Kur ne bëjmë padrejtësi, bëjmë tepër padrejtësi! Tani që duam të bëjmë drejtësi, bëjmë tepër drejtësi! Harrojmë që Perëndia e Drejtësisë ka një peshore në dorë pikërisht për të na kujtuar barazinë, harmoninë dhe peshën e njëjtë të gjërave.
Nuk është kollaj, në të vërtetë, të bësh drejtësi me peshoren e Perëndisë së Drejtësisë, sidomos në një vend të vogël e aspak të privilegjuar nga rrjedhjet e historisë. E megjithatë, për të kompensuar fatkeqësitë tona historike, na është dhënë një vend i pasur, i begatë, i bukur, me një klimë të pëlqyeshme, për t’u pasur zili nga kush ka lindur me shkretëtirë rreth e rrotull, apo me shira, uragane, tajfune, e tërmete të frikshme.
Kjo zemërgjerësi e Natyrës duhet të na vlejë për t’u ndalur e për të menduar: “Kujdes! Jemi mirënjohës me këtë që kemi dhe ku jemi, ndaj këtë mirënjohje duhet ta tregojmë duke u sjellë të kujdesshëm e të matur me të tjerët”. Nuk ka gjë më të padrejtë se të privosh dikë nga liria më tepër nga sa e meriton, prandaj baballarët e Drejtësisë moderne nuk janë lodhur së përsërituri se: “Më mirë një fajtor i lirë se një i pafajshëm në burg”.
Në kohët kur më në fund Shqipëria po krijon shtyllën kurrizore të Drejtësisë së saj; një dëshirë e shkruar mbi qiellin e Shqipërisë nga ëndrrat e shqiptarëve të ndershëm, të mirë dhe të drejtë, e keni vënë re? Kore agresivë, zëra të frikshëm, të etur për gjak, për hakmarrje, për lincime, kërkojnë të hedhin gurë të rëndë në peshoren e drejtësisë. I hedhin nga ana që iu intereson, godasin kë urrejnë, përlyejnë kundërshtarë, baltosin për interes e lavdërojnë me pagesë. Këtë kategori shqiptarësh që bën shumë zhurmë e që është realisht tepër pak, Drejtësia e re duhet ta dallojë shpejt e mirë duke mos i lënë hapsirë për të shtrembëruar me forcën e shpifjeve dhe të kercënimeve, të ulërimave dhe gjuhës së pisët, shtyllën e njomë kurrizore të një Drejtësie të mirë e të domosdoshme për Shqipërinë!
Komente










