Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e përkushtuar të ndihmojë Kuvendin në realizimin e reformës zgjedhore, por nëse duam që ndryshimet në ligj të zbatohen si duhet, duhet të krijojmë hapësirën e duhur kohore përpara zgjedhjeve. Vetë ambasadori Borchardt më kërkoi që ta nxit komisionin e posaçëm të mblidhet dhe të rifillojë punën, me kapacitet të plotë, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Është thelbësore që reforma të përfundojë në kohën e duhur përpara zgjedhjeve. Që kjo të bëhet realitet, komisioni duhet t’u japë përparësi fushave të tij të punës, në mënyrë që të realizojë një reformë zgjedhore e cila i trajton të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe që, gjithashtu, i përfshin të gjithëaktorët në një proces transparent.
Tani që ju shpreha shqetësimin tonë më të thellë, mund të vazhdoj me çështjen e financimit të partive dhe të zgjedhjeve. Partitë politike kanë nevojë për financimet e duhura për të kryer funksionet e tyre bazë, si gjatë periudhave zgjedhore, ashtu edhe mes tyre. Rregullimi i financimit të partive politike është thelbësor për të garantuar pavarësinë e partive kundrejt ndikimeve të papërshtatshme të krijuara nga donatorët, për t’u siguruar partive mundësinë për të konkurruar në përputhje me parimet e mundësive të barabarta, si dhe për të bërë transparencë në financimin politik. Financimi i partive politike përmes kontributeve private është, gjithashtu, një formë e pjesëmarrjes politike. Prandaj, legjislacioni duhet të përpiqet të arrijë një balancë mes nxitjes së kontributeve të moderuara dhe kufizimit të kontributeve tepër të mëdha.
Me gjithë përpjekjet për të përmirësuar kornizën ligjore të financimit të partive politike, mbeten pas zbatimi i legjislacionit si dhe sanksionet dhe masat parandaluese. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nevojë të fuqizohet nga ana ligjore për të monitoruar si duhet financat e partive dhe fushatat zgjedhore, si dhe ka nevojë për kapacitetet financiare e njerëzore për të bërë verifikime të mëtejshme.
OSBE/ODIHR-i rekomandoi më 2013 që, për të rritur transparencën e financimit të fushatave, partitë politike duhet t’i raportojnë rregullisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet për qëllime fushate dhe, më 2015, OSBE/ODIHR-i i përshpejtoi afatet për dorëzimin e raporteve financiare te auditët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe për botimin e tyre në kohë.
KQZ-ja duhet të marrë në konsideratë vendosjen e përgjegjësive të brendshme të qarta për mbikëqyrjen e financave të partive dhe të shkojë përtej kontrollit thjesht formal të deklaratave të partive politike. Së bashku me vonesat e herëpashershme në botimin e raporteve financiare të partive politike, këto elemente e kufizojnë ndjeshëm aftësinë e organeve hetuese për të bashkëpunuar me KQZ-në në çështjet anti-korrupsion dhe, megjithëse legjislacioni e lejon një bashkëpunim të tillë, nuk është ngritur asnjë mekanizëm për bashkërendimin ndërinstitucional.
Njëkohësisht, organizatat e shoqërisë civile raportojnë për një mungesë bashkëpunimi dhe përgjigjeje nga KQZ-ja në marrjen e informacionit financiar për partitë politike. Mund të merret parasysh ngritja e platformave për raportimin e shpenzimeve të partive politike si dhe të rasteve të dyshuara të korrupsionit, së bashku me proceset e konsultimit me organizatat e shoqërisë civile.
Një sugjerim tjetër është që partitë politike të pajisjen me një program kompjuterik financiar vetëm për financimet e partive politike. Një program i tillë do të thjeshtonte procesin e regjistrimit dhe raportimit të informacionit financiar. Për më tepër, sisteme të tilla lehtësojnë bashkëpunimin ndërinstitucional si dhe shkëmbimin e informacionit mes organeve të ndryshme që veprojnë në parandalimin e korrupsionit. Procesi që ka filluar për të futur një sistem të tillë në Shqipëri duhet të vlerësohet më thellë, duke pasur parasysh rritjen e bashkëpunimit me organet e tjera anti-korrupsion.
Një sugjerim i fundit: ne e konsiderojmë si tejet të rëndësishëm botimin nga KQZ-ja të çmimeve të referencës për veprimtaritë zgjedhore. Cili është çmimi i një veprimtarie me 300 apo 3,000 njerëz? Cili është çmimi i një pankarte të vogël ose të madhe? Cila është kostoja e një zyre zgjedhore në Tiranë, Koplik apo Leskovik?
Duke pasur parasysh rëndësinë dhe urgjencën e këtyre çështjeve, do t’i ftoj të gjithë të pranishmit në këtë veprimtari që të kontribuojnë me ide dhe propozime për përballimin e këtyre sfidave në mënyrën e duhur dhe tërësore.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com