Flasin pronarët e tokës: Pa kullat
nuk ka as xhami të Namazgjasë

Flasin pronarët e tokës: Pa kullat<br />nuk ka as xhami të Namazgjasë
TIRANE- Dy ditë pasi kryeministri i vendit Edi Rama, anulloi lejen e paraardhësit të tij, për ndërtimin e kompleksit të Namazgjasë që përfshin xhaminë dhe një qendër tregtare, dalin në dritë detaje që tregojnë për një marrëveshje të pastër biznesi mes KMSH dhe pronarëve, sipas të cilës nuk ka xhami pa ndërtuar edhe pronarët.
 
Projekti për ndërtimin e Xhamisë së madhe të Tiranës, pas anullimit të vendimit nga KKT-së, për pezullimin e objektit 8-katësh në këtë zonë, duket se nuk do të mund të realizohet. Alban Bala, nipi dhe përfaqësues i familjes së Jusuf Krujës, që i ka dhënë Komunitetit Mysliman 2030 metra katrorë tokë për ndërtimin e Xhamisë së madhe, në një intervistë për “Shqiptarja.com”, shprehet se nëse nuk do të ndërtohet objekti i tyre i biznesit, atëherë Komuniteti Mysliman nuk ka punë në pronën e tyre, pasi marrëveshja noteriale që kanë nënshkruar palët ka qenë shumë e qartë për marrëdhënien e vendosur. Ai thotë se ndihet i zhgënjyer edhe nga KMSH, e cila ka nxituar të përgëzojë vendimin e Ramës, që në të vërtetë i ndalon ndërtimin e xhamisë.

Zoti Bala çfarë marrëveshje keni ju një marrëveshje me KMSH për ndërtimin e Xhamisë tek Namazgjaja?
Familja Kruja, që unë përfaqësoj, ka në kufi me Komunitetin Mysliman 3030 metra katrorë tokë, ndërkohë që vetë KMSH ka 3500 metra katrorë truall në këtë zonë, plus 2500 metra katrorë, që i janë dhënë me një VKM, nga ana e Parlamentit. Një vit e gjysëm më parë KMSH na u ofrua vetë për të gjetur një zgjidhje, pasi donte të ndërtonte xhaminë. Ne i ofruam mundësinë për ta blerë, por ata na thanë që të shikonim një mundësi tjetër, pasi sipërfaqja e tyre ishte në formë L-je dhe e pamjaftueshme për atë që donin të ndërtonin. Kështu që ramë dakord, edhe me një marrëveshje noteriale, që ata do të merrnin nga pjesa jonë, me kusht që e gjithë kjo zonë të zhvillohej në një, pra edhe ne të mund të ndërtonim diçka. Dhe kështu u bë.

Çfarë do të ndërtonit ju?
Gjurma që na u caktua neve, ku do të ndërtonim ishte 1000 metra katrorë, ndërsa 2030 metra katrorë ia dhamë KMSH-së, nga të cilat 700 metra katrorë do të përdoreshin për ndërtim, ndërsa 1330 metra katrorë të tjerë do të ishin si ambiente rrethuese. Kanë qenë arkitektët e Komunitetit Mysliman që na kanë përcaktuar sa kate do ndërtojmë, në mënyrë që të mos pengohej pamja e xhamisë, ku do ta ndrëtojmë, sa do ta ndërtojmë, si do ta ndërtojmë dhe çfarë pamje do të ketë, në mënyrë që të përshtatej me arkitekturën e xhamisë. Pra gjërat kanë qenë të qarta që në fillim, nuk ka leje zhvillimore të xhamisë, (me këtë projekt aktual) nëse ne pronarët e tokës, nuk lejohemi të përdorim një pjesë të saj. Dhe kështu është bërë. Leja e zhvillimit të kësaj zone është marrë më një, nuk ka leje të ndarë, por të përbashkët.

Por me anullimin e lejes së objektit tuaj, a mund ta përdorë KMSH pronën tuaj për xhaminë?
Me anullimin e lejes së objektit tonë, automatikisht bie edhe projekti i Xhamisë, të paktën ky projekt që ata kanë thënë se do të ndërtojnë aty. Ne ia kemi bërë të qartë KMSH-së, se nëse ne nuk ndërtojmë, atëherë myslimanët nuk kanë punë në tokën tonë.

Por KMSH dje doli dhe tha se projekti i xhamisë do vazhdojë...?
Unë u habita me thënë të drejtën nga reagimi i KMSH-së, që përshendeste vendimin për anullimin e objektit tonë. Ata e dinë fare mirë se kjo do të thotë automatikisht edhe anullim i xhamisë, të paktën siç është ky projekt. Kam mbetur i zhgënjyer edhe për faktin se unë shpresoja të gjeja tek KMSH një aleat për të kundërshtuar vendimin e KKT-së, pasi të dy palët prekemi nga ky vendim.

A do të ndërmerrni ndonjë veprim ligjor për vendimin e KKT-së?
Unë po bëj gati dosjen dhe do të nis rrugën ligjore ndaj vendimit për anullimin e kësaj lejeje, pasi kjo pronë na është kthyer më 1994, e kemi të regjistruar dhe të hipotekuar, na është dhënë një leje për të ndërtuar dhe tashmë ajo është një zonë ku mund të ndërtohet. Unë nuk e di mbi çbazë ligjore, Këshilli Kombëtar i Territorit anulloi lejen. Nëse aty mund të ndërtojë dikush tjetër, sigurisht që edhe ne duam ta shfrytëzojmë pronën tonë, ndaj ne do të vazhdojmë betejën ligjore.

Shkrimi u publikua sot (10.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë