Fjala e plotë e kryeministrit Rama në
mbledhjen e grupit parlamentar të PS

A është i pafajshëm Saimir Tahiri? 
 
Në Shqipëri, pas prindërve të tij, vjen i pari një njeri që dëshiron të besojë pafajësinë e Saimirit. Jam unë!
 
Por, ndryshe nga nëna dhe babai i Saimirit, unë nuk jam prindi i tij - edhe pse, qyshse u bëra Kryeministër, edhe tim bir e kam pasur në komunikim pak herë në muaj, ndërsa me Saimirin si ministër i Brendshëm, kam komunikuar edhe disa herë në ditë. 
 
Në tetë vite punë në Partinë Socialiste në opozitë, ai ishte i riu i parë që hyri në seli pas meje, kur sapo isha zgjedhur kryetar. Kishte qenë vullnetar në fushatën për bashkinë në vitin 2003, u paraqit përmes një email-i, ku dëshironte të lexoja disa ide të tij për reformimin e Partisë Socialiste. E nisi rrugën e karrierës si koordinator i një rrjeti vullnetarësh, që e ndërtoi vetë nga hiçi. Pastaj u bë ai zëdhënësi i ri i partisë, me një dërrasë të zezë, mbi të cilën shkruante me shkumës para kamerave, faktet kompromentuese të korrupsionit qeveritar. I ngjiti shkallët një e nga një, me ambicie të fortë e vullnet të veçantë.
 
Për meritat e tij në punë u zgjodh edhe ministër i Brendshëm.
 
I dhashë të gjithë besimin e të gjithë mbështetjen time, njësoj si të tjerëve në fakt. Por, siç kërkoi dhe tregoi koha, në detyrën e vështirë që mori, atij iu deshën që të dyja, më shumë se gjithë të tjerëve.
 
Nuk i ndërhyra as edhe njëherë të vetme në zgjedhjet e bashkëpunëtorëve në Ministrinë e Brendshme. I kam miratuar pa ngurrim, kandidaturat që ai më ka propozuar për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Si të parin, edhe të dytin.
 
Nuk e kam pasur kurrë, deri ditën që ai ka ikur nga zyra e ministrit, as numrin e të parit e as numrin e të dytit në telefonin tim. Çdo mesazh të qytetarëve, apo shqetësim, përmes telefonit, për Policinë e Shtetit, ia kaloja ministrit dhe aty mbyllej.
 
Nuk mbaj mend të kem folur ndonjëherë në katër vjet me një drejtor policie, apo shef komisariati në telefon. As kam takuar ndonjë prej tyre, vetëm apo në grup,  përveçse në rastet e takimeve shumë të rralla të punës me ta, në prani të ministrit.
 
Nuk kam lejuar në asnjë rast që kam marrë dijeni, që ministri i Brendshëm të vihej në pozitë nga deputetë apo kolegë ministra. As për gjoba shkeljesh të rregullave të qarkullimit, të cilat, kur nisën fletët e gjobave, pas 23 vjetësh imunitet të paligjshëm të politikanëve ndaj policisë, krijuan një acarim të madh ndaj Saimirit; as për ankesa për këtë apo atë drejtor policie, që nuk u bindej më deputetëve në telefon sipas traditës; as për ndërhyrje të policisë në një rast a një tjetër, kur deputetët viheshin në pozitë nga ankesat e njërit a të tjetrit zgjedhës në zonë, apo të njohur të tyre, për policinë këtu e për policinë atje.
 
Kush është këtu dhe ishte edhe në mandatin e shkuar në grupin tonë, mund ta kujtojë, besoj, që qysh në mbledhjen e parë pas formimit të qeverisë së parë, ju kam thënë: 
 
Në tre drejtime do t’i ndalojmë si fillim, menjëherë, ndërhyrjet politike:  Policët, mësuesit, diplomatët! Prandaj mos u bini telefonave të ministrave, për të futur në punë as policë, as mësues, as diplomat. E kanë të ndaluar nga unë t’ju hapin rrugën! Sepse pa të paktën këto tre figura, shteti nuk ngjan gjëkundi me një shtëpi të përbashkët, po me një han me shtatë porta, siç ishte.
 
Më është dashur ta përsëris jo njëherë këtë, në fillimet e mandatit tonë. Në ndonjë rast kam bërë edhe debat me ton të lartë me ndonjë anëtar të grupit. Sepse nga një anë tradita mizerabël, nga tjetra, presioni i madh i kërkesave të njerëzve, e bënin shumë të vështirë për deputetët të përshtateshin me këtë rregull. I cili atëherë dukej si kufizim i pushtetit të tyre mbi ministrin dhe si një pushtet i pakontrolluar i ministrit.
 
Por, sidoqoftë, e vërteta është se pas disa kohësh, mes edhe ca turfullimash e grindjesh, u arrit përgjithësisht mirëkuptimi dhe u respektua, me ndonjë ekses të rrallë më pas, kjo linjë e panjohur deri në vitin 2013.
 
Për herë të parë në historinë e tranzicionit, Policia e Shtetit nuk ishte më mish për t’u shqyer në tepsinë e pushtetit. Dhe, edhe aleateve tanë të vegjël, - po me oreks të madh, si çdo i vogël që do të rritet me nxitim -, iu ndalua futja e duarve, të kudondodhura të partive, nën mëngën e Policisë së Shtetit. 
 
Mundësi e madhe dhe përgjegjësi e madhe. Asnjë ministër i Brendshëm s’kishte pasur ndonjëherë kaq shumë në dorë.  Sepse, nga një anë u mbroja qysh atëherë bindjen se nuk bëhet dot shtet, nëse institucionet e zyrat popullohen me telefonata e me ndërhyrje imponuese politike nga të katër anët. Por kisha edhe bindjen tjetër, se sidomos të zgjidheshe ministër i Brendshëm, në Shqipërinë e vitit 2013, për të ringritur policinë e shkatërruar që trashëguam, duhet të kishe jo vetëm çelësat e zyrës, po edhe mundësinë ta ushtroje mandatin me fuqi të plotë.
 
Për të vendosur rregull në atë trupë, të shkrehur nga vite të tëra tradhtish e keqtrajtimi banal dhe për të luftuar kriminalitetin, aso kohe gëlues e imazhin qesharak të policit në rrugët e kohës, nuk mund të ishe një prift me mjekër të rruar, si paraardhësit e panumërt të Saimir Tahirit. 
 
Është e vërtetë ajo që Saimiri e përsërit hera-herës.
 
Ishte ministri më jetëgjatë në atë detyrë në historinë e tranzicionit. Por jo sepse ishte i afërt me mua si njeri. As sepse ra nga qielli në mesin tonë, i lindur për të qenë ministër i Brendshëm. Po sepse unë i pari fare në fillim dhe pak nga pak, të gjithë deputetët e Partisë Socialiste, përfshirë dhe gjithë Partia Socialiste i dhamë besim të jashtëzakonshëm. Dhe nuk ia kursyem mbështetjen, sa herë ishte e nevojshme, për ta drejtuar Ministrinë e Brendshme si drejtuesi i pakontestuar dhe i pakontestueshëm brenda nesh, i projektit më ambicioz, që një qeveri e këtyre 27 viteve ka synuar të verë në jetë, për të ndërtuar një Polici të Shtetit Shqiptar të denjë për këtë emër. 
 
Sigurisht, sot s’është dita për të renditur sesa shumë fitoi vendi dhe fituan njerëzit  nga kjo linjë e re jotradicionale dhe sesa shumë ndryshoi në shumëçka Policia e Shtetit, nën drejtimin e Saimir Tahirit.
 
Nuk jemi mbledhur këtu ta dekorojmë ministrin më jetëgjatë në atë karrige, e cila për shumëkënd përpara tij ka rezultuar të jetë politikisht elektrike, ose minimalisht paralizuese.
 
Jemi mbledhur të flasim për çfarë duhet të bëjmë ne, lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. E cila nuk kërkon vetëm një sërë masash të rënda shtrënguese në funksion të hetimit që ka nisur, po deri edhe arrestimin e Saimir Tahirit. 
 
Prandaj nuk do të kishte kuptim sot, nëse unë, kryetari dhe Kryeministri juaj dhe i të gjithë atyre që na besuan vetëm pak muaj më parë, për të udhëhequr Shqipërinë, me një shumicë votash që asnjë parti, as vetë kjo parti s’e kishin marrë ndonjëherë, nuk do të merresha në këtë fjalë drejtuar jush, mbështetësve tanë e mbarë opinionit publik, me pyetjen e stërmundimshme: 
 
A është i pafajshëm Saimir Tahiri? 
 
Natyrisht nuk mund të kërkohet nga unë si përgjigje, as një shpallje politike pafajësie, as ngritja e ndonjë pikëpyetjeje mbi pafajësinë. Por shumëkush e kërkon me të drejtë, çfarë mendoj unë, kush është mendimi im i sinqertë përballë kësaj pyetjeje.
 
Sepse ky është një rast atipik, ku unë gjendem në një pozitë atipike, pikërisht për shkak se Saimir Tahiri, kjo dihet botërisht, nuk ishte njëri nga ministrat e qeverisë sime deri dje. Jo, ai ishte ministri më i ekspozuar i saj, më popullori në opinionin e shumicës dhe më i urryeri në sytë e pakicës - shpesh këto shkojnë bashkë, sidomos në Shqipëri, - me sukseset më të duartrokitura publikisht dhe akuzat më të panumërta publike - këto shkojnë gjithmonë bashkë në Shqipëri, ku suksesi është edhe një lloj i veçantë mallkimi, - e mbi të gjitha, ministri i Brendshëm perceptohej nga të gjithë, jo pa arsye, edhe pse, sipas meje, pa të drejtë, si bashkëpunëtori im më i ngushtë dhe si i preferuari im në kabinet.
 
E vërteta është se rrugëtimi i vështirë katërvjeçar dhe peripecitë e mëdha në punën e ministrit të Brendshëm, për të ngritur në këmbë Policinë e Shtetit, më vunë vazhdimisht në mbrojtjen publike e jopublike të punës së tij. Prej këtu, edhe arsyeja e mirëkuptueshme e perceptimit të gabuar se ai ishte bashkëpunëtori im më i ngushtë dhe i preferuari im mbi të tjerët.
 
Në fakt, isha unë që për arsyen se ministri i Brendshëm ishte në frontin më të vështirë dhe më shumë se çdo ministër tjetër nën baltën e zjarrin e opozitës, iu gjenda vijimësisht shumë pranë, për të mbrojtur punën e tij të palodhur.
 
Pse po i them këto dhe çfarë lidhje kanë me pyetjen:
 
A është i pafajshëm Saimir Tahiri?
 
Sot, Saimiri nuk është më ministër dhe një fije peri e ndan në sytë e opinionit publik, viktimën e një sulmi të papërmbajtur e prandaj edhe të keqorganizuar në mënyrën më diskredituese, nga heroi i rremë i transformimit të policisë, i cili, siç pretendojnë akuzatorët e tij, pas shëmbëlltyrës së re dinjitoze të policisë së rilindur në fytyra vajzash e djemsh të rinj nëpër rrugë, ka ndërtuar në bashkëpunim me llojin më të poshtër të kushërinjve që mund t’i bien për hise njeriut, një mbretëri të krimit të organizuar, që ngjan si një prodhim kinematografik i Netflix-it. 
 
E ja pra, po, e di mirë, unë nuk shihem sot, si Kryeministri i radhës në raport me një kërkesë të prokurorisë për një deputet të radhës. Po shihem, - e mirëkuptueshme, - edhe si njeriu i tij më i afërt, i një historie katërvjeçare betejash reale, me suksese te padiskutueshme, gabime te pamohueshme, akuza të pambarimta dhe prapaskena të hatashme.
 
Prandaj, edhe e kam të qartë detyrimin e pashmangshëm ndaj opinionit publik, ndaj të gjithëve ju këtu, padyshim, që të mos mjaftohem me një fjalim rasti mbi parimet e së drejtës dhe vullnetin tonë të shpallur, për të luftuar për drejtësi në këtë vend e për të kërkuar drejtësi për gjithkënd. Prandaj jam i detyruar të flas sot, sa më qartë dhe drejtpërdrejtë. Jo për të vërtetën e Saimir Tahirit, po për të vërtetën time, përballë pyetjes:
 
A është i pafajshëm Saimir Tahiri?
 
Pas akuzave të ngritura nga prokuroria, për hir të së vërtetës, me një vrap që do të kishte hutuar edhe Ben Johnson-in që rekordin e botës në 100 metërsh e theu me doping dhe me një paraqitje komike që do të kishte  xhelozuar edhe vetë personalisht Mister Bean-in, kjo pyetje duket e tepërt.
 
Kësisoj, mbase shumëkush mund ta ketë pritur , në fakt, plot e kanë pritur që në fillim, por edhe më shumë e presin që tanimë unë t’i bashkohem qëndrimit haptazi e ngultazi të prerë të Saimir Tahirit kundër një gjyqi farsë, që për hir të së vërtetës i ngjan një farse të inskenuar nga amatorë inatçinj.
 
Por, jo, e kam bërë këtë rregullisht, gjithmonë. I jam bashkuar atij, haptazi e ngultazi, kur ishte ministër i Brendshëm dhe i bëhej papushim i njëjti gjyq nga prokurorë e gjykatës të veshur si deputetë. Prandaj askush që mund ta presë këtë prej meje edhe sot, nuk ka asnjë faj, përkundrazi. Sepse deri këtu, deri në këtë sekondë që po flasim, gjithë çfarë kemi parë, është një kopje surrogato e gjyqit politik që shumëkush prej nesh e ka parë katër vjet në parlament.
 
Por, në fakt, për mua, pyetja, “A është i pafajshëm Saimir Tahiri?”, nuk është aspak e tepërt dhe mund t’jua rrëfej pa asnjë droje, se do të mbetet gozhdë në mendjen time, deri kur të marrë përgjigje.
 
Përgjigjen e Saimirit e kam dëgjuar. Edhe sy më sy, edhe në publik. E kam dëgjuar edhe më parë, disa herë. E kam dëgjuar sigurisht edhe këtë herë. Është fiks e njëjta, siç e keni dëgjuar ju dhe tanimë, tërë Shqipëria. Asnjë fjalë më shumë, asnjë më pak: Me makinën kam gabuar, po pa asnjë qëllim ose dashje, duke mos më shkuar mendja gjëkundi për pasojat që erdhën më pas nga mënyra sesi u torr ajo histori. Asgjë nga këto të tjerat nuk është absolutisht e vërtetë! Zero. Fjalët që kam dëgjuar unë, që keni dëgjuar të gjithë, që ka dëgjuar gjithë Shqipëria.
 
Por mua sot nuk mund të më mjaftojë dot, përgjigja e Saimirit.
 
E kam të pamundur jo ta besoj, por të mjaftohem me fjalën e tij.
 
Sepse tanimë, akuzat fajësuese nuk ziejnë thjesht në kazanët e vjetër të politikës e medias, po janë gatuar me duart e një organi ligjzbatues; Prokuroria e Krimeve te Renda.
 
S’besoj se ka nevojë të them këtu, pse do të ishte zhgënjimi më i rëndë në kujtesën time dhe mësimi më i hidhur i jetës sime në shërbimin publik, nëse do të zbuloja në fund të kësaj historie se Saimir Tahiri nuk është ai që unë njoh, që e kanë besuar e mbështetur me gjithsej, pas meje, kaq shumë njerëz, po një vemje, e cila e turpëron fjalën njeri!
 
Ndaj ju them, kushdo le të mendojë ç’të dojë dhe le të thotë çfarë t’i vijë nëpër mend, jo e lëshoi Saimirin tonë, jo ia mblodhi Saje Qorri i tij, jo fajin e ka Saliu se djali ka punuar me përkushtim, jo nuk e di çfarë tjetër akoma… Nuk më intereson. Për mua, nga çasti i parë, pas shijimit të asaj çorbe të neveritshme krimi e në vijim, sot dhe deri kur të dalë e vërteta, nuk ka rëndësi në këtë histori, asgjë tjetër, përveç përgjigjes së pyetjes:
 
A është i pafajshëm Saimir Tahiri?
 
Unë kësaj pyetjeje, as nuk i ika duke sulmuar kur kjo katrahurë sapo filloi, as nuk i iki sot duke sulmuar dhe as kam për t’i ikur duke sulmuar, edhe pse fronti i çorbës së vjetër ma ka bërë të lehtë fare, mundësinë e luftës politike në vend të përgjigjes. Jo, kësaj pyetjeje unë nuk i iki duke bërë zhurmë me batarenë e sulmit politik, edhe pse populli socialist mezi e pret flakën për flakë në këtë rast dhe nuk ka hiç faj, apo edhe pse Saimirit, kjo mund t’i vinte ndoshta më për mbarë. Jo, boll e kam bërë avokatin e Saimir Tahirit, për katër vjet, në gjyqin e shesheve të katundit tonë politik e mediatik. E kam bërë me vetëdijen më të plotë e pa ma kërkuar kurrë ai – e duhet ta them këtu, më vjen vërtet shumë mirë, që Saimiri jo nuk ma ka kërkuar as këtë herë, po e ka thënë qartë se nuk ka nevojë për askënd nga ne që të bëjë avokatin e tij.
 
E kam bërë me besim të plotë dhe pa dyshuar kurrë në integritetin e tij, në raport me qëllimin e madh që kishim bashkërisht në betejën e një fronti të vështirë. E kam bërë me pasionin që unë kam për të ndryshuar Shqipërinë, në këtë rast për sigurinë e qetësinë e njerëzve, dinjitetin e Policisë së Shtetit, si fytyra e shtetit që prej katër vitesh po përpiqem të bëj bashkë me ju e me qindramijëra të tjerë.
 
E kam bërë me mish e me shpirt, pa shkëmbyer kurrë, kurrë, kurrë, asnjë favor tjetër, përveç miqësisë, ideve, njohurive, energjive krijuese e zbatuese, me Saimir Tahirin! 
 
A jam pishman sot?
Jo!
 
Në asnjë mënyrë nuk jam dhe s’kam si të jem pishman.
 
Sepse në gjithçka bëmë, në një punë dreqi si ajo që nisëm së bashku, në vitin zero për Policinë e Shtetit në 2013-n, padiskutim nuk kanë munguar gabimet, por në as edhe një rast të vetëm, nuk kemi vendosur të gabojmë me qëllime të padenja për privilegjin e lartë të detyrës, që na lidhi bashkë ngushtësisht, mua dhe ministrin tim të Brendshëm. 
 
Por ama, përsa kohë pyetja, “A është i pafajshëm Saimir Tahiri?”, mbetet në pritje të përgjigjes, unë dua të shtoj këtu se uroj dhe e uroj me të gjithë qenien time, të mos e kem pishmanin e jetës sime politike, gjithçka i kam dhënë e gjithçka kam marrë nga Saimiri, qysh në kohën kur ai hyri pas meje, në selinë e Partisë Socialiste, në vite të tëra energjish, të shkëmbyera betejash të bëra sëbashku e sakrificash të kaluara sëbashku.
 
Me shumë prej jush nuk kam folur dot në këto ditë dhe net të mbushura me shqetësim të madh e me budallallëqe madhështore. Kështu që jam i bindur se të gjithë e ndani me mua bindjen, se detyra jonë si avokatë të Saimirit ka mbaruar ditën që deputetit Saimir Tahiri pajtoi një avokat, për të hyrë në një betejë ligjore për drejtësi. 
 
I falenderoj përzemërsisht, të pesë anëtarët e Komisionit të Mandateve dhe Rregullores, për avokatinë pa asnjë të metë që i bënë vizionit e vullnetit tonë, për drejtësinë e bazuar në Kushtetutë e në ligj. Dua ta theksoj në këtë moment, fort e qartë, se kjo parti s’ka për t’u bërë asnjëherë mburoja e askujt përballë drejtësisë. Por ama, kjo parti s’ka për të lënë asgjë pa bërë, që në emër të drejtësisë të mos griset Kushtetuta, te mos shqelmohet ligji dhe të mos poshtërohen deputetë e shërbëtorë publike.
 
Me alibinë se po luftohet krimi e korrupsioni; me justifikimin se ka apo s’ka prova, s’ka problem se politikan është ky dhe i korruptuar e i inkriminuar i bie të jetë; me synimin për të bërë një rrugë e dy punë, edhe luftën me krimin e korrupsionin, edhe larjen e hesapeve për llogari të palëve politike, ky vend e ky popull nuk ngjiten dot kurrë më lart, po vetëm rikthehen në rrugët e tatëpjeta të së shkuar.
 
Arbitrariteti, në çdo formë që shfaqet në jetën tonë, është i pajustifikueshëm. Ndërsa, kur shfaqet qoftë në formën e nevojës politike për të përdorur drejtësinë, qoftë në formën e kërkesave të pamotivuara të organeve të drejtësisë në emër të drejtësisë, ose, aq më keq, në formën e simbiozës të të dyjave bashkë, është jo vetëm i pajustifikueshëm, po i papranueshëm. E si i tillë, arbitrariteti është edhe i patolerueshëm.
 
Drejtësi po. Deri në fund dhe ta mësojnë të gjithë njësoj. Arbitraritet jo. Ndaj kurrkujt dhe ta harrojë kush e çon sot nëpër mend. 
 
Ku bën vaki, në cilin shtet e në cilën teori të së drejtës, që t’i kërkohet të akuzuarit të provojë se nuk është fajtor?
 
E ka ndarë, - është për të vënë kujën - o njerëz, e ka ndarë kjo botë këtë punë, qysh në kohën e të drejtës romake:
 
Ai që akuzohet s’ka asnjë detyrim të provojë se nuk i ka bërë ato për të cilat akuzohet. E ka ai që akuzon, barrën ta faktojë me prova, jo me bindjet e veta, çdo akuzë qe ngre për dikë.
 
Katundi ynë politik dhe mediatik, ku akuzat kërcasin përditë si në harados, jeton yhy, në barbari, shumë më tutje në kohë, sesa periudha e tejlargët, kur u sanksionua e drejta romake. I akuzuari nuk ka çfarë provon, kur akuzuesi nuk jep asnjë provë për akuzat që ngre. Pikë.
 
A nuk iu ngjan pak kjo barbari e rishfaqur këto ditë, në formën e një kërkese arbitrare arresti, me atë që në fillimet e rrëmujshme të tranzicionit, mes shkatërrimit të sistemit të vjetër dhe mllefit të udhëheqjes vulgare në rrugën e panjohur drejt një sistemi të ri, çoi prapa hekurave kryetarin e kësaj partie?
 
I vetmi politikan i dënuar me burg në këtë vend, në 27 vjet, me të njëjtën lehtësi vrastare, bazuar natyrisht, kjo është një koincidencë ironike e fatit, në ca letra magazinash nga Italia, pa asnjë lidhje direkte me të, po në emër të medemek luftës së të resë, për të bërë drejtësi kundër korrupsionit të së vjetrës.
 
Kush e inskenoi me ngutin më të marrë, rikthimin sot, pas 25 vjetësh, të asaj stafete barbarie mes politikës që baltos e drejtësisë që burgos, le të tundë katundin politik e mediatik me të shara e britma, po ta harrojë se e kthen mbrapsht në ato zgafella injorance inkuizicionale, Shqipërinë e shekullit XXI. 
 
Sot, kur shqiptarët presin dhe s’ka si të jetë rastësi, nga dita në ditë, me gjasë nga kjo javë, nisjen e zbatimit të Vetting-ut, për të parë më në fund pas 27 vjetësh, rezultatet konkrete të një reforme historike në drejtësi, të cilën e udhëhoqëm ne, Partia Socialiste, në një rrugë gjithë prita e intriga; e mbrojtëm ne, Partia Socialiste, nga mbytja në detin e tallazeve, të ngritura prej atyre që sot kanë vënë maskën e Frontit Opozitar; e duam ne, Partia Socialiste, më shumë se kurrkush tjetër në këtë vend, se është fryma e misionit tonë në krye të vendit, nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë, që drejtësia të hyjë në spiralen e një farse ndaj një deputeti, duke bërë çorap dynjanë, por bashkë me Vettingu-n dhe bashkë me Reformën në Drejtësi. 
 
Si mund të bëjë vaki sot, kur Shqipëria ka dale nga tranzicioni me statusin e vendit kandidat për në BE dhe pret të çelë në pranverën e ardhshme, negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, që ca muhabete të llumit të kazanit të krimit, të dala në kazanin e medias dhe pasi janë zier me mijëra herë në ballkazanin e politikës, të përdoren për të arrestuar një deputet me burg? Pa e marrë në pyetje, lëre më pastaj për hetime të thelluara e prova të faktuara, që as bëhet fjalë…
 
Ku u gjet ky zell i panjohur, i një Prokurorie Krimesh të Rënda që s’ka lëvizur gishtin qëkur ka lindur, jo për ndonjë nga mijëra akuzat e ngritura sheshit nga njerëz publikë, jo përgjime nga llumi i krimit, po as për ca fakte e për ca prova që dihen e shihen ashiqare, si të dyshimta e shumë të dyshimta madje, për të përdorur terma juridikë, në pasqyrën e viteve të jetës së asaj Prokurorie? 
 
Kurrë, as edhe njëherë, jo se thanë e çfarë nuk thanë, po as se i sakatuan, as se i dogjën, as se i vranë, jo fare, hiç, kurrë një gisht se lëvizi kjo Prokurori me një emër kaq të madh e me një bilanc memec në vite.
 
Po pse, ku jemi këtu (?), në cilën epokë të gurit a të drurit, që u gjetka kurajoja për ta sfiduar Kushtetutën, ligjin, Parlamentin dhe vetë inteligjencën e popullit shqiptar, për t’i prerë faturën e burgut një deputeti, me katër fletë bakalli, të cilat do të ofendonin çdo bakall? Se zor shumë, që edhe bakalli më eksiq do ta ofendonte edhe  blerësin më hutaq, duke i dhënë një faturë ku llogaria mbaron me “etj.”! 
 
Kujt dhe për llogari të kujt, deshën t’ia shesin këtë faturë arresti me burg të një deputeti, këta prokurorë, të cilëve ky popull u ka besuar drejtësinë për krimet më të rënda, ndëshkimin për vrasësit, trafikantët, të korruptuarit e këtij vendi? O Zot, kështu i luftojnë kriminelët këta, me “etj.”?! Dhe pastaj e zgjidhim rrugës, a ishe ti, apo ishte një tjetër që ia mori jetën një “etj.-ri”, mes shumë “etj.-erëve, për të cilët zemrat e përvëluara të familjarëve të shkretë vazhdojnë të kërkojnë drejtësi?
 
Po norma, prandaj vazhdon avazi tani e katër vjet, policia kap e hidh pranga natën dhe kriminelët dil në mëngjes, duke dredhur zinxhir nga dera e gjykatës!
 
Po pse çfarë jemi, sipas këtyre faturistëve të arrestit pa asnjë provë, ne ligjvënësit shqiptarë?
 
Apo na dinë ekspertë kontabël, nga ata që firmosin bilance false për të marrë ryshfet?
 
Apo mos na dinë gjë për inspektorë pune, nga ata të cilëve fëmijët e skllavëruar, që çmontonin municione në fabrikën e vdekjes në Gërdec, u dukeshin si kafshë hamallëku? 
 
Apo neve na erdhi në shteg Saje Qorri, juve jeni në shtegun e Vetting-ut… një rrugë e dy punë, rrezojmë qeverinë e krimit e ju bëni çorap Vetting-un, me gjithë planin ogurzi të mbështetësve euro-amerikanë për të zbatuar atë reformë të mallkuar në drejtësi?! 
 
Pyetje retorike janë këto. Nuk e di.
 
Kemi prova, si s’kemi prova(?), po janë sekret… S’duam t’i shohë populli, nuk i nxjerrim. Mirë, dakord, u mbyll dera. E çfarë doli ndonjë gjë e re?  Doli, si s’doli! Doli se mes seancës në sytë e popullit dhe seancës vetëm në prani të Komisionit të Mandateve, pozicioni i derës ishte i ri. Nga 90 gradë me murin u bë rrafsh me murin. 
 
Nuk njoh asnjë nga të tre prokurorët që e ulën institucionin e tyre në pikën e më të ulët historike, që një institucion është ulur në sytë e popullit shqiptar. Por, nëse edhe mund të provoj ta  besoj, që ata mund të jenë të bindur se Saimir Tahiri është një kriminel ndërkombëtar me damkë, nuk e gjej dot, sinqerisht, asnjë lloj mundësie të besoj se ata njerëz, sidoqoftë me shkollë e me njëfarë eksperience, e besonin vërtetë se ato katër fletë bakalli dhe ato qindra faqe të nxjerra në mexhelis nga tellalli, justifikojnë faturën e arrestit me burg të një deputeti! Kurrë nuk e besoj dot!
 
Por, megjithatë, kaq për atë shfaqje sa dramatike, aq dhe komike të prokurorisë në Komisionin e Mandateve, ku për hir të së vërtetës u vu në pozitë edhe vetë gjysma e djathtë e ligjvënësve. Ata kishin ardhur si ata inspektorët klasikë të mjedisit, për të ngrënë mish, pas vënies së gjobës arbitrare në një klub fshati, dhe u kthyen në studio avokatore e prokurorisë.
 
Dua të vazhdoj më tej, me një urim të sinqertë, që prokurorët e kësaj çështjeje shumë serioze e të rëndësishme, ta mbledhin veten. Të mbyllin komunikimet me nxitësit e nxituar të asaj farse. Të fokusohen tek çështja dhe të bëjnë deri në fund punën e tyre. Ne do t’i japim një mbështetje serioze hetimit të tyre me votën tonë.
 
Ashtu siç na e ka bërë të qartë, edhe në raportin e saj, me përgjegjësi kushtetuese, ligjore, politike dhe qytetare, përfaqësia jonë në Komisionin Mandateve është e bindur se kërkesa e prokurorisë për arrestim është e papranueshme. Sepse është arbitrare. Këtë bindje e mbështesim pa asnjë rezervë dhe kërkesën për arrest e refuzojmë unanimisht. 
 
Ndërkohë që, për t’i dhënë prokurorëve të gjitha mundësitë e nevojshme për kryerjen e një hetimi serioz, të thelle dhe shterues, përfaqësia jonë, në raportin e vet ka nënvizuar pranimin e kërkesës se prokurorisë për:
 
1.      Dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit;
2.      Detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore;
3.      Ndalimin dhe detyrimin për qëndrimin në një vend të caktuar;
4.      Garancinë pasurore;
5.    Kontrollin personal dhe të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Saimir Tahiri.
Tani, të jem shumë i qartë këtu dhe ky është qëndrimi im personal natyrisht. Në asnjë rast tjetër, për asnjë deputet tjetër, i kujtdo force politike, nuk do ta kisha kuptuar dot pranimin e këtyre kërkesave që mbeten ekstreme; t’i shkosh tjetrit në shtëpi, ta ndalosh tjetrin kur të duash, të mos le lejosh të dalë jashtë vendit, t’i kërkosh garanci pasurore;  në këtë mungesë ekstreme provash. Por, në këtë rast i bashkohem propozimit të përfaqësisë sonë, për ta pranuar unanimisht këtë çudi të re shqiptare.
 
I bashkohem sepse pyetja, “A është i pafajshëm Saimir Tahiri?”, nuk mund të rrijë pezull në asnjë mendje shqiptari që nuk kërkon shesh për të bërë përshesh, po kërkon të dijë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës.
 
I bashkohem sepse ish-ministri ynë i Brendshëm, më i pëlqyeri nga publiku dhe më i akuzuari publikisht, për katër vjet rresht në fushën e një beteje të rëndë, nuk mund të perceptohet e as të tregohet me gisht nga asnjë, si një i strehuar politik në gjirin tonë, duke mbajtur ai vetë hijen e kësaj historie të neveritshme mbi shpinë dhe cilido këtu, apo jashtë këtyre mureve, hijen e dyshimit se mos kush e di, mbase po të ishte bërë hetimi me të gjitha këto masa, mbase.  
 
I bashkohem sepse Saimir Tahiri nuk mund të pafajësohet dot, as nga mungesa fatale e seriozitetit të treguar nga prokuroria deri më sot, as nga mungesa totale e provave deri tani, po vetëm nga gjykata, në një proces pa asnjë alibi për prokurorinë dhe për lehaqenërinë politike e mediatike, pa asnjë jo po kështu, jo po ashtu, jo po andej, jo po këtej. As tani, as gjatë dhe as pas përfundimit të procesit.
 
I bashkohem sepse mbi te gjitha, ne, kjo shumicë qytetare që përfaqësojmë, kjo parti që udhëheqim, ky grup që përpiqet të bëjë më të mirën e vet, për vendin e për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, kjo qeveri e re që sapo ka marrë një mandat të fortë, për të bërë shtet, punë, mirëqenie, unë vetë si kryetari e Kryeministri juaj, jemi ndryshe, krejt ndryshe nga ata që sot na janë turrur me tërbimin e pushtetit te humbur dhe me dëshpërimin prej drejtësisë së re që po troket. 
 
Ne e duam të vërtetën, atyre nuk u ka interesuar kurrë e s’ka sesi t’i interesojë sot, e vërteta.
 
Ne duam drejtësi, ata duan atë që kanë dashur gjithmonë, tollovi,
 
Unë e dua Saimirin, po sot më shumë se Saimirin dua drejtësinë të më tregojë të vërtetën. 
 
Si përfundim, për të shkuar tek e vërteta, Saimir Tahiri nuk mundet kurrsesi të linçohet me një burgosje, që në këto kushte ka vetëm qëllime të poshtra, po duhet gjithsesi të hetohet me të gjitha mundësitë shtrënguese që parashikon Kodi Penal. Dhe deri kur e vërteta të dalë, ne do të vigjilojmë mbi procesin vetëm në aspektin e garancive kushtetuese e ligjore, siç kemi bërë deri tani dhe siç do të bëjmë për këdo që drejtësia e re do të sjellë këtu, në këtë Parlament.
 
Por në asnjë mënyrë nuk do të përzihemi politikisht në këtë proces, si mbrojtës të Saimir Tahirit.  Nga unë më i pari, te gjithë të tjerët, ne nuk jemi këtu për të mbrojtur të vërtetën e Saimirit Tahirit, por për të bërë detyrat e mëdha që kemi për të qeverisur Shqipërinë. Saimiri do të jetë deri në përfundim të këtij procesi, një njeri i lirë dhe një deputet i lirë, për të bërë betejën e tij, ashtu si do ta mendojë ai, jashtë forumeve të partisë dhe jashtë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
 
Ne do ta presim drejtësinë të na e thotë të vërtetën, sa më parë dhe sigurisht, sa për të mos lënë asnjë lloj ekuivoku, ne jemi këtu. Nëse prokuroria sjell prova, jo gazeta dhe vjen këtu me fakte që sipas saj hapin rrugën për arrestimin e deputetit, jo për të mbyllur derën, Komisioni i Mandateve mund të rimblidhet menjëherë, nuk ka problem. Dhe ashtu siç do ta ngremë dorën pa asnjë rezervë kundër arrestit të mërkurën, jo për të mbrojtur Saimir Tahirin, po për të mbrojtur Kushtetutën, ligjin, drejtësinë, do ta ngremë dorën pa asnjë rezervë edhe për arrestin, po qe se prokuroria do të sjellë prova.
 
Të bëhet drejtësi dhe nëse në fund, drejtësia pohon të vërtetën e Saimir Tahirit, atëherë, ju siguroj se nuk do të jetë më nevoja t’u themi njerëzve, si në kaq shumë vite, se ne jemi ndryshe dhe Saimiri, mirë se të kthehet me nderin që do t’i takojë dhe mes zemrave tona peshë prej një çlirimi të madh, ne vendin që i përket në këtë grup e në këtë familje politike, ku gjithkush mund të gabojë, po askush nuk mund të tradhtoje Shqipërinë, njerëzit që na besojnë dhe që na mbështesin. 
 
Shumë faleminderit!​

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sportisti australian pret gishtin për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Parisit