Fjala në Parlament e deputetit Koço Kokëdhima

Më vjen keq, dhe kërkoj ndjesë që do të dal nga rendi i ditës. Në këtë foltore unë kam dalë rrallë dhe nuk kam folur shumë. Deri sot kam folur 25 minuta në këtë foltore, për të gjitha herët që kam diskutuar në Parlament. Jo vetëm sepse kam respekt për fjalën, por sepse kjo foltore shpeshherë është shndërruar në një arenë konfliktualiteti dhe imoraliteti dëshpërues, arenë e një lufte destruktive, që stimulon një shpërdorim të energjive kombëtare në mënyrë krejtësisht të pajustifikuar.

Koha ime është e çmuar dhe ajo, tani që unë jam deputet, është e destinuar vetëm për punët e popullit. Dje u informova për shpifjen e radhës të Saliut dhe të të tijve. Saliu vetëm me shpifjet për mua ka konsumuar sivjet, më shumë se 25 orë diskutim në këtë foltore dhe kushedi sa kilometra rreshta të shkruara nëpër gazeta e rrjete sociale. Unë jam pasuruar nën qeverinë e Saliut dhe të Fatosit, duke qenë përherë kundërshtari i tyre. Më luftuan me gjithçka mundën, si biznesmen, sepse të dy ishin xhelozë dhe e urrenin sipërmarrjen e këtij vendi, siç urrenin mirëqenien e popullit tonë. Aleatët tuaj në pushtet ishin mjerimi dhe varfëria e popullit. Më luftuat si botues, por unë iu qëndrova besnik lexuesve, qytetarëve, interesit publik dhe idealeve e interesave kombëtare. Asnjëherë nuk më mposhtët dot. Ti erdhe në politikë i varfër zotëri dhe i thirre edhe të tutë nga emigracioni, po të varfër, për t'u pasuruar me ndihmën e pushtetit dhe me pasuritë e popullit shqiptar. Unë erdha në politikë i pasur dhe nuk erdha për të bërë pasuri për vete, por për popullin, për qytetarët dhe për sipërmarrësit e Shqipërisë. Unë nuk kam frikë, zotëri, nga asgjë e nga askush. T’i ke frikë prandaj je këtu, ke frikë për të gjitha ato që bërë në pushtet. Dua të them dy fjalë për mocionin që ke shpërndarë me shpifjet fund e krye. Pretendon se një nga kompanitë e mia në të shkuarën, Abissnet, ka përfituar fonde nga buxheti i shtetit dhe nga njësitë e pushtetit vendor. Fillimisht dëshiroj të them se jam shumë krenar për këtë kompani, e cila është vepër e një pune të jashtëzakonshme për 16 vjet rresht, nga qindra të rinj dhe të reja të talentuar të Shqipërisë.

Keni shpërndarë informacionin sipas të cilit, kompania "Abissnet sh.a" ka përfituar 150 herë financime nga buxheti shtetit. I kam këtu të gjitha dokumentet që i takojnë referencave në mocionin tuaj.

Në bazë të këtyre dokumenteve, ju pretendoni se kjo kompani ka arkëtuar 150 fatura me shumë totale 925 mijë lekë të reja. Kështu janë llogaritë e dokumenteve që kanë përhapur zotërinjtë. Unë dua t’ju them se që nga dita që unë jam shpallur deputet nga KQZ dhe deri kur kjo kompani është shitur nga unë, kjo kompani nuk ka bërë asnjë kontratë as me institucionet shtetërore dhe as me njësitë e pushtetit vendor. Më tregoni një kontratë të vetme që është nënshkruar pikërisht në kohën kur unë jam shpallur deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Asnjë kontratë, zero kontrata, zero lekë, zero përfitime. Këto kontrata për të cilat flisni janë nënshkruar para se të shpallem deputet i Shqipërisë. Madje po ju them që të gjithë klientët që ju keni prezantuar, kanë qenë nëpër vite klientë të kësaj kompanie, vetëm tre klientë i takojnë periudhës përpara se unë të shpallesha deputet, tre klientë me shumë totale 40 mijë lekë të reja janë të vitit 2013, por gjithmonë të bëra përpara se unë të shpallesha deputet. Kurrë nuk do të përzihesha jo për 40 mijë lekë apo për 900 mijë lekë, por as për 900 milionë dollarë, nuk do të implikohesha në ndonjë shkelje të ligjeve të Shqipërisë. Jam pastërtor prandaj të kam qëndruar ty dhe do të më kesh përballë gjithmonë. Edhe gjuha që keni përdorur në këtë dokument zotëri është një gjuhë vulgare dhe me formulime vulgare që nuk është aspak e denjë për ta përdorur mes kolegësh dhe në komunikime zyrtare. Unë jam kolegu juaj dhe me shumë prej jush kam ndarë në të shkuarën shumë bashkëpunime edhe në biznes edhe në jetë. Por s'keni ç'bëni, të jesh me Saliun nuk mund të bësh dot ndryshe. Në punën time si deputet nuk jam kufizuar vetëm në zonën time elektorale, Konispol-Llogara, ku më ka ngarkuar të punoj Partia Socialiste. Në zonën time elektorale jam përpjekur shumë që të jem pranë popullit dhe të punoj me përkushtim për të pastruar moçalishten e politikës tuaj.

Ju kujtohet që përpara dy vitesh shitej me lekë posti i policit, shitej me lekë posti i mësuesit, shitej me lekë posti i infermierit. Ju kujtohet se çfarë

shërbimesh bënin zyrtarët e ALUIZNI-t, po po, bënin zyrtarët tuaj nëpër hipoteka, ju kujtohet se si e rripnin popullin në çdo zyrë të shtetit. Tani i keni në arrati drejtuesit e Partisë Demokratike të Sarandës sepse abuzonin me postet që u ishin ngarkuar në krye të ALUIZNI-t dhe për këtë i ndjek Prokuroria dhe Gjykata, për krimet që kanë bërë kundër njerëzve dhe kundër ligjit.

Të kujtohet zoti Sali si e mbushe administratën me injorantë dhe militantë të korruptuar të PD-së, të kujtohet regjimi yt i sekserëve, të kujtohet ç’bërë me tokat dhe pasuritë e popullit? Amfiteatrin e Butrintit ia dhe ish-pronarëve! Shpjegoja popullit si i gjete ish-pronarët e qytetit antik të Butrintit, i cili u ndërtua në shekullin e VII-të përpara Krishtit, me siguri ashtu siç gjete ish-pronarët për ishujt e Ksamilit!!

Nuk dua të thyej rregulloren, ndaj po e ndërpres fjalën time këtu. Le të flasë Saliu, se ai ka nevojë për shumë...

Replika me Berishën Mua nuk më zë turpi për ndonjë shkelje që mund të bëjë ndonjë punonjës i imi, në jetën e tij, kudo që të jetë. Ashtu siç nuk kam asnjë detyrim ligjor të pyes Saliun se kujt do t’ia shes pasuritë e mia. Do t’ia shes kujtdo personi, brenda vullnetit tim dhe brenda ligjit. Sali të them që ti ke dështuar dhe këtë e di gjithë dynjaja. Unë nuk dal nga politika sepse thua ti, ti do ikësh shpejt dhe pa kthim nga politika dhe nga ky Parlament. Ndërsa unë do jem këtu për shumë kohë. Do punoj për qytetarët dhe për zhvillimin. Do të punoj bashkë me shokët e mi për ta burgosur politikën tënde të mjerimit e të injorancës në qelitë e këtij populli që masakrove ti në 25 vite. Edhe në betejën e radhës, në zgjedhjet e 21 qershorit, mbaje mend, në zonën time do të humbësh 5 me 0. Kështu do të humbësh në të gjithë Shqipërinë.

Unë nuk bie në moçalin tënd dhe nuk bëj atë që kë bërë ti, që përgojon fisin tim, që përgojon njerëzit e mi, punët e tyre, ndërtimet e tyre dhe jetën e tyre të bëra nën qeverisjen tënde. Dhe nuk përfshihem kurrë në batakun tënd që të shpif as për ty e as për kundërshtarët e mi politikë.

Unë nuk të them ty, për të gjitha këto dështime e sjellje, se je një plak i paaftë, se paaftësia mund konsiderohet si e metë fizike, dhe nuk është në etikën time të vë në dukje një të metë fizike të një personi. Por për të gjithë sjelljet që ke bërë

në këtë Parlament dhe në jetë ndaj meje, ndaj njerëzve të mi dhe kryesisht ndaj popullit tonë, një vlerësim e ke hak të ta them: Sali nuk je plak i lartë!

Replika e dytë me Berishën

Sigurisht që qytetarët janë të mençur dhe i kuptojnë të gjitha gjërat vetë. Shqiptarët ja njohin të shtatë lëkurët Saliut dhe lojërat e tij për pushtetin i njohin po aq mirë. Kurrë nuk do të ketë më shanse Saliu. Është një nuse që ka nusëruar shumë herë duke i çuar shqiptarët në fatkeqësi.

Kemi aq shumë nevojë për kritikën e opozitës dhe për çdo lloj kritike objektive në shoqërinë shqiptare. Por Saliu e zhvlerësoi fjalën, e çnderoi fjalën siç çnderon gurin, siç ç’nderon pemën, siç fyen malin! Ne duhet ta shpëtojmë të drejtën e popullit tonë për të patur një Parlament serioz, për të patur një Parlament ku fliten hallet e popullit, ku fliten të vërtetat, ku fliten shqetësimet e njerëzve dhe ku gjejmë zgjidhje bashkërisht. Dhe që ta shpëtojmë këtë gjë, ne duhet të vendosim ndëshkime penale dhe civile për shpifësit si ai, shpifësit si ai e kanë vendin atje ku duhen të rrinë të gjithë shpifësit ordinerë. Ai na bën ne përgjegjës për legjislacionin penal më të ashpër në botë, për ata që përdorin hashash dhe marijuanë. Me këtë legjislacion që i vuri në qafë popullit shqiptar, Ai i mbushi burgjet me mijëra të rinj dhe të reja, 18, 19, 20-vjeçarë, vetëm sepse kanë provuar të pinë nga një cigare hashash dhe të implikohen në këto eksperienca aq masive për rininë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën. Unë nuk dua të bëj burracakun si ai, kështu që do ta ndërpres fjalën për t’iu përgjigjur shpifjes së tij të re, se gjoja unë apo ndonjë i fisit tim paska marrë toka nga shteti në Poro! Ju kërkoj të më vini në dispozicion një fakt, një dokument të vetëm dhe atëherë do e mirëkuptoj të qeshurën e lumtur të Jozefinës! Do ta vazhdoj javës tjetër këtë fjalë kur të kem Saliun përballë, dhe do ta ftoj atë zotërinë të ketë respekt për veten dhe fjalën e tij, dhe kur të flasë të qëndrojë atje dhe të presë përgjigjen nga njerëzit që akuzon!

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

U dënua për korrupsion, senatori amerikan Menendez jep dorëheqjen