Lara Colturi, skiatorja italo-shqiptare ia doli që për herë të parë të ngjitej në podium si vendi i dytë në Kupën e Botës për Ski, në garën e Obergurgl në Austri.
Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë u rendit e dyta në garën e Sllalomit vetëm 55 të qindtat pas kampiones amerikane Mikaela Shiffrin, e cila mban numrin rekord të 99 garave të fituara në Kupën e Botës.
Tifozët votuan 18-vjeçaren Colturi si më të preferuarën, duke i dhënë 69 % të pëlqimeve për atë që tregoi të shtunën e kaluar në pistë. Lara, në një intervistë për Federatën Ndërkombëtare të Skive ka rrëfyer emocionet e garës dhe faktin se nuk e priste këtë rezultat, ndaj ishte gati të qante.
“Jam vërtet shumë e lumtur. Ndihesha shumë mirë në stërvitje ditët e fundit, kam qenë duke u stërvitur me Henrik Kristoffersen (kampion i dyfishtë i botës) dhe disa djem të tjerë”, tha Colturi.
Lara tregon se ishte gati për të derdhur lot.
“Madje më erdhi të qaja pas garës, është thjesht e mrekullueshme. Më duhet të them se ishte një ditë shumë emocionuese. Qëllimi im ishte thjesht të përpiqesha të shprehesha sa më mirë, të ndihesha po aq mirë sa ndihesha në stërvitje”, u shpreh me tej Colturi.
“Pashë mamin dhe babin të emocionuar, aty ishin të pranishëm edhe gjyshërit e mi, ishte Yuri (vëllai i vogël) që ishte ndoshta më i emocionuari nga të gjithë. Ndihesha mirë dhe doja ta përcillja këtë në garë dhe ia arritëm”, tha ajo.
Më pas 18-vjeçarja që ka nderuar Shqipërinë në ski, tha se nuk e mendonte podiumin, por është e fokusuar që ta bëjë mirë punën e saj.
“Dua të falënderoj njerëzit që janë pranë meje, të gjithë ata që punuan përkrah meje duke besuar tek unë. Nuk e mendoja se mund të ngjitesha në podium ose të paktën në atë pozicion. Isha e fokusuar vetëm në idenë për të skijuar mirë dhe për t’u argëtuar sa më shumë që të ishte e mundur”, përfundoi Lara Colturi.
Lara ngriti flamurin kuqezi në podium dhe në klasifikimin e përgjithshëm të Botërorit merr vendin e shtatë me 95 pikë pas tre garave të para në këtë sezon. Botërori i Skive vijon me garën e radhës këtë fundjavë në Killington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.