TIRANE - Tre punonjës të policisë kufitare të Kukësit dhe një punonjëse e agjencisë doganore në Tiranë është arrestuar, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dhënë fletëhyrje fiktive për automjetet që hynin në territorin shqiptar. Dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të shtetit llogaritet mbi 50 mijë euro
 
Efektivët e shpallur në kërkim janë Fatos Ahmati, Petrit Daut si dhe Behar Dida, për këta efektivë policie gjykata ka vendosur maasën e sigurisë arrest me burg në mungesë.

Me anë të një skeme fiktive këta punonjës policie, sipas Ministrisë së Brendshme, lëshonin fletë-hyrje fiktive për automjetet të cilët për të shmangur penalitet e ditë qëndrimeve, kur bënin zhdoganimin shmangin gjobat.

Kjo skemë e evazionit, sipas hetimeve rezulton se kryhej nëpërmjet Agjensisë Doganore “Celmani” në Vorë, e në pranga ka rënë dhe agjentja doganore Afërdita Kraja.
 
Njoftimi i plote i Ministrise se Brendshme
Në datën 07.07.2014, mbi bazën e hetimeve të kryera nga strukturat e hetimit në Drejtorinë e Përgjithëshme të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë me kërkesë të Prokurorisë vendosi masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, ndaj tre punonjësve të policisë dhe një shtetaseje si më poshtë:
 
Komisar Fatos Myftar AHMATI, me detyrë Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare, Shishtavec, qarku Kukës.
N/Komisar Petrit Sali DAUTI, me detyre Përgjegjës Turni, në P.K.K Morinë, qarku Kukës.
Inspektor Behar Enver DIDA, me detyrë kontrollor në P.K.K Morinë, qarku Kukës.
Shtetësja Afërdita Ramiz KRAJA, punonjëse e agjensisë doganore “ÇELMANI”, Vorë, qarku Tiranë. 

Për këta persona nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është regjistruar procedimi penal për veprat penale të “Falsifikimit kompjuterik” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga nenet 186/a dhe 245/1-2 të K.Penal.
 
Nga hetimet proaktive të zhvilluara nga ana e SHKB-së në bashkëpunim me Prokurorinë ka rezultuar se personat e sipërcituar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me qëllim përfitimi në mënyrë korruptive kanë bërë në disa raste, në kohë të ndryshme, regjistrime fiktive të hyrje-daljeve në Pikat e Kalimit Kufitar Kukës të disa mjeteve. Pas regjistrimit fiktiv janë kryer veprimet e zhdoganimit. Për këto veprime të kundraligjshme punonjësit e policisë së bashku me punonjësen e agjensisë doganore kanë përfituar shuma të konsiderueshme në lekë.
 
Nga ana e SHKB më datë 08.07.2014 u bë ekzekutimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasen Afërdita Ramiz Kraja e cila ka konsumuar veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1-2 të K.Penal ndërsa për tre punonjësit e policisë Fatos Ahmati, Behar Dida dhe Petrit Dauti për shkak se u janë shmangur hetimeve, u bë shpallja në kërkim e tyre.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)