Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka një përgjegjësi, angazhim të drejtpërdrejtë në organizimin, në kontrollin e funksionimit të sistemit gjyqësor dhe atë të Shkallës së Parë dhe të Apelit, ku qytetarët tanë gjenden përditë për çështje të ndryshme në lidhje me drejtësinë. Si President i Republikës e kam shpallur dhe përcaktuar si prioritetin kryesor angazhimin dhe kontributin për reformat në fushën e drejtësisë. Si Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e shoh këtë Institucion si një nga instrumentet kryesore dhe më të rëndësishme të shtetit për të analizuar sfidat me të cilat ndeshet sistemi ynë gjyqësor, për të konkluduar për objektivat dhe standardet, që duhen arritur, si dhe për të ndërtuar dhe ndjekur atë proces, që do të realizojë atë ç'ka kërkohet nga ne dhe opinioni publik. Duke e konsideruar funksionimin ligjor të Gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës dhe si një nga detyrimet më parësore të vet shtetit ndaj qytetarëve të tij, Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjithë aktorët e tjerë të fushës, duke nisur me gjykatat, me Konferencën Gjyqësore Kombëtare, Ministrinë e Drejtësisë dhe të tjerë operatorë, që ofrojnë ekspertizë të reformave në këtë fushë. Kam bindjen më të thellë se, themeli nga ku mund të hidhet çdo hap për ta forcuar këtë sistem, për ta profesionalizuar më shumë atë, për ta bërë më transparent dhe për ta kthyer realisht në atë që qytetari ta shohë si tempull për të marrë drejtësi, është pavarësia e tij.
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë!
Ne kemi shumë sfida për t'u përballur, por unë do ta nis me atë çka është trajtuar jo shumë dhe që mendoj se sjell më pas probleme të tjera – besimin dhe respektin e vet gjyqtarëve tek vetë sistemi. Për këtë, së pari, Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të tregojnë se qëndrojnë fort pas çdo gjyqtari të Republikës, që përmbush me korrektësi dhe dinjitet detyrën e tij. Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të garantojnë ruajtjen e integritetit profesional dhe njerëzor të çdo gjykatësi të vendit. Shfrytëzoj rastin të siguroj nga kjo mbledhje çdo gjykatës të vendit, për qëndrimin tim në krah të tyre, në mbrojtje të personalitetit, dinjitetit, pavarësisë dhe sigurisë profesionale gjatë gjithë kohës së ushtrimit së detyrës prej tyre. Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë kanë detyrimin kushtetues dhe përgjegjësinë institucionale të garantojnë besimin e gjykatësve të Shkallës së Parë dhe të Apelit në sistemin e vlerësimit dhe promovimit të karrierës së tyre. Merita profesionale dhe morale e gjykatësve dhe jo subjektivizmi i anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kriteret e gjithë diskutuara dhe të shpallura publikisht dhe jo ndjeshmëritë personale të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, procedurat transparente dhe një sistem i listuar vlerësimi dhe jo praktikat lobuese do të jenë parimet me të cilat do të zhvillojmë praktikën e administrimit të karrierës së gjykatësve. Nga kjo mbledhje dua t'u dërgoj këtë mesazh të gjithë gjykatësve të vendit se ky do të jetë një parim i patjetërsueshëm i Presidentit të Republikës.
Kam bindjen më të palëkundur se në sistemin tonë gjyqësor ka një shumicë gjykatësish profesionistë dhe me integritet, gjykatës, që e kanë lidhur tërë jetën e tyre profesionale me këtë sistem, qytetarë të ndershëm të këtij vendi, që e duan emrin e mirë dhe besojnë në vlerat e trashëgimisë. Ne kemi një detyrë, por edhe një mundësi ta bëjmë këtë model dominues të sistemit. Ne çdo ditë flasim për rëndësinë jetike që ka sistemi i gjyqësorit. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë që në themel të sistemit janë vetë njerëzit, janë gjykatësit që i kthejnë ligjet, parimet, procedurat në një mekanizëm, që vepron. Dua të kujtoj këtu, mes të tjerash, një shembull pozitiv, që kemi në sistemin tonë gjyqësor, Gjykatën e Krimeve të Rënda, atë të Shkallës së Parë dhe të Apelit, një trupë gjyqësore, që ka aplikuar me profesionalizëm një politikë penale kurajoze ndaj individëve dhe grupeve me veprimtari të rëndë kriminale. Këta gjykatës, por edhe të gjithë të tjerët duhet të jenë të sigurt në parimin e vijueshmërisë së detyrës si një nga parimet bazë të pushtetit gjyqësor. Vlerësimi i kontributit të gjykatësve tanë, por edhe një formë e investimit në integritetin e tyre, kërkon një politikë pagash më të përmirësuar për ta. Personalisht do të jem në komunikim intensiv me Qeverinë dhe Kuvendin e Shqipërisë për të realizuar një nivel pagash më të lartë për gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe të Apelit.
Ana tjetër e medaljes, po aq e rëndësishme, është besimi i qytetarëve tek sistemi. Një numër jo i vogël praktikash të çështjeve gjyqësore, në shkelje të hapur të parimeve të dhënies së drejtësisë, në injorim të hapur të procedurave të parashikuara në ligj, të nëpërkëmbjes së solemnitetit dhe dinjitetit, që kërkon sistemi gjyqësor, apo edhe përfshirjes së drejtpërdrejtë në afera korrupsioni, kanë krijuar një klimë mosbesimi tek qytetarët ndaj sistemit të drejtësisë, por edhe një baltë të pamerituar ndaj figurës së gjykatësit. Ky është modeli dhe shembulli, që duhet ta kapsulojmë dhe të nxirret jashtë sistemit.
Dëshiroj ta shfrytëzoj gjithashtu këtë mbledhje për t'iu adresuar të gjithë atyre gjykatësve, që e konsiderojnë sistemin e drejtësisë së shqiptarëve si burimin, ku mund të mbledhin pasuri, që e konsiderojnë pushtetin e madh e të rëndësishëm gjyqësor si mrekullinë e përfitimit të tyre personal, që Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Presidentin e Republikës do t'i kenë pas si kundërshtarët e tyre më të ashpër! Tashmë është koha që praktikat në shkelje të hapur të ligjit të bëhen publike dhe të gjithë ata gjykatës, që ia mohojnë drejtësinë qytetarit, të identifikohen nominalisht. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të vendosur një sistem të drejtpërdrejtë dhe transparent të komunikimit me qytetarin për të gjitha rastet e ankesave, shqetësimeve dhe pretendimeve të tyre. Këshillit të Lartë të Drejtësisë i takon të ndjekë me seriozitet maksimal çdo adresim, që vjen nga qytetarët dhe pas verifikimeve ligjore dhe transparente, t'u japë atyre përgjigjet për çfarë është konkluduar.
Në sistemin e gjykatave tona janë realizuar një sërë investimesh të rëndësishme nga buxheti i shtetit, por dhe nga partnerët dhe miqtë tanë si USAID-i dhe Bashkimi Evropian. Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të identifikojë, perceptojë dhe implementojë në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm, sa më shumë të jetë e mundur, projekte të sistemeve dixhitale, në shërbim të transparencës dhe standardizimit të procedurave ligjore. Bashkëpunimi me Misionin EURALIUS duhet të jetë një aset i përfitimit të ekspertizës dhe adaptimit të modeleve më të mira evropiane për të gjitha çështjet që lidhen me funksionin e Gjyqësorit.
Do të kërkoja gjithashtu një komunikim të vazhdueshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me trupën gjyqësore, me kryetarët e gjykatave për të konsultuar me ta angazhime të këtij Këshilli në mirëfunksionim të sistemit.
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë!
Duke vlerësuar profesionalizmin e secilit prej jush, integritetin dhe vullnetin tuaj për të kontribuar në të mirë të këtij sistemi, besoj plotësisht në gatishmërinë që keni, por edhe kërkoj bashkëpunimin tuaj për të dhënë së bashku disa kontribute reale në këtë sistem, që është i lidhur me jetën, të drejtën dhe dinjitetin e qytetarit shqiptar. Besoj se mund t'ia dalim, duke respektuar me fanatizëm, nga njëra anë, vlerat e profesionalizmit dhe moralit të trupës gjyqësore dhe, nga ana tjetër, të drejtat e patjetërsueshme të shtetasve tanë. Sa i rëndësishëm dhe i pacënueshëm është personaliteti dhe integriteti i gjykatësit të Republikës, po aq jetike dhe e panegociueshme është drejtësia për qytetarin.
Unë edhe një herë jam shpresëplotë dhe i bindur që ky Këshill i Lartë i Drejtësisë me kapacitetet që ka, me angazhimet, me eksperiencën pozitive që ka, me pjekurinë profesionale që ka, do të dijë që t'u adresojë qytetarëve shqiptarë ato pritshmëri, që në fakt sot opinioni publik ka në tërësi nga sistemi i drejtësisë dhe, në veçanti, nga institucione të tilla, që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të nxitur, konsoliduar modelet pozitive dhe për të denoncuar, pse jo, penalizuar ashpër të gjitha rastet negative dhe të papranueshme, që cënojnë parimet e së drejtës. Shpresoj në tërë bashkëpunimin tuaj, në të gjitha eksperiencat individuale tuajat, në bashkëpunimin e institucioneve, që shumë prej jush përfaqësojnë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, pasi në mënyrë komplekse ne mund ta bëjmë tërë mekanizmin të funksionojë në interes të objektivave. Fatmirësisht kemi të njëjtat objektiva. Fatmirësisht kemi të njëjtat qëllime. Fatmirësisht kemi të njëjtat dëshira dhe ambicie në shërbim të këtij sistemi.
Edhe një herë, ju falenderoj për vëmendjen!