Fjala e plotë të ministres Kodheli para gazetarëve

Nesër përgatitemi për të udhëtuar bashkë me kryeministrin Rama, ministrin e Punëve të Jashtme Bushati dhe gjithë stafin tonë mbështetës për të marrë pjesë në Samitin NATO të Varshavës, i cili do të mbahet përgjatë dy ditëve, më datën 8 dhe më datën 9.

Ky është një Samit, kjo është një ngjarje e rëndësishme, që vjen në një moment delikat të situatës gjeopolitike. Një moment delikat kur kryefjalë është siguria dhe padyshim një problem do të vazhdojë të mbetet e ardhmja e rajonit ku jetojmë, Europës, madje edhe botës ku jetojmë.

Kur flasim për të ardhmen, sigurisht që do të flasim për sigurinë, gjë të cilën e kemi përgatitur si një vend anëtar i NATO, deri në detaje. Çfarë do të thuhet, cilat do të jenë angazhimet tona si Ministri e Mbrojtjes dhe Forca të Armatosura, Ministria e Punëve të Jashtme, Qeveri dhe sigurisht cilat janë gjërat e përbashkëta, të cilat do të na duhet të bëjmë në vitet në vazhdim?

Samiti i Varshavës, Varshava, kryeqyteti i Polonisë, do të presë 60 kryetarë shtetesh dhe kryetarë qeverish të vendeve anëtare dhe partnere të NATO. 60 delegacione të cilat do të diskutojnë për mënyrën se si do të qaset rreziku që vjen nga Lindja, rreziku që vjen nga Jugu dhe mënyra se si do të qaset ky rrezik. Sigurisht që do të ketë një diskutim 360 gradë të strategjive të cilat do të mundësojnë një rritje të sigurisë, rritje të mbrojtjes kolektive, menaxhimin e situatave të krizave, të cilat për çdo ditë e më tepër, për fat të keq, bëhen prezent në ambientet tona, në jetën tonë, në vendet aleate të NATO dhe patjetër edhe në vende të cilat ne duhet t’i kemi parasysh. Të rrisim kapacitetet e tyre mbrojtëse, të zhvillojmë demokracitë e tyre, siç është në fakt një vend si Afganistani, ku tashmë ju e dini të gjithë, prej shumë vitesh Shqipëria është pjesë edhe kur nuk ka qenë anëtare e NATO edhe sot që është. Një nga pikat e diskutimit është “Resolute Support Mission”, le të themi vazhdimi i këtij misioni dhe çfarë do të bëhet me Afganistanin nesër. Si do të vazhdojë të përballet nesër problemi i refugjatëve në Detin Mesdhe, në detin Egje.

Dhe sigurisht një kryetemë, e cila do të jetë qasja e vendeve NATO në raport me Rusinë. Cila do të jetë mënyra e mbrojtjes së kufijve NATO? Dhe më shumë se kaq, cila do të jetë mënyra se si vendet NATO do të rrisin kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe cila do të jetë mënyra dhe sa e shpejtë do të jetë kjo, e uljes në tryezë me Rusinë për të diskutuar çështjet madhore globale të sigurisë. Sigurisht ka probleme të ndryshme, të cilat kanë një qasje të mirëfilltë ushtarake siç kanë edhe një qasje politike, të cilat duhet patjetër të kombinohen me njëra - tjetrën.

Dhe sigurisht do të diskutohet për probleme të brendshme të vendeve NATO, të cilat kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të çdo vendi, rritjen e bashkëpunimit, zbatimin e të ashtuquajturës “Rapid Action Plan”, që është plani i veprimit të menjëhershëm, të shpejtë të forcave NATO, të vendeve NATO, të ushtrive NATO. Mënyrën se si ky plan po zbatohet ndërkohë, duke pasur parasysh këtu Task - Forcën e përgjigjes shumë të shpejtë. Në këtë Task - Forcë Shqipëria do të marrë pjesë me një kompani, e deklaruar kjo për vitin 2016, 2017 dhe 2018. Ashtu siç Shqipëria në Ministerialin e fundit NATO të ministrave të Mbrojtjes në qershor të këtij viti, deklaroi se do të marrë pjesë në misionet NATO në Egje me një anije të saj me rrotacion, do të dyfishojë praninë e saj në Afganistan dhe “Resolute Support Mission” dhe shumë shpejt, besoj që do të marrim një ok përfundimtar, për të marrë pjesë në operacionet e ngritjes së kapaciteteve edhe në Irak. Ndërkohë Shqipëria merr pjesë, është prezent, me 14 ushtarakë në misionin më të suksesshëm NATO që është KFOR dhe gjithashtu merr pjesë për herë të parë në një mision të BE në Mali me ekspertë të çminimit, ashtu siç merr prej shumë vitesh pjesë në një mision tjetër të BE “ALTEA” në Bosnje Hercegovinë.

Ndërkohë që flasim për BE-në, bashkëpunimi NATO - BE, në rrafshin e sigurisë do të jetë një tjetër temë në Samitin e Varshavës. Ka shumë gjëra brenda për të diskutuar, pavarësisht se në shumicë në Ministerialin e ministrave të Jashtëm në maj dhe në Ministerialin e ministrave të Mbrojtjes në qershor, janë pothuajse sheshuar të gjitha problematikat dhe pikat e diskutimit të Samitit të Varshavës. Ndaj duhet të jeni shumë të vëmendshëm për të dëgjuar opinionet jo vetëm të aleatëve, por edhe të partnerëve, sepse besoj se bashkëpunimi me partnerët është një bashkëpunim shumë i rëndësishëm. Dhe kur flas për partnerët, flas që nga vendet si Jordania që është partner i kahershëm, tek vende si Australia që është partneri më i madh dhe i fuqishëm me prezencë më të madhe ushtarake në misionet NATO, tek partnerët e vendeve nordike siç janë Suedia ose Finlanda.

Me gjithë problematikën që Deti i Veriut, deti Baltik përball për shkak të pranisë ruse, por partneritet ne ndjejmë të ketë sigurisht edhe brenda rajonit tonë, Ballkanit Perëndimor. Kemi qenë mbështetës së politikës së dyerve të hapura, për pasojë mbështetës të fortë dhe besimplotë në anëtarësimin e vendit fqinj, Malit të Zi, i cili tashmë po kalon procedurat e miratimit në parlamentet e vendeve respektive anëtare të NATO, deri në finalizimin e këtij anëtarësimi. Dhe sigurisht jemi mbështetës të fortë të dy vendeve që po punojnë të aderojnë në organizatën më të madhe politiko - ushtarake të Atlantikut të Veriut, siç është Kosova dhe Maqedonia.

Një diskutim interesant besoj që do të jetë edhe marrëdhënia NATO - Serbi, si një vend që nuk kërkon të anëtarësohet, por si një vend që padyshim kërkon të bashkëpunojë në lëmin e sigurisë, si diçka që mund dhe duhet të realizohet.

E fundit gjë që dua të ndaj me ju, me shpresën që i kam cekur, le të themi të gjitha pikat e diskutimit në Samitin e Varshavës, është diskutimi mbi luftën asimetrike, luftën hibride, mbrojtjen kundërajrore dhe të gjithë diskutimin që vjen nga mënyra se si do të qaset një fenomen që është më shumë se sa prezent në ekranet tona televizive, në mediat botërore dhe për fat të keq prezenca e këtij fenomeni bëhet gjithmonë e më shqetësues, gjithmonë e më problematik deri me pasoja të rënda, siç është fenomeni i terrorizmit ekstrem, fenomen i cili është diskutuar gjerësisht dhe është ngritur një strategji e miratuar tashmë, e cila do të zbatohet. Pjesë e kësaj strategjie dhe besoj një pjesë e rëndësishme e rolit që është luajtur në ndërtimin e kësaj strategjie dhe rolin që Shqipëria ka pasur me donacionet e saj në prezencën e kësaj, le të themi koalicioni kundër ISIS ose DAESH, është padyshim roli i vendit tonë. I spikatur dhe i njohur nga Pentagoni deri tek vendi më i vogël NATO, si një kontribut me vlera të jashtëzakonshme, për të cilën jemi falënderuar më shumë se një herë.

Gjithashtu më lejoni të ndaj me ju, të rikthej në vëmendjen tuaj edhe faktin që tashmë që nga Komiteti Ushtarak NATO, kemi marrë miratimin e ngritjes në Shqipëri të një prezence NATO që do të jetë kjo Qendër e Ekselencës që do të merret me diskutimin e çështjes së luftëtarëve të huaj. Ka një procedurë për t’u kaluar dhe për t’u respektuar, por ne shpresojmë sa më shpejt që të jetë e mundur që të mund ta mirëpresim dhe ta akomodojmë këtë qendër NATO, mbase edhe brenda Garnizonit Skënderbej, me qëllimin e vetëm që kjo të mund të shërbejë sa më shumë që të jetë e mundur në rritjen e sigurisë si të qytetarëve shqiptarë, të kufijve tanë dhe padyshim edhe në angazhimin që ne kemi si një vend i denjë i kësaj organizate që rëndomë ne e quajmë NATO.

Në vijim znj. Kodheli iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve:

Zonja ministre ju folët mbi temat e Samitit të Varshavës, po përsa i përket propozimeve, apo qëndrimeve, apo projekteve që Shqipëria do të ketë në këtë samit, mund të na thoni diçka, cilat do të jenë ato?

Atëherë ju them, në fakt kur ju vjen koha samiteve që bëhen një herë në dy vjet nuk ka asnjë “surprizë”. Pra të gjitha diskutohen në ministerialet respektive. Dhe më së shumti diskutohen

në ministerialin që është më afër me samitin. E ripërsëris, Shqipëria dyfishon prezencën e saj në Afganistan, kur të gjitha vendet, në shumicë të gjitha vendet, janë duke e rrudhur numrin. Ne do të jemi prezent në Herat, nën komandën e Karabinierisë italiane me 40 ushtarakë të tjerë dhe kjo është vlerësuar maksimalisht. Ne do të jemi prezent për herë të parë në një mision maritime, apo në një mision në det. Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë po besoj se tashmë jemi gati, të përgatitur dhe me mundësi financiare për ta bërë këtë gjë. Në ndihmë të këtij misioni NATO të cilin e udhëheq Gjermania, me prezencën më së shumti të Turqisë dhe Greqisë, që kanë problemet kryesore në detin Egje dhe në detin Mesdhe përgjithësisht, për shkak të refugjatëve që vijnë nga ai drejtim. Mendoj se do të jetë një eksperiencë e mirë edhe për djemtë tanë, por njëkohësisht është vlerësuar maksimalisht për mundësitë që Shqipëria ka, kjo është vërtet një nga gjërat më të mira për të cilat ne kemi marrë falënderime dhe lavdërime qoftë nga sekretari i Përgjithshëm i NATO, Stoltenberg, qoftë edhe nga aleatët tanë.

Një mision interesant në fakt është misioni në Mali, një vend me rrezikshmëri të lartë, me probleme të mëdha të sigurisë, ku ekspertët tanë të çminimit janë trajnues të atyre që nesër do ta bëjnë këtë në vendin e tyre. Një mision që ne kemi kërkuar që më përpara të marrim pjesë, por nuk kemi mundur për shkak të clearance diplomatike, pra diçka që nuk ka të bëjë me ne. Janë trajnerët që ne do të çojmë në Bagdat, për të trajnuar forcat e sigurisë, të cilët do të mundësojnë marrjen në dorë të fateve të vendit. Këtë gjë bëjmë edhe sot në fakt me oficerët tanë prezent në MM afgane dhe jo vetëm dhe sigurisht, një mision shumë i rëndësishëm për sigurinë e rajonit është prezenca jonë në KFOR. Ne nuk duhet të harrojmë që duhet t’i falënderojmë të gjithë aleatët dhe partnerët për sigurinë që i japin këtij rajoni për shkak të prezencës së lartë që kanë në KFOR. Më lejoni të them që Ballkani Perëndimor është akoma një rajon i cili ka një siguri fragile, por jo vetëm kaq. Ne për fat të keq jemi dhe një burim i luftëtarëve të huaj dhe, kur them Ballkani Perëndimor, këtu kam parasysh Bosnjë Hercegovinën, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.

Është një çështje që në fakt të gjithë aktorët dhe faktorët që merren me sigurinë merren, por nuk është mjaft. Një moment tjetër i rëndësishëm besoj që është prezenca jonë me një kompani të përgatitur pjesë e kësaj Task -Forcës që do të marrë pjesë, ka marrë pjesë në stërvitje të rëndësishme dhe do të jetë e gatshme të mund të dislokohet nga këtu ku jemi, deri atje ku kërkohet në një periudhë të shkurtër, nuk po jua them periudhën, por është vërtetë për t’u falënderuar çdokush që në FA ka punuar për të mundësuar një përgjigje kaq të shpejtë dhe një përgatitje të lartë. Problemi nuk është të spostohesh nga pika A për në pikën B, problemet janë komplekse dhe shumëdimensionale.

Më lejoni të ndaj me ju edhe diçka tjetër. FA sot disponojnë për herë të parë armatim dhe municion të standardeve NATO. Ne e kemi filluar këtë proces një vit e gjysmë përpara, kështu që nuk shkojmë më, le të themi, me “duart në xhepa” dhe të tjerët na jepnin armatimin, por shkojmë të kompletuar me pajimet personale, me transportin strategjik të nevojshëm dhe jemi të gatshëm të kryejmë të gjitha detyrimet dhe angazhimet tona NATO, njësoj si çdo FA e një vendi të zhvilluar.

Znj. ministre Kosova çfarë roli apo çfarë vendi do të zërë në këtë samit? Do të kemi një avancim në diskutimin për Kosovën si anëtare e ardhshme e NATO?

Kosova ka një tregues me detyra të mirëpërcaktuara për të bërë. Është në rrugën e drejtë dhe i ka plotësuar të gjitha detyrimet. Shpresoj shumë që politika kosovare të mund të thjeshtojë dhe të nxisë akoma më tepër mbylljen e këtij procesi, sidomos kur flitet për një vendimmarrje politike që ka të bëjë me transformimin e FSK në forcë mbrojtëse, ky është një hap shumë i rëndësishëm. Mbështetësit më të mëdhenj, janë SHBA dhe kjo është shumë e rëndësishme, ata e kanë demonstruar në të gjitha takimet, e kanë demonstruar me aksionin dhe të gjitha iniciativat në Kongresin Amerikan. Shqipëria sigurisht luan një rol shumë të rëndësishëm, sepse luan një rol, le të themi, supervizori të kësaj rruge që Kosova duhet të ndjekë. Ne shpresojmë që aderimi i Kosovës në iniciativat rajonale, është hapi i parë. Rruga është e njohur. Shqipëria ka bërë të njëjtën gjë. Të jetë sa më i shpejtë të jetë e mundur në mënyrë që të mund të shkurtojmë sa më shumë afatet kohore të të qenit pranë të Kosovës drejt anëtarësimit. Ne jemi krejt të qetë, si dhe ata janë krejt të qetë, bashkëpunimi është i jashtëzakonshëm. Ata janë përgatitur, kanë ngritur shkolla shumë të mira ushtarake, madje ne kemi të rinj, kadetë të cilët mësojnë në një prej shkollave të tyre, për të treguar që realisht shkollat e tyre janë shumë të mira dhe besoj që shumë shpejt do të mund t’ia mbërrijnë të marrin ftesën dhe të jenë pjesë e familjes sonë Euroatlantike.

Nëse diskutohet për sigurinë globale kundër terrorizmit apo akteve të dhunshme. Kemi një grabitje të armatosur ku u vu në provë siguria e aeroportit të vetëm ndërkombëtar që ne kemi. Keni një koment, a ka një ngërç mes asaj që diskutohet dhe në faktin real që ka ndodhur në Shqipëri, pavarësisht se kush janë përgjegjësitë?

Unë besoj që sot çështja ka kaluar në dorë të Prokurorisë dhe është ajo që do të nxjerrë në pah të gjitha mangësitë dhe përgjegjësitë e kësaj që ka ndodhur. Personalisht e konsideroj rrethimin e aeroportit një vijë kufitare dhe ashtu siç është. Vijë kufitare do të thotë, nuk e di nëse duhej të ishte lënë në vite me roje private, me gjithë respektin për të gjithë ata që e bëjnë këtë punë, por unë besoj që kalimi i një vije kufitare mbart me vete edhe disa elementë të tjerë. Ju të gjithë udhëtoni dhe shikoni se çfarë masash sigurie kanë aeroportet e botës sot, e megjithatë unë ju siguroj në parantezë, që aeroporti “Kemal Ataturk” në Stamboll konsiderohej një ndër 5 aeroportet më të sigurta në botë dhe ndodh ajo që ka ndodhur, por kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të shikojmë ku i kemi dobësitë dhe sesi duhet të vazhdojmë ta forcojmë këtë gjë.

Vite më përpara pse është kërkuar me kaq forcë rritja e buxhetit dhe rritja e kapaciteteve të ushtrisë? Vite më përpara vendet anëtare të NATO, pas mbarimit të Luftës së Ftohtë ishin shumë më të relaksuara dhe në fakt po të vëreni, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë si SHBA ose ndonjë vend me probleme personale me sigurinë, të gjitha buxhetet e të gjitha vendeve ishin në rënie, por në rënie në nivele të konsiderueshme dhe sot, që kjo kërkohet me forcë, që mund të rimerret kjo temë në diskutim dhe të diskutohet seriozisht edhe nga mënyra sesi gjithçka që kërkohet për sigurinë të mund të mbështetet me mjete dhe burime financiare, është në fakt një kthesë që ekonomia e çdo vendi bën dhe nuk është kaq e thjeshtë, sepse në planet afatmesme dhe afatgjata të çdo vendi, qoftë ky edhe një vend i zhvilluar ka disa plane, ku siguria jo domosdoshmërish ishte prioritet. Sot gjërat kanë ndryshuar, madje shumë shpejt dhe kjo në fakt i ka vënë në ngërç dhe i ka shqetësuar buxhetet e vendeve të zhvilluara, duke shtuar këtu dhe krizën financiare dhe ekonomike që përgjithësisht bota perëndimore,

ekonomia e tregut botëror, ka përballur. Sot që flasim kemi një tjetër vizion për të ardhmen e sigurisë në botë, i cili jo domosdoshmërish është një vizion optimist, për ta bërë të tillë duhet që të gjithë të punojmë, gjithsekush të bëjë detyrat e tij të shtëpisë dhe të mund të ngrejë kështu edhe opinionin, qoftë ky opinioni mediatik, apo opinioni i shoqërisë për ta konsideruar problemin e sigurisë si një problem të të gjithëve ne. Jo më kot ne i jemi futur diskutimit të rezervistëve. Këtë e kemi vetëm në kufijtë e të qenit prezent të oficerëve rezervistë kur vendi ka nevojë për Emergjenca Civile, për suportin e qytetarëve, pra gjëra të kësaj natyre, por kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi të vëmendshëm edhe ndaj të gjithë procesit të thirrjes së rezervistëve në vendet anëtare të NATO. Njerëz të përgatitur që tashmë nuk aderojnë në FA, por kanë dijen e mjaftueshme për ta bërë këtë, për të qenë prezent nëse kjo do të ishte e nevojshme. Mbrojtja kolektive do të na eliminonte këtë dhimbje koke. Gjithsesi nuk po flasim këtu që nesër do të ndodhë diçka në Shqipëri absolutisht, përkundrazi, por ne duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë dhe besoj që jemi duke i bërë mirë. Gjithkush duhet të bëjë detyrat e veta të shtëpisë. Më lejoni t’ju ftoj të ngrihet akoma më shumë sensibiliteti për sigurinë e qytetarëve tanë. Askush sot, qoftë ky dhe vendi më i zhvilluar në botë, ngjarjet e fundit kanë treguar Parisin, Brukselin, Stambollin, që asnjë vend nuk është i sigurt. Sigurisht në këtë lojë të madhe një rol të rëndësishëm kanë Agjencitë e Inteligjencës dhe të gjithë ata aktorë që merren me këtë punë. Ushtria bën punën e saj. Besoj që nga Samititi Varshavës ne do të dalim me lavdërime dhe shpresoj që t’i meritojmë dhe t’i mbajmë këto lavdërime në funksion të sigurisë së qytetarëve shqiptarë.

Zonja ministre, ju thatë që FA po dyfishojnë prezencën e tyre në misionet ndërkombëtare, njëkohësisht pritet të marrin dhe misione që s’i kanë bërë më përpara. Me çfarë buxheti po shkon Ministria e Mbrojtjes në këtë samit, kuptohet dhe në misionet që priten të ndërmerren?

Diferenca midis buxhetit të 2015 dhe buxhetit të 2016 është 12% më e lartë. Jo gjithkujt kjo shifër i thotë diçka. Problem është si menaxhohen paratë, sa racionalë jemi në këtë gjë. Sa më pak para të harxhojmë “kot”, aq më mirë është. Ajo çka është më e rëndësishme është që brenda kësaj shume, këtij buxheti, investimet duhet të jenë ato që duhet të rriten në zë. Kur flasim për investime fillojmë me armatim - municion dhe pastaj dalim dhe tek të gjithë nevojat e tjera. Ne jemi duke e bërë këtë. Duke e përmirësuar strukturën brenda dhe sigurisht duke e rritur buxhetin. Paratë janë 100% tonat. Përgjithësisht ne më parë kemi shkuar, ndofta buxhetin mund ta kemi pasur më të “lartë”, por kemi shkuar me mbështetjen dhe paratë e të tjerëve, e atyre që kanë qenë në komandë të misionit tonë. Sot, gjithçka, duke filluar që nga transporti strategjik, tek pajimet, tek armatimi, tek municioni, tek përgatitja, është e gjitha e bërë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kjo është në nderin tonë dhe sigurisht është një përmirësim i punës së gjithsekujt që merret me këtë gjë, sepse nuk bëhet për një ditë dhe ka vështirësitë e veta. Unë shpresoj dhe besoj që rritja do të vazhdojë, në fakt në Samitin e Uellsit nuk është thënë që nesër duhet 2%. Është e pamundur. Shqipëria është për aq sa harxhon për ushtrinë, diku në mes të listës së anëtarëve. Pra ka më “keq” se ne. E rëndësishme është që ne edhe me këto para që kemi, krahasuar dhe me dimensionin e FA dhe popullsinë që kemi, jemi në krye të listës së vendeve që realisht kanë një zë në kapitull, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ju siguroj që të qenit në një tryezë me vendet më të

pushtetshme në botë dhe të ndihesh i barabartë, nuk është një gjë që i ndodh gjithkujt dhe nuk ndodh përditë. E rëndësishme është që paratë të mos shkojnë më kot dhe të mos ketë një çekuilibër brenda forcave. Dikur me të vërtetë kemi harxhuar shumë para për të blerë helikopterë, por ndërkohë lamë pas dore angazhimet kryesore që kishim, që ishte bërja e Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, të gatshëm për të qenë pjesë e kësaj Task-Force që ne sot jemi. Kështu që, po, i kemi paratë edhe për aktivitetin në det ashtu siç kemi paratë e duhura edhe për misionet në Afganistan dhe më shumë se kaq.

Zonja ministre ju keni thënë që keni bashkuar përpjekjet me 64 shtete të tjera të botës sikundër edhe me Poloninë nën kryesimin e SHBA në luftën kundër ISIS. Mund të na thoni diçka më shumë në lidhje me këtë përforcim, këtë bashkim të këtyre vendeve dhe neve pjesë të tyre?

Atëherë me modesti dhe me krenari ju them se Shqipëria është një nga vendet e para që ju përgjigj këtij koalicioni dhe kërkesës së SHBA për të luftuar këtë të keqe të madhe. E bëmë këtë me guxim dhe me intuitë. E kuptuam që kjo gjë duhej bërë, madje shpejt, sepse problem ishte që në atë kohë forcat e të ashtuquajturit vend islamik avanconin shumë dhe besoj që ju si njerëz të medias dini, që ka pasur një moment kur ata tentonin të pushtonin një pikë strategjike të Mosulit, e cila nëse do të vihej nën duart e tyre, do të kishte një problem të madh jo vetëm për Mosulin, por për shumë më tepër se kaq. Donacioni i parë që ne kemi dhënë në një kohë rekord ka mundësuar qeverinë peshmerga dhe forcat atje, që Mosuli të mos pushtohej dhe për pasojë, historia mbeti një tjetër. Sigurisht sot e themi sepse ka ndodhur, sepse nuk mund ta thoshim në atë kohë, sepse këtu disa punë kanë konfidencialitetin e vet, por mbas kësaj, ne kemi bërë dhe katër donacione të tjerë dhe sigurisht jemi të gatshëm, për të ndarë tashmë ekspertizën tonë të fituar në vite të ushtarakëve tanë me të tjerë. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme që ne nuk jemi vetëm ata nxënësit e mirë që na komandojnë të tjerët, por mund të ndajmë gjithë trajnimet tona, ekspertizën tonë, njohuritë tona, përgatitjen tonë me të tjerët, në mënyrë që sa më shumë vende ku ne shërbejmë si pjesë e NATO, të mund të jenë të sigurta, aq më mirë është për sigurinë mbarë botërore, aq më mirë edhe për vendin tonë. Duket sikur qyteti Mosul, Daka apo qoftë një qytet tjetër janë shumë larg Shqipërisë, apo shumë larg kufijve të NATO, por në fakt nuk është kështu. Ngjarjet dhe historia na kanë mësuar që gjithçka mund të ndodhë, ndaj ne duhet të jemi më shumë se sa të përgatitur. Shpresoj shumë që Shqipëria të vazhdojë të mbetet, vend i sigurt që është, me gjithë problemet që mund të ketë tek telat e aeroporteve.

A do të ketë dhe ndonjë kontekst politik me të cilin Shqipëria do të bëhet pjesë e këtij Samiti?
Sigurisht konteksti politik prevalon ndaj konteksit ushtarak. Merren vendime politike, pra jemi ne mbrapa që themi që këtë e bëjmë, këtë se bëjmë apo, ky është angazhimi apo ky jo. Në fakt, kjo është arsyeja pse në samit marrin pjesë kryetarët e shteteve apo kryetarët e qeverive. E rëndësishme është që Samiti i Varshavës të mundësojë një kompaktësim, të të gjitha vendimmarrjeve tona. Pse e them këtë? E them sepse faktikisht, Polonia është një vend kufitar me Rusinë, pra ndjen shumë më tepër rrezikun lindor se sa atë jugor. Shqipëria është një vend mesdhetar dhe ndjen më shumë rrezikun jugor, atë të refugjatëve se sa një rrezik

tjetër. Pra kompaktësimi është që nëse Polonia ka nevojë, kompania shqiptare shkon në kufij dhe është e gatshme. Dhe e kundërta. Kjo e bën dhe më racionale shpenzimin e çdo vendi, në raport me armatimin, mjetet ushtarake në ushtri, por e bën njëkohësisht dhe më genuine, marrëdhënien midis nesh. Të gjithë kanë problemet e tyre, dikush më të mëdha, dikush më të vogla. Fakti që Britania e Madhe vendosi të dalë nga BE, nuk cenon aspak kompaktësinë e vendeve të NATO, përkundrazi, ne si NATO, e pranojmë në gjirin tonë edhe pse ka dalë nga BE (ky është një detaj shumë i rëndësishëm). Mbase se NATO, ngaqë merret me problemet e sigurisë është pak më trimëreshë se BE, që merret me problemet e tjera dhe, më e rëndësishme është se, një vendimmarrje e rëndësishme politike është bashkërendimi mes BE dhe NATO, sepse shpeshherë ka mbivendosje të angazhimeve ushtarake, ku në fakt, për një problem mundet që ose BE ose NATO do të merret. Nuk është ky rasti i misioneve në det, misioni BE-Frontex që është një mision i suksesshëm por me problematikë të madhe, kështu që, vendimmarrja politike dhe pastaj, ajo ushtarake për të qenë prezent në një mision në NATO në mbështetje të Frontex, ishte një vendimmarrje që, megjithëse ishte e shpejtë (u bë brenda një afati kohor jo të zakonshëm për një vendimmarrje në NATO) u mirëprit. Ndaj dhe Shqipëria që kërkon që t’i ketë kufijtë e saj bregdetarë po aq të sigurt sa i kanë dhe vendet e tjera, të mund të jetë prezent në këtë mision.

Me Varshavën na lidh viti 1955 kur u bëmë pjesë e Traktatit, ndërsa sot shkojmë me një buxhet 12% më shumë, por dhe me një projekt që përfshin disa plane. Ju vetë si ministre keni një pritshmëri përveç asaj politike nga ky samit? Si pjesë e NATO pas këtij samiti, si do të jetë Shqipëria?

E sigurt që pas këtij samiti Shqipëria do të jetë një vend më i sigurt. Një vend më i sigurt me një reputacion ndërkombëtar më të rritur, madje shumë më të rritur. Pas vlerësimeve pozitive dhe rezultateve të mrekullueshme të ekipit tonë kombëtar të futbollit në Kampionatin Evropian në Francë (që është një zë tjetër pozitiv në arenën ndërkombëtare), Shqipëria vazhdon kë ketë nevojë për këtë gjë. Duke qenë më afër se sa të tjerët në këtë proces, unë personalisht ndihem shumë mirë, por ndërkohë ndihem po kaq e përgjegjshme se ka akoma shumë për të bërë.

Megjithatë, më lejoni me që më jepet rasti të falënderoj të gjithë ata burra dhe gra që ju nuk ua dini as emrin, as pozicionin dhe as se çfarë kanë bërë në jetë për sakrificën e jashtëzakonshme që bëjnë çdo ditë. Ato nuk duken, nuk mund t’i shihni, nuk mund t’i komentoni, por ju siguroj se janë pjesa më e mirë e shoqërisë shqiptare. Kjo është shumë e rëndësishme, ndaj do të kërkoja prej jush që, të gjitha herët që politika ngatërron (diku dhe e sqaron por diku e ngatërron), njerëzit me uniformë, të lihen jashtë diskursit politik, sepse janë njerëz të devotshëm që sakrifikojnë shumë nga vetja e tyre, nga familja e tyre për t’i shërbyer atdheut. Këtë gjë, jo gjithkush e bën sot, ndaj ne të gjithë (civilët) duhet të marrin pak shembull nga këta njerëz.

Samiti i Varshavës do të jetë një paqe e mirë e historisë sonë të vogël. Paradoks, ai vit që ju përmendët, ka bërë që, sot të jemi pjesë e NATO po në Varshavë, do të thotë që kohët kanë ndryshuar shumë (dhe shpresoj që këtë herë) dhe besoj shumë se jemi në anën e duhur të koalicioneve. Kjo sepse ne besojmë tek vlerat dhe do të vazhdojmë t’i mbrojmë këto vlera, pavarësisht se kemi vështirësitë tona, por jemi në rrugën e duhur.

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Iu gjet 16 kg kokainë në makinë, arrestohet 29-vjeçari shqiptar në Itali