Papa Françesko mbërrin në Tiranë në udhëtimin e tij të katërt ndërkombëtar, i pari në një vend europian, në një udhëtim pastoral që vjen në një moment të tensionuar nga kërcënimet e Shtetit Islamik. Por Papa pavarësisht kësaj nuk ka dashur të heqë dorë nga ky udhëtim rrufe në më pak se 10 orë, me objektivin për të inkurajuar bashkëjetesën mes feve të ndryshme. E në fakt fjalët e tij të para, të thëna gazetarëve të pranishëm në udhëtim, janë pikërisht mbi këtë temë: “Bashkëjetesa fetare mes feve në Shqipëri është një shenjë e bukur për gjithë botën. Shqipëria është një vend që ka vuajtur shumë, ka theksuar ai, por që ka mundur më pas të gjejë paqen mes diferencimeve fetare. Kjo është një shenjë e bukur për botën, për dialogun, për paqen dhe ekuilibrin në favorizim të qeverisjes.”

Papa Françesku është nisur drejt Shqipërisë duke ju drejtuar aeroportit të Fiumicinos në orën 7:30 të mëngjesit të sotëm, në vizitën e tij të parë në Evropë që nga koha kur u zgjodh në krye të Kishës Katolike. Në Romë, para se të nisej me avionin e Airbus A321 të Alitalia, Papa Bergoglio ka dashur të përshëndesë personalisht një nga një të gjithë përfaqësuesit e aeroportit dhe të policisë.

Pasi u përshëndet edhe me gazetarët dhe fotoreporterët, të vendosur rreth 100 metra larg avionit, gjithmonë me çantën e tij të zezë në dorën e majtë, papa Françesku hipi në avionin drejt Tiranës.

papa rama flamuri ne avion

Redaksia Online