“Së pari do desha që të vlerësoj shumë angazhimin dhe rezistencën e pjesëmarrësve që janë aktualisht në sallë të një dite të gjatë punësh, angazhimesh dhe debatesh. Natyrisht pas një dite të gjatë dhe të lodhshme, por besoj produktive pune, por dhe një ngjarjeje që shkon përtej simbolikës së kuvendimit të përbashkët, dëshiroj të vlerësoj edhe një herë të gjithë pjesëmarrësit, vendas e të huaj, për kontributin e tyre për mbarëvajtjen e këtij takimi gjithëpërfshirës për këtë reformë të devotshme në drejtësi.
Nga diskutimet e sotme u evidentua se kur flasim për reformën në drejtësi, si një vend tashmë kandidat në BE, ne duhet të kemi qëllim të trefishtë: 1. Të shmangim kthimin prapa, në praktikat e cenimit të ndarjes së pushteteve; 2. Të ndërtojmë mbi progresin e arritur deri tani; 3. Të ecim në drejtimin dhe me ritmin e duhur.
Jam i kënaqur që konstatova që u ra dakord se parakusht për përmbushjen e misionit të Gjyqësorit shqiptar është arritja e qëllimeve strategjike, për një gjyqësor:
- të pavarur, autonom, dhe funksional;
- të aksesueshëm /depërtueshëm nga publiku;
- të drejtë dhe në respekt të të gjithëve;
- efikas, eficent dhe të hapur;
- të gatshëm për të vepruar në përputhje me Kushtetutën, ligjin vendas dhe të drejtën ndërkombëtare, dhe sipas parimit të shtetit ligjor;
- të paanshëm, joparagjykues dhe konsistent në ofrimin e mbrojtjes së barabartë ligjore ndaj të gjitha palëve;
- të inkurajojë mënyra alternative për zgjidhjen e konflikteve;
- të gatshëm për t’iu përgjigjur nevojave të komunitetit në mënyrë cilësore dhe në kohë;
- të vendosur për të dënuar krimin dhe korrupsionin.
Siç e thashë më herët në fjalën time sot paradite, takimi i sotëm ishte veçanërisht i rëndësishëm, pasi mblodhi së bashku të gjithë aktorët, pa përjashtim. Ashtu sikurse e ka theksuar edhe Komisioni Evropian dhe partnerët tanë, deri në lodhje, reforma të tilla, si kjo e reformës në drejtësi, duhet mbi të gjitha të ndërthurin e ndërlidhin ekspertizën, qëndrimet, dhe profesionalizmin e të gjithë aktorëve të përfshirë. Shpesh ky parim thjeshtohet në vendosjen bipolare partiake, duke anashkaluar, me apo pa dashje, edhe aktorët e tjerë po aq të rëndësishëm, siç janë autoritetet gjyqësore, akademikët, shoqëria civile, dhe deri tek ekspertët ndërkombëtarë. Shfaqje të tilla të njëanshmërisë së panevojshme nuk i kemi të largëta, dhe as për herë të parë, por duhet të jenë të fundit.
Ndaj, në përfundim të të gjithave sa u thanë sot, është inkurajues konkluzioni i parë i këtij takimi se reforma në drejtësi do të përvijohet nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe konsensual, ku do të marrin pjesë të gjithë aktorët, përfshirë qeverinë, opozitën, autoritetet gjyqësore, akademikët, shoqërinë civile, dhe partnerët tanë, EURALIUS, Komisioni i Venecias, Komisioni Evropian, OSBE, OPDAT, etj.
Me këtë rast, e gjej me vend t’i rekomandoj Ministrit të Drejtësisë të mbledhë brenda dy javësh një tryezë të rrumbullakët me aktorët e lartpërmendur, për të hartuar dhe miratuar një Udhërrëfyes konceptual, sipas edhe diskutimeve që u zhvilluan dhe konkluzioneve të paraqitura nga panelistët, për reformën në drejtësi.
Menjëherë pas miratimit të këtij dokumenti personalisht si Kreu i Shtetit, do të kërkoj dhe monitoroj, (me asistencën e Komisionit Evropian, dhe OSBE) ngritjen e menjëhershme të Grupeve të Posaçme të Punës që do të zbërthejnë këtë udhërrëfyes në plan veprimi, me masa dhe afate kohore, përfshirë buxhetimin e tyre, duke u dhënë prioritet masave të domosdoshme që lidhen me përditshmërinë e qytetarëve. Të gjitha këto do të bëhen publike, duke synuar një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun, për të rritur besimin e tyre tek sistemi i drejtësisë, por edhe duke reflektuar më qartë dhe drejt shqetësimet e tyre.
Më pas, Ministria e drejtësisë do të vijojë punën nëpërmjet hartimit të legjislacionit dhe akteve nënligjore përkatëse, duke ndjekur të njëjtën procedurë dhe frymë bashkëpunimi, në komisionet parlamentare dhe tryezat e posaçme me aktorët e tjerë. Çdo akt ligjor do të marrë certifikimin e Komisionit të Venecias, EURALIUS, OSBE, OPDAT, etj.
Me këtë rast, do t’i kërkoja dhe sugjeroja Komisionit Evropian, që në Grupin e Punës për Gjyqësorin, të ngritur në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë, të zgjerohej pjesëmarrja e aktorëve, dhe të ndiqej me përparësi monitorimi i zbatimit të angazhimeve në këtë fushë.
Së dyti, ky takimi evidentoi domosdoshmërinë e zbatimit të ligjit nga të gjithë. Shqipëria ka bërë progres, sikurse u tha dhe në panelin e parë, edhe pse ky është i pamjaftueshëm, dhe ende larg standardit evropian që duam të arrijmë të gjithë. Hartimi dhe miratimi i ligjeve të reja është një anë e medaljes, por zbatimi i ligjit në frymë dhe germë është pashmangshmërisht ana tjetër që e mban në këmbë sistemin. Kjo nuk është një kërkesë e Presidentit, ky është çelësi i shtet-ndërtimit, dhe funksionimit të demokracisë. Dhe përpara ligjit jemi të barabartë të gjithë, që nga Kreu i shtetit, i qeverisë, që nga vetë gjyqtarët e prokurorët, e deri tek qytetari më i thjeshtë i këtij vendi. Si President i Republikës do të vazhdoj të jap shembullin e parë për zbatimin e ligjit dhe vetëm ligjit, për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera, të rolit dhe detyrave që rrjedhin nga Kushtetuta në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Por shteti ligjor është i pakuptimtë nëse nuk ka gjyqtarë, avokatë, dhe juristë që e zbatojnë atë me vendosmëri dhe pa frikë. Pavarësia e gjyqësorit në të gjitha nivelet dhe në të gjitha çështjet është thelbësore. Pavarësia e gjyqësorit është e pakuptimtë nëse nuk respektohet dhe zbatohet me përpikëri parimi i kontrollit dhe balancës, nga të gjithë aktorët. Dhe kur të biem dakord, se sistemi gjyqësor duhet të jetë i pavarur nga interesat politike, private, dhe të partizanshipit, por kurrsesi nga Kushtetuta dhe ligji, atëherë kemi arritur atë që kërkojmë.
Së treti, asgjë nuk po nis nga zero. Ne kemi ngritur një sërë institucionesh, të cilat duhet t’i përsosim në të gjitha drejtimet. Kjo u evidentua qartazi dhe nga ekspertët që prej vitesh asistojnë vendin tonë në reformimin e sistemit gjyqësor. Por kjo reformë ka arritur një pikë kulmuese, dhe si e tillë duhet të përbëjë një motivim të madh për të gjithë ata që punojnë në këto institucione dhe të tjerë që do t’i bashkëngjiten sistemit, për të gjithë ata që punën e tyre e bazojnë në meritë profesionale dhe integritet. Sikurse duhet të jetë kambanë e fuqishme alarmi për të gjithë ata që fshihen apo duan të fshihen pas defekteve të këtij sistemi, dhe njollosin imazhin e këtyre institucioneve dhe faqen e këtij vendi. Vlerësimi i punës tuaj, të nderuar përfaqësues të Gjyqësorit, do të vijojë të bëhet sipas kritereve objektive, dhe puna e atyre që i bëjnë nder profesionit të tyre do të marrë të gjithë vlerësimin e merituar. Po kështu, me forcën e ligjit do të ndëshkohen të gjithë ata që në punën e tyre cenojnë profesionalizmin, integritetin dhe çdo gjë që ka të bëjë me interesat e qytetarëve.
Së katërti, reforma duhet të bazohet mbi një vizion të qartë dhe standarde evropiane. Ne jemi mirënjohës për ndihmën shumë bujare të partnerëve tanë, për eksperiencën dhe ekspertizën e vyer që na ofrohet, për kohën që na dedikohet, por edhe për mbështetjen financiare, për të cilën ne jemi ende në nevojë të madhe. Le ta maksimizojmë këtë oportunitet, statusin si vend kandidat në BE, dhe të zgjerojmë mundësitë e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve me njëri tjetrin, duke synuar përvetësimin e standardeve më të larta evropiane, që nga konsolidimi i institucioneve e deri në sjelljen e zakonet shoqërore.
Së pesti, kjo reformë na përket në radhë të parë dhe mbi të gjitha neve si qytetarë, si vend. Është detyra jonë të bëjmë çdo përpjekje që të shënojmë suksesin e saj. Ndaj po përsëris edhe një herë ftesën ndaj të gjithë aktorëve vendas, të marrin pjesë aktive dhe konstruktive për hartimin dhe zbatimin e saj. Le të ruajmë formatin dhe frymën e kësaj tryeze të sotme gjithëpërfshirëse. Si President i Republikës mbetem i vendosur për ta vazhduar dhe ndjekur me përparësi këtë proces deri në fund, dhe do të qëndroj si një zë i fuqishëm institucional dhe publik në mbrojtje të interesit më të mirë të vendit, për të përparuar me vendosmëri reformën në drejtësi.
Edhe një herë duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit jo vetëm për prezencën e tyre, por për kontributet dhe mbi të gjitha për dëshirën, vullnetin dhe gatishmërinë e shprehur për të nisur një rrugë e cila duket që nuk do të jetë e lehtë, por tërësisht e mundshme për të qenë e suksesshme, ju falënderoj edhe një herë dhe suksese të mëtejshme!”
Redaksia Online