Të nderuar deputetë
Unë nuk besoj ka shembull më absurd, më të ndotur të llumit historik në këtë Parlament, sesa parafolësi, që historia ia solli të ishte President dhe Kryeministër i vendit, por historia po njëlloj na e solli ne të gjithëve bashkë dhe mbi të gjitha qytetarëve, të ishte fatkeqësia më e paimagjinueshme e këtij vendi për sot dhe për të ardhmen.
Unë nuk kam si bie në nivelin banal të fjalorit tuaj këtu, të cilin sot gjithsesi e kishit të përmbajtur.
Se në të kaluarën e keni pasur dhe shumë më të përdalë. Por gjithsesi, nuk kam si mos të jem dakord me çështjet që ju ngritët. Në princip ama, jo konkretisht!
Jam dakord me ju kur thoni se duhet të shqetësohemi të gjithë bashkë për luftën kundër krimit, për luftën kundër korrupsionit. Pavarësisht se ju jeni shembulli më i mirë i ndarjes shumë të thellë ndërmjet deklaratave dhe veprave, ndërmjet fjalëve dhe punëve.
Unë jam shumë dakord që ky parlament të bëhet bashkë për të luftuar krimin e organizuar, të mbështesë Policinë për të luftuar krimin e organizuar, të mbështesë Prokurorinë, të mbështesë drejtësinë për të luftuar botën e krimit.
Por nuk kam si të jem dakord, megjithë dëshirën time për t’ju marrë juve seriozisht atë që thoni këtu, nuk kam si ta besoj plotësisht, kur çoni Ristanin në burgun ku rri Xhelal Mziu.
Nuk kam si ta besoj që e keni seriozisht atë që thoni këtu, kur çoni një deputet që të takojë Xhelal Mziun në burg! Megjithë dëshirën time për t’ju marrë seriozisht, nuk kam si ta besoj kur po të njëjtin deputet, dhe ma do mendja e keni një motiv pse çoni pikërisht këtë, se ia ka marrë dorën burgjeve, por, kur e çoni dhe në Sarandë në burg të takojë punonjës ALUIZNI e ZRPP-je, që Policia dhe Prokuroria i arreston për korrupsion, me tituj pronësish dhe me atë masakër që është bërë në bregun e jugut!
Kam shumë dëshirë ta marr për të mirëqenë, kam dëshirë ama, të marr për të mirëqenë vullnetin tuaj të shprehur, për t’u ndarë njëherë e mirë në mënyrë të qartë dhe me distancë klinike, nga çdo hije gri, sado e largët, e çdo praktike korrupsioni, apo lidhje kriminale që mund të ekzistojë ndërmjet përfaqësuesve të popullit, në cilindo nivel, me botën jashtë.
Por s’kam si t’u besoj punëve tuaja, s’kam si t’i besoj, megjithë dashamirësinë time, s’kam si t’i besoj asaj që ju keni bërë deri dje kur ishit në detyrë!
Dhe kur dilnit këtu në këtë foltore si kryeministër, me gjithë tagrin, fuqinë për të punuar që këto të ndodhnin.
Dhe s’kam si t’i besoj kur djali juaj merrte fakse më shënimin “Për Zenin”, nga një Ministër i juaji, për atë që më pas në Gërdec, la 26 qytetarë të vrarë.
Ç’punë kishte djali juaj të merrte fakse nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Mbrojtjes?! E keni pyetur ndonjëherë në shtëpi?! Se Prokuroria nuk e ka pyetur si qe të paktën djalin tuaj, por ju?! E keni pyetur ndonjëherë djalin ç‘punë kishte ky që merrte fakse për “Gërdecin”!?
Dhe në qoftë se e keni pyetur, pse nuk dilni këtu si baba i mirë dhe si qytetar i ndërgjegjshëm të na shpjegoni dhe ne kuriozëve – ç‘punë kishte djali juaj të merrte fakse për “Gërdecin”!?
Besoj ju kujtohet fort mirë, një shtetas amerikan, i përgjuar, të thoshte: “Kafshët kanë dalë jashtë kontrollit! Kjo punë ka shkuar shumë larg, deri te djali i Kryeministrit!”
Unë sigurisht nuk mund të aludoj që djali juaj është njëlloj me kafshët, por sigurisht mund të aludoj që në atë që ndodhi, djali juaj ishte drejtpërdrejt i përfshirë!
Për cilën arsye, pse nuk keni dalë kurrë këtu dhe të jepni një përgjigje të vetme?!
Në mos të jepni një përgjigje për atë që ka bërë djali juaj, pse nuk keni dalë kurrë t’i bëni thirrje Prokurorisë të hetojë? Qoftë dhe për fëmijën tuaj!
Por unë s’kam, megjithë dashamirësinë për të marrë për të mirëqenë atë që thoni, s’kam se si t’ju besoj, kur një sipërmarrës i huaj, denoncon me zë dhe me figurë, - dhe shyqyr që e ka kurajon, - vajzën tuaj që e gjobit me 3 milion euro për një biznes që donte të bënte këtu!? Dhe e gjobit duke e kërcënuar me firmën tuaj!
Ju njeri i përgjegjshëm, që në këto 20 e kusur vjet, për gati 15, keni pasur personalisht fatet e vendit në dorë, firmën tuaj e shisnit te vajza! Dhe vajza juaj të bënte sekseren për 3 milion euro, siç tha një biznesmen.
Dhe unë kam shumë dëshirë të besoj që ju i keni fort për zemër sipërmarrësit e huaj të cilët vijnë në Shqipëri, për ta bërë jetën e qytetarëve tanë më të mirë. Por nuk kam si ta besoj që e keni seriozisht, kur vajza juaj ishte “diga”, kur sipërmarrësit e huaj, për sa kohë ju ishit në detyrë, kërkonte përqindje për firmën tuaj.
Nuk jeni çuar ndonjëherë këtu dhe të ktheni përgjigje si ka mundësi, si ndodhi që në këtë botë, babai dhe vajzë, të bëhen të dy personazhet e vetme nga duhet të kalonte një sipërmarrës për të investuar miliona euro në Shqipëri!? Babai, Kryeministër që duhej të jepte firmën, vajza, seksere që duhej të merrte lekët! Nuk dhatë përgjigje për këtë ndonjëherë.
Dhe unë prapë e them, kam shumë dëshirë ta besoj gjithçka thoni lidhur me dënimin e çdo praktike, ose denoncimin e çdo praktike, ose distancën klinike që duhet të ketë çdo përfaqësues në Kuvend, i zgjedhur apo i emëruar, nga praktikat korruptive dhe aq më pak nga lidhjet me botën e rrugës.
Por ne dallojmë shumë ama! Dallojmë shumë, jo vetëm për atë që themi këtu, por dallojmë shumë mbi të gjitha dhe për atë që bëjmë.
Dhe këtë e kemi dëshmuar, jo vetëm në rastet që ju këtu na i citoni si me demek fakte të kapjes sonë, të cilat në fakt, janë të dhëna të pakundërshtueshme të vullnetit tonë për të zbatuar në mënyrë të barabartë ligjin duke filluar fillimisht nga vetja.
Por mbi të gjitha, po të kesh parasysh atë që keni bërë ju, kur keni qenë në krye të detyrës, nuk ka sesi të mos dallosh distancën fort të largët dhe rrugën e re që ka marrë Shqipëria, me një qeveri që sot është e dedikuar ndaj qytetarit, jo ndaj karriges!
Megjithatë, unë nuk kam dëshirë fort të zgjatem në deklarata që qytetarët besoj i kanë fort të qarta.
Por doja të çohesha këtu, të bëja me dije Kuvendin për një padi që ka depozituar sot Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat e qytetarëve, ku pas një inspektimi në Gardën e Republikës së Shqipërisë, mbi procedurat dhe dokumentacionin e mbajtur, para, gjatë dhe pas ngjarjeve të 21 janarit 2011 dhe ku u administruan të gjithë dokumentacionet, lidhur me veprimet që ka kryer Garda, u gjet që ka falsifikim dhe urdhra të kundërligjshëm nga Ministri i asaj kohe i Brendshëm dhe nga punonjësit e Gardës, të cilët, shpresoj, do shkojnë të përgjigjen para drejtësisë, së bashku me ish-Ministrin e Brendshëm!
Dhe konkretisht, nga këqyrja e Librit të marrjes në dorëzim të shërbimit, nr. 19/04, në faqen e fletës nr. 129, të datës 21 janar 2011, rezulton i pasqyruar me shënim, nga operatori i shërbimit, një urdhër i dhënë nga Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ora 16:28, me përmbajtjen, citoj: “Komunikoni me Gjeneralin dhe të ngrihet helikopteri dhe të hedhë lëndë lakrimogjene mbi demostruesit tek Piramida”.
Kjo frazë është e korrigjuar, e tillë! Pra, e falsifikuar.
Para korrigjimit ka qenë shkruar: “Komunikoni me Gjeneralin dhe të ngrihet helikopteri dhe të hedhë lëndë homogjene mbi demostruesit tek Piramida”.
Gjithashtu, në faqen e dytë të Librit të Shërbimit, në faqen 128, datë 21 janar 2011, rezulton i pasqyruar nw librin e shërbimit, shënimi i mëposhtëm: “Urdhërdhënësi, Gjenerali – (gjenerali është ai që pastaj doli me syrin e nxirë... e mban mend, ti që nuk ngre as kokën tani!) – Gjenerali, ora 14:54, urdhri, - asnjë lloj zjarri pa zbatuar ligjin kundër demostruesve”.
Rezulton me sy të lirë, por që pritet të konfirmohet nga analizat dhe hetimi i Prokurorisë që edhe kjo frazë është e korrigjuar me mbishkrim. Dhe para korrigjimit kjo frazë ka qenë e shkruar: “Asnjë lloj zjarri pa dhënë urdhër” dhe më pas kësaj fraze i është shtuar: “Kundër demostruesve, pa zbatuar ligjin”.
Në të dy shënimet e sipërcituara, të dokumentuara dhe pasqyruara në librin e marrjes në dorëzim, duket me sy të lirë që ka ndërhyrje dhe korrigjime të dukshme korrigjimet e fjalëve “pa zbatuar ligjin” dhe “kundër demostruesve” në rastin e urdhrit e dhënë nga Gjenerali dhe zëvendësimin e fjalës “homogjene” me “lakrimogjene” në urdhrin e dhënë nga Ministri i Brendshëm.
Po kështu rezulton nga këqyrja se vetëm në datën 21 Janar në këtë Libër, ka ndërhyrje dhe falsifikim të urdhrave të shënuar dhe në asnjë datë tjetër nuk ka korrigjim apo falsifikim të urdhrave.
Në këto kushte Shërbimi për Çështjet e Brendshme, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka depozituar sot kallëzimin penal për shtetasin Lulzim Basha në atë kohë Ministër i Brendshëm, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, i cili ka dhënë një urdhër haptazi të kundra-ligjshëm pasi nuk është kurrkund në kompetencën e Ministrit, drejtimi operacional dhe aq më tepër përdorimi i lëndëve kimike ndaj protestuesve, dhe gjithashtu falsifikimi i dokumentacionit parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal për Operatorin e Gardës me detyrë Specialist i Qendrës së Drejtimit në Gardën e Republikës, i cili ka rezultuar si personi përgjegjës për pasqyrimin e komunikimit dhe urdhrave me radio dhe telefon në librin e marrjes në dorëzim të shërbimit në 21 Janar të vitit 2011.
Kjo është padia e depozituar sot nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për një Ministër që rezulton se ka dhënë urdhër që të ngrihet helikopteri dhe të hedhë lëndë kimike ndaj protestuesve në 21 Janar.
Unë nuk e di se si mund të ketë ndodhur dhe nuk di as ç’shpjegim do të ketë Lulzim Basha për këtë, por shpresoj shumë që të mos përdorë procedurën për t’iu shmangur këtij hetimi.
Madje unë nuk di, nëse është edhe kjo arsyeja pse ju nuk latë prokuror pa sharë dhe pa fyer gjatë kësaj kohe përveç disave.
Shpresoj të mos jetë kjo arsyeja, frika pse do ju dalin të palarat dhe do vijë dita të përgjigjeni, që shani dhe hidhni llum akuzash ndaj disa prokurorëve, por kurseni disa të tjerë.
Por një gjë e di të sigurt, për detyrën që mbaj sot, siç e di fort mirë ligjin që ka qenë në fuqi dhe ligjin e ri, se Ministri i Punëve të Brendshme në asnjë rast, në asnjë rrethanë, në asnjë ligj, nuk i lejohet të japë urdhra operacionalë si ky që ka ndodhur në 21 janar kur Lulzim Basha ka ngritur telefonin dhe ka dhënë një urdhër të shënuar në librat e Gardës, urdhër sipas të cilit duhet të ngrihet helikopteri dhe të hidhen lëndë kimike sipër protestuesve.
E imagjinoj që ky mund të ketë qenë urdhri juaj si ish-Kryeministër, por megjithatë shpresoj kjo të sqarohet nga hetimet.
Ajo ishte një ngjarje tragjike (dhe pak ka për të qeshur zonjë), por një gjë mund t’ju siguroj, se ky nuk është moment as për t’u tallur e as për të anashkaluar drejtësinë dhe unë shpresoj që Prokuroria, këtij hetimi t’i shkojë deri në fund, sepse për 21 janarin duhet të ketë patjetër përgjegjës për 4 jetët e humbura.
Unë nuk dua të them këtu që meqë Luzim Basha ka dhënë urdhrin për t’u ngritur helikopteri dhe t’i hidhej qytetarëve, demostruesve, lëndë kimike, është po i njëjti që ka dhënë urdhër për t’u qëlluar e për t’u vrarë katër protestues, por shpresoj shumë që këtë ta nxjerrin hetimet, ashtu si shpresoj shumë që mos të bëni karagjozin, pavarësisht se e kuptoj që këtë të zgërdhirën e keni mënyrë për t’u përballuar me përgjegjësinë, por duhet të bëheni qytetarë të mirë si ju takon të jeni, dhe mbi të gjitha qytetarë të përgjegjshëm dhe të shkoni të përballeni me drejtësinë, ashtu si ju takon.
Faturën përpara drejtësisë, do e marrin të gjithë një ditë.
Ju faleminderit shumë!
