Erdha me kënaqësi në këtë takim, duke e konsideruar çdo debat dhe diskutim për temën e dixhitalizimit si debat e diskutim për temën e progresit, për temën e rritjes ekonomike, për temën e ripërtëritjes sociale dhe mbi të gjitha, për temën e ardhmërisë për gjeneratat e tjera.
Revolucioni dixhital filloi në vitet ‘50-të me kompjuterët e parë dhe sot vazhdon me epokën informacionit, me një rritje të përvitshme gjeometrike. Është një revolucion që po ndryshon në mënyrë radikale mënyrën sesi individi raporton me kohën dhe me lëvizjen, si nocion tashmë shumë më kompleks sesa nocioni i dikurshëm i lëvizjes dhe padyshim, me mënyrën sesi kompanitë dhe organizatat ndërveprojnë. Faktikisht, shumë nga barrierat ekonomike dhe sociale vazhdojnë të bien falë revolucionit dixhital që mund të konsiderohet pa asnjë dyshim, forca më e madhe lëvizëse e globalizmit të sotëm.
Bashkimi Europian është një ndër aktorët kryesorë të këtij transformimi rrënjësor, që investon shuma çdo vit e më të konsiderueshme në kërkimin dhe zhvillimin e teknologjive të reja. Axhenda dixhitale është një ndër shtyllat kryesore të strategjisë së BE, në përputhje me objektivat e Traktatit të Lisbonës, që hodhi edhe themelet e Kushtetutës Europiane, për inovacionin, rritjen ekonomike dhe progresin. Mjafton një ndër shumë shembuj që është ai i Estonisë, me 1.3 milionë banorë, si një shembull ideal dhe frymëzues për të mirat që vijnë nga procesi i dixhitalizimit. Rreth 10% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të këtij vendi vjen si rezultat i shfrytëzimit të teknologjisë së komunikimit dhe të informimit.
Në 10 vitet e fundit, vendet e Bashkimit Europian kanë kaluar nga transmetimi analog në atë numerik duke pasur përfitime të mëdha ekonomike dhe sociale. Nga një studim i Komisionit Europian rezulton se përfitimet e dixhitalizimit në BE mund të shkojnë deri në 700 miliardë euro në 15 vitet e ardhshme.
Shqipëria është një realitet i vogël hapësinor, por është një realitet ku infrastruktura dixhitale nisi të konceptohet dhe të realizohet paralelisht e madje, në shumë raste, edhe më shpejt sesa në shumë vende të BE falë gjenialitetit të një individi të vetëm, Dritan Hoxhës, i cili jam i bindur, do të kujtohet gjithmonë në këtë vend si pionieri i revolucionit dixhital.
Sot, sfida jonë si vend dhe si qeveri është sfida e konsolidimit të infrastrukturës dixhitale, që përbën edhe një objektiv të qeverisë sonë. Ky objektiv lidhet më gjerë me procesin e modernizimit të shërbimeve që ofron shteti dhe zhvillimit ekonomik përmes investimeve. Por unë besoj që, edhe për shkak të kontekstit specifik të Shqipërisë si një vend i këtij rajoni, që duhet t’i bëjë llogaritë e të ardhmes me përballjen e përditshme me një prapambetje shumë të madhe në të shkuarën, konsolidimi i infrastrukturës dixhitale përbën një instrument të patjetërsueshëm dhe të pazëvendësueshëm për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur në mënyrë të shpejtë cilësinë e shërbimeve ndaj publikut. Për këtë arsye, ne jemi të angazhuar shumë fort në këtë drejtim dhe një plan tërësor, që përfshin prekjen përmes teknologjisë së re të mbi 300 shërbimeve që ofrohen sot për qytetarët shqiptarë është tanimë në veprim. Ambicia jonë është që në vitin 2017, pjesa dërrmuese e këtyre shërbimeve të mund të ofrohen online për qytetarët. Kështu të mund të realizojmë një nga objektivat themelor të programit të qeverisë sonë, por dhe një nga aspiratat themelore të shoqërisë sonë, për një reduktim drastik të korrupsionit në marrëdhëniet mes individit dhe shtetit, në marrëdhëniet mes qytetarit që shërbehet dhe institucioneve që shërbejnë.
Sot si rezultat i revolucionit dixhital janë 8 kanale dixhitale që mund të transmetojnë në frekuencat, të cilat më parë përdoreshin vetëm nga një kanal analog. Pra, do të kemi më shumë kanale që do të përdorin më pak frekuenca. Kjo do të ofrojë më shumë mundësi edhe për operatorët e rinj për t’u futur në treg.
Këtu vijmë tek një proces i vonuar për arsye objektive, sado që janë arsye krejtësisht të padëshiruara, procesi i dixhitalizimit të rrjeteve të Radio Televizionit Publik Shqiptar, që faktikisht fillon pas kapërcimit të një ngërçi të madh, të trashëguar nga e shkuara dhe pas eksplorimit të të gjitha mundësive alternative për të përfshirë në një platformë të përbashkët të gjithë operatorët në këtë sector, gjë që rezultoi e pamundur, jo për mungesë të vullnetit të qeverisë, por dua ta them hapur, në këndvështrimin tim, për mungesë të largpamësisë së operatorëve aktualë. Sidoqoftë, kjo na imponoi që të ecim drejt zgjidhjes që faktikisht mori rrugë me nënshkrimin e kontratës për të garantuar dixhitalizimin e rrjeteve të Radio Televizionit Publik Shqiptar. Për të garantuar, kështu, mbulimin e pjesës më të madhe të popullsisë, nën një afat kohe të arsyeshëm. Ambicia është që ky afat kohe të jetë 6-mujor, në respektim të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe si një element i domosdoshëm për rritjen e pavarësisë në gjithë këtë komunikim, duke garantuar këndvështrimet alternative të operatorëve dhe duke garantuar edhe të drejtën e qytetarëve për të pasur informacion të lirë.
Në fokus të dixhitalizimit, nuk është sekret, është shmangia e monopolizimit në tregun mediatik dhe garantimi i pluralizmit të medias, duke siguruar që të gjithë operatorët të kenë mundësinë e një zgjedhjeje dhe duke i garantuar të gjithë operatorëve, alternativën e rrjetit të dytë të Radio Televizionit publik Shqiptar.
Është një reformë që kam kënaqësinë ta them, bëhet duke pasur parash praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Europian dhe për arritjen e rezultateve konkrete, jam shumë dakord me parafolësin, por është bindja jonë e kahershme që ajo çka vendosim në letër është vetëm premisa për të implementuar si duhet qëllimet që na shtyjnë të bëjmë letra, ligje, akte nënligjore, vendime e kështu me radhë. Garantimi i rezultatit në këtë fushë është mbështetja dhe bashkëpunimi i të gjithë organizatave dhe i të gjithë formave të organizimit, shoqata, institucione e me radhë, të cilat vigjilojnë mbi lirinë e medias.
Dixhitalizimi do të mundësojë po ashtu, një mbulim më të gjerë me internet dhe shërbime dixhitale në zonat rurale, që sot në një pjesë të konsiderueshme të tyre nuk kanë akses në këto shërbime.
Reforma e dixhitalizimit për Shqipërinë ka një rëndësi të veçantë edhe si një instrument për të përafruar nivelet e aksesit dhe informacioneve në shërbime mes zonave urbane dhe rurale, duke shkuar drejt një barazie më të madhe mundësish.
Ne besojmë që ky kapërcim do të sjellë mundësi të reja për qytetarët që duan të kenë akses më të madh dhe më cilësor në informacion, për investitorët që duan të hyjnë në tregun audioviziv dhe telefonik, për mediat që duan të zgjerojnë zonat e tyre të mbulimit dhe të ofrojnë transmetime me cilësi më të lartë, për operatorët telefonikë që duan të zhvillojnë shërbime inovative të sigurta me teknologjinë “4G” dhe “LTE”.
Por epoka e dixhitalizimit nuk lidhet vetëm me përparimin teknologjik, përdorimin e kompjuterëve apo shpërndarjen e informacionit, por lidhet në thelbin e vet me krijimin e një sistemi të besueshëm, i cili i lidh njerëzit me njëri-tjetrin, i cili rrit shpejtësinë dhe cilësinë e ndërveprimit dhe i cili ofron mundësi të barabarta për të gjithë.
Si përfundim, unë dua t’i shpreh mirënjohjen time Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, misionit të OSBE-së dhe të gjithë ekspertëve që na janë vënë në dispozicion, duke na siguruar rritjen e cilësisë së ekspertizës, për të marrë vendimet e duhura në këtë drejtim. Besoj se sot jemi në kushtet kur mund të themi se kemi marrë vendimet e duhura dhe kemi krijuar një bazë solide për të mos marrë vendime të gabuara në kohën në vijim dhe për të garantuar kështu, që së bashku t’i japim një përmasë të re shoqërisë së informacionit, duke i dhënë një përmasë të re marrëdhënieve të qytetarit me informacionin. Jam i bindur se ky proces do të na nxjerrë shumë më shpejt se çfarë ne mund ta kishim realizuar pa teknologjinë e re dhe çfarë ne mund ta parafytyrojmë sot, në kushtet e një shteti modern dhe funksional, që i përgjigjet në kohë dhe me cilësi kërkesave të qytetarëve për shërbime, çka për ne përbën edhe shtysën më të fortë, për të qenë vazhdimisht të predispozuar që të ecim me shpejtësi në këtë drejtim.
Faleminderit edhe të gjithë pranishmëve për durimin në dëgjimin e kësaj fjale, ku jam i bindur nuk mund të thosha asgjë të re për të pranishmit, por që kisha dëshirë ta shprehja këtu, përpara jush, sepse dëshiroj të nënvizoj që ne jemi tërësisht të fokusuar për të nxjerrë sa më shumë përfitim për shoqërinë nga mundësitë e pafundme të teknologjisë së re.