Kryeministri Edi Rama gjatë takimit që zhvilloi me shqiptarët në Michigan foli edhe për protestat anti-qeveritare që po zhvillohen prej muajsh në Tiranë, të cilat nisën për të kundërshtuar investimin në Zvërnec.
Duke folur për ‘flamingot’ që u bënë simboli i protestave në Tiranë, kryeministri Rama tha se askujt nuk do t’i kishte shkuar mendja që një shpend kaq i hijshëm do ta kthente Shqipërinë në një adresë botërore të një debati shumëplanësh.
“Para pak ditësh po lexoja që jo shumë larg nga këtu ku jemi sot, dy apo tre vjet më parë, disa ‘gjuetarë patash’ vunë re për herë të parë një flamingo. Komisioni shtetëror i regjistrimit të shpendëve në Amerikë e certifikoi zyrtarisht praninë e këtij shpendi dhe e quajti një ‘mega rarity’, një prani jashtëzakonisht e rrallë por siç e dini këtë verë flamingoja u bë figura më popullore e Shqipërisë. Doli nga laguna, erdhi në Tiranë, pushtoi bulevardin, ekranet, pasqyrat digjitale dhe mori vëmendje në të katër anët e globit. Askujt nuk do t'i kishte shkuar mendja deri jo shumë vite më parë se si një shpend aq i hijshëm, por edhe aq i brishtë dhe i urtë, do ta kthente Shqipërinë në një adresë botërore të një debati shumëplanësh për natyrën, për zhvillimin, për turizmin, për ‘Trump-izmin’, por përtej këtij të fundit, që për hir të vërtetës e globalizoi flamingon e Zvërnecit, pati diçka shumë domethënëse në manifestim qytetar të protestës së qershorit që faktikisht tërhoqi jo vetëm vëmendjen por edhe mbështetjen e shumëkujt edhe jashtë Shqipërisë në diasporë”, tha mes të tjerash Rama.
Më tej kryeministri shtoi se shpendët dhe gjallesat deri para pak kohësh masakroheshin në Shqipëri dhe askush nuk donte t’ja dinte.
Sipas kryeministrit Edi Rama shqiptarët kanë nisur tashmë të jetojnë me idenë se ‘ka edhe më mirë’ dhe shoqëria shqiptare sipas tij është bërë më kërkuese.
“E vërteta është që deri dje natyra dhe gjallesat e saj masakroheshin në Shqipëri mbase si askund në botë dhe askush nuk pipëtinte. Deri dje Shqipëria lëndohej në shumë mënyra dhe bota as nuk e shihte, ndërsa shqiptarët as nuk mundej ta shihnin në fakt sepse jeta në Shqipëri zhvillohej me idenë që ka edhe më keq. Sot, kur shumë gjëra kanë ndryshuar, shqiptarët kanë nisur të jetojnë me idenë që ka edhe më mirë dhe pikërisht këtë qasje të re të shoqërisë e vulosi ai manifestim. Një shoqëri që kërkon më shumë, është një shoqëri që është ngritur, që e ka parë horizontin dhe që nuk pranon më ta ulë shikimin, por pikërisht sepse mësuam të kërkojmë më shumë nga qeveria, nga shteti, nga vendi ynë, ne duhet të mësojmë të kërkojmë më shumë edhe nga vetja si pjesë e shoqërisë së re shqiptare dhe sidomos në mënyrën se si ne shohim njëri-tjetrin kur mendimet nuk na puqen”, shtoi Rama.
Në përfundim Rama tha se para vizitës në Michigan disa shqiptarë atje kishin bërë thirrje për protesta. Kryeministri theksoi se është e drejta e tyre të protestojnë, por shtoi se do të kishte dashur që edhe ata të ishin në takimin që ai zhvilloi, për t’i thënë kundërshtitë me zë dhe për t’i marrë përgjigjet me zë.
“Përpara se sa të vija këtu dëgjova që disa shqiptarë të këtij komuniteti kishin bërë thirrje për të protestuar me rastin e vizitës time. Natyrisht që është e drejta e tyre, por do kisha dëshiruar që të ishin këtu edhe ata, përballë meje që kundërshtitë t'i thoshin me zë dhe përgjigjet t’i dëgjonin me zë”, përfundoi Rama.
Lajmi kryesor:
Rama me shqiptarët në Michigan: Nis zbatimi i Strategjisë së Diasporës 2030! Mesazh Kosovës për verdiktin e Hagës: Refuzoni 'varrosjen për së gjalli' të krerëve të UÇK





