Fjala e Ramës për prezantimin
e të dhënave të CENSUS-it 2011

Së pari, një falenderim i sinqertë për të gjithë ata që e bënë të mundur këtë konferencë. Sigurisht në krye të radhës për vetë Institutin Shqiptar të Statistikave, për këtë aktivitet që është shprehje e një vullneti të qartë për një qasje të re të këtij institucioni ndaj misionit të tij. Një qasje që dukshëm ka tre elementë; profesionalizmin, bashkëpunimin dhe transparencën.
Unë besoj se vetëm nëse këta tre elementë bëhen pjesë e pandashme e punës në çdo hap, të Institutit, atëherë ky Institut kaq i rëndësishëm mund të kthehet në një instrument jashtëzakonisht të dobishëm për të parë ashtu si duhet të sotmen dhe për të projektuar me gabueshmëri shumë më të ulët se sa sot, të ardhmen.

Për ne, siç e kemi edhe shkruar në programin e qeverisë, statistikat janë një e mirë publike. Si e mirë publike duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të çdo grupi të interesuar. Kurrsesi nuk mund të jenë pjesë e asnjërës nevojë të ditës së qeverisë dhe të asnjë oreksi të pushtetit për zgjedhjet e ardhshme.

Fatkeqësisht, pavarësisht punës profesionale dhe mundësive jashtëzakonisht të mëdha të shumëkujt në rolin e nëpunësit në Institutin e Statistikave dhe pavarësisht financimeve apo projekteve që në bashkëpunim me partnerë janë ofruar për këtë Institut, është fakt se prej shumë kohësh Instituti i Statistikave dhe vetë statistikat mbetën peng i politikës së ditës dhe ambicieve të pushtetit për të kontrolluar humoret e publikut edhe nëpërmjet shifrave.

Është fakt, se ajo që ndodhi me Institutin e Statistikave nuk është ndodhi vetëm shqiptare, por është diçka që ne e kemi parë të ndodhë edhe në vende të tjera. Ndërkohë që INSTAT është unikal për të jetësuar ambiciet e suksesit, jo vetëm suksesit të qeverisjes, por suksesit të sipërmarrjes, suksesit të investitorëve të interesuar për ta parë një vend si një platformë zhvillimi për kompanitë e tyre, një sektor financiar i shkencave sociale, por edhe ekzakte, i shoqërisë civile dhe i çdo aktori në komunitet apo në shoqëri që është në një ndërveprim me të tjerët.

Statistikat janë sytë e shtetit. Një qeverisje që nuk ka ndjeshmëri për integritetin e statistikave, në fakt, është pa sy. Një qeverisje që nuk bazohet tek statistikat reale për të ndërtuar politikat e veta, është një qeveri që drejton shtetin në një formë që shpeshherë sjell pasoja të pashërueshme për vite të tëra. Padyshim me kosto, nganjëherë edhe kolosale për një gjeneratë.

Mjafton të shikojmë se çfarë i bëri shtetit fqinj vendosja e statistikave në funksion të verbimit nga ana e pushtetit të shtetit, ose çfarë i bëri shoqërisë në shtetin fqinj, përballja me realitetin dramatik të të vërtetave të fshehura nën kapakun e fletoreve të statistikave zyrtare që për vite të tëra kishin nxjerrë në dritë llogari qëllimisht të gabuara.

Sot, ne jemi këtu për të parë dhe për të dëshmuar përmes një hapi konkret të INSTAT se çfarë pasurie e jashtëzakonshme janë statistikat dhe sa shumë punë mund të bëhet përmes statistikave.

Sot për herë të parë kemi një aktivitet ku INSTAT na fton të shikojmë një studim analitik mbi një census apo më saktë një studim të përbërë nga një sërë pjesësh mbi një census. Për herë të parë, ne kemi mundësinë të shikojmë se si INSTAT reflekton në bashkëpunim të ngushtë me partnerë ndërkombëtarë forcën që ky instrument mund të ketë dhe dobishmërinë e këtij instrumenti për ne dhe për këdo që do të dojë ta përdorë.

Prandaj, dua që t’i bëj një falenderim të posaçëm, qeverisë zviceriane për mbështetjen që i ka dhënë INSTAT-it dhe shpresoj që është kurajë për t’u admiruar nga ana e INSTAST që ka zgjedhur pikërisht zvicerianët për të trajtuar shifrat shqiptare. Besoj që nga njëra anë bashkëpunimi me qeverinë zviceriane do t’i japë shumë besueshmëri edhe të dhënave, edhe suksesit të institucionit që kompletohet dita ditës, në rrugë të mbarë. Por nga ana tjetër është edhe një sfidë e vetë institucionit për të qenë në lartësinë e kërkesave që besoj se nuk ka dyshim që janë kërkesa fort të vështira, kur vijnë nga qeveria zviceriane apo një strukturë e cila funksionon falë mbështetjes së qeverisë zviceriane. Me këtë, nuk dua në asnjë mënyrë që të relativizoj sigurinë dhe besueshmërinë që krijojnë të gjithë partnerët e tjerë në këtë proces, por duke qenë se partnerëve të tjerë mund t’u duket e ekzagjeruar ajo që iu thashë unë për qeverinë zviceriane, ju siguroj se nuk është aspak e ekzagjeruar, duke marrë parasysh se sa jozviceriane ishin shifrat e INSTAT-it deri dje.

Besoj se është një ndryshim i rëndësishëm dhe rrënjësor fakti që sot ne kemi të dhëna të censusit në faqen online të INSTAT-it, bashkë me një seri të tërë anketash dhe informacioni që nisin nga referencat e censusit dhe deri tek vlerësimi i cilësisë së të dhënave. Besoj që, po ashtu, me shumë rëndësi që harta e dixhitalizuar gjeo-referenciale që përbën një reflektim praktik të gjeografisë sociale të vendit, është sot në dispozicion të të gjithë përdoruesve të mundshëm.

Dua të nënvizoj që kjo hartë është një mjet shumë i çmuar për të gjithë ata që janë përfshirë në politikbërje dhe vendimmarrje. Padyshim, do të ishte një mjet i çmuar për të gjithë ata që janë përfshirë në kritikën e politikbërjes dhe vendimmarrjes, duke shpresuar që sa më shumë ndër ta të përfshihen edhe në lexime, përveçse në perceptime dhe në qasje instiktive ndaj politikbërjes dhe vendimmarrjes.

Në fakt, disa prej gjetjeve të censusit thonë shumë përsa i përket reformave që ne do ndërmarrim apo duam të ndërmarrim. Për shembull njëra nga gjetjet se pas 10 vjetësh, pra në vitin 2024, sipas projeksioneve të popullsisë, prurjet e grupmoshës 15-19 vjeç në tregun e punës do të jenë më të vogla se sa daljet e grupmoshës 65-69 vjeç, flet qartësisht se gropa ekzistente sot, mes kontributeve e pensioneve të cilat vitin e kaluar kapin 430 milionë dollarë deficit dhe që nuk është aspak për arsyer demografike, do të mund të thellohet në të ardhmen, pikërisht, për arsye demografike. E kjo është një arsye më shumë që reforma e pensioneve që ne tanimë e kemi të formësuar, të kryhet një orë e më parë.

Është një arsye më shumë për të besuar se jo vetëm në nevojë, por edhe në rrugën që ne kemi zgjedhur për ta kryer atë, reformë aq shumë të kërkuar prej 20 vitesh dhe aq shumë të shtyrë vit pas viti, për arsye të politikës së ditës dhe për arsye të dritëshkurtësisë të qeverisjes deri më sot.

Nga ana tjetër, nëse këto shifra i lidhim me shifrat e papunësisë, është e qartë se kemi nevojë për të parë më shumë ndërveprimin mes efekteve që presim nga reformat në fusha të ndryshme dhe për të kuptuar deri në fund, sesi të gjitha reformat ndikojnë dhe sa reformat ndikojnë në strategjinë e nxitjes së punësimit.

Rritja e papunësisë sot, falë studimit që na sjell INSTAT-i nga viti 2001 deri në vitin 2011, është një fakt. Është një fakt që në mënyrë rrëqethëse provon jo më me spekulime, apo me konkluzione të nxjerra nga fije të ndryshme logjike, por me shifra se modeli ynë ekonomik, i bazuar tek shifra rritjeje ekonomike pa u marrë me shifrat e punësimit në të njëjtën kohë, ka qenë një model i cili ka sjellë rritje pa punësim dhe se nevoja e sotme, që ne e kemi nënvizuar prej kohësh, për një model të ri ekonomik, është qartësisht e konfirmuar nga këto shifra. Mjafton të shikojmë shkallën e papunësisë së të rinjve deri në moshën 24 vjeç, e cila në censusin e viti 2001 ishte 35.5%, ndërkohë, në censusin e vitit 2011 është 52.9%. Pra, nuk është më, një në tre, por është një në dy në vitin 2011. Dhe kjo është një rritje marramendëse për një vend që ka një moshë kaq të re dhe që, nga ana tjetër, ka një hendek kaq të madh për të kapërcyer në nivelin e njohjes dhe të të mësuarit, në nivelin e edukimit jo vetëm të lartë, por edhe të edukimit profesional.

Gjetjet e censusit flasin shumë qartë për një dështim spektakolar jo në politikbërje, por në kuptimin se për kah duhej të ishte nisur konceptimi dhe kritika e modelit të zhvillimit ekonomik, që ne e ndoqëm verbërisht për 20 vjet me radhë, bazuar në fakt, në burime rritjeje krejtësisht të paqëndrueshme, që sot nuk i kemi më.

Jemi bazuar tek remitancat si burimi kryesor i rritjes. Sot ky burim rritjeje nuk është më aty. Remitancat shkojnë duke rënë në mënyrë dramatike, vit pas viti, siç është e natyrshme dhe siç tregon edhe historia e gjithë vendeve me emigracion të lartë, ku gjenerata e dytë në emigracion fillon dhe ka kërkesat e veta të drejtpërdrejta, të lidhura me jetën pas hyrjes në universitet apo daljes nga universiteti apo pas hyrjes në tregun e punës, por edhe për shkak të krizës së madhe ekonomike dhe sociale në dy vendet kryesore prej nga, ky burim rritjeje ekonomike furnizonte Shqipërinë.

E dyta, bumi në ndërtime nuk është më aty. Një tjetër burim rritjeje ekonomike, sot është i ezauruar.

Burimi i tretë i rritjes për një periudhë relativisht të gjatë dhe sfilitës në 2-3 vitet e fundit ishte kreditimi i dhunshëm i qeverisë, duke mos paguar kompanitë e sipërmarrjet private dhe duke i përdorur paratë e tyre, për të stimuluar rritjen. Një praktikë barbarie, që praktikisht ne i kemi dhënë fund dhe jemi në fazën kur po shlyejmë borxhet ndaj këtyre kompanive.

Kjo do të thotë se sot jemi në kushtet që na duhet me patjetër t’i lexojmë qartësisht shifrat, si shprehje e një urgjence të madhe për dy reforma me një rendësi kapitale. Njëra, reforma territoriale dhe tjetra, reforma e urbanizimit që lidhet në radhë të parë, me kapitalizimin e gjithë aseteve të krijuara në rrugë jo të ligjshme. Flas për ndërtimet pa leje, por që përbëjnë një kapital që sot është jashtë, tërësisht, sektorit financiar dhe që nesër do të bëhet pjesë e sektorit financiar, falë gjithë procesit të legalizimeve.

E po të shikojmë censusin, është shumë e qartë se kemi të bëjmë me qendra të reja apo qendra të forta tërheqëse të migrimit të brendshëm, të ditës, për punësim. Janë një sërë qendrash që tërheqin të punësuarit që udhëtojnë çdo ditë dhe që sot meritojnë një vëmendje të posaçme. Nuk bëhet fjalë vetëm për Tiranën. Ashtu sikundër, potenciali zhvillimor i zonave të tjera, sot është tërësisht i lënë pas dore, i paorientuar, i pashfrytëzuar, duke krijuar në fakt, hapësira për anomali tipike të vendeve në zhvillim dhe pa drejtim, si tensionet e mëdha sociale, disbalancat e thella në të ardhura dhe ç’është më e rëndësishme, pabarazi dramatike në mundësi.

Kështu që, nga gjetjet e censusit vërtetohet katërcipërisht se përgjigja është komplekse, por kryefjala e kësaj përgjigjeje është reforma territoriale-administrative, me një reduktim dramatik të numrit të njësive të qeverive vendore, që disponojnë kompetenca të plota dhe me rritje dramatike të të ardhurave për njësitë që do të dalin nga ky reduktim, për të orientuar tërësisht ndryshe, qoftë zhvillimin njerëzor, qoftë zhvillimin natyror dhe ekonomik të vendit.

Dua të ndalem edhe tek një shifër tjetër që më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme. 480 mijë njerëz, pra, gjysmë milioni njerëz janë larguar nga Shqipëria në harkun kohor 2001-2011. Ne të gjithë kemi parasysh largimet e mëdha të viteve ’90. Një largim i dytë është zhvilluar jashtë vëmendjes së mediave dhe në mënyrë konstante, ditë pas dite, duke rezultuar në gjysmë milioni shqiptarë, të larguar nga Shqipëria në 10 vitet e dyta. Dhe, padyshim, që edhe këtu ka shumë vend për të analizuar dhe për të diskutuar. Ndërkohë që nuk ka arsye për të besuar se mbas 2011-s, kur ne nuk disponojmë më të dhëna, - të dhëna që do t’i disponojmë në censusin tjetër, - ky trend të ketë ardhur duke u ulur. Me shumë gjasa, ky trend mund të ketë ardhur madje, duke u rritur.

Në fund, me një falenderim për të gjithë ju, dua që të shpreh edhe një herë tjetër vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare, timin personalisht, për të garantuar që Instituti shqiptar i Statistikave të jetë një institut realisht dhe plotësisht i pavarur. Jemi në përpjekje për të siguruar një program binjakëzimi me një Institut Statistikash të njërit prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe për të përfituar siç kanë përfituar të tjera vende, përpara nesh në rrugën e integrimit europian, ku aspak çuditërisht, të gjitha shtetet e dala nga rënia e perandorisë komuniste kanë pasur problem të madh me shifrat, në mënyrë që përfundimisht Instituti i Statistikave të dalë nga çdo lloj kontrolli dhe nga çdo lloj sfere e influencës së politikës, në raport me shifrat dhe me produktet e veta. Sepse unë besoj se kjo nuk është çështje personash, nuk është çështje vullnetesh të një grupi njerëzish apo të një grupi tjetër, në formën e një qeverie të vendit, por është çështje sistemi. Është krijimi i një sistemi të blinduar për statistikat, që garanton shifrat, pavarësisht nga kush është në qeveri dhe pavarësish nga kush është në krye të qeverisë. Thuhet se një prej sekreteve të suksesit të kancelares gjermane, shkruar prej biografit të saj më besnik, është pikërisht besimi i verbër që ajo ka tek shifrat dhe marrja e vendimeve mbi bazën e shifrave, të dhënave statistikore dhe fakteve që vijnë nga përpunimi i statistikave.

Sigurisht, bëjmë fjalë për kancelarin e Gjermanisë dhe për Gjermaninë, por, padyshim, ka vetëm një rrugë për t’u përmirësuar, duke marrë gjithmonë shembullin e më të mirit, pa pasur asnjëherë frikë, siç thoshte Salvador Dali, se duke ndjekur më të mirin, mund të bëhesh po aq i mirë sa ai.

Faleminderit shumë!
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen