*Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama në seancën plenare të 17 shtatorit, ku u votua për pr.ligjin e pagave të magjistratëve.
Do të doja që dikush t’i përcillte fjalën time zonjës Tabaku meqë s'është prezente sepse foli me shumë pasion për protestën 100 e kusur ditore dhe t’i thotë qe të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër teje quhet demokraci. Kurse të jesh në opozitë dhe të të përzënë nga protesta si sëmundje ngjitëse quhet amanet mushkat se kuajt ikën.
Ndërsa për të dashurin ballist kam vetëm një fjalë për ty. Nuk e di se si do të kujtohem unë në histori, por që ju ballistët do kujtoheni si shfarosës mizor pulash, kjo është vulosur në shekuj të shekujve.
Tani dua të them disa fjalë këtu jo si palë, por dua të them disa fjalë këtu si pushtet, si i pranishëm në mes të një grupi të zgjedhurish që përfaqësojnë një pushtet nga tre pushtete të pavarura që ka kushtetuta. Dhe është e pabesueshme se si përfaqësues të një pushteti të pavarur thjesht dhe vetëm për inat të palës tjetër dorëzojnë me këtë kollajllëk pushtetin e tyre tek një pushtet tjetër dhe kjo nuk ka lidhje me thjesht dhe vetëm çfarë flasim sot për pagat e gjyqtarëve. Kjo ka lidhje me ekuilibrin e pushteteve të pavarura në një republikë parlamentare.
Dhe dua të kthehem tek një debat që kemi pasur këtu lidhur me një kolege, Olta Xhaçkën për rastin e të cilës kam sjellë me vete disa fjalë të Komisionit të Venecias se besoj që janë shumë të sakta për të udhëhequr arsyen tonë si përfaqësues të një pushteti të pavarur të gjithë së bashku. “Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese si një organ gjyqësor dhe jo politik nuk duhet të ndërhyjë ne sferën e ligjvënësit kushtetues i cili ka kompetencën ekskluzive për te krijuar norma te reja kushtetuese. Kufiri ndërmjet interpretimit të një norme ekzistuese dhe krijimit të një norme të re nuk është gjithmonë i lehtë për t'u përcaktuar, por duhet shmangur perceptimi i një qeverisje të gjyqtarëve dhe kompetenca për te krijuar norma të reja kushtetuese i përket pushtetit ligjvënës, ndërsa Gjykatës Kushtetuese i përket kompetenca për të interpretuar në mënyrë autoritative normat”.
Me fjalë shumë të thjeshta, Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo nuk mund të ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë topi është imi, penalltinë do ta gjuaj unë. Gjykata Kushtetuese si një pushtet tjetër i pavarur është i pavarur prej nesh këtu si pushtet ligjvënës dhe është i pavarur prej nesh si pushtet ekzekutiv për të na treguar se kur e ngremë dorën gabim, por nëse ne ngremë dorën gabim dhe Gjykata Kushtetuese na thotë me këtë ngritje dore u shkel kjo normë, prandaj kjo normë rrëzohet, Gjykata Kushtetuese nuk mund t'i thotë kurrë, në asnjë rast dhe për asnjë arsye një pushteti të pavarur si ai i Kuvendit se si duhet të ngrejë dorën. Kjo nuk ndodh. Dhe tani ngrije dorën për tekstin që ta kam shkruar unë, për formulën që kam zgjedhur unë dhe për shumën që kam vendosur unë, Gjykata Kushtetuese nuk ja thotë dot Kuvendit të Shqipërisë dhe këtu ka deputetë që kanë shumë vite në këtë Kuvend.
Sot ka një veçori sepse sot këtu në sallë janë 84 vota që janë të nevojshme për të miratuar këtë normë, por nëse nuk do të jeni hipokrit, do duhet ta pranoni që nëse nuk do të ishin këto 84 vota, do të ishte tërësisht e pamundur që të arrihej në një rezultat bazuar mbi një urdhër specifik të një pushteti tjetër. Gjykata Kushtetuese mund ta shfuqizojë një taksë që diskriminon ne mënyrë antikushtetuese një kategori qytetaresh. Gjykata Kushtetuese nuk mund të vendos ama normën e taksës se sa duhet të jetë. Mund të rrëzojë një dispozitë pensioni që cënon barazinë apo sigurinë juridike, por kurrë nuk mund të hartojë vetë skemën e pensioneve dhe të përcaktojë se sa lekë do marri ky pensionist apo ky pensionist tjetër. Gjykata Kushtetuese mund të shfuqizoje një dispozitë penale të paqartë, por nuk mund të shkruajë vetë veprën e re penale dhe masën e dënimit. Këto janë zgjedhje që kërkojnë ligj, debat publik, vlerësim financiar dhe votë parlamentare. Dhe rasti që solla e bën Venecian të na kujtojë se deputeti është i pa urdhërueshëm individualisht dhe kuvendi mund të votojë dhe duhet të votojë çështjet që ndodhen brenda kompetencës së tij.
Tani të vijmë tek pagat e Magjistratës se këtu çfarë nuk dëgjova. Pikë së pari a kishte të drejtë gjykatë kushtetuese të kontrollonte formulën e miratuar nga Kuvendi? Absolutisht po. Të konstatonte një papajtueshmëri të caktuar sipas saj? Patjetër po. Të shfuqizonte dispozita përkatëse dhe të kërkonte miratim ndryshimesh? Askush nuk e diskuton, por nga ana tjetër Gjykata Kushtetuese nuk i thotë dot ligjvënësve se si duhet të zgjidhja sipas asaj norme brenda së cilës ata duhet të lëvizin.
Tani, mos mendoni sot dhe mos shikoni sot. Kjo nuk është një çështje fare, zero e imja apo e jona për asnjë arsye nga ato që u thanë. Kjo është një çështje shumë e thjeshtë parimore në raport me fëmijët tuaj, të të gjithëve ne. Pra kam parasysh të nesërmen. Në vitin kur ne kemi bërë Reformën në Drejtësi kemi marrë përsipër të bëjmë diçka në thonjëza të padrejtë. Kemi rritur paktën e magjistratëve në një mënyrë stratosferike për normat dhe nivelin e pagave tona, me vullnet të plotë dhe me arsyetimin që një reformë rrënjësore në drejtësi dhe nevoja për të vendosur në barrikadën e një drejtësie të re një grup magjistratësh të motivuar e bënte atë të domosdoshme dhe kështu ne kemi prishur piramidën e pagave. Pra nëse piramida e pagave është kjo si në çdo shtet, ne i ngritëm gjykatësit këtu.
Tani me cilën logjik ju kërkoni dhe kushdo tjetër kërkon që sa herë të rritet paga këtu duhet të rritet dhe këtu. Pra sipas kësaj logjike i bie që në të gjitha gjeneratat e po pastajme ne do të ndërtojmë të vetmen republikë, të vetmen mbretëri, të vetmen perandori, të vetmin sistem që ka parë historia e botës ku gjykatësit janë mbi të tërë. Ky është një akt papërgjegjshmërie në raport me të nesërmen.
Tani të thuash që, “mua më ulet paga pse nuk më rritet,në ndërkohë që unë jam në nivelin këtu mbi piramidën si magjistrat” dhe të thuash që “sa herë t’iu rritet të tjerëve të më rritet edhe mua sepse cenohet cilësia ime e jetës”, është lajthitje në objekt. Nga ana tjetër pikërisht për arsyen se pushteti legjislativ është një pushtet i pavarur, çdo kushtetutë demokratike ka një përcaktim që e ka dhe kushtetuta jonë. Paga e gjyqtarëve nuk mund të ulet. Është specifike. Nuk thotë Kushtetuta nuk mund të ulësh pagën e kujtdo qoftë tjetër. Thotë paga e gjyqtarëve nuk mund të ulet. Pse? Sepse Kushtetuta dhe të gjitha Kushtetutat demokratike kanë parasysh pikërisht tensionin që krijohet mes pushteteve për ato arsye që u përmend këtu dhe për këtë arsye garantojnë që gjykatësit dhe prokurorët të mund të veprojnë lirisht pa u kërcënuar nga një hakmarrje në thonjëza ose jo në thonjëza e një pushteti tjetër politik i cili mund t'i vërë nën presion me uljen e pagës. Po a jemi ne në kushtet e uljes së pagës? Të thuash është që është ulje page e fshehtë thjesht fakti që atyre i rritet kaq, të tjerëve i rritet kaq, ndërkohë që ata vazhdojnë janë lart më duket se është e paarsyeshme.
Dhe këtu vijmë tek pika tjetër. Të thuash pastaj qe ishte një afat, patjetër unë e ndaj, e thanë disa këtu që shkelja e atij afati bën me përgjegjësi të caktuar këdo qoftë që duhet ta mbaj atë përgjegjësi dhe hajde ta mbajmë, por të thuash që në atë datë lindi befas një pushtet tjetër i cili përcaktoi atë që në fakt mund të përcaktojë vetëm ligji dhe nga ana tjetër të shohësh një ndërveprim shoqatash me trupën gjyqësore të Shqipërisë dhe të shohësh lëvizje të koordinuara në dijeninë time, gjykatësit as me njëri-tjetrin nuk flasin përpara se të marrin një vendim sepse e kanë ndaluar, as me njëri tjetrin, brenda një trupe, diskutojnë, por nuk ja thonë tjetrit se si do ta vendosin në fund. Ndërkohë që të shohësh këtë organizim është jashtëzakonisht shqetësuese dhe unë mendoj që të gjithë deputetët këtu pavarësisht të cilës palë nuk do ta marrin këtë me kaq lehtësi sepse jeta vazhdon dhe të gjitha zhvillimet në këtë drejtim janë zhvillime që e dëmtojnë Republikën e Shqipërisë. Nuk janë zhvillime që e ndihmojnë.
Natyrisht që këtu ne nuk vëmë në diskutim që do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ashtu se si ne e kuptojmë dhe Gjykata Kushtetuese këtë diskrecion e lë tek Kuvendi. Madje Gjykata Kushtetuese përcakton edhe për kornizën e mundësive që janë në dispozicion në këtë pikë, por unë mendoj që Kuvendi i tëri do t'i japë Gjykatës Kushtetute një mesazh shumë të qartë me këtë rast. Detyra juaj është që të mos lejoni që ne të ngremë dorën gabim, por detyra jonë është t'ju themi që ju nuk na e thoni dot kurrë se si ne e ngremë dorën. Nëse këto të dyja ngatërrohen, ne kemi një problem shumë të madh, i cili nesër mund të bëhet shumë më i madh dhe këtu nuk ka absolutisht asnjë lloj sfide, asnjë lloj lufte të asnjë natyre me sistemin e drejtësisë, asnjë lloj presioni, asnjë lloj absolutisht asgjë të tillë. Se po ju kujtoj dhe diçka tjetër qe nëse i shkojmë fillit të logjikës të atyre që e paraqitën këtë si një tentativë për presion, Prokuroria Speciale nuk ka kërkuar rritje pagash. As ka kërkuar rritje pagash, as ka çuar listë pagesën përveçse sipas formulës vjetër. Kështu që kjo bie si logjikë edhe sikur po e marrim për një moment të mirëqenë, që s’është. Këtu është një çështje shtet bërje europiane.
Ne kemi hyrë në një fazë të re. Ne qartësisht e kemi një pushtet të ri të pavarur në këtë qytet dhe pikërisht pse është një pushtet i ri i pavarur po shohim gjëra që janë të paimagjinueshme në një demokraci të konsoliduar me hetues që shkojnë në Ministrinë e Financave, me prokurorë që shkojnë në dyert e Thesarit, me gjykatës që kërcënojnë zyrtarët e Thesarit. Pra jemi në kushtet e një trupe e cila po shijon pavarësinë e vet. Këtë duam ne? Këtë duam? Këtë doni ju? Unë nuk besoj se këtë duam ne. Unë besoj që ne kemi përgjegjësinë që ta forcojmë këtë dinamikë të ndarjes së pushteteve, por kemi njëkohësisht përgjegjësi që të tregojmë se ku mbaron njëri dhe ku fillon tjetri pushtet. Kushtetuta nuk flet për dy autoritete dhe një pushtet të pavarur. Kushtetuta flet për tre pushtete të pavarura. Janë reciprokisht të pavarura dhe reciprokisht të ndërthurura.
Dhe në fund fare dua t'ju them edhe një gjë tjetër, që kjo çështje dhe këtu do më duhet të shprehem në mënyrë të pazakonshme, plotësisht dakord edhe me deputetin e Vlorës, edhe me këdo tjetër këtu që u shpreh se këtu është nevoja për të bërë një ligj të ri, për t'i dhënë fund kësaj historie e cila e ka zanafillën e vet në atë moment kur në bërjen e reformës nuk u përcaktua koha se kur piramida do të balancohej dhe nuk u tha qartë dhe nuk u tha troç që juve do merrni këtë tani nga taksat e shqiptarëve shumë më tepër se të gjithë të tjerët sepse reforma kërkon nga ju që të bëni një sforco, por ama kjo nuk do jetë një rritje permanente. Sa herë rriten të tjerët, do rriteni dhe ju sepse i bie pastaj siç e thash në fillim, do krijonim shtetin e parë në botë dhe unë i sfidoj të gjithë, të ma sjelli të paktën 2000 vitet e fundit një sistem ku gjykatësit kanë qenë mbi të gjithë në aspektin e taksave, nuk ndodh, është non sens. Ama nga ana tjetër kur flas për ligjin e ri nuk flas në ajër, ne kemi filluar kontaktet me Këshillin e Europës, me atë Komisionin Europian për Efiçencën e Drejtësisë dhe unë i kam pritur të gjithë këta që i kishit ju në komisionin përkatës sepse kërkuan takim dhe ne e organizuam takimin. E organizuam takimin sipas dëshirës dhe kushteve të tyre, në kuptimin për t'ju dhënë të gjithëve mundësinë që të flasim dhe për t'ju thënë që këtu ka një problem të cilin do ta adresojmë së bashku, nuk mund të kthehet ky në një konflikt pushtetesh. Se çfarë domethënë kjo? Që nesër pastaj ne të bëjmë siç bëhej dikur në Shqipërinë demokratike që urdhëroj policia mos të ekzekutonte vendimet e prokurorëve? Ka ndodhur. Ne nuk mund të shkojmë një konflikt pushtetesh dhe ne jemi të gatshëm, jo te gatshëm, por jemi tërësisht te angazhuar që të bëjmë një ligj të ri. Ka një sërë mënyrash për ta bërë, por kjo historia që sa herë rritet një pagë në Republikë, duhet rritur një pagë atje, duhet të marri fund. Kjo është absurd dhe kjo tjetra, “respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese...”, patjetër. Por ama kurrë një Gjykatë Kushtetuese nuk i thotë dot një ligjvënësi çoje ti dorën kështu se e vendosa unë. Dhe fatmirësisht në këtë rast nuk e ka thënë, ka lënë diskrecion të plotë.
Për sa i përket shkeljes të afatit nuk i vihen Kuvendit afate, është një tjetër non sens. Nuk mund t'i thotë askush Kuvendit përveçse vet anëtarët e tij se kur do mblidhet dhe për çfarë do mblidhen. Këtu bëhen katër orë debate rendi i ditës. Si del një pushtet tjetër atje dhe thotë do mblidheni ju deri në datën 31 se po s’u mblodhët deri në datën 31, në datën 1 ne do mësyjmë dyert e Thesarit. Si është kjo? Dhe pse? Se dalin dy trupa atje të cilat janë në fakt, nëse Reforma në Drejtësi ka shumë arsye për të qenë të inkurajuar dhe për t'ju sqaruar të gjithëve nga ana ime unë dy suksese shoh ne reformën drejtësi, SPAK dhe GJKKO me të gjitha problematikat, që janë dy suksese por nëse ka një faliment janë ato dy Këshilla atje dhe nëse ka një arsye për tu shqetësuar Kuvendi i Shqipërisë është pikërisht të reflektojë mbi reformën në drejtësi e jo mbi atë pjesë të reformës që është bërë lajtmotivi kryesor përditë e përditë, ‘burg, burg’, por mbi atë pjesë të reformës që është lajtmotivi i jetës së atyre dhjetëra mijëra njerëzve që janë kthyer në dosje të mbuluar me pluhur, me ata kush flet e me ata kush merret? Por nuk mund t'i zgjidhin ato punë ata që vijnë këtu si zonja Tabaku, mbajnë fjalime “protesta, protesta” dhe janë përzënë nga protesta si sëmundje ngjitëse.






Komente
Komento