Padyshim, drejtësia që ofron një shtet është themeli i funksionimit të shtetit të së drejtës; është garancia për funksionimin normal të çdo institucioni; është një shërbim thelbësor për shoqërinë, ndaj dhe çdo nismë, që synon përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve dhe rritjen e besimit të tyre, duhet përkrahur me kontribut konkret.
Pavarësisht ecurisë dhe kohës që marrin reformat në sistemin e drejtësisë, cilido prej institucioneve apo aktorëve, pjesë përbërëse e sistemit të drejtësisë, në çdo çast të veprimtarisë së tij, ka në dorë të gjenerojë ndihmesën e vet në drejtim të rritjes së pavarësisë, paanshmërisë, përgjegjshmërisë dhe eficencës së sistemit gjyqësor. Administrimi i procesit të gjykimit së bashku me administrimin e veprimtarisë së gjykatës, është një përgjegjësi e përbashkët dhe e ndërsjellë midis gjyqtarëve, drejtuesit të gjykatës dhe administratës gjyqësore. Në këtë këndvështrim, edhe projekti “Për një drejtësi pa vonesa” ashtu si edhe projektet e tjera që kanë për qëllim rritjen cilësore të veprimtarisë së gjykatave, duhet të përkrahen dhe të nxiten nga nivelet drejtuese në drejtësi, si dhe të mirëpriten dhe zbatohen me sukses nga strukturat zbatuese.
Mbështetja dhe angazhimi im, si President i Republikës dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në rritjen e pavarësisë, eficencës dhe përgjegjshmërisë së institucioneve gjyqësore nuk do të zbehet në asnjë çast. Për më tepër, të gjithë duhet të jemi edhe më të nxitur pas vendimit të Këshillit Evropian, marrë në qershor të këtij viti, vendim që, duke i dhënë Shqipërisë statusin e “Vendit kandidat”, vlerësonte progresin e arritur prej saj në disa fusha parësore, përfshirë reformën në drejtësi, dhe po kështu ripërcaktoi fushat ku puna duhet të vijojë me përparësi, me qëllim hapjen e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Nën këtë frymë nxitëse, reforma në drejtësi përbën jo vetëm një rekomandim të qenësishëm të raportit të progresit të Komisionit Evropian, por edhe një domosdoshmëri të kohës, në vijim të konsolidimit të shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale në Shqipëri. Ashtu siç është pohuar gjerësisht, kjo reformë duhet të jetë tërësore, gjithëpërfshirëse dhe e orientuar drejt parimeve evropiane e ndërkombëtare për një gjyqësor efikas, të pavarur, të paanshëm dhe të besueshëm.
Bazuar mbi këtë koncept, në ushtrim të rolit kushtetues të Kreut të Shtetit dhe Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kam ndërmarrë nismën për organizimin të një tryeze të rrumbullakët “Për reformën gjyqësore në Shqipëri” në datën 6 tetor 2014. Kjo tryezë synon të hedhë shtyllat kryesore, mbi të cilat do të udhëhiqet reforma në drejtësi, të bashkojë të gjithë aktorët e drejtpërdrejtë dhe të interesit dhe të përmbyllet me një platformë të qëndrueshme, në shinat e së cilës do të ecë ky proces. Tryeza synon të ngjizë përvojat më të mira ndërkombëtare dhe opinionet vendase në një dokument, që do t’u vihet në dispozicion aktorëve zbatues për t’u zbërthyer më tej në një plan pune konkret.
Vlerësimet e deritanishme të agjencive të specializuara ndërkombëtare për situatën aktuale të sistemit gjyqësor në Shqipëri, do të shërbejnë si pikënisje për propozime konkrete se ku dhe si duhet të përqendrohet reforma në sistemin gjyqësor shqiptar.
Në këtë veprimtari do të mirëpres pjesëmarrjen e Komisionit të Venecias, Komisionit Evropian, Rrjetit Evropian të Këshillave Gjyqësorë, Kryetarëve të Gjykatave të Larta nga disa vende të Bashkimit Evropian, Fondacionit Slynn, përfaqësuesve nga OSBE-ja, OPDAT-i, EURALIUS-i, projektit JUST, SEJ dhe, padyshim, ndihmën konkrete nga Ministria e Drejtësisë dhe organet të tjera të drejtësisë në vend, si dhe shoqëria civile.
Ndaj, gjithashtu, mendimin se cilido aktor apo faktor i përfshirë në reformën në drejtësi, duhet ta konceptojë dhe ta pranojë atë si një paketë të plotë që garanton efekte afatgjata dhe të qëndrueshme. Sovrani i ka dhënë ligjvënësit instrumentin më efikas, ndaj forcat politike kanë në dorën e tyre përmirësimin gjithmonë e më shumë të legjislacionit, krijimin e një mjedisi sa më të përshtatshëm për funksionimin e një sistemi sa më përsosur, sa më të qëndrueshëm por edhe sa më të besueshëm.
Nga ana tjetër, krahas reformave legjislative, shpreh gjithashtu mendim tim se çdokush nga gjyqtarët, në çdo vendim të tij ka instrumentin më të mirë të mundshëm për të shpalosur formimin profesional, përgjegjshmërinë, paanshmërinë dhe dinjitetin që duhet t’i karakterizojë qoftë si individë, qoftë si sistem gjyqësor në tërësi.
Probleme në sistemin e drejtësisë kanë edhe shtete të tjera me demokraci të hershme e të konsoliduar, ndaj ne nuk mund të pretendojmë që vetëm në 23 vjet të kemi ngritur një sistem gjyqësor të përkryer, por mund të krenohemi se gjyqësori ynë, për nga organizimi, liria dhe profesionalizmi që e karakterizojnë, padyshim që konkurron me vende te tjera.
Padyshim, që korrupsioni nuk është vetëm fenomen shqiptar, që ndërhyrjet dhe presionet ndaj gjyqtarëve ndodhin vetëm në Shqipëri, por kjo nuk do të thotë që ju si bashkësi, me integritetin tuaj profesional e moral, të mos jeni në gjendje t’u bëni ballë këtyre fenomeneve.
Ndaj ftoj që të gjithë faktorët e sistemit të drejtësisë që në mënyrë të bashkërenduar, me qëllime të qarta dhe në mënyrë të vazhdueshme, të evidentojnë faktorin e rrezikut dhe ta parandalojnë atë.
Për rolin e tyre të veçantë, si dhe për kontributet mjaft domethënëse teknike dhe financiare do të falënderoja misionet e Bashkimin Evropian dhe agjencitë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bashkëpunimi i ngushtë midis partnerëve ndërkombëtarë dhe institucioneve shqiptare, përfshirë këtu edhe gjykatat, ka sjellë tashmë ndikime pozitive, për të cilat jam i bindur se do vijnë gjithnjë duke u përshkallëzuar. Asistenca e partnereve tanë ndërkombëtarë është e shoqëruar me zbatimin e disa projekteve dhe investimeve po aq të rëndësishme, të cilat synojnë përmirësimin e ndjeshëm të cilësinë së veprimtarisë së gjykatave.