Fjala e plotë e Presidentit Nishani me homologun Ivanov

Përshëndetje të gjithë përfaqësuesve të mediave të dy vendeve! Sot, pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë që t’i uroj zyrtarisht mirëseardhjen në një vizitë shtetërore në Shqipëri, Presidentit të Maqedonisë, zotit Gjorge Ivanov.

Gjatë takimit të sotëm, në frymë të ngrohtë, miqësore dhe përgjegjësie të lartë për nxitjen dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, biseduam dhe vlerësuam të gjitha çështjet me interes të ndërsjellë.

Në takim theksova se për Shqipërinë, Maqedonia është një vend fqinj shumë i rëndësishëm dhe mik, me të cilin kemi marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe shumë dinamike. Është një vend, me të cilin ndajmë jo vetëm një pjesë të kufirit shtetëror por edhe marrëdhënie të shumëfishta historike, kulturore e ekonomike.

Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Maqedonisë në vitin 1993 dhe marrëdhëniet në këto 22-vjet bashkëpunimi, kanë evoluar në mënyrë pozitive.

Është e rëndësishme që ky trend pozitiv të ruhet e të përmirësohet gjithmonë e më shumë në dobi të qytetarëve të dy vendeve tona, por edhe në funksion të stabilitetit e zhvillimit të rajonit.

Shkëmbimet e vizitave në nivelet më të larta të vendeve tona  e forcojnë më shumë këtë marrëdhënie. Me kënaqësi konstatuam se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, kemi pasur shkëmbime të shumta vizitash, që kulmojnë me këtë vizitë presidenciale.

Vlerësuam gjithashtu nevojën e nxitjes së mëtejshme të qeverive dhe institucioneve të tjera të vendeve tona, në funksion të rritjes së mëtejshme të bashkëpunimin ekonomik, që ende nuk i përgjigjet nivelit të bashkëpunimit politik.

Vlerësuam se ka interes për bashkëpunim veçanërisht në fushën e infrastrukturës, energjetikës, turizmit, bashkëpunimit ndërkufitar, shfrytëzimit të përbashkët e të koordinuar të ujërave të përbashkëta lumore e liqenore,  dhe fusha të tjera.

Në këtë aspekt, vlerësova domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve mes institucioneve të dy vendeve tona për projekte të ndryshme, me impakt të drejtpërdrejt ekologjik dhe ekonomik tek vendi tjetër, në respekt të marrëveshjeve dhe protokolleve në fuqi.

Sigurisht që respektimi i tyre ndikon edhe në ruajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve.

Përmes një analize të ecurisë së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, vlerësuam gjithashtu interesin e përbashkët strategjik të integrimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Aspiratat e përbashkëta për të qenë vende anëtare të Bashkimit Evropian na nxisin dhe motivojnë që marrëdhëniet tona të ngrihen në një stad më të lartë.

Ndërsa, lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO i shpreha edhe njëherë mikut tim Gjorge se Shqipëria e mirëpret anëtarësimin e Maqedonisë në këtë organizatë, pasi vlerësojmë se është në interesin më të mirë të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

Ne mirëpresim gjetjen e kompromisit dhe zgjidhjen e çështjes së emrit në kuadër të OKB-së, pasi kjo do të zhbllokonte dhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe procesin e negociatave për në BE.

Gjithashtu, patëm mundësi të bisedojmë për bashkëpunimin rajonal, ku vlerësuam kontributin e qenësishëm të dy vendeve tona, në të gjitha organizatat rajonale, me synim garantimin e paqes dhe sigurinë në rajon.

Në kuadrin e kësaj qasje, i përsërita edhe njëherë Presidentit Ivanov, ftesën për të qenë i pranishëm në Samitin e mbylljes së Presidencës Shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP-së), më 26 maj dhe marrjen e Presidencës së kësaj organizate nga Bullgaria për periudhën 2015-2016.

Në takimin e sotëm, një vend të veçantë zuri dhe situata e popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe pakicës kombëtare maqedonase në Shqipëri. Vlerësoj se, pavarësisht statusit të ndryshëm që ato kanë në vendet tona, ato duhet të shërbejnë si ura mirëkuptimi dhe bashkëpunimi.

Situata dhe të drejtat e popullsisë shqiptare në Maqedoni janë të lidhura ngushtë me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila duhet të zbatohet sa më parë dhe e plotë në të gjithë elementët dhe ne frymën  saj, veçanërisht në atë të përfaqësimit proporcional në institucionet qendrore, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, parashikimet reale buxhetore për të gjitha rajonet, si dhe në qeverisjen vendore.

Faktori shqiptar në Maqedoni është element stabiliteti dhe kohezioni të brendshëm. Harmonia dhe bashkëjetesa mes popullsisë shqiptare dhe asaj maqedonase sigurohen përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit si një marrëveshje e ndërmjetësuar nga faktori ndërkombëtar.

Por gjithashtu, të gjithë duhet të kontribuojmë për uljen e shkallës së mosbesimit dhe të paragjykimeve mes dy popullsive, në mënyrë që të shmangen tensionet ndëretnike, që shpesh ndizen edhe nga incidente të vogla e të natyrave të ndryshme.

Institucionet shqiptare kanë inkurajuar gjithmonë faktorin shqiptar në Maqedoni për të qenë kontribuues bashkëpunimi dhe integrimi. Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni kanë një rëndësi të veçantë edhe për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Për sa i përket pakicës kombëtare maqedonase në Shqipëri, dëshiroj të theksoj se nga institucionet shqiptare në vijimësi dhe konform Kushtetutës së vendit, konventave për të drejtat e njeriut dhe Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve, punohet që të garantohen të gjitha të drejtat që kjo pakicë të ruajë gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar.

E sigurova Presidentin Ivanov se ashtu si të gjitha pakicat e tjera edhe pakica maqedonase në Shqipëri, jeton në harmoni të plotë dhe miqësi me shqiptaret. Kjo pakicë përfaqësohet, në kuadrin e Komitetit Shtetëror për Minoritetet, me një person, i cili mbron dhe promovon të drejtat e këtij komuniteti në nivel institucional.

Në mbyllje dëshiroj t’i shpreh edhe një herë Presidentit Ivanov kënaqësinë  time për vizitën e tij në Shqipëri, si dhe t’i uroj një vizitë e një qëndrim sa më të këndshëm. Ju faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Travel and Tour World': Shqipëria, një yll në rritje në turizmin evropian