Fjala e plotë e Kryetarit të PS
Rama në konferencën e Korçës

Fjala e plotë e Kryetarit të PS<br />Rama në konferencën e Korçës
TIRANE - Fjala e plotë e kryesocialistit Edi Rama, sot në konferencën rajonale të Korçës.

"Djali im lindi pak muaj përpara se sa të ndryshonte Shqipëria e regjimit diktatorial dhe të lindte Shqipëria e ëndrrës europiane dhe demokratike. Këtu në këtë sallë ka shumë që kanë lindur në atë vit apo që kanë lindur pasi erdhi ndryshimi. Të tjerët janë ata që bënë çka ditën dhe mundën për ta sjellë ndryshimin. Sot një ditë pas një mitingu të organizuar si në kohët e pandryshuara, ku e gjithë fuqia e makinerisë shtetërore u vu për të detyruar të gjithë të varurit nga rroga e shtetit që të kremtonin ndryshimin dhe të shkonin në Tiranë, ka një pyetje që çdo shqiptar duhet t’i bëjë vetes;

Pse e ndryshuam ne sistemin? Mos vallë e ndryshuam sistemin që drejtësia të kthehet në mall?! Që shëndeti të kthehet në mall?! Që arsimimi i i fëmijëve të kthehet në mall?! Që çdo shërbim të kthehet në mall?!

E ndryshuam sistemin që kush ka të drejtë ta blejë të drejtën me lekë?! E ndryshuam sistemin që kush është sëmurë shëndetin e tij ta gjejë me lekë? E ndryshuam sistemin që kush është i pamundur dhe nuk ka lekë ta lërë fëmijën analfabet?! E ndryshuam sistemin që edhe për të marrë një certifikatë, se ke lindur dhe je gjallë, duhet t’i japësh para nën dorë atij që të jep certifikatën?! Apo e ndryshuam sistemin që për të marrë një copë letër se je pronar dhe ajo është toka e stërgjyshit tënd nuk e merr dot pa dhënë lekë, për këtë e ndryshuam sistemin ne? Apo e ndryshuam sistemin që çdo vend pune të blihet me lekë, që çdo vend pune të jetë mall që blihet?!

Ne nuk e ndryshuam sistemin që të gjendemi sot kaq vite më pas në kurthin e një marrëdhënieje me të drejtën si mall, me shëndetin si mall, me arsimimin si mall, me shërbimet si mall dhe me vetë liritë e tua si mall. Ti mund të kesh të drejtë, po që ta marrësh të drejtën në gjykatë duhet të kesh lekë. Po s’pate lekë nuk ke të drejtë. Ti mund të jesh i sëmurë, po ke bërë gabim që je sëmurë nëse s’ke lekë. Po s’pate lekë nuk duhet të sëmuresh. Ti mund të bësh fëmijë nga dashuria, po nëse s’ke lekë fëmija yt do jetë analfabet. Ti mund të kesh bërë shkollë dhe mund të jesh shumë i zoti, madje ku ta gjejë komuniteti që ti të jesh mësuesi i fëmijëve të familjeve që jetojnë në atë komunitet, por po s’pate lekë ti nuk bëhesh dot mësues. Ti mund të duash ti shërbesh shtetit tënd si polic, por po spate lekë ty polic njeri nuk të bën kurrë.

Mos vallë ne e ndryshuam sistemin që të kalonim nga një pushtet që e ndalonte çdo gjë në emër të popullit në një qeveri që shet çdo gjë për të përfituar për vete. Ky ishte ndryshimi që ne kërkuam? Kjo ishte ëndrra europiane në vitin ‘90? Kjo ishte arsyeja pse në 22 mars shqiptarët në shumicë dërrmuese votuan PD për të ardhur sot në kohën kur ata që lindën atë ditë, që lindi demokracia, janë mbi 20 vjeç dhe të vetmen alternativë që kanë për të bërë lekë është të shkojnë nëpër pika bastesh dhe të shkojnë pas Cristiano Ronaldos e Leo Mesit dhe të thonë ‘aman fute që të nxjerr unë ndonjë lek’. Dhe nëse nuk i hyri Cristianos goli harxhojnë edhe ato pak lekë që ua kanë marrë prindërve duke u thënë, ‘mi jep se do dal me shoqet’ dhe lënë dhe shoqen pa takuar se s’kanë më lekë.

Ne sot të dashur miq jemi në gjendjen që para 23 qershorit, si njerëz, si qytetarë të këtij vendi, si familjarë, si prindër të bëjmë një bilanc dhe të kuptojmë se në 23 qershor është dita për të dhënë përgjigje pse e ndryshuam sistemin. Saliu thotë e ndryshuam për të lëvizur të lirë. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë ju pëlqej mirë, s’ju pëlqej ikni se është pa viza. Por, në fakt ne duam të jetojmë këtu. Duam të jetojmë këtu dhe ta ndërtojmë këtu të ardhmen tonë. E, si mund të ndërtohet e ardhmja kur kaluam nga një sistem ku nuk shitej asgjë në një sistem ku qeveria shet gjithçka, shet atdheun, shet pasuritë kombëtare e publike, shet shërbimet, shet vendet e punës, shet liritë dhe të drejtat.

Pyetja vazhdon; Mos vallë ne e ndryshuam sistemin dhe mos vallë të gjithë ata shqiptarë, në 22 marsin e kremtuar me aq shumë pompozitet banal dje, shkuan për të votojnë për të ndryshuar njëherë e mirë historinë, duke bërë atë rotacion që ishte i nevojshëm politik, që sot të mbërrinin ditën kur Shqipëria është më e pistë seç ishte, më e ndotur dhe më e rrënuar seç ishte. Ku natyra është më e copëtuar seç ishte. Ku trashëgimia kulturore është shumë më e sakatuar seç ishte. Ku pyjet lumenjtë, plazhet, kodrat janë shumë më të copëtuar seç ishin. Për këtë e ndërruam sistemin ne?! Apo e ndërruam sistemin që këtu në fushat e Korçës, ku në fakt duhet të gëlojë prodhimi dhe duhet të gëlojë pasuria që prodhon mirëqenie të jemi në kushtet ku nuk vaditet as çereku i fushës. Ku njerëzit që duan të jetojnë me punën e tyre nuk jetojnë dot me punën e tyre se s’kanë ujë për të vaditur tokën. Për këtë e ndërruam sistemin ne?! Për t’i kaluar njerëzit që jetojnë në fshat nga skllevër të komunizmit në skllevër të gjithë këtyre pamundësive që vijnë nga fakti se Shqipëria nuk është shoqëri demokratike, se në Shqipëri nuk ka qeveri demokratike, se për Shqipërinë nuk mendojnë as një sekondë ata që ne i kemi gabimisht në krye me vota të vjedhura. E vërteta është që Shqipëria sot vuan e lëngon pikërisht sepse ka ata në krye.

Ne nuk e ndërruam sistemin që të vijmë në vitin 2013, një vit pas 100 vjetorit të pavarësisë me 1 milionë të papunë. As që të vijmë në vitin 2013 me një popull që jeton i zhytur në varfëri dhe që mbetet në mëshirën e fatit. Mbetet në mëshirën e fatit dhe zgjat radhën e borxheve. Ne nuk e ndërruam sistemin që në ushqimoret e Shqipërisë për bukën e gojës të ketë 150 milionë euro borxhe nëpër ato librat e veresieve dhe që të jemi sot përpara një alarmi shumë të madh që vetë ushqimoret mund të falimentojnë se nuk paguajnë dot më taksat, nuk paguajnë më dot borxhet që i kanë shumicës dhe nuk japin dot më ushqime veresie se nuk munden më. Për këtë e ndërruam ne sistemin?!

Apo e ndërruam sistemin që ta kthenim Shqipërinë nga mbretëria e një gënjeshtre në mbretërinë ku çdo ditë gëlojnë gënjeshtrat, siç është gënjeshtra e madhe e rritjes së punësimit. Brenda kësaj ka shumë variabla, por njëra më e freskëta ishte, kemi rritur punësimin në fshat me 100 mijë vetë. Ndërkohë që Insituti i Statistikave që varet direkt nga ky që e tha këtë, pra nga kryeministri, thotë tjetër gjë. Thotë se në 2005 në fshat punonin 541 mijë vetë, në 2006 - 569 mijë, në 2009 - 496 mijë, në 2012 - 485 mijë. Pra, thotë që nuk është rritur me 100 mijë vetë punësimi në fshat, por ka rënë me 57 mijë vetë. Këtë duhet ta llogarisni dyfish, sepse edhe INSTAT-i gënjen. Këta nuk i rakordojnë dot gënjeshtrat e tyre! Ky është një problem tjetër. Por, në këtë mbretëri të gënjeshtrës, ne po i shkojmë gënjeshtrës më të vogël për të provuar se gënjeshtari i madh vetëm gënjen dhe çdo ditë që do të kalojë deri në 23 qershor, do të gënjejë më shumë se ç’gënjeu një ditë më parë. Për të vazhduar më tutje, ka dhe një fakt tjetër. Si na qenka rritur punësimi në fshat me 100 mijë vetë dhe na qenka rritur ndihma ekonomike paralelisht? Se ndihma ekonomike jepet aty ku s’ka punë dhe familjet që humbasin vendin e punës apo nuk punojnë përfitojnë ndihmë ekonomike. Si na u rriskan të dyja këto, edhe punësimi edhe ndihma ekonomike?! Për më tepër pastaj që ka dhe një tjetër të dhënë sipas Censusit, jo sipas nesh, që qysh se ky zotëria dhe kjo qeveri u rri mbi krye shqiptarëve me vota të vjedhura, nga Shqipëria ikin çdo ditë 130 vetë. Pse ikin këta nga kjo parajsë e punës dhe e punësimit?! Çfarë shkojnë të gjejnë atje? Shqiptarët e dinë se në Greqi nuk ka punë, as në Itali nuk ka punë, madje shumë nga ata që kanë një punë atje e humbin dhe kthehen këtu për t’u futur në rreshtin e papunësisë në shtëpinë e tyre. Ikin sepse nuk jetojnë dot. Ka dhe një tjetër, në këto vite na qenkërkan krijuar 200 mijë vende pune. 200 mijë vende punë të krijuara, ndërkohë që në 2009 INSTAT thoshte se ka 140 mijë të papunë pak a shumë. Sot që janë krijuar 200 mijë vende pune, INSTAT thotë se në fakt janë po kaq të papunë. Po ta zëmë se na janë krijuar, na dalin 60 mijë vende pune suficit, të tepërta. Janë krijuar vende pune po s’ka aq të papunë!

Në këtë barsoletë të madhe që është përpjekja e fundit e dëshpëruar dhe aspak dinjitoze, se problemi i madh i Saliut është që as nuk rri dot me nder as nuk ikën dot me nder. Edhe rri për qeder edhe duke ikur do të bëjë gjithmonë e më shumë qeder.

Është kjo e 10 mijë kilometrave rrugë, ku janë punësuar 58 mijë persona në këto vite, tha kryeministri në mëngjes. Në darkë doli ministri i rrugëve dhe tha janë punësuar 45 mijë në vit. Nga mëngjesi deri në darkë luga bosh u mbush 5 herë më shumë dhe mbeti e lidhur me 10 mijë kilometër.

Tani e dini ju miqtë e mi çfarë duhet të pranojmë ne? Që ne të pranojmë që këta kanë shtruar 10 mijë kilometra ne duhet të pranojmë që, Shqipëria nga veriu në jug është 300 mijë kilometra, këta kanë shtruar rrugë aq sa për ta shtruar Shqipërinë 33 herë, lartë e poshtë, e poshtë e lartë......e vazhdon, vazhdon... Madje ne duhet të pranojmë akoma më keq se kaq, që madje këta kanë bërë aq shumë rrugë sa për të shtruar rrugën nga Tirana në Tokio. Sepse duhet të pranojmë këtë që të pranojmë pastaj të diskutojmë gjithë këto vende pune që kanë hapur përgjatë rrugës Tiranë Tokio. Madje, madje, këta në qoftë se kanë bërë 10 mijë km, iu mbeten dhe 1 mijë e ca që ta shpojnë tokën dhe të dalin nga ana tjetër. Se diametri i tokës është rreth 12 mijë. Meqë i kanë bërë këto edhe në këtë kohën e mbetur t’i bënin dhe ato dhe të iknin andej e të mos na dilnim më përpara, nder të madh do t’i bënin këtij populli. E dini se ku i bie të dalin po i shpuan edhe këto kilometrat e mbetur, në Honolulu. Tamam aty ku mund të dalësh kur je vërtetë i dyti në botë për zhvillimin ekonomik dhe kur je në garë me Kinën.

Këta e kanë zgjedhur rrugën e tyre. Mua më vjen keq për ata që ju venë pas. Ne do bëjmë çmos që të shpëtojmë sa më shumë nga ata që ju venë pas. Dua të përshëndes një demokrat këtu që e takova përpara që e kishte vendosur më në fund të ndahej nga këta, të ndahej nga këta për t’i dhënë mundësi vetes, për t’i dhënë mundësi bashkë me të tjerët këtij komuniteti që të hapet rruga e Rilindjes, sepse unë e kam thënë dhe e përsëris, pas 23 qershorit ne do të rilindim Shqipërinë, demokratët do rilindin Partinë Demokratike. Kush pastaj e ka ndarë mendjen që vërtetë këta e kanë shtruar me asfalt rrugën Tiranë – Tokio, që vërtetë këta e kanë rritur punësimin me 200 mijë në total, me 100 mijë në fshat, që vërtetë këta e kanë shpëtuar biznesin nga problemet atëherë ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë, por i themi vetëm paç fat me këta deri në 23 qershor, pastaj ne do të shërbejmë edhe ty, do t’i shërbejmë njësoj të gjithëve në një Shqipëri tjetër.

Të vijmë tek ne, se nuk mbarojmë dot me këta. Ne kemi tjetër qasje. Për ne dhe ndryshimi ynë me ta fillon këtu, për ne Shqipëria nuk është në shitje dhe për ne qeveria nuk është një ndërmarrje fitimprurëse.

Ne do ta fillojmë me një akt shumë modest po domethënës transparence. Do vëmë në dispozicion të të gjithë shqiptarëve të gjitha e shpenzimet e parave të tyre në çdo institucion shtetëror duke filluar nga Këshilli i Ministrave. Shqiptarët, qytetarët e zakonshëm, media, kundërshtarët çdo fund muaji do të mund të lexojnë online çfarë ka shpenzuar nga paratë e popullit për detyrën që i kemi ngarkuar kryeministri, ministri, deputeti dhe kushdo qoftë tjetër që ka një detyrë shtetërore dhe çfarë kanë shpenzuar nga paratë e popullit të gjitha institucionet qendrore, pra ministritë dhe Kuvendi. Sigurisht, që do të vazhdojmë menjëherë me një akt tjetër.

Ne nuk mund të pranojmë që polici të paguajë më shumë taksa se sa ministri i brendshëm, që infermierja të paguajë më shumë taksa se ministri i shëndetësisë, apo që pastruesja e kryeministrisë, apo që shoferi i kryeministrit, të paguajë më shumë taksa se vetë kryeministri. Jo! Taksapaguesi më i madh në gjithë piramidën e pushtetit ekzekutiv do të jetë kryeministri. Taksapaguesit më të mëdhenj më pas do të jenë deputetët. Edhe Presidenti do të jetë, patjetër, por për arsye vështirësish në punë ne mund t’i bëjmë ndonjë ulje. E, kur them vështirësi në punë kam parasysh që nesër do të jetë president dhe do t’i duhet të përballojë nga të katër anët ata që e kanë vënë. Po edhe se ato fjalimet i ka të papara e duhet ta pranojmë, është një kontribut i vërtetë për teatrin e varietesë në Shqipëri.

Ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël. Ne nuk mund të pranojmë më që të kemi një masë kritike të njerëzve të këtij vendi të vetëpunësuar familjarë, të reja, të rinj, që janë afro gjysmë milioni që jetojnë përmes biznesit të vogël dhe që të mbyten nga taksat deri në atë pikë sa përballë rënies së fuqisë blerëse, gjithashtu, detyrohen të falimentojnë. Ne do ta heqim taksën biznesit të vogël dhe ky do të jetë hapi i parë që do të bëjmë për të lehtësuar biznesin e vogël.

Hapi i parë, jo i fundit. Hapi i parë!

Ju i dëgjoni që flasin për taksën e sheshtë dhe flasin për gjoja rrezikun që kërcënon biznesin e madh nga ardhja jonë në qeveri. Unë kam takuar shumë biznesmenë të mëdhenj në këtë periudhë. Ne kemi takuar shumë përfaqësues të komunitetit të biznesit. Përgjithësisht në mënyrë ilegale, sepse kanë frikë të takojnë normalisht opozitën. Njëri më tha një gjë shumë kuptimplotë dhe shumë domethënëse; Përpara se të di sa do jetë taksa dhe para se të votoj për një qeveri bazuar mbi taksat, unë dua të di a ka një qeveri që mua mi heq qafe ata që më vijnë tre herë në javë te dera dhe sillen si pronarë në sipërmarrjen time. Dhe mua më duket vetja as si punëtor, por më duket vetja si i kapur në flagrancë duke bërë faj.

Më shpjegoi sesi shfaqet. Nisem për në punë, kam 70 punëtor, ulem dhe sa filloj të pij kafen më thotë sekretarja erdhën. Erdhën dhe vijnë, njëherë vjen njëri me një kostum gri me kapelen majtas, cigaren djathtas dhe thotë si e ke hallin. Pastaj vjen tjetri civil edhe flet me zë të trashë edhe thotë si e ke hallin, e pastaj vjen tjetri dhe tjetri ndërkohë që hallin e kanë ata që duan lekë nga unë që të mos më krijojnë halle të tjera. Prandaj në totalin e biznesit të madh, që thuhet se e ka taksën 10%, mesatarja e parave që biznesmenët nxjerrin nga xhepi jo për shkak të taksës mbi fitimi po për shkak të takës së këtij arbitrariteti të përditshëm, për shkak të taksës së korrupsionit për të mbijetuar, për shkak të taksës së kohës që është zvarritje në administratë, taksa shkon mesatarisht 22%. Ndërkohë që ne kemi parë dhjetëra raste që taksa shkon 30%, 50%, 100% deri në 300%. Kjo është sesi ne e shohim këtë punë. Kjo është sesi ne do të ndryshojmë tërësisht qasje duke garantuar sipërmarrjen se në radhë të parë në këtë vend pas 23 qershorit, nuk do ketë shqiptar që do vuaj sepse mendon diçka që nuk i pëlqen qeverisë apo sepse ka në mend të votojë kundër qeverisë. Qoftë ky mësues, qoftë mjek, qoftë sipërmarrës i vogël apo i madh. Sipërmarrësit ne do ti vendosim në piedestal, jo sipërmarrës të trembur, të shkatërruar nga nervat, të fshehur nëpër zgëqe që as reklamat nuk bëjnë se kanë frikë që po reklamuan produktet e tyre ju vijnë tek dera ata ju thonë si e ke hallin. Po sipërmarrës që të jenë figura emblematike të shoqërisë dhe që të bëhen frymëzim edhe për më të rinjtë.

Ne me këtë program do ulim taksat për 95% të shqiptarëve. Programi ynë i Rilindjes Shqiptare është programi që shkon në të njëjtin drejtim që dëshirojnë 95% e shqiptarëve. Në të njëjtin drejtim që dëshirojnë lidhur me barrën fiskale dhe kur flasim për barrën fiskale mos e mendoni si diçka që është vetëm e sipërmarrësve. Është edhe atyre që janë me një rrogë, nga ulja e taksave qysh vitin e parë një mësues në fund të viti 2014 do të ketë një rrogë më shumë vetëm nga ulja e taksave. Një polic do ketë një rrogë e gjysmë më shumë vetëm nga ulja e taksave, infermierja do ketë një rrogë e gjysmë më shumë vetëm nga ulja e taksave. Përpos rritjes së rrogës dhe të tjera aspekte. Ndërkohë që mos harroni që flasim dhe për ulje taksash edhe në bujqësi. Por jo për ulje taksash si këto, sepse propozimin për të hequr TVSH mbi imputet bujqësore, plehrat, farat e të gjitha me radhë, propozimin për të hequr akcizën e naftës dhe taksën e qarkullimit të naftës, propozimi për të hequr TVSH- në e makinerive bujqësore ja kemi bërë këtyre një vit e gjysmë përpara. Shikojeni se çfarë thonin atëherë, këto janë produkte të mendësisë komuniste. Po sot pse i morën dhe i shesin si iniciativa të tyre? Për dy arsye miqtë e mi, arsyeja e parë sepse ndjehen të vendosur në cep, ndjehen shumë ngushtë përballë dy forcave që nuk i përballojnë dot. Nga njëra anë realiteti, që nuk mbulohet dot me propagandë, se mund tu thonë juve që ju jeni të lumtur, por sa të lumtur e dini vetë ju, nuk jua thonë dot ata. Nga ana tjetër programi ynë. Atëherë rendin drejt programit tonë që të hedhin këtej sa të munden propagandë që të gënjejnë kë të munden. Dhe ndërkohë tamam si ajo kënga “u plake, po dorë nuk hoqe”, e heqin TVSH-në, por vendosin një listë të caktuar që po të duash të blesh makineri bujqësore duhet të shkosh te këto kompani dhe këto janë kompanitë e lidhura me ata, që nëpërmjet atyre të tjerëve shkojnë te ai dhe ky ja jep atyre dhe në fund fare kush e ha, e ha prapë ai që këta i voton, sepse tjetër kush këta nuk i beson. Këtu vjen një tjetër ndryshim i madh themelor midis nesh dhe atyre. Më ka bërë shumë përshtypje. Ishim sot në Pojan. Pojani është qeverisur nga viti 2007 në vitin 2011, nga një burrë zotni, i cili ishte kandidati ynë. Fitoi dhe me mundimet e tij të jashtëzakonshme, bashkë me komunitetin arriti të transformojë situatën e kanaleve kulluese. Në 2011, ata e dinë se si ja dolën, por zgjodhën dikë tjetër, të krahut tjetër dhe sot janë bërë pishman sepse asgjë nuk është bërë dhe ato kanale që u bënë prapë po bllokohen. Si në Pojan, ku qeverisin këta, ashtu dhe lart në veri është një gjë ë jashtëzakonshme.

Shikoni se ku marrin votën këta, aty keni më shumë varfëri, aty keni më shumë papunësi, aty keni më shumë mizerje dhe më shumë poshtërim. Nga Kukësi, në Dibër, në Shkodër, në Lezhë dhe në të gjitha njollat ku këta marrin atë votën e pakushtëzuar se gjyshet kanë qenë partizane apo gjyshet kanë qenë balliste edhe gjyshja ime ka vuajtur për shkak të komunistëve dhe unë vazhdoj ja jap këtij gjyshit që komunistët e kanë sjellë në fakt në krye të Partisë Demokratike. E vërteta është kjo, që është dhe dallimi i madh, për ta shqiptarët janë zgjedhës, për ne shqiptarët janë njerëz. Këtu ndryshojmë. Zgjedhësit këta i duan të varfër që të shkojnë dhe t’jua marrin votën me një thes miell, kuptohet edhe me mbështetjen e gjyshes që dikur vuajti dhe këta tani vuajnë në emër të gjyshes dhe në pushtet rri gjyshi, që s’ka lidhje fare me gjyshen. Dhe vetë gjyshja po të ngjallej do të thoshte: Ç’e keni këtë more? Po ky nuk është i yni more. Po këtë ua kanë sjellë ata more. Nejse.

I duan të papunë. Pse? Sepse i torturojnë me atë ndihmën ekonomike. Ndihma ekonomike është taksa e votës. I papunë dhe pastaj fillon ajo loja: Ta jap, s’ta jap, ta jap, s’ta jap. Të të shikojë mirë njëherë, për kë do votosh, se po nuk mora vesh për kë voton, nuk ta jap ndihmën ekonomike. I duan dhe të dëshpëruar, që me dy dopio raki, t’jua bëjnë rrugën e fshatit që t’u duket si rruga e Arbrit edhe thonë, e bënë rrugën. Deri të hënën në darkë, kur del dhe rakia, me dhimbje koke kuptohet se dhe rakinë e kanë me hile këta dhe e shikon se në fakt rruga nuk është bërë.

Shikoni çfarë ndodh këtu, ja këtu në Korçë. Tërë drejtoritë pyjore tani janë turrur, sepse një pjesë e mirë e ekonomisë së fshatit lidhet me pyllin, lidhet me drurin. Dhe shkojnë atje e ju kërcasin gjoba pas gjobash. Këtu i ke, po nuk votove për ne do t’i paguash në 24 qershor. Ndërsa unë u them që ne në 24 qershor do t’i grisim të gjitha gjobat që këta do vënë në katër muaj parazgjedhjeve. Madje u them të gjithë fshatarëve që do marrin gjobat e këtyre, konsiderojini fletë lavdërimi, që këta ju konsiderojnë të dyshimtë dhe mbajini atje si fletë lavdërimi. Ndërsa ndihmën ekonomike ne do ta ndryshojmë tërësisht. Nuk ka më ndihmë ekonomike si kjo. Lëmoshë për të të marrë peng. Para që ju jepen pushteteve vendore dhe që ca i merr ai kryetari I komunës dhe ca të tjera I mban për të mbajtur peng zgjedhësit.

Ne, ndihmën ekonomike do ta vendosim në dispozicion të punësimit. Se këtu problemi është që ndihma ekonomike ju jepet njerëzve që janë në rregull fizikisht. Njerëzit që janë në rregull fizikisht kanë nevojë për punë dhe ne do të bashkëpunojmë me sipërmarrjen, do të bashkëpunojmë me kompanitë fason, do të bashkë punojmë me të gjitha sipërmarrjet prodhuese dhe do të mbështesim me fondet e ndihmës ekonomike marrjen në punë të atyre që për shkak se janë të papunë marrin ndihmë ekonomike. Mirëpo nuk mjafton vetëm kjo. Është ende më shumë se kaq. Sepse kush është pa punë është dhe i pasiguruar dhe kush është i pasiguruar nuk duhet të sëmuret. Po u sëmur duhet të paguajë. Po s’pati lekë duhet të shesi lopën. Por po e pati të rëndë sëmundjen duhet të shesi edhe shtëpinë.

Në aq sa kemi pasur ne kontakte me spitalin për shkak të programit ne kemi takuar një grua të dëshpëruar, që sapo kishte shitur shtëpinë për të mbajtur burrin në jetë dhe dy prindër të dëshpëruar që kishin shitur gjithçka në fshat, kishin shitur bagëtinë, shtëpinë dhe tokën për të mbajtur në jetë djalin me leucemi, të pasiguruar. Ky thotë që nuk ka shëndetësi pa lekë. Kjo është komuniste. Nuk ka shëndetësi pa para, shëndetësia kushton. Po nuk diskutohet që shëndetësia kushton, nuk diskutohet. Ju e dini mirë se këtu në spitalin e Korçës shkoni me rezistenca me vete. Rezistencën e keni si pjesë të shtuar të paketës, se të gjithë shkojnë me ilaçe me vete, me çarçaf me vete, me batanije me vete, me gruan me vete, por edhe rezistencën me vete. Po me gruan me vete, që të të mbrojë nga infermierja, të të mbrojë nga infermierja që kërkon para për çdo shpim. Edhe të të shpojnë edhe të paguash dhe të mos jesh i siguruar dhe të mos dish se si do t’ja bësh nesër, kjo nuk shkon. E vërtetë është që gjitha këto kushtojnë.

Problemi është kush do t’i paguajë. 800 milionë dollarë harxhohen në Shqipëri për shëndetin. Vetëm 7% të këtyre shkojnë nga sigurimet, 33% nga taksat e përgjithshme, 60% nga xhepat. Po nga xhepat e kujt? 1% del nga xhepat e të pasurve që shkojnë nëpër spitale private. 99% del nga xhepat e atyre që janë më të varfrit, që janë të papunë, që janë të rraskapitur dhe që sa shkojnë te dera e spitalit, para se të thonë se çfarë kanë, ju paraqitet receta dhe ju thuhet: Ik blej ilaçet. Dhe rreth spitalit gjithë ato farmaci si hiena që presin për të thithur paratë e atyre që s’kanë lekë. E pra ky është një ndryshim i madh mes nesh dhe atyre. Ata thonë: çdo gjë është mall dhe blihet. Shëndeti, ke lekë blije, s’ke lekë vdis. Ne themi JO. Shërbime sipas nevojës, jo sipas xhepit. Prandaj shëndetësia kushton, por atë nuk do ta blejë ai që s’ka lekë. Atë do ta bëjë shteti shqiptar dhe përmes Shërbimit Kombëtar Shëndetësor, një institucion iI ri që ne do të themelojmë do t’ja ofrojë çdo shqiptari, nga qyteti apo nga fshati, i pasur apo i varfër, nga veriu apo nga jugu, që ka nevojë për kujdesin shëndetësor publik. Ky është qëndrimi ynë për shëndetësinë.

A e keni parasysh se ku kemi arritur ne? Për çfarë e ndryshuam sistemin ne? E ndryshuam sistemin që kur na shfaqet një kërcënim në formën e kërcënimit fizik, për vete, për fëmijën që shkon në shkollë, në formën e kërcënimit për pasurinë që vijnë të vjedhin, në formën e kërcënimit për pronën që ta marrin në mes të ditës.

Ne, gjëja e parë që bëjmë, nuk marrim në telefon policinë. Po marrim në telefon kushërinjtë, miqtë, të fortët, që të organizohemi, të ngremë çetën tonë , që të mbrohemi nga kërcënimi. Domethënë që ne s’kemi shtet. Se qëllimi i parë i shtetit është të mbrojë njeriun që respekton ligjin nga kushdo që në shkelje të ligjit vjen dhe i bie në qafë. E morën qeverinë me 8250 krime në vit. E dini se sa krime në vit janë regjistruar vjet? 20688. Sot kemi katër herë më shumë vrasje për 100 mijë banorë se sa në gjithë vendet e Europës. Katër herë më shumë aksidente. Dhe ky figura, ministri i rrugëve tha: Po normal, se janë shtuar makinat prandaj janë shtuar aksidentet. Po kemi katër herë më pak makina se në Europë dhe katër herë më shumë aksidente se në Europë. Ç’lidhje ka kjo me shtimin e makinave.

Nuk janë shtuar makinat që sjellin aksidentet, po është shtuar volumi i rrënimit të vazhdueshëm për shkak se në këtë vend Qeveria bën punët e veta, po jot ë vetët siç thotë Kushtetuta, po sipas ngastrave ku janë ndarë dhe orekseve që i kanë të pashueshme dhe shteti ka rënë i gjithi, ka rënë i gjithi se kudo ku shkon përballesh me shtetin përballesh me dikë që të shet një mall. Kudo, shko bjeri një dere atje dhe do shikosh që do të thotë: Bën kaq. Përtej tarifave që mund të ketë. Bën kaq, bën kaq, bën kaq dhe prandaj miqtë e mi ne do ta rindërtojmë Policinë e Shtetit bazuar mbi parametra të tjerë. Në radhë të parë mbi vlerat e shërbimit ndaj qytetarit . dhe unë dua t’ju siguroj se ne nuk do të flemë gjumë deri ditën kur do të kemi garantuar që ai apo ajo forcë që cënon integritetin fizik të qytetari shqiptar të përballet me policinë e shtetit dhe kush prek pronën e një shqiptari të përballet me Policinë e Shtetit.

Duke e mbyllur desha të them atë që nuk u tha. Nuk e di se si ndodhi, por nuk u tha. Por që në fakt është themeli mbi të cilin ne do të ngremë edhe rilindjen e Qarkut të Korçës, bazuar në shembullin e qytetit të Korçës, që ka filluar të rilindë falë Niko Peleshit. Unë ju siguroj që me fitoren e 23 qershorit, të gjithë korçarët që jetojnë me punë të ndershme, apo që do duan të ngrenë jetën e tyre mbi punën e ndershme do të gjejnë te qeveria jonë dhe unë personalisht do të jemi mbrojtësin e tyre më të flaktë. Kurrë më prodhime që hidhen në lumë, sepse qeveria nuk ka sy për të parë, nuk ka veshë për të dëgjuar, nuk ka zemër për të ndier dhimbjen e atyre që mezi e nxjerrin atë prodhim nga toka".

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

I mërzitur dhe me prerje në fytyrë e kokë, habit Guardiola: Doja të lëndoja veten

I mërzitur dhe me prerje në fytyrë e kokë, habit Guardiola: Doja të lëndoja veten