Fjala e plotë e Presidentit Nishani  në Samitin Humanitar Botëro

“I nderuar Zoti Sekretar i Përgjithshëm,
I nderuar Zoti President Erdoğan,
Shkëlqesitë Tuaja,
Zonja dhe Zotërinj,
 
Së pari dëshiroj ta përgëzoj Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për thirrjen e këtij Samiti të parë Humanitar Botëror, si dhe të shpreh mirënjohjen për mikpritësit e këtij Samiti, Presidentin Erdoğan dhe autoritetet e larta turke.
 
Gjithashtu e komplimentoj Sekretarin e Përgjithshëm për  raportin e publikuar në fund të muajit janar të këtij viti: One Humanity - Shared Responsability (Një njerëzim – Përgjegjësi të Përbashkëta) i cili na jep një pasqyrë të plotë të realitetit të hidhur të shoqërisë njerëzore dhe të drejtave të njeriut në botë e situatës humanitare. Ky raport, që lançon dhe pesë përgjegjësi kryesore, duhet të na shërbejë si një udhëzues për kalimin nga angazhimet në veprime konkrete.
 
Dëshiroj të theksoj edhe njëherë se jam në këtë Samit të parë Humanitar Botëror për të demonstruar mbështetjen e vendit tim ndaj Agjendës së Njerëzimit dhe të angazhimit për adresimin e pesë fushave, që shumë qartë janë pasqyruar në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm.
 
Sot, është një moment shumë i rëndësishëm pasi kemi mundësinë që të demonstrojmë unitet dhe solidaritet për parandalimin e vuajtjeve njerëzore dhe ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për vendimmarrje dhe veprime kolektive.
 
E theksova edhe më herët sot, se për shkak të faktit që një pjesë e krizave buron nga rritja e intolerancës fetare, ekstremizmit të dhunshëm e diskriminimit për arsye fetare, etnike e të tjera, Shqipëria angazhohet të ofrojë eksperiencën dhe kontributin e saj në këtë drejtim.
 
Shqipëria është plotësisht e angazhuar në luftën dhe parandalimin e terrorizmit që vjen si pasojë e ekstremizmit të dhunshëm dhe beson se komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht organizatat ndërkombëtare të sigurisë me në krye Kombet e Bashkuara, do të gjejnë dakordësinë për të bërë dhe promovuar më tepër masat parandaluese.
 
Shqipëria ka një eksperiencë shumëshekullore sa i përket bashkekzistencën paqësore dhe harmoninë fetare, dhe në këtë kontekst është e gatshme të vihet në krye të përpjekjeve për të promovuar dialogun dhe mirëkuptimin mes kulturave dhe qytetërimeve, me synim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të gjithë botën.
 
Gjithashtu, në kontekstin e zhvillimeve rajonale, roli i Shqipërisë në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal ka qenë evident. Të udhëhequr nga parimi i fqinjësisë së mirë, jemi maksimalisht të angazhuar për të kontribuar në vijimësi për rritjen e frymës pajtuese dhe të bashkëpunimit në rajonin e Evropës Juglindore, respektimin e të drejtave të pakicave, si dhe përballimin e të gjitha krizave me të cilat po përballet ky rajon.  
 
Në kuadrin e krizës së refugjatëve, ju siguroj se Shqipëria ka sensibilitetin e duhur dhe është e gatshme të bashkëpunojë me vendet fqinje dhe Bashkimin Evropian, konform kapaciteteve dhe mundësive të saj.
 
Shqipëria si një vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe në pritje të hapjes së negociatave të aderimit, i është bashkuar të gjitha qëndrimeve dhe angazhimeve të Unionit, sa herë është kërkuar dhe ka qenë e nevojshme. Edhe në kuadër të  Agjendës për Njerëzimin, Shqipëria i është bashkuar qëndrimeve të BE-së dhe do të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj, në përmbushjen e këtyre angazhimeve.
 
Faleminderit për vëmendjen!”
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar