Eurodeputeti Knut Fleckeinstein nuk rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian në draft-rezolutën e tij. Sipas dokumentit vlerësohet se, duhet një vullnet politik i vazhdueshëm dhe aksione konkrete për transformimin demokratik të vendit dhe zbatimin e reformave të integrimit. Edhe pse në draft-rezolutë vlerësohen pozitivisht disa hapa të ndërmarrë nga qeveria shqiptare, kërkohet zbatim rigoroz dhe rezultatet konkrete lidhur me 5 kriteret e përcaktuar nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë në BE.

Me rëndësi sipas raportit, është bashkëpunimi politik mes të gjitha palëve dhe konkurrenca e ndershme. Ndërkohë që shprehet shqetësimi për polarizimin e vazhdueshëm politik, që sipas tij raportuesit mund të rrezikojë përpjekjet integruese në BE.

“I rikujtohet koalicionit qeverisës dhe opozitës, se kanë përgjegjësi të përbashkët ndaj qytetarëve për një dialog politik të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv Kjo do të ndihmojë në reformat e mëtejshme. Bëhet thirrje për krijimin e shpejtë të një Këshilli Kombëtar Gjithëpërfshirës për Integrim Evropian për të përfshirë përfaqësues të shoqërinë civile dhe të institucioneve të pavarura me qëllim sigurimin e një konsensusi të gjerë kombëtar për reformat e procesit të anëtarësimit në BE”, thuhet në draft-rezolutën.

Reforma e gjyqësorit është një tjetër kusht, ku Shqipëria pritet të bëjë hapa të mëdha përpara. Vihet theksi te mangësitë të tilla në gjyqësor si politizimi, llogaridhëna e kufizuar, niveli i lartë i korrupsionit, burimet e pamjaftueshme dhe të prapambetura. Draft-rezoluta e raportuesit Fleckeinstein thekson rëndësinë kritike të shërbimit mediatik publik dhe të mediave private profesionale, të pavarura, ndërsa nga ana tjetër thekson krijimin e një sistemi funksional të besueshëm për t’ju përgjigjur nevojave të qytetarëve.

Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian pritet të shqyrtojë projektrezolutën për Shqipërinë, bazuar në gjetjet e raportuesit Knut Fleckenstein. Eurodeputeti socialdemokrat vizitoi Tiranën në mes të janarit dhe pas dy javësh dorëzoi pranë sekretariatit raportin e tij ku mbizotëron thirrja për dialog politik.

Korrupsioni

“Të forcohen përpjekjet për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet, të rriten kapacitete institucionale dhe shkëmbimi i informacionit ndër-institucional; Mirëpritet emërimi i Koordinatorit Kombëtar Anti-Korrupsion, që do të koordinojnë përpjekjet dhe do të monitorojë zbatimin në nivel qendror dhe bëhet thirrje për miratimin e një strategjie anti-korrupsion. Nënvizohet nevoja e zhvillimit të një gjurme provash të konsoliduara lidhur me hetimet, ndjekjet dhe dënimet në të gjitha nivelet, duke përfshirë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, thuhet në dokumentin prej 26 faqësh.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore

“Duke njohur suksesin e operacioneve të policisë kohët e fundit, Shqipëria duhet të zhvillojë një qasje strategjike gjithëpërfshirëse dhe të ndërtojë një gjurmë të fortë provash të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve”, deklarohet në draft-rezolutë.

Disa nga rekomandimet në draft-rezolutë:

Pika B

Ndërsa miratimi konsistent dhe zbatimi efektiv i reformave të qëndrueshme mbi 5 prioritetet kyçe shërbejnë për transformimin demokratik të Shqipërisë dhe i hapin rrugën nisjes së negociatave të anëtarësimit në BE;

Pika C

Anëtarësimi në BE është një proces gjithëpërfshirës që i takon vendit dhe gjithë qytetarëve të tij; ndërsa mungesa e dialogut të qëndrueshëm politik mund të pengojë progresin e mëtejshëm në procesin e anëtarësimit; Shqipëria ka nevojë për një konsensus kombëtar mbi agjendën e reformës;

Pika 10

Fton autoritetet kompetente të nxisin integritetin dhe pavarësinë e institucioneve kyçe të demokracisë, sikundër dhe depolitizimin e gjyqësorit; fton autoritetet kompetente të procedojnë pa vonesa të tepërta në dhënien e drejtësisë për viktimat e ngjarjeve të 21 Janarit 2011/shekulli/

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)