonomike. Thonë është ndërprerë ndihma ekonomike, janë shkurtuar 20 mijë dhe me një keqardhje për të cilën në fakt janë boll të stërvitur. Edhe pse unë nuk e besoj se ka shqiptarë që e kanë harruar dhe do ta harrojnë, të paktën jo deri sa të jetë gjallë Saliu, se kush janë ata në të vërtetë. E vërteta është se ne nuk kemi prerë ndihmë e ekonomike për të varfrit. Ne kemi prerë ndihmën ekonomike për të gjithë ata, që ndihmën ekonomike e merrnin nga kryetarë bashkish dhe komunash, për t’u kthyer në ushtarë elektoralë dhe që në bazë të skanimit të bërë, rezultuan që jo nuk ishin të varfër, por kishin vila me tre kate, kishin dy makina e me radhë. Jo vetëm që nuk e meritonin ndihmën ekonomike, por përkundrazi. Ndërkohë që për të varfrit, për ata që realisht meritojnë ndihmën ekonomike, ne e kemi trefishuar. Para 18 muajsh ishte 15 mijë deri në 30 mijë lekë, sot është 45 mijë deri në 80 mijë lekë.
Sigurisht që, nuk mjafton për të thënë që kemi bërë gjithçka dhe që ne jemi dhe s’ka tjetër. Që ne jemi dhe s’ka tjetër, kjo nuk diskutohet, por jo se kemi bërë gjithçka. Faktikisht, duke përfshirë edhe uljen e taksave dhe kemi ulur qysh në fund të 2013-s, në një vit të tmerrshëm financiar ku gjetëm në mes të rrugës, 720 milionë dollarë borxhe, të cilat nuk ishin treguar publikisht, 97.5 milionë dollarë taksa drejtpërdrejt nga xhepi i shtresës së mesme dhe të varfërve; shtuar këtu trefishimin e ndihmës ekonomike nga 40 deri në 80 mijë; shtuar këtu edhe pagesën e 5 milionë e 999 mijë dollarë borxheve që Saliu ua kishte edhe bebeve të Shqipërisë, se kishte dy vjet që nuk paguante bonusin e bebes; Të gjitha këto sëbashku përbëjnë paketën më të madhe sociale që një qeveri e Shqipërisë ka vënë në dispozicion të shoqërisë, në gjithë këto vite.
Sigurisht që, këto nuk mjaftojnë. Po të mjaftonin, ne nuk duhej të ishim këtu, duhej me siguri të ishim shpallur magjistarë dhe të na merrnin për të na konsultuar, për të zgjidhur problemet e globit. Por nuk ka asnjë dyshim që jemi në drejtim e duhur.
SHQUP-i i vjetër thotë kemi një ofertë të re: Punë, dinjitet, mirëqenie. Punë nga ata që e lanë Shqipërinë me një milionë të papunë. Dinjitet nga ata që e lanë Shqipërinë pa shtet dhe mirëqenie nga ata që lanë Shqipërinë pa frymë, në lakun e borxheve.
Ne, në 18 muaj kemi shlyer me para në dorë- dhe me para të vërtetë në dorë, jo me paratë e Saliut që thoshte jua kemi, -550 milionë dollarë borxhe. Borxhe kompanive të rrugëve të lëna rrugëve që, sot e gjithë ditën, Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë që duhet të anuloni një sërë projektesh nga ato që i filloi Saliu pa financim. Një gërshërë, një shirit, një daulle, një tribunë, një mikrofon dhe mjaftonte për të inauguruar një rrugë dhe pastaj u thoshte kompanive, është detyra juaj patriotike ta bëni rrugën me lekët tuaja dhe ne ua kemi. E njëjta gjë për ilaçet. 40 milionë dollarë borxhe, kompanive që furnizonin me ilaçe spitalet. E njëjta gjë për shkollat, për mjetet mësimore, për rikonstruksionet, e njëjta gjë për rimbursimin e TVSH-së, 720 milionë dollarë gjithsej. Këta thonë ofertë e re dhe që t’i japin ofertës së re dhe një vulë garancie, kanë marrë në maternitetin e SHQUP-it një bebe 62 vjeç, për ta bërë kryetar bashkie në Tiranë.
Oferta e re në thelb është: Voto SHQUP-in, të kthehemi sa më parë aty ku ishim, se kështu nuk durohet; Voto SHQUP-in të kthehemi sa më parë tek kush do paguan drita, kush nuk do nuk paguan, se kështu nuk durohet; Voto SHQUP-in të kthehemi sa më parë gjej shesh bëj përshesh, se kështu nuk durohet; Voto SHQUP-in që ta grisim këtë hartën e reformës administrative dhe të kthehemi atu ku ishim, madje mundësisht të kemi edhe më shumë bashki e komuna, nga 400 t’i bëjmë 800.
Dakord, e drejta e tyre të thonë të kthehemi aty ku ishim, se në fakt ata ishim mirë aty ku ishin, tani nuk janë mirë dhe kujtojnë se ky është halli i gjithë shqiptarëve. Por çfarë lidhje ka vota e 21 Qershorit me këto? Si mund të kthehen aty ku ishin, ata që duan të kthehen aty ku ishin, duke votuar në 21 qershor? Bashkia nuk ka asnjë mundësi të kthejë askënd, aty ku ishte. Edhe sikur në një bashki t’i lërë mendja njerëzit dhe të votojnë një kandidat të SHQUP-it, nuk i kthen dot. Po përse e bëjnë këtë? E para, se nuk janë mirë kështu siç janë dhe duan të kthehen aty ku ishin. E dyta, nuk dinë, edhe po të duan, çfarë të thonë për bashkitë, për çerdhet, për kopshtet, për shkollat, për hapësirat publike, për parqet dhe këndet sportive, nuk dinë të thonë për qytetin si nocion, sepse me qytetin kanë një problem të madh, por kjo është një temë tjetër. Ata duan që këtë sherr që e bëjnë çdo të enjte, se të enjten e kemi njohur edhe ne si ditën e sherrit dhe ia kemi lënë të gjitha mundësitë që të rrokanisin gjithë dynjanë me voto SHQUP-in.
Dhe të kthehemi aty ku ishim, ta bëjmë shtatë ditë në javë në çdo bashki duke vendosur nga një kryetar, që të dali dhe të thotë s’kam çfarë të bëj, duhet të kthehemi aty ku ishim, po qeveria është e poshtër, qeveria nuk na lë, qeveria kështu, qeveri ashtu, dhe faktikisht ta mbajnë dy vjet të tjera qytetin, bashkitë peng siç vetëm ata dinë të mbajnë peng.
Ndërkohë që, ka tre arsye pse unë besoj fort, që ka vetëm një zgjedhje në 21 qershor. Pa ekuivok, pa rëndësi nëse përballë kandidati është burri i mirë apo është grua e mirë, se dhe këtë ‘burrë i mirë’ unë nuk e kuptoj shumë. Se ka një shprehje që thotë, ‘burrë i mirë, por unë nuk kam ndonjë motër t’ia jap për grua’. Kështu që ç‘burrë i mirë, kush e do për krushqi, le të bëjë krushqi me burrin e mirë. Në Shqipëri është edhe një zakon tjetër, që për njerëzit që nuk kanë bërë asgjë thonë, “hë mo se është burrë i mirë”. Ndërkohë që, këtu bëhet fjalë, jo për burra të mirë, mund të jenë burra të mirë, gra të mira nuk i hyjë kësaj fare, nuk më intereson. Por bëhet fjalë, që e para çfarë do të zgjedh për familjen time? E dyta, bëhet fjalë me votën e 21 qershorit çfarë mundësie e re i jepet grave. E treat, me votën e 21 qershorit si do të ndryshojë fshati, ku unë jetoj. Këto janë tre arsye, që e bëjnë të pamundur votën për ata.
Thonë Edi Rama i kërcënon se i thotë po votuat PD-në do ngeleni pa ujë. Jo nuk them fare unë. Unë them, që po votuat kandidatët e SHQUP-it morët veten në qafë, si familje në raport me komunitetin. Ndërkohë pres që ata të na thonë një rast, një, jo më shumë, të na thonë një model. Të thonë shiko Edi Rama e ka gabim, sepse shikoni këtë qytet ku ne kemi qeverisur, shikoni këtë bashki, shikoni këtë komunë ku ne kemi qeverisur, sesa bukur e kemi bërë punën dhe prandaj duhet të na votojnë. Ku e kanë?! Më i miri i tyre është ky i Tiranës. Ashtu mendojnë ata. 4 vjet nuk bëri asgjë, mund të kishte bërë edhe keq, po nuk bëri keq. Gjumë 4 vjet, me gërrhima dhe zgjohej vetëm për të sharë qeverinë. Se dy vitet e para që e kishte qeverinë e vetë, vetëm gjumë dhe se mori vesh njeri, a ishte a nuk ishte. Kur ndërroi qeveria, zgjohej bashkia vetëm për të sharë qeverinë, se po i prishte gjumin. Asgjë!
Si mundet tani të votohet një kandidat i PD-së? Dhe, tjetra që po ashtu vlen, duke qenë se ata i kanë vënë këta kandidat për t’i pasur, jo shërbëtorë të komunitetit, po shërbëtorë të SHQUP-it në çdo bashki, edhe sikur këta shërbëtorët të duan të bëjnë ndonjë gjë nuk i lë njëri. Ja u kam treguar historinë e atij kryetarit të bashkisë dhe përsëri po shikoja për të verifikuar, për të qenë shumë korrekt dhe në 18 muaj asnjë kryetar bashkie apo komune, përveç atij të shkretit që më çoi mesazh, nuk ka kërkuar asnjëherë, asnjë takim me mua apo me zëvendëskryeministrin që drejton programin e “Rilindjes Urbane”, për të thënë ‘ore unë kam një projekt’. Edhe në ato bashki të Partisë Demokratike ku kemi bërë projekte të “Rilindjes Urbane”, më lejoni t’ua u them, ja u kemi bërë ne dhe ja u kemi dhënë me zor.
Prandaj, pyetja që njerëzit duhet të bëjnë për 21 qershorin, nuk është oferta e re, oferta e vjetër, por është shumë e thjeshtë. Midis këtyre dy, tre, pesë, shtatë, nuk ka rëndësi, kandidatëve, se në Tiranë janë më shumë se dy. Kush është kandidati tek i cili ne duhet të investojmë votën tonë dhe i cili mund të na zgjidhë problemin që kemi për fëmijën e vogël, se duam ta çojmë në çerdhe, s’ka çerdhe ose duam ta çojmë në çerdhe, po çerdhja nuk është në gjendje të mirë. Po për fëmijët që kemi në shkollë, kush na e zgjidh problemin që rruga para shkollës mos të jetë një vend aksidentesh, që në shkollë të ketë jo vetëm mësim, por të ketë edhe argëtim, e kështu me radhë.
Po për hapësirat midis pallateve, midis blloqeve të banimit, kush na e zgjidh problemin që edhe aty ku INUK-u i çliroi hapësirat të mos kemi të paktën malet me plehra, që i kanë zënë vendin ndërtesave të shembura, por të kemi një kënd për gjyshen që të rrijë me nipin dhe me mbesën. Këto pyetje janë të thjeshta dhe këto kanë lidhje me votën, prandaj nuk ka rëndësi je socialist, je demokrat. Rëndësi ka që me atë votë do të bësh një investim. Ku do e bësh?! Sepse nëse e çon votën në Tiranë tek Erion Veliaj bën një investim për të zgjidhur këto probleme. Nëse e çon votën në drejtim të gabuar, bën thjesht një investim për të mbajtur SHQUP-in me gajret. Çfarë të duhet, kujt i vlen?
Së dyti, unë jam shumë krenar, që ne kemi, më në fund, arritur të zmbrapsim një rezistencë shumë të madhe lidhur me gratë. Kemi vendosur në ligj 50% gra dhe vajza. Kemi bërë beteja të mëdha me shumë kryetarë partie kur bëheshin Këshillat Bashkiakë, na i sillnin listat, vetëm burra. Ore vini një grua? Nuk kemi gra këtu. Se me kë ishte martuar, se kush ua kishte bërë kokën, se me kë i kishin bërë kalamajtë, kjo nuk hynte fare në radarin e tyre. Këshilla komunalë mbushur me burra, gjysma të dehur, gjysma e gjysmës tjetër të inatosur dhe gjysma e mbetur pa lidhje. Çfarë këshillash ishin këto?! Ndërkohë që, unë hyj tek ata që besojnë që populli ka shumë të drejtë kur thotë, do të vazhdosh një muhabet, vazhdoje me burra, do të mbarosh një punë, gjej gra. Dua shumë që gratë këtë vendim dhe këtë transformim rrënjësor që ne e kemi bërë në pjesëmarrje ta marrin si mesazh shumë të fortë për të ndihmuar që gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur, sepse historia e zhvillimit të vendeve tregon një gjë shumë të thjeshtë, vendet me probleme të mëdha ekonomike, vendet me probleme të mëdha sociale, vendet me papunësi të madhe, janë vendet ku pjesëmarrja e grave në vendimmarrje është ose minimale ose zero.
Duke thënë që keni 50% gra në këshillat bashkiakë, mesatarja e Bashkimit Europian është 32%, unë nuk them që tani jemi të parët në Bashkimin Europian, por them që nëse në vendet e tjera të BE-së kjo nuk është alarmante, kjo nuk është ulëritëse si nevojë, këtu ishte një nevojë ulëritëse, për t’i dhënë grave dhe vajzave me dhunën e kartonit të shumicës një vend që të ndihmojnë vendin tonë të përbashkët.
E fundit, këto zgjedhje janë më shumë se asnjëherë tjetër të rëndësishme, si zgjedhje vendore për fshatin. Asnjëherë zgjedhjet vendore nuk kanë qenë të rëndësishme për fshatin. Kurrë! Përkundrazi, kanë qenë zgjedhje që vetëm e kanë shkatërruar fshatin. Sepse, përgjithësisht fshatrat ishin pjesë e komunave dhe përgjithësisht komunat ishin feude njerëzish që në rastin më të mirë nuk ishin menaxherët e duhur dhe në rastin më të keq ishin batakçi. Ndërkohë, mënyra sesi ishte ndërtuar gjithë ndarja e bënte të pamundur, edhe sikur të ishte vërtetë një menaxher i mirë në një komunë të vogël, me mungesë të ardhurash, me mungesë hapësirash për të ndërtuar partneritete, për të thithur investime, etj., ishte praktikisht e pamundur. Fshati nuk ka përfituar asgjë nga zgjedhjet vendore deri sot, sepse në fshat çfarë kanë pësuar në kurriz nga vjedhjet e tokave, nga transformimet e titujve të pronësisë, nga grabitjet me letra të falsifikuara, të të drejtave, pa llogaritur që tek problemet reale askush në komunë edhe po të donte nuk kishte me çfarë të ndihmonte. Sigurisht që ka pasur përjashtime, ka pasur kryetar komunash heronj, që vishnin çizmet vetë dhe bashkë me fshatarët shkonin për t’u përballur me një krizë, por nga pikëpamja strukturore nuk funksiononte. Këto janë të parat zgjedhje ku fshati ka interes të drejtpërdrejtë. Ku familja që punon tokën ka interes të drejtpërdrejtë. Nëse drejtimhumburit e qytetit mund të vazhdojnë në rrugën e gabuar dhe të thonë t’ia japim SHQUP-it se kështu nuk vazhdohet më, në fshat njerëzit duhet t’i referohen instiktit të tyre pragmatik. Duhet të kuptojnë, nëse duan kanale ujitëse të pastruara, nëse duan kanale kulluese të pastruara, nëse duan shërbim për imputet, për farërat, për fidanët e me radhë dhe nëse duan një derë ku të trokasin dhe t’iu hapet dera dhe mos kenë aty një burokrat që as nuk i njeh fare, po të kenë të zgjedhurin e tyre, duhet të votojnë kandidatët tanë, duhet të votojnë Erionin në Tiranë dhe duhet të votojnë kandidatët e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Sepse, përndryshe t’i harrojnë se nuk do t’ua bëjë kandidati i SHQUP-it këto. E para se s’di, e dyta se s’do dhe e treta dhe po të dojë se nuk e lënë.
Për ne këto janë zgjedhje për të thelluar reformat, për të thelluar procesin e rilindjes, për të thelluar transformimet. Për SHQUP-in këto janë zgjedhje për të krijuar kazerma ku të rekrutojnë të pakënaqur dhe të propagandojnë sa më shumë pakënaqësi me idenë që në 2017 do të bëhet deti kos dhe do të ketë kos edhe për Lulin.
Duke e mbyllur ndoshta bëra diçka të pazakonshme, fola pak ose aspak për kandidatin, programin e të cilit ne ndoqëm, por besoj që Erioni nuk ka nevojë për shumë prezantim edhe për shumë fjalë të bukura edhe pse nuk janë pak fjalët e bukura që meriton për punën e jashtëzakonshme që ka bërë, por unë mund t’ju them vetëm një gjë dhe këtu jua them me siguri të plotë; Nëse ka një shumicë njerëzish në Tiranë, në Shqipëri, që vazhdojnë ta identifikojnë ndryshimin me Tiranën e Edi Ramës, të jeni të sigurt që mbas 4 vitesh sëbashku me mua dhe me qeverinë, Erioni do të bëjë që të mos jetë më Tirana e Edi Ramës, por të jetë Tirana e socialistëve dhe e progresistëve. Gjithmonë e më shumë njerëz do ta kuptojnë që nuk është çështje e një njeriu, është çështje e një ekipi, është çështje e një vizioni, është çështje e një programi dhe është çështje e disa vlerave dhe parimeve të asaj familje, të atij grupimi politik që i jep vendit kandidat dhe që ju jep kandidatëve mbështetje.
Ne jemi shqiptarë, njësoj si ata të SHQUP-it dhe nuk mund të themi që ne jemi të mirë dhe ata janë të këqij. Nuk na bën kjo të ndryshëm. Pavarësisht se ndonjëri prej tyre, në ndonjë rast, na ka kujtuar më shumë qenie me katër këmbë, sesa me dy këmbë. Por, ajo që ne na bën më të mirë se ata është Partia Socialiste e Shqipërisë. Ajo që ne na bën më të mirë se ata janë vlerat dhe parimet në të cilat ne besojmë.
Ju e dini mirë, është një shprehje që e përdorin shpesh dhe ma përdorin edhe mua ca nga këta shokët që janë këtu: ‘A s’kanë fajë ata, thonë, se ne jemi të butë. Të ishin ata!’ Ndërkohë që, unë këtë gjithmonë e kam përkthyer ndryshe, shyqyr që Shqipëria na ka ne, jo se jemi të butë, por se jemi të mirë.
Faleminderit!
Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com