Flamuri i Batalionit të vullnetarëve shqiptarë në ushtrinë austrohungareze

Flamuri i Batalionit të vullnetarëve shqiptarë në ushtrinë austrohungareze

Flamuri i Batalionit

Ajo që dëshëroj të tregoj më poshtë nuk është një përshkrim, apo shtjellim i një teme historike, siҫ ndoshta mund ta prisnin shumë lexues, por vetëm një njoftim, një njoftim i thjeshtë, i bazuar në disa dokumente shumë nxitës dhe impresionues, nga ata që të ngrënë mëndjen. Nuk mund të themi se dokumentet u zbuluan, ata ishin në Arkivin e Shtetit, vetëm se në kërkim të origjinës së flamujve më historikë të Shqipërisë lexova para disa vjetëve një raport për veprimtarinë e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar gjatë vitit 1930, ku në zërin DHURATA, ndër të tjera, shkruhej:

A.SH. Fondi 149. Viti 1931. Dosja IV-285.

“BIBLËJOTEKA DHE MUZEJA KOMBËTARE VEPËRIJ’ e BIBLËJOTEKËS’ KOMBËTARE, gjatë vitit’ 1930,TIRANË.

Shtypshktonja “ Mbrothësija” Kristo P. Luarasi 1931

DHURATA   

Z. Dr. Rainholld (Reinhold) – Vjenë

1 flamur’ të Vullnetarëvet’ Shqipëtarë në ushtërin’ e Austrijës’, gjatë luftës’ së madhe; flamuri ka shkabën’ me dy krerë dhe numërin’ 6 të regjimentit’ të Shqipëtarëvetë”.

Githashtu është një shkresë e datës 6 korrik 1930, si më poshtë:

“M.A.

Ni 126/289

Sende të falura

Muzejës’ Kombëtare

Mënistërijës’ së Arësimitë

Qytet

Për dijënijë të së Shkëlq. Mënistërijë shënojëm’ këtu pas sendet’ të falura Muzejës’ Kombëtare ndë këto kohë të funditë.

(Mbasi rreshtohen sendet e dhuruara dhe emrat e dhuruesve, vazhdon):

Z. Dr. Rheinhold-Vjenë

1 flamur’ të të 6 tit’ Regjiment vullnetarësh Shqipëtarë ndë ushtërijën’ Ajshtro- Hungare gjatë luftës së madhe; këtë flamur’ i-a pat’ lënë i ungji’ tijë Z. Richard Dimmel, Kumandanti I Regjimentitë; Na u dorëzua me anën e Z. Izet Bebeziqitë.”

Izet Bebeziqi me origjinë nga Peja, në atë kohë studionte në Vienë. E me sa duket aty e ka takuar Dr. Reinhold dhe për të çuar deri në fund amanetin e ungjit të tij, i ka dhënë flamurin me porosi për ta dorëzuar në Muzeun Kombëtar.

***

Ky flamur ruhet në Fondin Etnografik të Akademisë së Studimeve Albanologjike. Është prej pëlhure të leshtë, i kuq me një shqiponjë të zezë në mes, një shqiponjë disi e ҫuditëshme për nga forma, që nuk ngjason me format e shqiponjave që jemi mësuar të shohim në periudhën e pavarësisë, ose mbas saj. Poshtë shqiponjës është numuri 6. Anash konturohet nga një varg trekënëshash. Në krahë të majtë është vendi ku futej shtiza, apo litari. Kjo është prej pëlhure pambuku, ngjyrë gri në të kaltërt. Dimensionet janë 120 cm me 85 cm.

Me të jam njohur nëntëmbëdhjetë vjetë më parë. Na u dha një mendim nga historianët e ushtrisë se ky mund të ishte flamuri i njërit prej nënreparteve të batalioneve të parë të ushtrisë shqiptare, të cilët i u dorëzuan Muzeut Kombëtar nga Aqif Përmeti me urdhër të Ahmet Zogut. Në shkresat përkatëse thuhet se u dorëzuan pesë flamuj të batalioneve, por në shkresat që kemi në dispozicion përmenden gjithmonë katër: Sulmues, Shkumbini, Erzeni dhe Vjosa. Përmendja e flamurit të pestë dhe lënia pa emër, të ngatarronte. Gjithmonë kam qenë dyshues për këtë flamur, jo vetëm nga forma e shqiponjës, por edhe nga pëlhura e leshtë, tepër e ngjashme me pëlhurën e flamurit të Princ Vidit. Dhe ja ku erdhi e sotmja dhe enigma u zbulua. Por jo historia e plotë e tij dhe kuriozitetet që lidhen me të. Do të duhet akoma shumë punë për të shkruar jetën luftarake dhe personazhet që e bënë muzeal.

Gjatë kërkimeve të mëtejshme i u drejtova Muzeut te ushtrisë në Vienë. Ata nuk e prisnin që flamuri të ndodhej në Shqipëri. Në korespondencën përkatëse më sqaruan se Richard Dimmel ishte një mjeshtër i kalërimit në Repartin e dytë të Xhandërmarisë vendore të Bohemisë, që në vitin 1916 u transferua në territoret e pushtuara. Por në mesazhet e tyre ata nuk përmendin kurrë fjalën “regjiment”, por “batalion”. Po Muzeu Kombëtar, pse?

Historiani Marenglen Kasmi, specialist në kërkimet për ushtrinë, më ka treguar se gjatë Luftës së parë botërore ushtria austro-hungareze organizoi batalione pune me vullnetarë, që nuk u shquan për kushedi se cfarë. Batalioni 6 vepronte ne zonën e Lushnjes. Madje më ka dhënë edhe një foto të uniformës së këtyre batalioneve, që e ka parë në Muzeumin e ushtrisë në Vienë.

Ndërsa një foto e një ushtari, ndoshta të këtij batalioni, ruhet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe e ka postuar ne facebook Z. Artan Lame.

Si edhe flamujt e tjerë që ruhen në fondin etnografik, ai u bë pjesë e këtij fondi në vitin 1946, apo 1947, në kuadër të Institutit të Shkencave. Nuk dihet se përse u neglizhua dhe mbeti i painventarizuar. Dhe të mendosh që në atë institut punonin ikona të shkencës shqiptare, që kanë qenë punonjës edhe të Muzeut Kombëtar dhe e dinin se ҫfarë kishin! Në vitin 2000 u bë një ndërhyrje konservuese. Mund të thomi se ruhet mirë. E vetmja e metë është ekzistenca e disa njollave prej ndryshku në pëlhurën anësore, ku kalonte shkopi. Me kimikatet që kishim në dispozicion në atë kohë ishte e rrezikshme të ndërhyhej për ta larguar. Por edhe ta lësh është negatve, sepse ndryshku e kalb pëlhurën e pambuktë. Ka edhe disa grisje anësore, kështu që do të duhet një ndërhyrje e dytë, e lehtë, për ta shpëtuar përfundimisht. Por kjo nuk i ndalon studimet e domosdoshme, që jo vetëm do të shuajn kuriozitete të tjera, por që do ta pasurojnë edhe më, muzeologjinë shqiptare.

***
Izet Bebeziqi, krijoi biblioteken personale në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare: “Biblioteka-Illyria-Bebeziqi”, me 1/11/1921. Kreu studimet në Austri në vitet 1918-1934. Njihte njëmbëdhjetë gjuhë. Që student u njoh me Joklin, nga merr frymëzimin dhe nxitjen për të punuar në fushën e kërkimit shkencor, gjuhësor dhe letrar. Shkroi në gazeta italiane dhe sidomos tek “Shqipëria e Re” e Konstancës, me pseudonimin “Bartholotus”. Studioi ngulimet arbëreshe në Itali, De Radën, Santorin, Seremben, Kripsin, etj. Mblodhi këngë popullore në shumë krahina të vendit. Bashkëpunoi me shumë organe shqiptare, si kombi, “Fryma”, “Fjala” e Korçës, “Revista Letrare”, etj.

Studimet e tij përfshijnë një hapësirë kohore nga viti 1920, e deri në vitin 1944. Besnik Dizdari ka shkruar në vitin 1994 “Përse është i madh Izet Bebeziqi”, ndërsa Fadil Podgorica shkruan tek “Shkodra”: “Një mik i Sandro Pertinit”.

Në vitin 1994 i u akordua titulli “Mësues i popullit”.

Nga Frederik Stamati

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja