Ju merrni përsipër të hidhni këtë hap të rëndësishëm në jetë, në një moment shumë të rëndësishëm për Policinë e Shtetit dhe për vendin tonë.
Ky hap i parë i juaji në përpjekjen për të realizuar ambicien që të bëheni pjesë e trupës së Policisë së Shtetit, përkon me një fazë reformimi dhe transformimi rrënjësor të saj. Përkon me një fazë ku falë lidershipit të Ministrit të Brendshëm, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të ekipit drejtues të Policisë së Shtetit, sot kjo polici renditet e para në listën e institucioneve për nga besueshmëria. Renditet e para në anketat tona, renditet e para në anketat e institucioneve ndërkombëtare.
Padyshim që është fat që ambicia e secilit prej jush përputhet me ambicien tonë. Është fat për ne, është fat për ju, është fat për secilin dhe secilën prej jush që do të fitojë konkursin dhe do të hyjë në Policinë e Shtetit në një moment kur vëmendja ndaj Policisë e Shtetit, trajtimi i Policisë së Shtetit dhe respekti për Policinë e Shtetit janë në kuotat më të larta.
Krahasuar me konkursin e parë ku kishte 10 aplikantë për një vend vakant, këtë vit numri është rritur, janë 17 aplikantë! Ne duam të besojmë që përveç të tjerash, kjo rritje e konsiderueshme e numrit të vajzave dhe djemve që duan të punojnë në Policinë e Shtetit, lidhet me faktin që Policia e Shtetit po bëhet çdo ditë e më shumë një institucion që njerëzit e vlerësojnë, e besojnë dhe pse jo, e duan.
Nga ana tjetër, unë dua t’ju uroj suksese, në mënyrë të veçantë vajzave që janë këtu në sallë. Në kuadrin e kësaj reforme rrënjësore, aspekti i rritjes së numrit të vajzave dhe grave që kontribuojnë në Policinë e Shtetit është një aspekt kyç. E faktikisht, në konkursin e parë, u bë e mundur përzgjedhja 50% e vajzave. Këtë vit do të pranohen minimalisht 30% vajza dhe gra dhe janë parashikuar edhe 6 kuota për përfaqësuesit e minoriteteve.
Ajo që është më e rëndësishme është se hap pas hapi, edhe falë eksperiencës së kësaj akademie që ne e rihapëm mbi baza të reja, po rrisim nivelin mesatar të arsimimit të punonjësve të Policisë së Shtetit. Dy vjet e gjysmë më parë, ne trashëguam një Polici të Shtetit me arsimin më të ulët në rajon, padiskutim dhe në Europë. Policia më e paarsimuar e kontinentit tonë. Policia më e paarsimuar e rajonit tonë. Po ashtu, policinë me moshën më të lartë në Europë dhe në rajon. E së treti, policinë më të keqtrajtuar nga pikëpamja financiare dhe nga pikëpamja politike.
Sot, numri i punonjësve të policisë me arsim të lartë, ka shkuar në 33% krahasuar me 20% të vitit 2013, por s’ka dyshim se është një shifër tërësisht e pakënaqshme në raport me objektivin tonë.
Objektivi ynë është i shpallur dhe plotësisht i arritshëm. Ne duam që Polica e Shtetit të jetë me standarde, integritet, profesionalizëm si çdo polici e Bashkimit Europian. Ne do ta bëjmë Policinë e Shtetit shqiptar si çdo polici të Bashkimit Europian.
Synojmë që Polica e Shtetit tonë të jetë një trupë e shkëlqyer dhe e dalluar në rajon. Ne do ta bëjmë Policinë e Shtetit tonë një trupë të shkëlqyer dhe të dalluar në rajon dhe në mesataren e trupave policore të Bashkimit Europian.
Është bërë një punë e madhe në Policinë e Shtetit për të ofruar në mënyrë periodike trajnime dhe për të bërë në mënyrë periodike testime. Testime profesionale dhe testime fizike që mungonin prej shumë vitesh. Ju jeni të rinj, por jam i bindur që përderisa keni hedhur këtë hap, diçka e dini për historinë e afërt të Policisë së Shtetit dhe nuk është shumë e largët koha kur policia e shtetit ishte uniforma e degradimit të shtetit tonë. Një uniformë e braktisur, e tradhtuar dhe e rrënuar. E rrënuar nga politika, e rrënuar nga korrupisoni, e rrënuar nga varfëria. Varfëri në mjete, varfëri në teknologji, varfëri në financa. Një punonjës policie i patrajtuar, pa arsim, pa respekt. E sot nuk është se kemi bërë ndonjë çudi, por jemi në kushtet kur mund të themi se kemi një Polici të Shtetit të trajtuar me respekt, të trajtuar mirë financiarisht, në raport me të tërën dhe padyshim të trajtuar me vëmendje maksimale, duke krijuar kushtet për t’u trajnuar, për t’u rritur profesionalisht dhe për të qenë në formë fizikisht.
Në vitin 2013, sipas Tranparency International, policia shqiptare ishte një ndër tre institucionet më të korruptuara dhe më të pabesueshme të vendit tonë. Shqipëria renditej në listën e zezë të Departamentit të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore.
Sot, pamja është e ndryshme. Policia e shtetit ka hyrë në rrugën e revolucionit dixhital. E jo vetëm kaq, por është bërë shembull për vënien në shfrytëzim të avantazheve të teknologjisë dhe për modernizimin e saj përmes teknologjisë.
Për herë të parë në Europë dhe këtë e themi me krenari, sepse janë një sërë policish partnere siç mund të dëshmojnë dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit, që kanë kërkuar ta adoptojnë dhe po adoptojnë eksperiencën tonë. Pra, për herë të parë në Europë një polici e një shteti ndërtoi komisariatin e vet dixhital. Suksesi i komisariatit dixhital nuk është thjeshtë aplikimi dhe mundësia që ofron teknologjia, por është fakti se shpejtësinë e komunikimit që garanton teknologjia për të lidhur qytetarin me policinë, policia e mori si sfidë dhe e fitoi si sfidë.
Pra, nëse në komisariatin dixhital pati 40 mijë shkarkime në 10 muajt e parë nuk është thjesht kjo që e bën një eksperiencë të suksesshme komisariatin dixhital, sepse kjo mund të ishte edhe pasqyra për të parë dështimin në rast se Policia e Shtetit nuk do t’i përgjigjej këtyre 40 mijë kërkesave, ankesave apo zileve të alarmit të qytetarëve.
Ajo që e bën komisariatin dixhital një histori suksesi është fakti se çdo qytetar që shfrytëzon komisariatin që ka në telefonin e tij për t’u lidhur me Policinë e Shtetit, lidhet me Policinë e Shtetit.
Numri i punonjësve të policisë ishte një tjetër element i dobësisë së tmerrshme që ne treguam pasi trashëguam policinë me numrin më të ulët për frymë në rajon dhe në Europë. U rrit me 1100 vetë, u rrit duke ndikuar edhe në uljen e moshës mesatare të cilën e gjetëm 44 vjeç, mosha më e lartë mesatare në rajon dhe Europë, por të cilën duhet të vazhdojmë të ulim dhe për këtë arsye është një lajm shumë i mirë për Policinë e Shtetit që kaq shumë vajza dhe djem aplikojnë për t’u bërë pjesë e trupës së saj.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ndërroi fytyrë, ndërroi zë, ndërroi qasje në kontaktin me qytetarin përmes zyrave të shërbimit unik ku u rekrutuan punonjës civil, të cilët nuk janë aty thjesht për të regjistruar ankesat e qytetarëve, por shërbejnë si avokatë të qytetarëve me efiçencë dhe mbi të gjitha me një transparencë që shmang çdo mundësi për praktikat e vjetra korruptive në kontaktin e parë të qytetarit në nevojë me Policinë e Shtetit.
U shtua 15% numri i punonjësve të policisë në terren, duke e transformuar policinë nga një polici e përqendruar dhe e korruptuar në zyrat e Tiranës në një polici e shtrirë pranë qytetarëve në çdo komunitet.
Tanimë ka filluar krijimi i seksioneve të policimit në komunitet.
Nëse në 8 vite të qeverisjes së vjetër pagat e policisë ishin ulur 2 herë dhe për më shumë se 2 vjet punonjësit e policisë nuk merrnin asnjë shpërblim për orët jashtë orarit, nga janari i vitit 2014 pagat e punonjësit të Policisë së Shtetit u rritën 25% si mesatare. Nëse do të fillojmë numërimin nga shkalla me e ulët, u dyfishuan në shkallën më të ulët dhe shkuan pastaj progresivisht duke u mesatarizuar drejt shkallës më të lartë. Kurse buxheti për Policinë e Shtetit për vitin 2015 ka qënë më i larti i akorduar ndonjëherë.
Forcat speciale shkonin në aksione kundër kriminelëve të rrezikshëm pa asnjë siguri për jetën të pasiguruar. Ndërkohë që sot janë të siguruar dhe çdo punonjësi policie i garantohet mundësia për të marrë një kredi të butë për strehim, mundësia për shpërblime dhe për një pension suplementar.
Ministri foli për kamerat e trupit që janë një tjetër hap shumë i rëndësishëm në revolucionin dixhital që do të modernizojë tërësisht Policinë e Shtetit.
Ne duam që t’i shtrijmë kamerat e trupit sa më shpejtë në të gjithë territorin, por nga ana tjetër jemi besimplotë që këtë vit do të fillojë shtrirja e kamerave të sigurisë rrugore në të gjithë territorin, çka do të krijojë kushte optimale për të ndjekur në kohë reale të gjitha shkeljet dhe të gjithë shkelësit për të rritur në mënyre eksponenciale zbulueshmërinë për çdo shkelje, nga më e vogla tek më e rënda.
Lufta me korrupsionin në Policinë e Shtetit nuk ka qënë dhe nuk është një luftë me një të keqe që është jashtë gardhit apo oborrit të kësaj trupe, por ka qënë dhe mbetet një luftë sa jashtë dhe brenda oborrit. Në dy vjet janë ndëshkuar 11% e trupës së Policisë së Shtetit nga më të voglat tek më të rëndat, shkelje që përmblidhen në abuzimet me detyrën apo në mosrespektimin e etikës së Policisë së Shtetit.
Ajo që është më e rëndësishmja dhe që përbën kryefjalën e kësaj rruge të re, është ndarja e policisë së shtetit me krimin. “Krimi kur ka sukses shndërrohet në virtyt”, - thoshte Seneka një filozof i madh romak.
Kjo është e vërteta e viteve të shkuara të Policisë së Shtetit, kur shumë punonjës me eksperiencë, kryesisht burra me virtyte dhe aftësi të jashtëzakonshme u ndjenë të paralizuar dhe të tradhtuar për shkak se krimi u kthye në virtyt dhe lidhja e krimit me Policinë e Shtetit u bë një lidhje që diktoi për vite të tëra në vendimmarrjen, por në mënyrë të drejtpërdrejtë në rrënimin e saj.
Praktikisht, krimi u bë një model virtuoz për të pasuruar dhe për t’u pasuruar, për të korruptuar dhe sigurisht për t’u bërë i paprekshëm falë aftësisë korruptuese, për të ndikuar dhe sigurisht për t’u bërë i pandëshkueshëm falë kapacitetit ndikues.
Ju, jam i bindur që e ndiqni jetën e përditshme dhe jeni të informuar se njeriu më i goditur i qeverisë sonë, por besoj edhe në mjedisin politik, pas meje, - që sigurisht kam lindur për të qënë i goditur, - është Ministri i Brendshëm, ndaj të cilit vazhdon një ofensivë e organizuar dhe e përditshme që ka prodhuar në 2 vjet e gjysmë mbi 1300 deklarata, konferenca, referenca, qëndrime agresive, kriminalizuese për Ministrin e Brendshëm.
Nëse cilido prej jush, cilado prej jush do t’i lexonte pa filtër, do t’i dëgjonte pa filtër këto produkte, nuk do të ishte këtu sot, do t’i rrinte me kilometra të tëra larg kësaj salle ku prezumohet se përfaqësuesi më i lartë i qeverisë, drejtuesi i gjithë këtij transformimi kryesor të Policisë së Shtetit, është figura numër një e krimit të organizuar në Shqipëri. Kjo ndodh për të njëjtën arsye që në jetën tuaj në karrierë në Policinë e Shtetit do të ndiheni të goditur, në rast se do të godisni. Për të njëjtën arsye që ndihen të goditur drejtuesit e sotëm të Policisë së Shtetit, sepse kanë goditur dhe krimi nuk godet vetëm me brutalitetin e forcës, por edhe me forcën brutale të gjuhës. Industria e përbaltjes është industria e krimit. Ka shumë e shumë arsye sot që krimi e ka vënë në lëvizje, madje ta intensifikojë prodhimin e baltës për të goditur Ministrin e Brendshëm, duke goditur drejtuesit e Policisë së Shtetit, duke bërë në fakt sikur i dhimbset Policia e Shtetit.
Unë po ju jap vetëm një shembull: Lazarati.
Lazarati ishte aty vite të tëra. Një oaz ku krimi kishte vendosur sovranitetin e vet të plotë dhe ku askush nuk mendonte më se në të gjallët e vet ai oaz do të zhdukej. Por Lazarati ishte shumë më tepër sesa ai bari magjik dhe sesa ata gangesterë lokalë me automatikë që i bënë rezistencë për 5-6 ditë Policisë së Shtetit. Lazarati ishte një bankë e parasë së zezë, që qarkullonte me miliarda dhe djegia e plantacionit të “barit magjik”, arrestimi i atyre gangove lokalë ishte vetëm pjesa e dukshme.
Ndërkohë që ato flakë dogjën një bankë, paratë e së cilës nuk qarkullojnë më. Ata që përfitonin këto miliarda kanë humbur miliarda, por nuk kanë humbur fuqinë e tyre për të luftuar me maskat e politikës, e medias dhe me zërin që krimi ia merr politikës, ia merr segmenteve të tjera për të folur në emrin e tij duke përbaltur.
E pra kjo është domethënia më e madhe e suksesit të punës në reformimin e Policisë së Shtetit. Nuk ka një reformë reale nëse nuk ka një furi balte për t’ju kundërvënë reformës dhe njerëzve që bëjnë reformë. Kudo, në çdo vend të botës, që nga vendet më demokratike deri tek vendet më të pazhvilluara, ndryshon vetëm sasia ku balta është aty si mënyra më efikase për të çorientuar opinionin publik, jo duke e luftuar reformën me argumenta, por duke luftuar njerëzit që e bëjnë reformën përmes baltës.
Të dashur aplikantë dhe aplikante!
Dua t’ju them që po të mos ishte reforma në Policinë e Shtetit dhe po të mos ishin rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit, Shqipëria nuk do ta kishte marrë statusin e vendit kandidat që në radhë të parë ishte afirmimi i besimit të krijuar në Bruksel se ne mund të bëjmë shtet.
Sigurisht, që në hapat e parë, këtë besim e forcoi në mënyrë të pazëvendësueshme puna e bërë nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. Prandaj duhet të jetë me siguri një ditë e bukur në jetën tuaj, në jetën e gjithë atyre që do të fitojnë konkursin, ndërkohë që atyre që nuk do të fitojnë konkursin unë do të thoja që të mos dorëzohen. E nëse këtë aspiratë e kanë aq të fortë sa ç’është forca e çdo ëndrre që e shtyn njeriun përpara realizimit të objektivit të riprovojnë përsëri, të përgatiten ta marrin këtë eksperiencë dhe të riprovojnë përsëri. Të riprovojnë përsëri, sepse Policia e Shtetit ka nevojë për vajza dhe djem si ju, ka nevojë për njerëz që e kanë atë pasion, ka nevojë për njerëz që i sjellin asaj më shumë rini, më shumë fuqi, padyshim edhe më shumë nga aspirata e kësaj gjenerate që ju përfaqësoni.
Unë jam shumë besimplotë që së bashku ne do të realizojmë me patjetër objektivin për t’a bërë Policinë e Shtetit një shembull model në rajonin ku jetojmë dhe pa diskutim, një ndër policitë e mira të Bashkimit Europian.
Shumë faleminderit dhe suksese!
***
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ditën e parë të konkurrimit të aplikantëve për të ndjekur studimet për shkollën Bazë të Policisë, për Patrullë të Përgjithshme. 5012 aplikantë, të rinj e të reja me moshë mesatare 24 vjeç, plotësuan kriteret për të ndjekur fazat e mëtejshme të konkurrimit. Pas testimit me shkrim që përbën fazën e parë, konkurrentët do t’u nënshtrohen fazave të tjera të testimit të aftësive fizike dhe atij psikologjik. Në përfundim të gjithë procesit do të përzgjidhen 300 kandidatë fitues, nga të cilët 90 femra.