“I nderuar Zoti Kryetar i Komunës Salvator Kaçaj,
Të nderuar deputetë të pranishëm,
I nderuar Zoti Ambasador Raunig,
I nderuar ish-Presidenti Fatmir Sejdiu,
Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare në Shqipëri,
Të nderuar drejtues të njësive vendore,
Motra dhe vëllezër,
Sot është një moment i rëndësishëm për kombin tonë, por edhe për Kishën Katolike! Përvjetori i lumturimit të Nënë Terezës, bijës së madhe të shqiptarëve, e cila modernizoi konceptin e botës për humanizmin dhe mëshirën si fytyrë e tij.
Ajo si askush tjetër bashkoi në një dashurinë hyjnore me atë njerëzore si e zgjedhura e Zotit, si një nënë shqiptare që fal paqe, mirësi dhe shtrin dorën e saj të fisme për të gjithë nevojtarët e botës.
Pikërisht në këtë atmosferë feste dhe përkujtimi kam vendosur që sot në këtë ceremoni solemne, me gjuhën e një dekreti, i cili mbart të gjitha emocionet e mia personale njerëzore të shfaq para jush konsideratën time për At Zef Pllumin, këtë shumatore vlerash të historisë sonë dhe birin tuaj përfaqësues!
Si kolonë eshtrore e një tempulli të vruguar nga motet, krejt i pazakontë, krejt ndryshe në të folur, shumë më tepër në të shkruar, po aq në gjeste, më shkartisej gjithmonë në mendje At Zef Pllumi, i rishfaqur në botën shqiptare në agun e lirisë si i mbijetuar i ferrit komunist.
Ndonëse kishte provuar mbi vete dhunën dhe persekutimin shpesh herë në kufirin e skajshëm ku jeta dhe vdekja puthiten me njëra-tjetrën, burgosjen gati 25-vjeçare ai rikthehej pa urrejtje, pa inat, i fisëm dhe i drejtpërdrejtë në kërkim të kohës së humbur më shumë se për vete për Shqipërinë, e cila në një orë të rëndë të historisë saj i kishte lënë amanetin ‘Rrno vetëm për me tregue’.
E para ishte fjala thuhet në Bibël dhe i pari duhej të ishte rrëfimi në Shqipërinë që i rikthehej Zotit dhe vetvetes!
Ndaj ai rikthehej si Hermesi i antikitetit të sillte kumtin e 46 viteve nën diktaturë. Kumt i rëndë!
Vetëm përballja me të mund ta udhëhiqnin shqiptarin nga liria dhe Evropa, ndarja me të cilat kishte qenë tragjike.
Zef Pllumi lidh fijen e këputur.
Ai rrëfen për fuqinë shkatërruese të urrejtjes, për dhunën që bëhet pushtet dhe pushtetin e dhunshëm që shndërrohet në tirani, por njëherësh e krahas saj për dashurinë e shndërruar në heroizëm.
Misteri i besimit dhe ai njerëzor, rrugët e pafund të Zotit, dija universale dhe atdhedashuria të ndërthurura si shtresa historike me evolucionin human të shqiptarit ndër shekuj konfiguronin portretin e fratit At Zef Pllumi si më i spikaturi i modernitetit të traditës!
Nuk do të kishte gjëmë më të madhe që pas dhunës të fshihej apo manipulohej historia për të përligjur krimet nëpërmjet harresës. Fshehja e krimeve është gjë po aq e rëndë sa krimi vetë, në mos edhe më e rëndë.
Ndaj nuk mund të rehabilitohet kurrë tirani Enver Hoxha dhe tirania e tij. Tendenca të tilla janë kriminale, provokuese dhe antihistorike.
Shoqëria shqiptare, që aq shumë është përpjekur për demokracinë e vet e ka demonstruar aktin e saj të refuzimit ndaj diktaturës më 20 shkurt 1991.
Në këtë kontekst Pllumi është një digë e pakalueshme me jetën dhe veprën e tij.
At Zef Pllumi, duke shkruar të vërtetën e madhe, librin në të cilin spikat morali i shkrimit si më të dobishëm për shoqërinë shqiptare u shndërrua në fenomen kulturor të kohës sonë.
‘Rrno për me tregue’ është një triadë për qëndresën dhe thyerjen, për krimin dhe viktimat, për heronjtë se ata nuk munguan, Pllumi ishte njëri prej tyre, për virtytin dhe vesin, një enciklopedi për një popull, një përkufizim unik për një tiran, një tekst tejqyrë që për të kuptuar totalitarizmin dhe diktaturën, mekanizmin e saj pervers e solli midis nesh, lubrifikantin ideologjik, veglat njerëzore, propagandën dhe pseudokulturën, mentalitetin dhe pasojat e tij tek njeriu i ri, trashëgiminë dhe forcën prapavepruese të së keqes.
Ky është një libër sacral për ne shqiptarët.
Duhet ta lexojë atë çdo kush që di shkrim e këndim, duhet ta ketë çdo shtëpi shqiptare në bibliotekën e vet për të kuptuar vetveten, për të mos harruar, për të mos përsëritur gabimet fatale, për të mos rënë kurrë në autoritarizëm, për të dekomunistizuar sa më shumë jetën shqiptare, sjelljen e përditshme vetë mentalitetin.
Për modelin etik At Zef Pllumi, për veprën e tij librore e për jetën vepër gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë.
Kanë nevojë ata që e kanë jetuar atë kohë, në mos më tepër, ata që nuk e kanë jetuar.
Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët.
Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët.
Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë.
Pllumi ky shkrimtar i racës më të epërme, ky personalitet poliedrik i kohës sonë, ky europianist i pa kundshoq dishepull i binomit ‘Atdhe e Fe’ formulë kjo doktrinë jete dhe veprimi e atij kostelacioni të ndritshëm me yll polar Gjergj Fishtën, të cilët qenë françeskanët shqiptarë, merr sot tanimë në jetën e amshuar dekoratën më të lartë të Republikës, atë të ‘Flamurit Kombëtar’ për të cilin ai dhe shumë të tjerë sakrifikuan gjithçka.
Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit ia akordoj atë me mirënjohje të thellë dhe me qëllimin e qartë sensibilizimin e brezave, të shoqërisë, të mbarë kombit e më tej, për personalitetin dhe veprën e këtij shqiptari të ndritur, sepse gjithmonë do të kemi nevojë për të dhe rrëfimin e tij, për udhëtimin e njeriut shqiptar në kohë.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo janë!
Ju faleminderit!











