Fjalët e Maries para 'udhëtimit
të vdekjes': Nga e keqja e kemi!

Fjalët e Maries para 'udhëtimit<br />të vdekjes': Nga e keqja e kemi!
TIRANË - Maria, shqiptarja 14-vjeçare me emrin e Virgjëreshës humbi jetën tragjikisht javë më parë duke ndërprerë në mes ëndrrën për një jetë më të mirë larg vendlindjes së saj, në Ardenicë të Lushnjes. Pesha e emigracionit të paligjshëm ishte tepër e rëndë për një vogëlushe në moshën e saj e cila u mbyt në një lumë në Greqi ku ajo së bashku me prindërit e saj kishin ndaluar për të pushuar pas një rruge të gjatë në këmbë.
 
Familja Sholla e cila mes varfërisë së tejskajshme mundi të mbledhë lekët për të emigruar në Gjermani, ka prekur tashmë zemrat e shumë shqiptarëve. Një prej tyre është doktor inxhinier Ervin Mile i cili jeton në Paris, por që rastësia bëri që të takojë Marien e vogël vetëm një ditë para nisjes drejt vdekjes! Së bashku me shqiptarë të tjerë që kanë ndërtuar jetën në Paris, Mile ka krijuar një faqe dhurimesh ku të gjithë të mund t’i vijnë sado pak në ndihmë familjes së Marias. 

Maria së bashku me nënën dhe babain e saj nuk mungonin asnjë të dielë në meshën që mbahej në manastirin e Ardenicës. Pikërisht këtë ditë, shqiptari Mile, i cili gjatë pushimeve ishte kthyer pranë prindërve të tij në Lushnje, ka shkëmbyer një bisedë rrnqethëse me Marian dhe babain e saj.
 
Pas meshës, At Serafini, sic tradita e do, i ka mbledhur për një kafe të pranishmit në meshë dhe aty Mile është njohur me hallet e familjes Sholla. Ai thotë se Fredi, babai i Maries e refuzoi kafen për shkak se kishte problem me zemrën. “Aq më shumë që javës tjetër jemi për rrugë”, ish shprehur ai.
 
Fredi i ka treguar më tej patrotit të tij se do të nisej me gruan dhe Marien fillimisht drejt Greqisë ku do të punonte bari në male, dhe as fjalët e doktor Miles për situatën e vështirë ekonomike me të cilën po përballej shteti fqinj nuk e thyen shpresën e tyre se diku jashtë kufijve i priste një jetë më e mirë...pa e ditur se dhimbja e tyre do të bëhej edhe më e madhe!
 
Familja ishte e vendosur të merrte këtë rrugë, edhe pse nga mungesa e parave për të nxjerrë pasaportë i detyronte ata ta bënin rrugën në këmbë.
 
Dy fëmijët e tjerë të familjes Sholla ndodheshin në manastritin e Shën Vlashit në Durrës. Kisha i pati ndihmuar për ti strehuar atje në pamundësi të familjes për ti ushqyer.

Ajo që ka “goditur” shpirtin e emigrantit shqiptar në Paris janë fjalët e Maries së vogël por që kishte marrë mbi supe përgjegjësinë e madhe për të ecur në këmbë maleve me shpresën për të parë dritë në jetën e tyre, pasi prej shumë kohësh jetonin në errësirë, në mungesë elektriciteti dhe me borxhe të shumta
 
- Ça do bëjmë nga e keqja e kemi!, i është përgjigjur 14-vjeçarja me sytë e mëdhenj dhe fytyrën e pafajshme.


Nga Dr. Ing Ervin Mile
Para dy javësh ndodhesha në manastirin e Ardenicës, ashtu siç e kam zakon të shkoj të dielave për meshë sa herë kthehem në Lushnjë tek prindërit për pushime. Aty takoj edhe familjen e Marias, që janë pjesëmarrës të rregullt të manastirit. Mbas shërbesës At Murg Serafini na fton të ulemi tek dhoma e pritjes dhe na shërben me dashamirësi kafe dhe llokume siç e kanë traditë.

Pjesëmarrësit e vetëm aty ishin Maria, prindërit e saj dhe një burrë tek të dyzetat, shurdh-memec dhe i verbër në një sy i gjori por njeri punëtor dhe hallexhi. Shumë i sjellshëm dhe i dashur na përshëndet dhe mundohet të komunikojë me shenja. Në fytyrë i lexohej një trishtim, arsyen e kuptuam kur na tregoi syzet të cilat i ishin thyer duke punuar.

Keqardhja në këto çaste është e papërshkrueshme. Janë këto situata që të bëjnë të kuptosh dhe të dallosh hallet e vërteta nga shqetësimet e kota te botës mondane, dhe sidomos të mësojnë ta shohësh jetën me tjetër sy.

At Serafini më tregonte për peripecitë e të vobektit dhe sesi mjekët ja kishin refuzuar operacionin në sy, mbasi i mjeri nuk kishte pasur mundësi ti paguante. Ishte dashur ndërhyrja dhe ndihma e manastirit që fatmirësisht operacioni të mundësohej.

Një pyetje më erdhi në mënyrë natyrale: - Si ka mundësi që veçanërisht doktorët, këta që kanë zgjedhur një zanat human (njerëzor) tregohen kaq të pashpirt dhe çnjerëzor përballë fatkeqësive të tilla? Si ka mundësi të qëndrohet si gur përballë një njeriu që nuk ka gojë të flasë, por trishtimi i të cilit flet më shume sesa mijëra fjalë?

Mbas shërbimit të kafes babai i Marias, Fredi e refuzon atë – Nuk e marr se ma ka ndaluar doktori shprehet, - dhe nuk më bën mirë për shëndetin, aq më shumë që javës tjetër jemi për rrugë. Fillon dhe tregon se si do të niseshin në Greqi për punë. I habitur i them se Greqia është shumë keq ekonomikisht dhe emigrantët e atjeshëm janë duke u kthyer. Na siguron se shkon punon bari në male dhe që kanë gjithmonë nevojë për njerëz duke qenë se askush nuk ka qejf të bëj këtë lloj pune.

Gjithsesi për familjen e tij më keq se këtu nuk kishte ku të shkonte duke qenë se prej shumë kohësh jetonin në errësirë, në mungesë elektriciteti dhe me borxhe të shumta. E keqja nuk ka mbaruar, mungesa e parave për rrugë dhe për nxjerrjen e pasaportave për familjen i detyronte ta bënin rrugën në këmbë.

Kisha i pati ndihmuar për të strehuar dy fëmijët e tjerë në manastirin e Shën Vlashit në Durrës në pamundësi për t'i ushqyer, si dhe në shumë raste të tjera të vështira, por kjo nuk kishte qenë e mjaftueshme. Ngela pa fjalë, më kapi një heshtje dhe në kokë po më vërtitej emigracioni i viteve '90, sytë më shkuan tek Maria. - Po Maria? – thashë. Është e vogël si mund të eci maleve? Ajo më shikon me sytë e mëdhenj dhe fytyrën e pafajshme dhe thotë:

- Ça do bëjmë nga e keqja e kemi!

Mundohem që tu arsyetoj të kundërtën, t'i bind që të qëndrojnë, të kërkojnë më shumë të mos dorëzohen me shpresën se do të mund të gjejnë një vend pune këtu. Vetëm se shpresa në sytë e tyre ishte vrarë, mbas shumë vuajtjesh dhe zhgënjimesh ajo ishte zhdukur. Nuk kishte trishtim më të madh të shikoje ata sy të zbrazët dhe të dorëzuar përballë betejave të hidhura të jetës.

Në pamundësi për të ndryshuar gjendjen e tyre, i ndihmoj me aq sa mundem, dhe u uroj rrugë të mbarë. Kur mendoja sa e zymtë dhe fatkeqe kishte qenë jeta për këtë familje gabohesha, sepse dhimbja për ta nuk paska fund.  Kur mendon se vuajtjet i kanë gjunjëzuar në kulm, paska edhe më keq.

I sheh të marrin një grusht akoma më të fuqishëm që i përplas përfundimisht pa ndjenja për tokë. Vuajtjet e tyre të mëparshme të duken thjesht një fllad i lehte në krahasim me uraganin e egër qe i zhvesh dhe i rrëmben atë që ata kanë më të shtrenjtë, fëmijën, dritën e syve, ku pa të çdo gjë është errësirë.

Lajmi qe kemi marrë ditët e fundit mbi vdekjen e Maries në përpjekje për një jetë më dinjitoze, na ka hidhëruar pa masë.
Fjalët e saj jehojnë po ashtu si dhe dje. - Ca do bëjmë nga e keqja e kemi.

U prehsh në paqe Maria.

Kemi krijuar një faqe dhurimesh ku të gjithë të mund të marrin pjesë për 'ti ardhur sado pak në ndihmë familjes së gjorë të Marias. Çdo dhuratë e juaja sado simbolike, do të jetë një ndihmë shumë e madhe për këtë familje në nevojë. Më poshtë do te gjeni faqen e ndihmave.

https://www.leetchi.com/c/solidarity-fredi-dhe-elona-sholla

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron