*Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile ku u diskutua mbi situatën e përmbytjeve, 9 janar 2025.

Kryeministri Edi Rama: Këto ditë kanë qenë të lodhshme për të gjithë apo shumë të mundimshme, qoftë për të gjithë ato familje që kanë përjetuar praninë e ujit në shtëpi, qoftë për të gjithë ata shërbëtorë të shtetit që kanë qëndruar ditë e natë në krye të detyrës për përballimin e kësaj emergjence natyrore.

Të gjithë i ka lodhur ky shi i gjatë dhe i ftohtë, i madh, ku nga thjesht pamjet e rrugëve të përmbytura, shtëpive të dëmtuara apo punëve të ndërprera, tek vështirësia e rritur e qarkullimit apo dhe deri pastaj tek dëmtimet e pronës dhe humbjet e gjësë së gjallë,  krijohet stres, krijohet frustrim dhe në  disa raste edhe zemërim.

E di që fjala durim mund t’i tingëllojë shumëkujt edhe si  cingërisje e tepërt veshësh, por durimi është i domosdoshëm në kushtet kur më tepër çka po përjetojmë, nuk është thjesht mot i keq. Shiu nuk ndalet me shpifje, si ato që nuk punojnë hidrovoret, lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta si ato që s’kanë lidhje fare me arsyen pse përmbyten shtëpitë e ndërtuara në territore shumë vulnerabël; retë nuk shpërndahen me slogane si ai slogani kronik i çdo gjendjeje atmosferike të rënduar të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Këto janë  reagime që ushqejnë nervozizëm, jo zgjidhje, ushqejnë ndarje , jo ndihmë; ushqejnë çorodi, jo siguri.

Në një situatë si kjo, nuk kërkohen fajtorë imagjinarë, por ndihmohen njerëzit realë. Njerëzit nuk kanë nevojë për më shumë britma, shpifje dhe teori konspiracioni, por për më shumë solidaritet, mbështetje dhe bashkim forcash.

Kjo është një gjendje atmosferike e zgjatur dhe e rëndë, e cila nuk ka prekur thjesht Shqipërinë për ndonjë arsye që lidhet me vendin tonë, me ato arsye që ziejnë në 700 tenxheret politike-mediatike të mexhelisë shqiptare, por ka prekur një hartë të tërë; nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi në Kosovë dhe deri lart në Serbi e Kroaci; nga Maqedonia e Veriut e deri në Turqi, ku i njëjti i ftohtë, i njëjti shi, e njëjta dëborë dhe të njëjtat përmbytje e bllokime kanë krijuar të njëjtën situatë të rënduar në tërësi për njerëzit. Një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me një masë të ngrohtë dhe të lagësht nga Mesdheu dhe ka krijuar një vorbull atmosferike mbi Evropën Juglindore, duke sjellë reshje të vazhdueshme dhe temperatura shumë të ulëta. Prandaj edhe lumenjtë rriten përsëri para se të bien; prandaj dhe toka mbetet e ngopur me ujë , prandaj dhe reshjet e shiut e dëborës marrin një përmasë krejt anormale. Ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm verëra më të nxehta, por do të thotë stinë të çrregullta, sisteme atmosferike më të ngadalta e prandaj dhe më të papritura dhe prandaj mot më ekstrem dhe më këmbëngulës në ekstremitetin e vet; më shumë thatësira dhe më shumë zjarre; më shumë vorbulla atmosferike e më shumë përmbytje, është tashmë kuadrati i ri i klimës ku jetojmë, e cila nuk është më klima ku ne jemi rritur. Por patjetër, që kur ne vazhdojmë i hedhim plehrat rrugëve apo kur vazhdojmë i vëmë zjarrin pyjeve,  pasojat e gjithë këtij ndryshimi klimatik rëndohet dhe më shumë, siç u rënduan ende më shumë në Shkozet dhe jo vetëm prej prurjes marramendëse të plastikës së mbledhur rrugëve nga lumenjtë e dalë nga shtrati që taposi kanalet e mëdhenj kullues.

Aktualisht në të gjithë vendin janë ulur sasitë e reshjeve të matura deri së fundmi përjashtuar Durrësin ku janë regjistruar 41 milimetra shi. Një punonjës i bashkisë së Durrësit 54 vjeç është gjendur i mbytur pasi është raportuar i humbur një ditë më parë.

Deri tani janë në rang vendi numëruar 1587 banesa në praninë e ujit, janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje, po ashtu prania e ujit është konstatuar në 13 mijë e 211 mijë hektarë tokë bujqësore, një pjesë janë përmbytur sikundër dhe disa qendra shëndetësore apo objekte arsimore.

Sasia e reshjeve ka qenë e jashtëzakonshme, deri në 300 milimetra ose thënë ndryshe më shumë sesa sasia mesatare e reshjeve që bie gjatë gjithë muajit. Pra, reshjet 30 ditore mesatare të janarit kanë rënë për një periudhë 3-4 ditore, një fenomen ky që siç e thashë dhe më lartë, si rezultat i ndryshimit të klimës po bëhet gjithnjë e më pak i papritur në mbarë botën. Për shembull në disa zona të ultësirës perëndimore sasia e reshjeve në këto 4-5 ditë ka qenë rreth 25% ose sa çereku i sasisë vjetore të tyre, në mesatare.

Si pasojë e një rritje të tille ngarkesë mbi rrjedhën ujore në kanalet e ujërave të larta kolektorët kryesore kullues, përrenj malor dhe vetë lumenjtë Drin, Bunë, Mat, Drojë, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Devoll, Osum, Seman dhe Vjosë ka ardhur pasoja e përmbytjeve pavarësisht infrastrukturës, gjerësisht të ripërtërirë të mbrojtjes ujore si rezultat i investimeve të vazhdueshme të dekadës së fundit.

Aleatët politik të shiut që shohin tek çdo tërbim të natyrës forcën që do të kompensojë impotencën e tyre kundër qeverisë, kanë llomotitur shumë për gjendjen e hidrovoreve të cilët kanë qenë në funksion të plotë pa pushim duke evaduar sasira të konsiderueshme të ujit dhe duke parandaluar kështu pasoja shumë herë më të rënda nga reshjet e këtyre ditëve.

Deri tani shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës kanë qenë të kontrolluara dhe niveli i lumit Buna nuk ka arritur nivelin kritik tek kapërderdhësi i Shirgjit duke shmangur në këtë mënyrë shkarkimin e lumit Buna në Shirgj dhe tek përmbytjet masive të zonës së nën Shkodrës, si në kohërat kur qeverisnin aleatët e shiut dhe ajo zonë përmbytej rregullisht edhe pa nevojën e reshjeve të mëdha të kësaj natyre.

Shkodra ka qenë praktikisht qarku më i prekur nga reshjet me vlera shumë të larta në disa stacione ku janë regjistruar shifra konstante mbi 200 milimetra në 24 orë.

Duhet të informoj në këtë rast se përpara fillimit të sezonit me reshje drejtoritë e ujitjes dhe të kullimit kanë siguruar gatishmërinë e plotë të kanaleve kryesore kulluese, të kanaleve të ujërave të larta, hidrovorëve dhe patjetër të flotës prej 29 ekskavatorësh në drejtorinë qendrore.

Gjithashtu është bërë inspektimi i sigurisë së argjinaturave të lumenjve dhe të digave të rezervuarve e gjithë kjo infrastrukturë ka funksionuar dhe përballuar sasinë e reshjeve sipas niveleve të sigurisë së projektuar përtej të cilave siç është rasti i reshjeve krejt anormale i këtyre ditëve, dalja e ujit nga rrjedhja natyrale dhe për pasoje përmbytja për pika e zona më vulnerabël për arsye krejt objektive është e pashmangshme në cilindo vend jo të Shqipërisë, por të planetit.

Duhet të informojmë po ashtu se prej vitesh tanimë ne kemi një proces mirëmbajtje të infrastrukturës së kullimit ku përveç remontit të plotë 7 hidrovoreve gjatë sezonit të verës largohen çdo vit rreth 2.5 milionë metër kub llumra dhe mbetje nga kanalet kryesore kullues në një gjatësi rreth 300 kilometër.

Vetëm vitin e shkuar kemi investuar vetëm për këtë infrastrukturë të kullimit afro 25 milionë euro, ndërkohë që këtë vit vetëm nga bashkitë do të investohen 11 milionë euro apo 8 % më shumë se në vitin e shkuar.

Po për të dhënë një ide të plotë të transformimit të bërë në këtë drejtim duhet të informojmë se investimet prej afrosh 250 milion eurosh në dekadën e fundit kanë rindërtuar 536 kanale ujitëse dhe kullimi që ishin faktikisht thuajse të stërpërgjysmuara në efikasitetin e tyre, kanë përforcuar masivisht argjinaturat që binin nga të katërta anët në furtunën më të parë, kanë futur në punë 12 hidrovorë që kishin reshtur së punuari prej vitesh, kanë rritur sigurinë e 44 digave më të kërcënuara, kanë shtuar ndjeshëm kapacitetet e flotës së ekskavatorëve edhe në nivelin vendor.

Po përtej këtyre investimeve, investimi ynë më i madh dhe më i suksesshëm ka qenë reformimi strukturor dhe transformimi i trupave tona të emergjencave, ushtrisë, policisë, energjisë, bujqësisë, nga trupa pa kokë, pa koordinim, pa bazë materiale dhe të veshur si s’ka më keq, në trupa që vihen në lëvizje automatikisht, jo kur fillon furtuna, por sapo leximi meteorologjik paralajmëron furtunë. Patjetër që ka akoma mësime për të nxjerrë dhe boshllëqe për të mbushur, por e vërteta është nëse reshjet e pazakonta të ditëve të fundit ranë dhe përmbytën njësoj vende në krejt rajonin tonë, Shqipëria nuk reagoi njësoj si dikur, kur një shi i zakonshëm “bënte ujë dynjanë”, sepse sot Shqipëria është krejt tjetër. Reagimi i shtetit është krejt tjetër dhe mbrojtja dhe garancitë për familjet e dëmtuara janë krejt tjetër.

Kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgim “aleatët e shiut” ishte edhe një pjesë e tërë borxhesh nga përmbytjet e zonës së Shkodrës. Ne i shlyejmë një më një ato borxhe dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit, përkundrazi kemi përballuar me dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik, jo vetëm detyrimet nga përmbytjet që edhe pse sfidat e klimës janë bërë më të mprehta, kanë qenë sidoqoftë shumë më pak, pikërisht sepse e kemi rritur ndjeshëm aftësinë mbrojtëse të infrastrukturës sonë apo detyrimet nga zjarret, që janë një sfidë e rritur e viteve të fundit, por edhe detyrime marramendëse nga fatkeqësira të “mos o zot”-shme si pandemia apo tërmeti, duke dalë më të fortë se përpara fatkeqësive, e më të ditur për të përballuar sfida të së nesërmes.

Kështu që sot dua t'i siguroj edhe të dëmtuarit e kësaj here se ne do t'i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë

Në ndërkohë dëshiroj të theksoj se puna intensive dhe mobilizimi i pa ndalur, 24 orë në të gjithë territorin, ku është nevoja e të gjitha strukturave të shtetit, si dhe e bashkive do të vazhdojë e pandërprerë deri në kapërcimin e kësaj situate të rënduar meteorologjike. Dhe nga ana tjetër dua t'u them të gjithë deputetëve të shumicës qeverisëse të pranishëm në këtë mbledhje përmes Zoom-it që të jenë të angazhuar edhe sot edhe nesër edhe pasi momenti i vështirë të jetë kapërcyer pranë njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit.

Faleminderit dhe po kaloj fjalën te ministrat që janë në vijën e parë të këtij angazhimi për shkak të detyrës së tyre, të cilët do të bëjnë një pasqyrë të përmbledhur të situatës në momentin që flasim.