Qindra flamingo kanë mbushur lagunën e Divjakë-Karavastasë duke krijuar një tablo nga e cila nuk i heq dot sytë.
Uji i kaltër dhe tufat e shpendëve rozë me lëvizjet e tyre të sinkronizuara krijojnë një nga skenat më të bukura të natyrës shqiptare
Pamjet i publikoi në Facebook kryeministri Edi Rama.
“Një spektakël i biodiversitetit tonë ndërsa ky park kombëtar mbetet një nga strehat më të rëndësishme për shpendët ujorë në Mesdhe, ku çdo sezon sjell ngjyra në një ekuilibër natyror unik”, shkroi ai.
Flamingot janë shpendë migratorë që lëvizin drejt zonave më të ngrohta dhe kërkojnë ujëra të kripura e të cekëta, aty ku gjejnë ushqimin. Në Shqipëri, përveç Karavastasë, ato shfaqen edhe në Lagunën e Nartës dhe në zonën e liqenit të Pogradecit.
Laguna e Karavastasë konsiderohet një nga zonat më të rëndësishme për shpendët shtegtarë dhe gjatë dimrit kthehet në strehë për mbi 20 mijë shpendë dimërues, duke e bërë një nga habitatet më të veçanta në vend.
Komente











