Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj, i cili u ndalua nga Izraeli në flotiljen “Global Sumud” teksa tentonte të shkonte në Gaza, tashmë do të kthehet në atdhe. Konsulli i Shqipërisë në Stamboll, Armand Shandro në një intervistë për Report Tv tregoi të gjithë procedurën që është ndjekur për kthimin e tij në Shqipëri, nga momenti që morën sinjalizimin se shqiptari Goxhaj ishte në mesin e 430 aktivistëve që u ndaluan dhe u trajtuan në mënyrë skandaloze nga forcat izraelite.

Menjëherë pas sinjalizimit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme udhëzoi ambasadën shqiptare në Izrael për të hyrë në kontakt me autoritetet përkatëse dhe për të siguruar që Baki Goxhaj të përfshihej në grupin e riatdhesimit përmes operacionit të udhëhequr nga Turqia.

Në intervistën me gazetarin Nertil Agalliu, konsulli Shandro tha se pasi ambasadorja shqiptare në Izrael konfirmoi se Goxhaj ishte pjesë e grupit të transferuar me avionët e siguruar nga pala turke, aktivisti shqiptar mbërriti në Stamboll, ku u prit nga stafi konsullor shqiptar.

“Pas sinjalizimit, Ministria e Jashtme ka instruktuar ambasadën tonë në Izrael që ka hyrë në kontakt të menjëhershëm për situatën dhe për të siguruar mundësinë që Goxhaj të ishte pjesë e këtij riatdhesimi në tiranë. Pasi ambasadorja jonë në Izrael u sigurua që Goxhaj ishte pjesë e grupit të riatdhesimit, që u sigurua nga avionët e palës turke, ai ka mbërritur në Stamboll. Është pritur nga unë dhe stafi i konsullatës. Menjëherë sapo ka mbërritur, jemi kujdesur në mënyrë të plotë duke parë gjendjen shëndetësore, por edhe emocionale. Jemi siguruar të ishte i qetë dhe ti jepej mbështetja e menjëhershme”, thekson ai.

Pas mbërritjes në Turqi, ndaj Goxhajt janë ndjekur protokollet e parashikuara për raste të operacioneve humanitare dhe konsullore. Ai ka kërkuar të kryejë kontroll mjekësor në një spital publik turk, kërkesë që sipas konsullit është respektuar menjëherë nga autoritetet shqiptare.

“Pas mbërritjes në Stamboll janë ndjekur protokollet përkatëse të parashikuara nga pala turke. Respektuam protokollet për raste të tilla operacioni humanitar dhe konsullor. Goxhaj ka dashur të ekzaminohet nga mjekët e spitalit publik. E kemi shoqëruar në spitalin repsketiv, i cili ka pasur kujdesin e plotë të mjekëve. Kemi qëndruar deri orët e para të mëngjesit, ku është ekzaminuar në tërësi dhe pasi kemi marrë dakordësinë e mjekësve, kemi munduar ta akomodojmë dhe ta përgatisim për fluturimin drejt Tiranës. Goxhaj gëzonte shëndet të plotë për të udhëtuar drejt Tiranës”, thekson ai.

Konsulli shqiptar në Stamboll bëri të ditur se në momentin e mbërritjes, Goxhaj është pyetur nëse kishte shenja dhune apo shqetësime fizike, ndërsa më pas ka kërkuar vetë të kryente ekzaminime mjekësore.

“Në momentin e mbërritjes në Stamboll, është pyetur nëse ndihej i dhunuar apo kishte dhimbje, dhe ai ka dashur të bëjë kontroll. Kemi respektuar 100% kërkesën e tij. Por vetëm pasi kemi marrë dakordësinë e mjekëve dhe dakordësinë e Goxhajt e kemi dërguar për akomodim në një hotel afër aeroportit”, shtoi Shandro.

Shandro theksoi se vetëm pasi konfirmimit të mjekut që Goxhaj gëzonte shëndet të plotë, dhe pas miratimit nga vetë aktivisti shqiptar, është vendosur që të sillet në Shqipëri.

Ndalimi i aktivistëve të flotës humanitare global Sumud ngjalli indinjatë të thellë botërore sidomos pas të mërkurës kur Ministri izraelit për sigurinë kombëtare Ben Gvir shpërndau pamje skandaloze në rrjetet e tij sociale, ku dukeshin aktivistët e keqtrajtuar dhe ku vetë ministri tallej me ta.