Flet Mira Mita: Regjimi
e shihte shtrembër Sherin

Flet Mira Mita: Regjimi <br />e shihte shtrembër Sherin
Në orët e para të mëngjesit, pak para ceremonisë së lamtumirës takojmë Marijen, bashkëshorten e Sheri Mitës, veshur me të zeza. Është një grua fisnike dhe e pashme, rrethuar nga miq e mikesha pa fund të të shoqit. U habita sesi me aq hijeshi e mirësjellje, pas çdo pritjeje të ngushëlluesve, me atë urtësi të lindur, me zërin e saj të butë plotësonte edhe intervistën tonë. Barra e dhimbjes për ikjen e njeriut më të dashur ishte e madhe. Mes rreshtave të kësaj interviste rrjedhin herë pas here lotët e saj, ngashërimet ku lexuesi s’ka si të mos i ndjejë. Marijes i dhimbte shpirti për ikjen e parakohshme nga kjo botë të njërit prej njerëzve më të palodhur të artit skenik e të kinematografisë shqiptare. Sheri Mita ende nuk i kishte mbushur të 70-t. Ndaj shoqja e tij e jetës Marija mes zisë së ditës së djeshme u mundua të hidhte sa më shumë dritë mbi jetën e artistit. Ajo rrëfen për Shqiptarja.com se kush ishte në jetën e përditshme Sheri Mita, dhe sesi e ndoqi në kohën e diktaturës si hije biografia e të atit Shefki Mitës, i cili kishte mërguar në Amerikë. Cila qe jeta e tyre në kushte të vështira, kur banonin në një dhomë e një kuzhinë tre fëmijët, ata dhe vjehrra. Marija tregon se çfarë shkruhej në letrat që merrnin nga Amerika, të cilat lexoheshin nga Sigurimi i Shtetit dhe për dhimbjen që ndien kur i porositën të mos i merrnin më ato letra se do ta pësonin. Sheri mbeti jetim gjashtë muajsh me nënën tepër të re, 21- vjeçare, thotë ajo. I dhimbset kur mendon se ai u rrit jetim me babanë gjallë. Mes të tjerave ajo tregon sesa janë lënduar për largimin e Sherit nga Tirana në rrethe të tjera të vendit; si ia penguan letrat e babait që i dërgoheshin nga Amerika dhe sesi babai për ditën e martesës u shtroi drekë studentëve me foton e Sherit dhe të Marijes mbi tavolinë.


Zonja Marije, për publikun bashkëshorti juaj Sheri la pas shumë kujtime me rolet e veprat e tij. Për ju sot cili është kujtimi më i çmuar?
-Iku Sheri im i dashur. Më la. Kujtoj jetën, 40 vjet që kam kaluar me Sherin. Më mungon shumë. Ne jemi njohur që në fëmijëri, kishim shoqëri, sepse i kishim shtëpitë afër, edhe lidhja mes familjes sime e të Sherit ishte e fortë. Babai im dhe babai i Sherit kishin qenë shokë në normalen e Elbasanit. Babai i Sherit ishte një nga më të shkëlqyerit e Normales. Kështu unë e lidha jetën me Sherin. E doja shumë. Atë e karakterizonte një mirësi, një respekt për njerëzit, për shokët. Ishte i ndershëm, i talentuar, punëtor, sakrifikonte veten për gjithçka, por më i përkushtuar ishte për artin.

Sa e lehtë është të jetosh me një artist kaq të përkushtuar që bunet aktorin, regjisorin, skenaristin?
-Pikërisht për të bërë këto ai punonte shumë, ai punonte natën në kushte jo të mira. Përpiqesha ta ndihmoja dhe vuaja e gëzohesha bashkë me të.

Kishte ai një studio ku të merrej me punët e profesionit të tij?
-Jo nuk ka ekzistuar kurrë një studio. Ne gjithë jetën kemi jetuar në një dhomë e në një kuzhinë në kushte jo të mira. Megjithatë, kishim një familje të ngrohtë dhe bënim një jetë të mirë me njëri-tjetrin. Këto vështirësi nuk na penguan ne që ta donim njëri-tjetrin, që të kishim një jetë t lumtur me fëmijët, t’i rrisnim e t’i çonim nëpër shkolla. Por Sheri e kishte shumë më të vështirë jetën, sepse me talentin që kishte si regjisor, si aktor, me pasionin për skenën nuk ecet dot përpara siç dëshironte. Ai është siç ju e dini autor i shumë dramave dhe komedive shqiptare. Punonte e punonte edhe atë hyrje të ngushtë vetëm me dy dhoma, ku rrinin fëmijët dhe mamaja e Sherit, e cila që në moshën 21 vjeçe ngeli grua e vetme, sepse i shoqi u largua në Amerikë. Ajo e lidhi jetën me Sherin, sepse e kishte djalë të vetëm. Pra në një dhomë e kuzhinë jetonim së bashku me tre fëmijët, ku bëheshim gjashtë vetë. Kuptohet as fëmijët, dy djemtë dhe vajza nuk kishin ambientet për të studiuar normalisht, por më shumë Sherit i mungoi një studio. E megjithatë, asgjë nuk e pengoi që ai ta bënte sa më të pasur aktivitetin e tij artistik.

Cila ishte arsyeja që babai i Sherit, Shefki Mita, u largua në Amerikë ndërkohë që kishte lënë në Shqipëri djalin dhe gruan mjaft të re?
-I ati ishte me studime në Austri, me një bursë që ia kishte dhënë Mbreti Ahmet Zogu. Ai nisi studimet në Vjenë të Austrisë për inxhinieri vaporësh, pasi këtu në Shqipëri ishte një student i mirë që kishte kryer normalen e Elbasanit me rezultate shumë të mira. Ishte shumë studioz dhe që në atë kohë ai zotëronte dy gjuhë dhe dinte t’i binte mirë violinës. Shefkiu ishte një njeri që donte të ecte përpara. Kur e mori atë bursë ishte mësues në Borsh dhe në moshën 26 vjeçare shkoi në Austri. Atje bëri dy vjet studime për inxhinier vaporësh. Në vitin 1945 qeveria komuniste shqiptare bëri thirrje të ktheheshin të gjithë këta që kishin ikur me të drejtë studimi. Ai u trondit shumë, sepse nuk mund ta mendonte jetën pa përfunduar studimet. Nuk u kthye më në Shqipëri, por iku në Amerikë. Dhe... këtë vajtje të tij në Amerikë, Sheri e vuajti gjithë jetën. I ati punoi ca kohë në punë të çfarëdoshme sa për të krijuar ekonomi për të vazhduar studimet, pastaj vijoi studimet për gjuhë të huaja. Ishte mësues për shtatë gjuhë në një shkollë të mesme në fillim në Baltimore, pastaj në Filadelfia dhe në shumë vende të tjera. Ditë e fundit, para se të vdiste (vdiq më 1979-n), ai konkurroi në Universitetin e Ohajos dhe zuri vendin e parë në konkursin e zhvilluar atje, sepse ai jepte mësim atje. Janë gjithë këto merita, por Sheri vetë nuk gëzonte asnjë meritë të babait të tij. Madje nuk guxonte të thoshte as baba.

A kishte bërë përpjekje vetë babai i Sherit për të kontaktuar?
-Ai bënte vazhdimisht përpjekje për të kontaktuar dhe herë i merrnim letrat e herë të tjera nuk i merrnim. Kuptohet që vetë sistemi atëherë i hapte dhe i lexonte duke survejuar gjithçka, por ai mund të sillte shenjat e një ndjenje shpirtërore si malli për atdheun, malli për gruan, për fëmijën. Ai e dinte ecurinë e mbrapshtë të vendit tonë. Ne mundoheshim nëpër letra t’i shkruanim ndonjëherë, por e kishim të vështirë të thoshim diçka hapur. Por ai e dinte mirë si shkonin punët në Shqipëri dhe nuk i zinte në gojë këto gjëra. Disa gjëra na i thoshte me nënkuptim, me figura letrare. “Dëgjoni fytyra ime s’ka asnjë plagë, asnjë puçër që të më shëmtojë”. Na shkruante kështu sepse këtu njerëzit hapnin shumë thashetheme sikur ai ishte agjent, jo ishte ashtu, jo ishte kështu. Unë nuk dua t’i zë shumë në gojë se ç’thoshin, sepse edhe vetë Sherit nuk ia thosha kur i dëgjoja. Atij nuk i vinte mirë të flisnin kështu mbi babanë e tij.

Arritët ta njihnit ju vetë babanë e Sherit?
-Vetëm nëpërmjet tregimeve dhe kujtimeve të mira që la pas. Dua të them se kur shkojmë sot në Filadelfia për babanë e Sherit njerëzit flasin me shumë respekt. Atje i janë regjistruar shumë merita, për të cilat ai ka punuar me shumë e përkushtim. Njohja jone mbeti mes letrave, por edhe ato ishin tepër të rralla, vetëm si shenjë malli. Jepnim e merrnim lajme në ndryshimet që bënte jeta jonë familjare, kur lindte ndonjë fëmijë, ose bëheshin martesa të të afërmve. Desha të shtoja edhe këtë që është shumë e rëndësishme: që kur i kemi dërguar datën e martesës së Sherit ai na shkruante në letër se “kam bërë një drekë me nxënësit e mi dhe vendosa fotografinë tuaj mbi tavolinë”. Sheri i vuante të gjitha këto shumë.

Edhe pse nuk kthehej dot në Shqipëri. Kujdesej dot Shefki Mita nga larg për familjen në atë kohë?
-Ishte shumë baba i dashur, por nuk mund të vinte dot. Do ta dënonin po të vinte. Ishte më keq nëse kthehej. Ai nuk u martua asnjëherë në Amerikë. “Njëherë jam martuar unë. Nuk martohem më”, thoshte. Në vitet e para na dërgonte më shumë letra. Më pas shumë rrallë, sepse me urdhër nga lart, dikush e këshilloi Sherin të mos i merrte më letrat e babait se “do të digjej”. Dhe ne..., për shumë kohë nuk i morëm dot letrat. Vetëm në vite e fundit kur u liberalizuan disa gjëra ne mundëm të komunikonim por shumë rrallë. Duhet të mendoheshim mirë para se të shkruanim, se çdo gjë kontrollohej.

Nëna e Sherit ishte shumë e re, si e përballoi jetën vetëm me të birin foshnje?
-Nëna e Sherit ishte një grua kapedane, një grua e fortë. I rriti fëmijët me sakrifica të dy. Ishte vetëm 22 vjeç dhe jetoi me ta dhe vjehrrën të paralizuar. Ngeli 21 vjeçe pa burrë. Ajo bënte punë nga më të ndryshmet për të rritur të birin e për të mbajtur familjen. Erdhi nga fshati Fterrë në Tiranë kur Sheri ishte 6 vjeç. Ishte shumë fisnike, e ndershme dhe punëtore. Me djersën e mundin e saj i mësoi fëmijët të shkolloheshin dhe të kulturoheshin.

Nëse ju kujtohen çfarë ngjarjesh kanë shkaktuar ngjitjen dhe zbritjen në karrierën e Sherit, ngaqë kishte babanë në Amerikë?
-Për mendimin tim, çfarëdo që i bënë të tjerët Sheri nuk ka pasur ulje ose ngritje në karrierë. Ai kishte një vuajtje shpirtërore, sepse Sheri vuante kur konkurrohej për role të ndryshme. Atij i afroheshin role episodikë shumë të vegjël. Megjithatë Sheri i merrte përsipër, sepse kishte dëshirën dhe talentin për të mos hequr dorë nga filmi. Nuk u dorëzua kurrë, dhe ato role episodikë ai i ngrinte në piedestal. Nuk e them këtë sepse ishte bashkëshorti im...

Mos u shqetësoni, unë nuk e kisha pyetjen për rëniet ose ngritjet artistike, e kisha fjalën për zbritjet në detyrë, kur dikush mund t’i ketë thënë, nuk e ke vendin këtu, sepse babai yt ...
-Sherit zakonisht nuk ia thoshin hapur, se po të heqim ngaqë ti ke babanë në Amerikë, por i thoshin siç ndodhi më 1976-n, kur e hoqën nga Tirana dhe e dërguan në Berat: “Do të krijohet trupa teatrore e Beratit dhe ka nevojë për një regjisor të mirë”.

Sa vite e lanë Sherin në Berat?
-13 vjet. 13 vjet ishim të dy atje. Unë isha mësuese në një shkollë bujqësore, sepse kam mbaruar për mjekësi veterinare. Ai ishte regjisor i rrethit. Por Sheri nuk ndihej keq sepse së paku nuk e kishin larguar përfundimisht nga arti, por ishte i vrarë shpirtërisht. Për talentin që kishte, ai nuk e kishte merituar të largohej nga kinemaja dhe teatri, nga regjisorët më të mirë të Teatrit Kombëtar në atë kohë. Atij i digjej shpirti që të ishte aktiv si aktor, të provonte role të mëdha (qan).

Nuk duhet të dëshpëroheni, sepse ai jo vetëm për publikun por edhe sipas mendimit të profesionistëve mbeti një artist i madh.
-Pikërisht për këtë më ka ngelur peng, sepse ai mund të bunte më shumë. Është e vërtetë që të gjithë e admironin dhe e vlerësonin talentin, prandaj ata që ia prisnin rrugën nuk i dilnin dot ballë përballë. Por për publikun Sheri ishte njeriu më i dashur. Sheri nuk është vetëm njeriu im i dashur, është i të gjithëve.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza