Sarandë/ Zjarr i madh në Finiq, digjet sipërfaqja e parkut arkeologjik! S’ka shumë dëme në monumente e sinjalistikë! Ndërhyhet nga ajri (VIDEO)

SARANDË- Një vatër e madhe zjarri është aktivizuar rreth mesditës në bashkinë e Finiqit, që ndodhet 20 kilometra nga Saranda.

Fatkeqësisht zjarri ka djegur gjithë sipërfaqen e parkut arkeologjik të Finiqit. Por gazetari i Report Tv Limos Didani, i cili ka qenë i pranishëm në parkun arkeologjik në orët e mbrëmjes, thotë se falë pastrimit të bimësisë, nuk ka shumë dëmtime në objekte, monumente dhe sinjalistikë.

I pranishëm në parkun arkeologjik ishte edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu i shoqëruar nga kryetarët e bashkive Finiq dhe Delvinë si dhe prefekti i Vlorës, Kristo Kiço.

Vatrat e zjarrit nuk janë shuar plotësisht dhe janë aktive pranë fshatit Shijan dhe Mavropull, por po mbahen nën kontroll.

Për të shuar flakët në parkun arkeologjik u desh ndërhyrja me helikopter nga Emergjenca Civile, për shkak të terrenit të vështirë, pasi kemi të bëjmë me një faqe mali. Të pranishme në terren ishin edhe forcat zjarrfikëse nga Saranda, Finiqi dhe Delvina.

Zjarrfikëset u shpërndanë në rrethinat e fshatit për të shmangur dëmin në banesa.

Qyteti antik mori statusin Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005. Ai ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:02
Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

 

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e sotme disa fshatra në bashkinë e Finiqit. Si pasojë e flakëve të favorizuara edhe nga era e fortë, disa banesa janë rrezikuar që të shkrumbohen.

Situata në terren momentalisht paraqitet e qetë (22:30), por disa orë më parë (15:00), banorët dhe forcat zjarrfikëse u rrezikuan nga flakët, të cilat ishin shumë agresive. Është dashur ndërhyrja nga ajri me helikopter për të shuar zjarrin që rrezikonte banorët.

Ora 22:05
Ministri Gonxhja reagon për zjarrin në Finiq: Asnjë prej monumenteve në Parkun Arkeologjik nuk është prekur

Ministri i Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale ka dhënë një pasqyrim të situatës në Finiq, aty ku prej mesditës zjarrfikësit po luftojnë me flakët e zjarrit që kanë rrezikuar edhe sitin e Parkut Arkeologjik të Finiqit, një nga më të rëndësishmet në vendin tonë.

Gonxhja thekson se asnjë nga monumentet e parkut nuk janë prekur.

Reagimi i ministrit Blendi Gonxhja: 

Nga inspektimi i kryer në Parkun Arkeologjik të Finiqit, më datë 08.08.2024, ora 18:00, mbi situatën e krijuar nga zjarret në banesat pranë Bashkisë Finiq, rezultoi se:

Zjarret kishin filluar në veri-perëndim të Parkut Arkeologjik, pranë rrugës që hyn në territorin e fshatit Finiq, rruga që vjen nga fshati Blerimas.

Në zonën ku ka nisur fillimisht zjarri, ka ullishte të mbjella nga banorët e zonës, si dhe banesa të banorëve. Më pas zjarri u përhap në kodrën e Parkut Arkeologjik të Finiqit, në drejtimin perëndim-lindje.

Më pas, për shkak të erës në atë zonë, drejtimi i zjarrit shkoi në drejtimin veri-lindje, duke përfshirë të gjithë kodrën e Parkut Arkeologjik, në drejtimin verior. Më pas zjarri u përhap edhe në drejtim veri-jug, duke djegur vegjetacionin që rrethon kodrën e Parkut Arkeologjik të Finiqit, si dhe dy krahët e rrugës që të con në drejtim të Parkut, prej depos së ujit e deri tek biletaria.

Megjithatë, sipas inspektimeve të kryera, rezulton se:

Asnjë prej monumenteve të Parkut Arkeologjik të Finiqit, të cilat janë të vizitueshme nga vizitorët, nuk janë prekur nga zjarri. Kjo për shkak se të gjithë monumentet kanë pasur një perimetër sigurie, të pastruar nga vegjetacioni, falë punës së punonjësve të Parkut Arkeologjik, dhe për këtë fakt, zjarri nuk ka avancuar për të rrezikuar dëmtimin e tyre.

Monumentet e paprekura janë:

1- Zona publike e periudhës romake;

2- Teatri Antik;

3- Banesa me 2 peristile;

4- Termat Romake;

5- Muri fortifikues, ose i quajtur ndryshe “Dafina e Ugolinit”

6- Kisha Mesjetare;

7- Bastioni i madh

8- Bazilika Paleokristiane;

Etj…

Gjithashtu, edhe biletaria e Parkut Arkeologjik të Finiqit, nuk është prekur nga zjarret, pasi edhe biletaria ka perimetër sigurie, të pastruar nga vegjetacioni, por gjithashtu, biletaria është e pajisur edhe me mjetet përkatëse, mbrojtëse kundra zjarrit.

Një faktor tjetër që ka ndikuar në mosdepërtimin e zjarreve në monumentet e Parkut Arkeologjik, janë edhe itineraret brenda Parkut, ku në asnjë prej tyre, nuk ka prezencë vegjetacioni, që të ndihmonte në depërtimin e zjarrit!

Aktualisht, nuk ka asnjë vatër zjarri në Parkun Arkeologjik të Finiqit, në monumentet e vizitueshme të këtij Parku, pasi është bërë e mundur shuarja e tij nëpërmjet ndërhyrjes nga ajri me helikopter, nga toka me zjarrëfikëse, ku kanë qënë në ndihmë edhe punonjësit e Sektorit Sarandë (në varësi të DRTK Vlorë) dhe të Parkut Arkeologjik të Finiqit.

E vetmja vatër aktive, është në skajin më verior të Parkut Arkeologjik, nën kodër, pranë fshatrave Blerimas dhe Buronjë, ku në këtë të zonë nuk ka asnjë prezencë monumenti të njohur deri më sot, si dhe ku po ndërhyet nga ajri me helikopter dhe nga toka me zjarrfikëse, për shuarjen e tij.

Ora 21:50
Ministri i Mbrojtjes në parkun arkeologjik të Finiqit: Biletaria dhe infrastruktura s’janë dëmtuar! Helikopteri frenoi përhapjen e flakëve në zonat e banuara

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu ka ndjekur nga afër operacionin e Forcave Zjarrfikëse për shuarjen e flakëve në Finiqit. I pranishëm në parkun arkeologjik të Finiqit, i cili u përfshi nga flakët, Vëngu bëri me dije se biletaria dhe infrastruktura është shpëtuar falë ekipeve zjarrfikëse të Finiqit.

Ministri shtoi se helikopteri bëri të mundur frenimin e gjithë vatrave të zjarrit që rrezikonin zonat e banuara.

‘Që prej mesditës kemi pasur një situatë problematike. Jemi përqendruar me FA dhe mjetet zjarrfikëse. 8 mjete zjarrfikëse 40 forca zjarrfikëse sikundër edhe Forcat e Armatosura. 65 FA të dislokuara. Helikopteri ka bërë të mundur frenimin e gjithë vatrave në zonat e banuara.

Biletaria, infrastruktura e aksesit është shpëtuar falë ekipeve zjarrfikëse të Finiqit. Është ruajtur dhe mbrojtur nga flakët pjesa e bazilikës dhe amfiteatrit të vjetër. Do jetë një natë vigjilencë. Nuk duhet të largohemi nga zonat.’- tha Vëngu.

Ndërsa prefekti i qarkut Vlorë, Kristo Kiço e konsideroi zjarrin si nga më të fuqishmit.

‘Zjarri ishte nga më të fuqishmet që ka ndodhur ndonjëherë. U përhap në mënyrë të rrufeshme. Rëndësi është që nuk kemi dëme në banesa dhe njerëz.’- tha Kiço.

Ora 21:05
Zjarri në Finiq, Report Tv në parkun arkeologjik, s’ka dëmtime të mëdha në monumente e sinjalistikë

 

Zjarri që përfshiu mesditën e sotme parkun arkeologjik të Finiqit fatmirësisht nuk ka shkaktuar dëmtime të mëdha në monumente, sinjalistikë e objekte, falë pastrimit të bimësisë.

Gazetari i Report Tv, Limos Didani ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes, nga ku solli pamjet nga dëmet e shkaktuara nga zjarri.

I pranishëm në parkun arkeologjik ishte edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu i shoqëruar nga kryetarët e bashkive Finiq dhe Delrvinë si dhe prefekti i Vlorës, Kristo Kiço.

Ora 20:31
Zjarri në parkun arkeologjik të Finiqit, momenti kur helikopteri ndërhyn për të shuar flakët

 

Zjarri i madh që është aktivizuar në bashkinë e Finiqit, ka djegur gjithë sipërfaqen e parkut arkeologjik. Për të shuar flakët është ndërhyrë nga ajri. Report tv sjell pamjet nga momenti kur helikopteri i emergjencave, po shuan zjarrin.

Ora 20:21
Zjarri në Finiq/ Ministri Pirro Vëngu ndjek nga afër aksionin për shuarjen e flakëve

 

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu ka mbërritur në Finiq, aty ku që prej mesditës së sotme ka rënë një zjarr e cila ka rrezikuar dhe Parkun Arkeologjik të Finiqit.

Vëngu po ndjek nga afër aksionin për shuarjen e flakëve që kanë rrezikuar edhe parkun arkeologjik.

Ora 18:42
Zjarri në Finiq/ Prefekti i Vlorës: Ka prekur të gjithë sipërfaqen e Parkut Arkeologjik, vetëm biletaria ka shpëtuar

 

Prefekti i Vlorës, Kristo Kiço ka dhënë një pasqyrim të situatës në Finiq ku një zjarr ka rënë mesditën e sotme e cila ka rrezikuar edhe Parkun Arkeologjik të këtij qytetit.

Prefekti Kristo Kiço thekson se po bëhen vlerësime paraprake për situatën, ndërsa zjarri në park ka prekur të gjithë sipërfaqen, por ka shpëtuar pjesa e hyrjes.

'Nga pjesa lindore është vënë nën kontroll prapa parkut kombëtar arkeologjik të Finiqit. Problematike janë dy fshatrat Shijan dhe Mavrovë duke e ndihmuar zjarrin edhe era. Zjarrfikësit janë në vend duke bërë përpjekje për të shuar zjarrin. Kanë ardhur dhe 30 forca të ushtrisë. Nuk ka pasur dëme në banesa, kanë në dru frutorë. Kemi një vlerësim për parkun arkeologjik të Finiqit, jemi në kontakt edhe me drejtorinë që të shikojmë se çfarë dëme. Zjarri ka kaluar në të gjithë sipërfaqen e parkut e Finiqit. Është djegur bimësia. Ka shpëtuar pjesa e hyrjes, biletaria e parkut.'

Ora 18:17
Zjarri në Finiq, vatrat aktive pranë fshatrave Shijan dhe Mavropull

 

Vijon zjarri në Finiq. Aktualisht vatrat e zjarrit janë aktive pranë fshatit Shijan dhe Mavropull. Në terren ndodhen 20 forca të ushtrisë dhe forca zjarrfikëse nga Finiqi, Saranda, Delvina, Konispoli, Himara, dhe Delvin

Ora 15:08
Zjarri në Finiq, digjet sipërfaqja e parkut arkeologjik! Niset drejt zonës 1 helikopter i emergjencave

 

Zjarri me përmasa të mëdha që ka rënë ditën e sotme në fshatin Finiq në faqen e malit drejt parkut arkeologjik të Finiqit, në Sarandës, po vijon që të përhapet edhe më shumë.

Sipas informacioneve për Report Tv, drejt zonës është nisur 1 helikopter i emergjencave, pasi zjarri ka djegur gjithë sipërfaqen e parkut arkeologjik dhe flakët kanë kaluar brenda tek objektet.

Zjarri po përparon drejt fshatit SMT, ku dhe rrezikohen disa banese. Nga ana e policsë janë marrë masa që të ndalohet kalimi i mjeteve drejt Finiqit, pasi zjarri është edhe pranë rrugës. Zjarrfikëset janë shpërndarë në rrethinat e fshatit të Finiqit për të shmangur përhapjen në fshat.

Fatmirësisht deri më tani raportohet se nuk ka asnjë shtëpi të djegur nga zjarri. 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • GRAÇEN: 08/08/2024 23:59

    Pyjet janë shumë të rëndësishme për vendin tonë! Ka 2 probleme kryesore: (1) Shkaku i zjarreve=analfabetizmi; (2) lufta kundër zjarrit=një tjetër analfabetizëm (njerëzit janë indiferentë, zjarrfikësit luajnë shah duke parë zjarrin (shembull) në Kus/Graçen...Deri sa të shuajë Zoti, zjarret do të vazhdojnë!

    Përgjigju
  • zigur: 08/08/2024 21:20

    Zoti ministër kur del në teren në raste emergjence hiqe kollaren mer shembull nga Edi.

    Përgjigju
  • Po mër po: 08/08/2024 19:45

    Ku s'ka zjarr media fle, atje ku bie zjarri media shkon e ban llogje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë