Fjala e plotë e Ramës me përfaqësues
të institucioneve financiare

Organizojmë këtë takim me përfaqësues të sipërmarrjes dhe të bankave për lançimin e një programi të ri kombëtar, “Një miliardë për rindërtim”. Programi synon të vërë në lëvizje një kapital të konsiderueshëm për të nxitur me një intensitet shumë më të lartë se deri më sot, një proces rindërtimi të gjithanshëm që ka nisur, por që ka të domosdoshme nj​ë financim më masiv anembanë vendit për infrastrukturën rrugore, infrastrukturën arsimore dhe infrastrukturën shëndetësore.

Programi është një ftesë për sipërmarrjen dhe për bankat që të përfshihen në një proces partneriteti me qeverinë për të bërë të mundur realizimin në një kohë të shpejtë të një numri të konsiderueshëm projektesh dhe duke garantuar nga pikëpamja financiare, financimin sipas afateve të përcaktuara kontraktuale të çdo projekti nga ana e buxhetit të shtetit, në një shtrirje të arsyeshme në vite.

Ky program është përgatitur duke dialoguar me bankat, me sipërmarrjen, me ekspertë vendas e të huaj për sisteme të ngjashme financimi të infrastrukturës publike dhe ka një listë projektesh. Një pjesë e tyre janë projekte që ne i disponojmë, një pjesë tjetër janë projekte që duhen konceptuar e duhen hartuar nga të interesuarit dhe bazohet mbi një listë prioritare.

Synojmë që me këtë program të adresojmë disa probleme të rëndësishme të infrastrukturës rrugore nacionale, të adresojmë nevojën për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e zonave turistike. Për këtë arsye, projektet shtrihen nga lart, në rrugën që lidh pjesën urbane të veriut me Thethin, deri poshtë në Vlorë, Gjirokastër apo Berat. Pjesë e këtij programi është edhe rruga e Arbrit, për të cilën kanë nisur procedurat dhe është projekti i parë, i cili përfshihet në këtë program dhe për të cilin ka një procedurë të nisur, bazuar në legjislacionin në fuqi, nga Ministria e Transporteve.

Gjithashtu synojmë që të financojmë përmirësimin e infrastrukturës në zonat me zhvillim intensiv bujqësor.

Tek arsimi, ky program ka një rëndësi themelore, pasi na jep mundësinë që në një kohë të shkurtër të mund të financojmë e të ndërtojmë një numër shkollash që, përndryshe, me kushtet dhe ritmet e financimit të buxhetit të shtetit do të kërkonin vite e vite të tëra. Ne synojmë që të ndërtojmë dhe rindërtojmë afro 150 shkolla në gjithë Shqipërinë, përfshirë dhe 6 shkolla ekselence të reja për arsimin profesional.

Infrastruktura shëndetësore ka si gravitet ndërtimin e një spitali ekselence, rajonal, në Fier dhe 10 qendra shëndetësore ekselence në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Dua të nënvizoj faktin se për gjithë këtë proces dhe këtë përfshirje masive të sipërmarrjes dhe të kapitalit privat në mbështetje të një programi kombëtar për infrastrukturën publike, përsëri qytetarët nuk do të paguajnë asgjë ekstra, siç është tanimë e qartë nga filozofia jonë e re e Partneritetit Publik, Privat, ku asnjëherë shteti nuk shpenzon paratë e tij për të favorizuar një subjekt privat, duke ngarkuar me barrë financiare qytetarët apo taksapaguesit.

Kemi trashëguar një histori të vështirë koncesionesh që kanë pasur një filozofi tjetër, ku për shërbime apo punë në favor të publikut, privatët paguheshin nga vetë publiku me tarifa ekstra. Kësaj trashëgimie, ne i kemi dhënë fund.

Edhe ky program bazohen në thjeshtë e vetëm planifikim buxhetor të Republikës së Shqipërisë në vite, për të garantuar realizimin në një kohë të shpejtë të një numri shumë më të madh projektesh se saç mundëson buxheti i shtetit, duke bërë të mundur për herë të parë që vendi të mund të financojë nga buxheti dhe nga ky partneritet mbi 1 miliardë dollarë në vit për investime publike. Po edhe ashtu duke garantuar të mos kemi asnjë luhatje në planin për uljen e borxhit publik dhe për mbajtën plotësisht nën kontroll të deficitit.

Vlen të theksohet se në këtë program do të ketë një hapësirë të re për një rritje të ndjeshme punësimit. Është një program që do të krijojë punësim të konsiderueshëm, pasi bëhet fjalë për qindra kantiere të reja që do të hapen dhe do të jenë në punë në harkun e dy-tre viteve të ardhshme. Programi do të sigurojë të ardhura të reja për buxhetin e shtetit, si pasoje e detyrimeve që do të vilen nga këto projekte dhe do të bëjë atë që ne e kemi pasur ambicien e madhe të  ditës se parë; të kemi një rritje ekonomike mbi 5 %.

Nuk po e ekzagjeroj në projeksionet e arsyeshme të bëra nga specialistët tanë për impaktin e këtij programi në rritjen ekonomike, pasi mund të shkojmë në shifra më të larta, mund të shkojmë në 7 apo 8, por ajo që mbetet e rëndësishme dhe plotësisht e sigurt është ta kalojmë mbi 5 %. Një rritje mbi 5% do të ketë një impakt shumë të ndjeshëm në ekonominë familjare dhe do t’i japi një impuls tjetër të madh rritjes së më tejshme të konsumit.

Dua të nënvizoj për opinionin publik se në 3 mujorin e parë të vitit 2016, në Europë jo vetëm që është rritur numri i vendeve që mbështeten në modelin e Partneritetin Publik, Privat, por janë firmosur kontrata të Partneritetit Publik, Privat me vlerë të përgjithshme mbi 8 miliardë euro. Vetëm në Gjermani, për ndërtim rrugësh shkollash, burgjesh dhe spitalesh janë në ekzekutim 100 kontrata Partneriteti Publik, Privat. Tre autostrada të madha në Gjermani, në Francë dhe Sllovaki dhe një ndër bazat më të mëdha ushtarake në Europë, në Britaninë e Madhe, janë projekte të miratuara së fundmi mbi formulën e Partneritetit Publik, Privat. Mund të rendis pafund projekte të tilla, por dua ta mbaroj fjalën duke përkufizuar mbi bazën e një studimi të fundit të Bashkimit Europian, këtë fakt: Partneritet Publike, Private kanë avantazhin e të pasurit një ndikim të menjëhershëm ekonomik dhe social, duke mundësuar asete apo shërbime të rëndësishme publike në një kohë të shkurtër, gjë e cila nuk mund të bëhet e mundur nëpërmjet procedurave klasike, të mbështetura nga fonde buxhetore.

Faleminderit!

 

***

 

Përfaqësues i bankave: Ne bankat duam të përgëzojmë qeverinë për nismën që keni ndërmarrë për të prezantuar këtë eveniment, që  është në fakt një gur themeltar dhe është projekti 1 miliardë. Shtylla kryesore që ju trajtuat dhe na  e komunikuat sot në raport me rrugët, shkollat dhe spitalet, sipas mendimit tonë do të përmirësojë në mënyrë të jashtëzakonshme jetët e qytetarëve, do të përmirësojë turizmin, kulturën, arsimin dhe sigurisht do të nxisë ekonominë. Po kështu besoj se do të ketë një ndikim mjaft të fortë socio-ekonomik. Kjo prej nesh konsiderohet se është një mundësi strategjike. Ne si banka e mirëpresim këtë produkt, jemi të gatshëm për të mbështetur. Bankat në mënyrë historike  kanë mbështetur ekonominë lokale dhe ne jemi të gatshëm të mbështesim edhe këtë projekt. Faleminderit!

 

Kryeministri Rama: Ne besojmë se projekti ka këtë fuqi, për të bërë të mundur një injektim kaq masiv në ekonomi, përveç të tjerash, edhe për faktin se bankat janë shumë likuide dhe përmes këtij programi do të mundësohet financimi masiv për projekte të mëdha, për të cilat, në të gjitha takimet e bëra me bankat, dëgjojmë shqetësime dhe ankesa pikërisht për mungesë projektesh të mëdha dhe bindëse, me garancitë përkatëse. Ky është një nga efektet anësore, por me një rendësi shumë të madhe përsa i përket përfshirjes së bankave në këtë proces.

 

Sipërmarrës i huaj: Është e dukshme, e qartë që nuk ka asnjë dyshim se do të jetë mjaft pozitiv si projekt por gjithashtu do të ketë shumë përfitime për qytetarët dhe për shtetin. Po kështu është hera e parë që modeli i PPP-së që ju do të zbatoni është paksa i ndryshëm. Kemi garancinë e shtetin dhe kjo na lejon që ne të konsiderojmë edhe kritere më të mira në financim. Do doja të bëja dy pyetje. Nëse mund të na përshkruani sesi do të jetë procesi i zbatimit të PPP-së. Kur do fillojë zbatimi, duke pasur në konsideratë që duhen bërë ndryshime në rregullore e ligje?

 

Kryeministri Rama: Ne e konsiderojmë të nisur programin me këtë takim. Të gjithë ata që janë të interesuar kanë të gjithë gatishmërinë tonë për të dhënë më shumë informacion. Këtu përfaqësues nga gjithë institucionet; Ministria e Kulturës që përfshihet për shkak të dimensionit të turizmit, ku ndërthuret qoftë infrastruktura, qoftë nevoja për ndërhyrje të caktuara në objekte të trashëgimisë apo të tjera; Ministria e Ekonominë, Ministria e Financave. I gjithë ky program do të koordinohet nga Zëvendëskryeministri dhe nga drejtorja e Njësisë së Implementimit të Prioriteteve në Kryeministri. Jemi të gatshëm të japim të gjithë informacionin e detajuar për çdo aspekt.

Përsa i përket bazës ligjore është bërë një diskutim paraprak edhe brenda nesh, edhe me ekspertizë më të pavarur. Besojmë që legjislacioni aktual i ka të gjitha hapësirat për të garantuar programin. Për projekte që shkojnë përtej një volumi të caktuar, ne, më shumë për të garantuar psikologjikisht kompanitë që do të përfshihen, sesa për ndonjë arsye shumë të madhe, por edhe për një transparencë më të madhe, do t’i drejtohemi edhe Parlamentit. Ndërkohë që për projekte më të vogla nuk do të jetë e nevojshme, sepse legjislacioni aktual është plotësisht i mjaftueshëm.

Dëshiroj të theksoj se në bashkëpunim me ekspertët e Bashkimit Europian, ne kemi hartuar një udhërrëfyes shumë të detajuar, me hapat që duhet të ndiqen dhe ku janë zbërthyer konceptet dhe afatet në lidhje me çdo marrëveshje Partneriteti Publik, Privat, pavarësisht nga lloji i formulës. Udhërrëfyesi ka edhe modelin e kontratave standarde dhe këtu kam parasysh gjithë eksperiencën europiane, instrumentet, hallkat që duhet të ndiqen gjatë negocimit të kontratës dhe një model standard të studimit të fisibilitetit. Për një pjesë të madhe të këtyre prioriteteve, ne do të na duhet projekti. Që do të thotë që kompanitë duhet të paraqiten me një projekt. Sigurisht kemi diskutuar dhe mekanizmin për të mos e ngarkuar koston e projektit tek kompanitë, në rastin kur, sipas llojit të kontratës, gara ia jep rezultatin dikujt tjetër. Por të gjitha këto janë çështje detajesh, për të cilat të gjithë ne që jemi këtu dhe gjithë personat që përfaqësojnë institucionet që unë përmenda janë të gatshëm të japin sqarime përkatëse drejtpërdrejtë.

Ky është një program shumë ambicioz, shumë i vështirë, sepse kërkon një koordinim të madh. Mbi të gjitha, ne nuk duam të humbim kohë, por duam që të respektojmë rigorozisht afatet që janë relativisht të shkurtra. Për këtë arsye do të ndiqet drejtpërdrejt nga titullarët e institucioneve, gjithë procesi i komunikimit me sipërmarrjen, për shprehjen e interesit. 

 

Nikolin Jaka, Dhoma e Tregtisë: Jo vetëm Dhoma e Tregtisë, por edhe sipërmarrja e mirëpret. Çdo frymëmarrje, çdo financim, çdo portofol që diversifikon qoftë punën, qoftë angazhimin e sipërmarrjes është i mirëpritur. Ajo çfarë ngelet për t’u diskutuar me kujdes është sa fleksibël dhe çfarë marrëdhënie do ketë ndërmjet industrisë bankare dhe industrisë së sipërmarrjes që merr përsipër projektin. Jemi koshient që vazhdon të ketë një marrëdhënie thuajse të njëanshme ndërmjet sipërmarrjes në rolin e kredimarrjes dhe sistemit bankar në rolin e kredidhënies, qoftë me përqindjen e dhënies së kredisë, qoftë me shërbimet bankare që janë pothuajse jo të krahasueshme me vendet e BE, apo edhe me kërkesat që një sipërmarrës duhet të jetë produktiv në punën e vet. Duke qenë edhe projekt i lançuar nga qeveria, sistemi bankar të jetë me fleksibël dhe sipërmarrja të jetë prezent në projekte. Pjesa tjetër që ne duhet të diskutojmë dhe të kemi një mundësi informimi është që kush janë prioritetet e qeverisë për projektet që do lançohen, në mënyrë që sipërmarrësit të kenë mundësinë e bërjes së projekteve të këtyre prioriteteve. Pra, ku janë të destinuara këto projekte, në mënyrë që sipërmarrësit të aktivizohen të bëjnë projekte dhe pastaj të paraqesin dhe fisibilitetin e tyre.

 

Kryeministri Rama: Gjithë lista është e përgatitur dhe do t’i vihet në dispozicion të gjithë sipërmarrjeve të interesuara, të gjitha bankave dhe do të bëhet publike përsa i përket të tre komponentëve dhe nënkomponentëve që ka projekti. Përsa i përket sjelljes jo fleksibël, siç e quani ju të bankave, unë jam në anën tuaj, nuk jam në anën e bankave, por besoj që nuk ka vend të Bashkimit Europian ku ata që i detyrohen para bankave, të bllokojnë kërkesën legjitime të bankave për asetet, përmes gjykatësve së korruptuar. Kjo në Bashkimin Europian nuk ndodh. Efekti i kundërveprimit të atyre që ju kundërpërgjigjen bankave në kërkesën e tyre ligjore për asetet, pasi kalojnë të gjitha afatet e mundshme për të shlyer kreditë, flakë për flakë, me gjykatës të korruptuar që me një çekiç në dorë abuzojnë çdo ditë me drejtësinë në këtë vend, sjell si pasojë edhe ngurtësimin e raportit edhe me sipërmarrësit që ndoshta nuk e meritojnë, ose që meritojnë më shumë fleksibilitet. Ky është fakt.

Ne që ditën e parë kemi qenë të vetëdijshëm dhe kemi qenë absolutisht të investuar që reforma në drejtësi të shkojë përpara edhe për këtë aspekt, aspektin ekonomik. Kjo drejtësi e korruptuar, që të kujton atë shprehjen e vjetër “ jep shpirt, po s’heq dorë”, - siç u pa edhe nga shorti që u hodh aty, ku gjysma e tyre janë për të shkuar në shtëpi, sapo të fillojë ligji i vetting-ut, - nuk i jep mundësi ekonomisë të marrë frymë lirisht, nuk i jep mundësi bankave që të kenë një marrëdhënie fleksibël me sipërmarrjen. Kjo nuk i jep mundësi as sipërmarrjes të krijojë me bankën një marrëdhënie fleksibël, për shkak të rekordeve kriminale në raportet me bankat të disa personazheve që mbasi janë zhytur në borxhe, shkojnë dhe i bllokojnë bankat me gjykatës që janë “killera”. Ky është fakt. Pjesa tjetër nuk diskutohet që unë jam me ju, nuk jam me bankat. Bankat janë e keqja e domosdoshme e sistemit që kemi zgjedhur.

 

Alban Zusi nga Shoqata e Agro-Industrialistëve Ushqimore dhe Qendra Kombëtare e Eksporteve: Është për t’u përshëndetur iniciativa e qeverisë për krijimin e partneriteteve publike, private për thithjen e investimeve dhe për realizimin në një kohë të përshpejtuar, qoftë të veprave dhe veçanërisht të shërbimeve të munguara në këtë vend. Ne e dimë shumë mirë sa e rëndësishme është të përdorim energjitë e partneritetit publik, privat. Ajo çfarë është e rëndësishme është që të ndërtohen partneritete publike, private, të cilat ndërtojnë vlerë të shtuar, ofrojnë shërbime të munguara, ofrojnë infrastruktura të munguara dhe jo si ato të kaluarat, të cilat krijojnë vetëm kosto të shtuara për bizneset. Në këtë kontekst, komuniteti i biznesit e mirëpret madje do të jetë një rrymë e oksigjenit për kanalizimin dhe orientimin e investimeve dhe të burimeve financiare të bizneseve në një ekonomi, e cila gjithsesi i ka të kufizuara dhe të limituara mundësitë e rritjes në drejtimet e veta tradicionale. Në këtë kontekst, unë do të doja të shtoja në axhendën tuaj, edhe futjen e sektorit të bujqësisë dhe të ushqimit në këtë listë të prioriteteve. Mjafton të themi se janë disa dhjetëra dhe mijëra kilometra kanale kulluese dhe ujitëse, të cilat do të fusnin menjëherë në regjim prodhimi mbi 60 70 % të sipërfaqeve tona të papunuara bujqësore, që edhe kështu i kemi të limituara. Unë besoj se do të ishte një mundësi e mirë biznesi, qoftë për bizneset ndërtuese, por veçanërisht agro-industrialët, për fermerët, të cilët më në fund do të kishin atë çfarë u mungon. Së dyti, unë e konsideroj shumë të rëndësishme që partneri publik, privat të shtrihet edhe në fushën e shërbimeve, në shërbimet e munguara në të cilën shteti ka dështuar për 25 vite. E tillë për shembull është fusha e sigurisë ushqimore, ku për këtë shërbim të munguar, 60 % e prodhimit bujqësor shqiptar është i pa eksportueshëm.

 

Kryeministri Rama: Programi është mbështetje buxhetore afatmesme për vepra publike që duam dhe do t’i realizojmë së bashku, në afat të shkurtër. Ky është thelbi. Pra, këtu bëhet fjalë për një numër veprash publike në infrastrukturë rrugore, shkolla anembanë Shqipërisë, qendra shëndetësore ekselence që mungojnë sot, të cilat në kushtet e buxhetit të shtetit, duke parashikuar edhe rritjen e të ardhurave e të tjera, do të mund të ndërtoheshin në 10 deri në 13 vjet. Duke thithur kapitalin privat, ne i ndërtojmë në 2 deri në 3 vjet dhe pastaj i paguajmë në 10 apo 13 vjet, sipas kontratave nga buxheti i shtetit, pa futur dorën për asnjë qindarkë në xhepin e qytetarit. Është e vërtetë se ky është një ndryshim themelor me të shkuarën, ku u dha për shembull një koncesion për skanimin e kontenierëve. Një pjesë e madhe e juaja merreni me import dhe për një investim që ju kërkua privatit, për një shërbim që duhet ta bëjë shteti, ju vu një tarifë  plus të gjithë importuesve. Një tarifë halucinante, ku të  duhet të paguajnë jo vetëm ata që skanojnë mjetet e tyre, por dhe ata që  nuk i skanojnë. Edhe aty ku s’ka skaner, mjafton të hysh në Republikën e Shqipërisë me një kamion duhet të paguash tarifën. Koncesioni i pullave rriti çmimin. Koncesioni i markimit të karburanteve, influencë direkt në çmim. Të gjitha këto janë detyra të  shtetit, janë shërbime që duhet t’i bëjë shteti, janë instrumente që duhet t’i ketë shteti. Shteti ka marrë privatin, sepse nuk ka pasur mundësi t’i financojë këto instrumente, por ndryshe nga ato që bëjmë ne, ia kanë ngarkuar qytetarit plus, pra, mbi detyrimet e zakonshme i kanë vende edhe detyrime të reja. Kontrolli teknik i automjeteve, sot e gjithë ditën duhet të ballafaqohesh me radhët e gjata për të kontrolluar automjetet. Turp! Një kontratë e lidhur në Parlament, me një tarifë plus për çdo njeri që  shkon mban radhën atje, ku nuk ka ndryshuar absolutisht asgjë, as shërbim më i mirë, as më i garantuar; Zero! Vetëm mblidhen para nga kompania private, që me demek do bënte shërbim më të mirë. Po të ishte për të mbajtur radhë të gjata, ato mbaheshin më përpara. Menaxhimi i Portit të Durrësit, një tjetër histori që të vjen zor. Apo HEC-et; 161 kontrata për hidrocentrale, me tarifa të garantuara. Shteti do t’ia blejë kompanisë me kaq lekë energjinë, pavarësisht si do shkojë  historia e saj. Të gjitha këto janë e kaluara.

Ne do vazhdojmë ta thellojmë. As nuk kompleksohemi fare nga injoranca apo ligësia, që hedh çdo ditë baltë mbi Partneritetin Publik, Privat, duke gënjyer në mënyrë vulgare publikun, ose nga padija, ose nga ligësia. Është e vërtetë që ne kemi bërë disa partneritete, por nuk i kemi kërkuar asnjë qindarkë njerëzve dhe nuk kemi rënduar asnjë qindarkë borxhin. Nëse ne bëjmë “chek up” falas, është falas për njerëzit dhe ajo që paguan buxheti është nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë. Nëse ne kemi Partneritet Publik, Privat, sot për instrumente mjekësorë, të cilët janë instrumente të  teknologjisë së fundit, ndërkohë që një pjesë e madhe e infeksioneve që merrnin njerëzit në spitalet tona vinte si pasojë e instrumenteve të dalë jashtë çdo standardi, ne nuk i kemi vendosur ndonjë tarifë atyre që  bëjnë operacionin, duke ju thënë që do futesh në operacionin, por do të paguash edhe kaq lekë, se kanë ardhur instrumente të rinj dhe do ja paguajmë privatit. Këto janë para të shtetit.

Shteti nëpërmjet këtyre veprimeve, si edhe nëpërmjet këtij programi bën vetëm një gjë, bën më shpejt gjëra që njerëzit kanë nevojë t’i kenë sa më shpejt, duke shtuar kapital investimesh përmes përfshirjes së privatit. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Ne nuk mund t’u themi njerëzve se 150 shkolla për t’u ndërtuar nga e para, apo për t’u rindërtuar nga themelet, me buxhetin e shtetit kërkojnë10 vjet. I bie që janë dhjetëra mijëra fëmijë që në ato 10 vjet e mbaruan gjithë shkollën fillore në kushte skandaloze. Atëherë ju themi juve, investoni dhe ne do t’jua shlyejmë këto para hap pas hapi, pa marrë borxh. Është edhe mënyra tjetër, merr borxh dhe bëje vet.

E vërteta është se biznesi ka më pak risk, edhe se qeveria, edhe se banka, sepse ka një kontratë të garantuar. Problemi ynë dhe i bankës është që sipërmarrja të zbatojë siç duhet kontratën. Sipërmarrja nuk ka risk, është një kontratë normale me shtetin, me mbështetje të plotë buxhetore. Bankat e kanë riskun minimal, sepse kontrata garantohet nga shteti dhe buxheti, riskun e ka minimal, në kuptimin e balancave të veta të brendshme dhe në kuptimin e borxhit. Por në raport me publikun, ne jemi ata të cilët  kemi riskun më të madh, sepse duam cilësinë maksimale në realizimin e punë dhe duam që kompanitë të hyjnë me një barazi të plotë 20%, në mënyrë që dy vitet e para minimalisht ta financojnë vetë punën, se ndryshe nuk del llogaria dhe shteti të fillojë nga viti i tretë të shlyejë detyrimet. Është një formulë e thjeshtë, një formulë fituese, një formulë që në vendet e tjera aplikohet gjithmonë e më shumë dhe një formulë për të cilën, ne kemi marrë dakordësinë e plotë, qoftë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, qoftë nga Banka Botërore, që do ta mbështesë bashkë më banka të tjera të mëdha të investimeve këtë projekt. Me Bankën Botërore po diskutojmë mundësinë që të hyjë në program si garant. Kështu, jemi vetëm  për të filluar sa më shpejt punën konkrete. Presim propozime, presim projekte dhe jemi të gjithë në dispozicion të të gjithë kompanive që duan të përfshihen në këtë program masiv rindërtimi, i cili do të sjellë një bum ekonomik, sepse impakti do jetë shumë i madh në rritjen ekonomike.

Shumë faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje