Si President i Republikës, kam marrë përgjegjësinë kushtetuese dhe qytetare të angazhohem me kontribut konkret në reformimin e sistemit të drejtësisë. Prandaj, pikësëpari dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve ju që jeni të pranishëm sot, prani e cila për mua padyshim do të thotë se kjo reformë do të ketë të gjithë përkushtimin, mbështetjen dhe vëmendjen që meriton. Përkushtimi nga të gjitha institucionet shtetërore, i koordinuar me mbështetjen dhe vëmendjen që partnerët ndërkombëtare kanë fokusuar në sistemin e drejtësisë, përbën të vetmen rrugë për kryerjen dhe suksesin e reformës.
Dëshiroj të falënderoj gjithashtu përfaqësuesit nga Komisioni Evropian, nga OSBE-ja, nga Këshilli i Evropës, Komisioni i Venecias, nga Rrjeti Evropian i Këshillave Gjyqësorë, nga misionet EURALIUS, OPDAT, etj., për gatishmërinë e shprehur për të qenë pjesë aktive e aktivitetit të sotëm, si dhe padyshim të përshëndes ndihmën konkrete nga Ministria e Drejtësisë.
Vendimi inkurajues i Këshillit Evropian, i cili vendosi që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, vlerësonte progresin e arritur nga Shqipëria në disa fusha parësore, përfshirë reformën në drejtësi, dhe po kështu ripërcaktoi prioritetet ku puna duhet të vijojë me përparësi, me qëllim hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Nisur nga fakti i gjithëpranuar se reforma në drejtësi nuk është thjeshtë një rekomandim, por një domosdoshmëri për konsolidimin e shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale në Shqipëri, ju siguroj se kjo tryezë nuk është një iniciativë simbolike, por një nismë serioze për të kryer një reformë serioze. Ashtu siç është pohuar gjerësisht, kjo reformë duhet të jetë tërësore, gjithëpërfshirëse dhe e orientuar drejt parimeve evropiane e ndërkombëtare për një gjyqësor efikas, të pavarur, të paanshëm dhe të besueshëm.
Parimi drejtues i kësaj reforme duhet të jetë ruajtja dhe respektimi i përcaktimeve kushtetuese.
Superioriteti i Kushtetutës në hierarkinë e piramidës së burimeve të së drejtës, është shumë i rëndësishëm për krijimin dhe ruajtjen e strukturës shtetërore.
Një reformë reale dhe efiçente duhet të mbajë parasysh faktin se drejtësia është ;
- një themel i funksionimit të shtetit të së drejtës;
- një garanci për funksionimin normal të çdo institucioni; dhe
- një shërbim thelbësor për shoqërinë.
Pavarësia, paanshmëria dhe efiçenca e sistemit gjyqësor, me gjithë përmirësimet e vazhdueshme të përftuara nga Kushtetuta dhe ligjet, duhet të respektohen nga cilido, qoftë ai shtetar apo qytetar i thjeshtë. Ndaj me strategjitë tona, me procedurat që do të ndjekim dhe me adresimin e problemeve duhet të tregojmë se i perceptojmë dhe trajtojmë këto parime si një shoqëri me aspiratë anëtarësimin në BE.
Këtu do të fillonte kthesa, ky do të ishte edhe shërbimi i parë i madh që do t’i bënim njëkohësisht edhe luftës kundër korrupsionit. Ky do të ishte padyshim shërbimi kryesor që do t’i bënim funksionimit të shtetit të së drejtës.
Në këndvështrimin tim, Konferenca Gjyqësore Kombëtare, thënë ndryshe organizmi më i lartë ligjor, i cili përfaqëson të tërë komunitetin e gjyqtarëve, ka dhe duhet të përmirësoj ushtrimin e atributeve të mbrojtjes dhe promovimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor si dhe të kontribuojë në administrimin e paanshëm dhe efikas të gjykatave të Shqipërisë.
KLD-ja mund të adoptojë konkluzionet e studimit të kryer nga projekti i binjakëzimit i para pak viteve realizuar nën mbështetjen e Komisionit Evropian, duke zgjidhur përfundimisht edhe konfliktin e vijueshëm institucional të mbivendosjes se inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë me atë të KLD-së.
Përmirësimi i mëtejshëm i sistemit të vlerësimit, atij të pikëzimit përmes detajimit në ligj dhe jo në akte administrative, i të gjitha kritereve të rezultuara efikase në eksperiencat e deritanishme do të ishte një hap i rëndësishëm në limitimin e mëtejshëm të subjektivizmit në vendimmarrjen e anëtarëve te këtij institucioni.
Listimi konkret i kushteve të dhënies së masave disiplinore, veçanërisht i asaj ekstreme të “shkarkimit nga detyra”, si dhe mospërfshirja në këtë proces gjykimi i anëtarëve të KLD-së që prezantojnë vullnetin e institucioneve politike do të mund të shmangte përfshirjen e interesave ekstra-juridik në këtë vendimmarrje.
Gjykata e Lartë, duhet të përcaktojë praktikën gjyqësore të çdo gjykate të niveleve të tjera të vendit përmes një procesi të unifikimit të këtyre praktikave. Kjo Gjykatë duhet të jetë e detyruar të angazhohet vetëm në rastet kur objekti i çështjes gjyqësore përputhet me objektin e punës së kësaj gjykate si “Gjykatë Supreme” dhe në asnjë rast tjetër. Kjo do ta çonte normalisht natyrën e kësaj gjykate drejt një gjykate karriere të cilën do të duhet ta reflektonte edhe në përbërjen e saj.
Infrastruktura e gjykatave duhet futur në agjendën e prioriteteve investuese. Instalimi i plotë dhe unifikimi përfundimtar i sistemit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore jo vetëm do të shmangte korrupsionin në çështjet e shortit dhe të gjithë procesit të menaxhimit, por do t’i jepte qytetarit transparencën e plotë të procesit.
Regjistrimi audio dhe në një hap më vonë, video i procesit do të vinte përpara një përgjegjësie të madhe solemnitetin dhe për rrjedhojë procedurën e ndjekur nga gjyqtari.
Modeli tashmë i aplikuar në dy prej gjykatave të vendit në atë të Korçës dhe të Krujës “për një drejtësi pa vonesa” si bashkëpunim i këtyre gjykatave me USAID-in dhe OSBE-në është një tregues konkret i rezultatit të një reforme reale dhe në shërbim të qytetarit.
KLD-ja dhe Ministria e Drejtësisë mund ta kthejnë atë një model të unifikuar në të gjitha gjykatat e vendit. Statusi i gjyqtarëve të vendit ka një nevojë të menjëhershme për t’u përmirësuar dhe përcaktuar drejt.
Një pagë më e lartë për gjyqtarin nuk do ta kuronte dot integritetin problematik të gjyqtarit të korruptuar, por jam i sigurt se do ta inkurajonte dhe motivonte integritetin e lartë të atij gjyqtari që i duhet sistemit tonë të drejtësisë.
Një status profesional i caktuar në referim të viteve të shërbimit dhe performancës së prezantuar do të ndihmonte shumë në identifikimin e kapaciteteve më të mira në radhën e komunitetit të gjyqtarëve, por edhe do të ishte një incentiv pozitiv në karrierën profesionale të çdo gjyqtari.
Problematika e nxehtë e sistemit gjyqësor nxjerr veçanërisht nevojën e një reformimi të vetë ligjit, i cili përcakton burimet e furnizimit të gjyqësorit dhe prokurorisë me kuadro. Deri tani ky burim është i kufizuar dhe i përcaktuar në mënyrë statike.
Grupi i studentëve që vjen nga shkollat e Perëndimit është një rezervë e fuqishme reformuese dhe me ndikim përshpejtues të këtyre reformave. Prandaj, duhet parë si një burim i rëndësishëm kualitativ prej të cilit të çlirohen dhe të dalin gjyqtarë dhe prokurorë.
Në mungesë të një gjykate për minorenët, e cila në fushën civile të mbrojë të drejtat e minorenëve apo në fushën penale të trajtojnë në mënyrë tepër profesionale minorenët të përfshirë në vepra penale, nuk është e thënë që ky trajtim tepër specifik të mungojë në gjykatat shqiptare.
Gjyqtarë, prokurorë, psikologë e specialistë të shërbimit të provës mund të jenë së bashku pjesë e trajnimeve specifike për trajtimin sa më profesional të minoreneve, të cilët që në moshë kaq të vogël regjistrojnë precedentë penal.
Sistemi gjyqësor nuk mund të japë efiçencën e kërkuar pa një reformë dhe standard më të lartë të aktorëve dhe operatorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë. Megjithë arritjet e rëndësishme që kemi, standardizimi i mëtejshme i shërbimit të avokatisë, noterisë, atij përmbarimor, ndihmës juridike, shërbimit penitenciar do të duhet të ecë paralel me zhvillimet në gjyqësor.
Të nderuar të pranishëm,
Në rrugëtimin tonë prej çerek shekulli përpjekjesh për të ndërtuar një shtet të denjë për të qëndruar në çdo aspekt përkrah partnerëve tanë, kemi mësuar se çdo institucion dhe çdo qytetar i këtij vendi shpreh një dëshirë të padiskutueshme për të prodhuar apo shijuar frytet e reformës.
Në këtë frymë, kjo tryezë synon të hedhë shtyllat kryesore, mbi të cilat do të udhëhiqet reforma në drejtësi, synon të ngjizë eksperiencat më të mira ndërkombëtare dhe opinionet vendase dhe t’i vendosë ato në dispozicion të aktorëve zbatues për t’u zbërthyer më tej në një plan pune konkret.
Nisur nga ky qëllim, do të ftoja të gjithë të pranishmit të përvetësojmë kritikat, vlerësimet dhe propozimet e agjencive të specializuara ndërkombëtare, t’i bashkojmë ato me mendimin e faktorit vendas dhe t’i shfrytëzojmë si pikënisje për propozime konkrete se ku dhe si duhet të përqendrohet reforma në sistemin gjyqësor shqiptar.
Reformimi i sistemit gjyqësor nuk duhet pranuar thjeshtë si një çështje që analizohet dhe rekomandohet nga partnerët strategjikë të cilëve ua kemi detyrim, nuk duhet pranuar thjeshtë si një detyrë e qeverisë, mbi të gjitha duhet pranuar dhe trajtuar si një detyrim përkarshi shtetasve shqiptarë, atyre që e meritojnë drejtësinë si çdo shërbimin shërbim tjetër që meritojnë dhe përfitojnë nga shteti.
Pikërisht nisur nga ky detyrim përkarshi bashkëqytetarëve tanë, ju ftoj të mos e shikoni këtë tryezë si një aktivitet protokollar që ul në një tryezë Kreun e Shtetit së bashku me tre pushtetet e tjera, por si një hap konkret në një mision madhor.
Në funksion të qëllimit dhe të misionit, sot kemi ndërthurur ekspertizën më të mirë me trajtimin e çështjeve thelbësore ku duhet të përqendrohet reforma, duke filluar me përvojën evropiane në evidentimin e aspekteve të ndryshme dhe adresimin e boshllëqeve në funksionimin, integritetin dhe përgjegjshmërinë e gjyqësorit në Shqipëri, për të vijuar me forcimin e pavarësisë, efikasitetit dhe profesionalizmit të gjyqësorit, dhe për ta përmbyllur me diskutimin mbi adoptimin e procesit që siguron një reformë gjyqësore cilësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Në këtë kontekst, ftoj cilindo prej jush t’i shërbeni qëllimit dhe misionit për të cilin jemi mbledhur sot, duke u bërë pjesë aktive dhe ofruar kontribut profesional në diskutimet që do të përvijojnë panelet.