TIRANE- Deputeti socialist Erjon Braçe nuk do të jetë më pjesë e ekipit elektoral për qarkun e Fierit. Report TV ka mësuar se kohët e fundit marrëdhëniet mes tij dhe drejtuesve partiakë në atë zonë nuk kanë qenë të qeta. 

Këto rrethana kanë bërë që kryetari i partisë, Edi Rama, ta largojë Braçen nga Divjaka.  Sipas të dhënave, deputetit Braçe, që është një socialist i orëve të para, i është ofruar të japë kontribut në qarkun e Tiranës. 

Besohet se atij do t’i lihet në përgjegjësi njësia nr. 5 në kryeqytet, por kjo ende nuk është zyrtarizuar. Pas ardhjes së Pandeli Majkos, nga Kukësi në Tiranë, kjo është një tjetër lëvizje e kryeministrit drejt qarkut më të rëndësishëm të vendit, Tiranë e cila në zgjedhjet e 2025 do të ketë 37 mandate. 

Drejtuesit aktualë politikë të cilët do të punojnë për t’i sjellë fitoren socialistëve, do të jenë në listat e mbyllura duke siguruar një vend të sigurt në garën elektorale të 11 majit. Përvec 4 kryebashkiakëve, burime për Report Tv thonë se 11 drejtuesit e fushatës në qarqe do të bëjnë përjashtim nga deputetët me më shumë se dy mandate, për të cilët siç kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët, do të jenë në listën e hapur duke luftuar për një ulëse në parlament.