TIRANE- Vrasja e Artan Santos i ka prekur të gjithë, por njerëzit që e njihnin nga afër prej vitesh siç ishin edhe fqinjët e tij, janë ata që janë çuditur dhe tronditur më shumë nga kjo ngjarje. Fqinja e tij, zonja Fatime Dervishi e kujton si një njeri mjaft pozitiv, e me mjaft vlera, i cili nuk ka pasur kurrë konflikte familjare apo shoqërore. Ajo i bën apel shtetit që të hetojë për të gjetur fajtorët. Për Fatime Dervishin, Artan Santo nuk zëvendësohet më por dora që e vrau atë duhet të gjendet patjetër dhe emri i Artan Santos të mbetet i paharruar.

“Ishim fqinj prej vitesh me Artan Santon. Ai ishte një djalë i përkryer, një komshi, mik dhe prind i mirë. Mbi të gjitha ishte një njeri shumë i përkushtuar pas punës. Dëgjova me kënaqësi bisedën e zonjës Tinka Kurti, më preku sepse foli për virtytet e Tanit që i vogël e deri sot kur e vrau dora kriminele. Ju lutem për hatër të Zotit të gjenden kriminelët. Artan Santo nuk zëvendësohet më, por dora që e varu atë të mos harrohet 7 breza, dhe emri i Artan Santos të mbetet i paharruar. Unë e mbaj mend pa konflikte familjare shoqërore, unë e kam pasur komshi derë më derë, çelësi i shtëpisë time rrinte te shtëpia e tij dhe çelësi i shtëpisë së tij rrinte tek ne. I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Santo," tha Dervishi.

Ndërkohë, Policia dhe grupi hetimor i ngritur prej saj vazhdon punën për rënien në gjurmë të autorëve të vrasjes mafioze të ndodhur një ditë më parë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku gjeti vdekjen biznesmeni Artan Santo.

Burime nga uniformat blu pohojnë se deri më tani janë shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit ose të personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen rreth 20 vetë. Vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi është takuar në orët e vona të mbrëmjes të së enjtes dhe sërish në orët e para të së premtes me nëndrejt orin e Policisë, Sokol Bizhga. Mësohet se Didi ka kërkuar të njihet mbi ecurinë e hetimeve deri më tani.

Ndërkohë, një grup të posaçëm hetimor me urdhër të kryeprokurorit Adriatik Llalla ka ngritur edhe Prokuroria e Përgjithshme.

Marrë nga "Kosova Press"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)