Fjala e plotë e Presidentit Nishani në darkën e shtruar për Fiter Bajram 

Gëzuar Bajramin!
Të nderuar besimtarë muslimanë,

Është kënaqësi e jashtëzakonshme për mua që festës Tuaj, lumturimit Tuaj, devocionit Tuaj, në këtë ditë të shënuar, t'i bashkoj përunjësisht urimin tim,
Për shumë vjet gëzuar Bajramin e shenjtë, këtë festë madhështore të muslimanëve, këtë mundësi të mrekullueshme që na afron me njëri-tjetrin dhe me Zotin, që na pakson vuajtjet dhe dëshpërimet, dhimbjet e plagëve na i bën të durueshme.

Të bëjmë çmos të na e shtojë ky Bajram ndjeshmërinë ndaj fukarenjve dhe të dëshpëruarve, për t'i bërë ata më pak të varur ekonomikisht dhe më të sigurtë e më të fortë shpirtërisht.
Të na i paksojë ky Bajram keqkuptimet, grindjet, sherret, dhe të na i shpeshtojë mirkuptimet, bashkimet.

Paçi vetëm gëzime në jetët Tuaja, Familjet Tuaja, punët Tuaja.
Kurrë mos u ndaltë adhurimi Juaj për Zotin, bashkë me të mirat e gjithfarshme dhe obligimet e domosdoshme që rrjedhin nga ky adhurim.
Kurrë mos u shterrtë mes Jush dashuria, mirësia, mëshira, urtësia, për veten, për njëri-tjetrin, për komunitetin, për Kombin, dhe më gjerë për njerëzimin që aq shumë etje ka për Besim, aq shumë uri ka për paqe, aq nevojë të ngutëshme ka për begatim të tanishëm dhe shpresë për të ardhmen.

E bekuar qoftë dëshira Juaj për më tepër prehje shpirtërore dhe shoqërore me të gjithë, pavarësisht nga Besimi apo të tjera dallime.
Të vazhdojë të forcohet bindja Juaj se po aq e madhe sa është Mëshira e Zotit është edhe falenderimi ynë, edhe vetëdija jonë për përunjësi të pafundme ndaj Tij në çdo aspekt, në çdo rast dhe në çdo çast.

Kurrë mos u paksoftë frika ndaj mëkatit. Po të lutemi me gjithëshpirt, Zoti që na i ka dhënë të gjitha liritë dhe na ka lënë të zgjedhim, mëkatet na i fal. Por gjatë rrugës së mundimshme drejt përsosjes duhet të kemi mirë parasysh sa pa besimin tek Zoti, rrëshqitja në mëkat është fare e kollajtë.
Kurrë mos u paksoftë, por vetëm u shtoftë bindja e brendëshme e solidaritetit reciprok human të atyre që kanë ndaj atyre që s'kanë, të atyre që u tepron ndaj atyre që u mungon, të atyre që Fati i ndihmon ndaj atyre që Fati i harron.

Ta gëzojmë si e meriton këtë ditë të lumnueshme si mundësi e rrallë për të reflektuar hollësisht dhe thellësisht për principe themelore, ato principe të cilat, të rrëmbyer nga telashet e përditshmërisë, ndodh që edhe i nënvlerësojmë, pse jo dhe i harrojmë, si për shembull për çfarë është e shenjtë e çfarë është banale, çfarë paraqitet si e dobishme por është e dëmshme, çfarë duket e drejtë por është e shtrembër, çfarë duket e mbarë por është e mbrapshtë, çfarë shfaqet si e arsyeshme, por është e gabuar, çfarë duket e këshillueshme, por është kurth. Të reflektojmë në këtë ditë për arsyet e vështirësive të komunikimit ndërnjerëzor, kryesisht ndërpersonal, kollajllëkun e sherrit, mungesën e urtësisë, dhe të mundohemi t'i ndreqim duke pasur parasysh se të dish të pendohesh është më e vështirë, por më e dobishme se të vazhdosh të gabosh, të japësh është e vështirë por e shenjtë, të marrësh pa e merituar është e kollajtë por kriminale, të fitosh është më e vështirë se të humbësh por është e lavdishme, të pajtohesh është më e vështirë se të dhunosh por është e shenjtë.

Ditët e udhëtimit sakrifikues drejt Zotit, ditët e Ramazanit të finalizuara me ditën e Bajramit, na dhanë mësimin madhështor se po aq i madh sa është tundimi i mëkatit është edhe kujdesi i Zotit për të na mbajtur gjithmonë sa më larg atij tundimi. Ky kujdes i pandalshëm është arsyeja që sakrifica e ditëve të kaluara nuk ishte i fundit Ramazan, dhe ky sotmi nuk është i fundit Bajram, por çfarë po përjetojmë është vetëm një fragment i rrugës së pafundme të përsosjes së mendjes dhe të shpirtit në zbatim të përpiktë të vullnetit të Zotit, pra pa barrën e zakonshme të materialitetit.

Sa më lart, dhe të tjera, janë të një rëndësie të pallogaritshme. Sidomos sot kur qytetërimi dhe vlerat korresponduese janë më tepër se kurrë të rrezikuara, kur njerëz të të njëjtit Besim, që falen e luten njësoj në emër të të njëjtit Zot, zbatojnë të njëjtat rite si ky Bajram, shkaktojnë barbarizma të pashembullta, kasaphana të përgjakshme duke vrarë njerëz të pafajshëm e u kallin tmerrin gjithë të tjerëve.

Njeriu që sakrifikon për përsosjen shpirtërore, është i pamposhtur. Energjia e njeriut të pamposhtur vjen piksëpari nga realizimi dhe respektimi i barazpeshës mes të drejtave dhe detyrave, në mënyrë të atillë që ajo barazpeshë të jetë funksionuese dhe produktive. Nëse barazpesha në fjalë çrregullohet, sidomos kur me të drejtat teprohet, vijnë të gjitha rreziqet që shkaktojnë të gjitha të këqiat. Të mos kujdesesh për ekuilibrin mes të drejtave dhe detyrave, do të thotë të keqes t'i hapësh portën. Të keqes porta nuk i duhet. Të keqes porta i mbyllet. Tja mbyllësh portën së keqes dhe t'ja hapësh të mirës, për së pari e për së fundi, do të thotë ta kesh mendjen të kthjellët dhe shpirtin të pastër, me fjalë tjera, t'i bindesh vullnetit të Zotit, të zbatosh me përpikmëri porositë e Tij. Jo nga frika, por me gjithë shpirt. Pas kësaj, vetëm pas plotësimit të këtij kushti, vijnë të gjitha të mirat.
Ju këtë e keni bërë, po e bëni, dhe do ta bëni.

Kjo është arsyeja që Besimi Juaj, përkushtimi Juaj, sakrifica Juaj, meritojnë të gjitha lëvdatat.

Kjo është arsyeja që unë Presidenti i Republikës besues i palëkundur i një bote me sa më pak dhunë dhe sa më tepër Liri, sa më tepër Besim dhe sa më pak zhgënjim, duke ju kujtuar edhe një herë se nuk ka gjë më aftë se të tilla festa për ta larguar urrejtjen dhe afruar dashurinë, paksuar veset dhe shtuar virtutet, harruar mëritë dhe sjellë pajtimet, personalisht dhe institucionalisht, me gjithë shpirt ju falenderoj e ju uroj,
Gëzuar!
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në lagjen ‘Boje’ të Krujës, vijon të digjet pylli me pisha, helikopteri ndërpret punën