Flet vajza: Komentet e pahijshme 
 të Xhungës për Kristo Frashërin

Flet vajza: Komentet e pahijshme <br /> të Xhungës për Kristo Frashërin
TIRANË - Nuk kanë kaluar as pak javë nga momenti i dhimbshëm kur ne të tre fëmijët humbëm babanë tonë të vyer, Prof. Dr. Kristo Frashëri . Ndryshe nga udhëtimet e mia të shpeshta në Tiranë gjatë këtyre njëzet  vjetëve të fundit, të cilat pak a shumë kanë qenë të programuara , këtë radhë erdha me një frymë, ndonëse kishte kaluar vetëm një çast kur e putha me mall Prof. Frashërin, qëkurse i  kisha  bërë vizitën e fundit në Tiranë.

Edhe sot e kësaj dite, më del para syve fytyra e tij buzagaz, kur e thërrisja kështu, ndonëse isha vajza e tij. I pëlqente, sepse i kujtonte mënyrën se si i drejtohesha  kur takoheshim nëpër konferenca brenda dhe jashtë atdheut.

Fillimisht, do të doja të shpreh edhe një herë publikisht  falënderimet e mia të sinqerta për respektin e thellë  dhe nderimin prekës që ju bë Prof. Frashërit. Një varg i gjatë institucionesh të rëndësishme shtetërore u rreshtuan atë ditë shkurti me diell, duke filluar nga Akademia e Shkencave, Presidenca, Kryeministria,


Ministritë e ndryshme, Institucione shkencore dhe akademike,  qeveritarë dhe përfaqësues të partive të ngjyrave të ndryshme politike, organizata të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare, miq të vjetër e të rinj të babait tonë, miqtë e fëmijëve të tij, nxënës të shkollave të mesme  si dhe familjarë e farefis të afërt dhe të largët. Ishte një ceremoni emocionuese, e ngarkuar plot me vlerësime  dhe konsiderata të thella, të cilat na shtuan akoma më shumë krenarinë për babanë tonë! Në të njëjtën kohë, ajo i dha tone edhe  më të forta këshillës së përhershme të tij, për t’i shërbyer gjithnjë interesave të atdheut, pavarësisht se ku fizikisht jeton. Sinqerisht ju falënderoj nga zemra!

Gjithashtu e prekur jashtë mase kam mbetur edhe nga organizimi, rregulli, kujdesi dhe respekti që gjithkush tregoi edhe ndaj neve të tre fëmijëve të tij, në një moment kaq të vështirë. Ndonëse që në momentin e parë kur u shpall njoftimi zyrtar për humbjen e tij, gjithkush pa dyshim dëshironte ta nderonte, t’i thoshte lamtumirën e fundit, madje të na ngushëllonin edhe neve fëmijëve të tij, megjithatë çdokush u tregua i matur, i duruar, i kujdesshëm, duke respektuar kështu momentet e vështira private që familjet kalojnë, dhe që pa dyshim kanë nevojë të kalojnë në situata të tilla! Sinqerisht ju falënderoj edhe për këtë!

U largova nga Tirana me një dhimbje të re në gjoks. Sapo vura këmbën në aeroplan e kuptova se tani me vendin tim isha e lidhur më shumë se kurrë. Ndjeva që kisha lënë edhe një copëz tjetër të vetes sime,  aty në rrugët e Tiranës ku u linda dhe u rrita. Një copëz të ngjashme e pata lënë aty njëzet vjet më parë, me humbjen e  nënës sonë të shtrenjtë, Antonetës.

Por gjatë këtyre njëzet vjetëve të mbarsura plot vajtje-ardhje,vizita të shpeshta, të panumërta në vendlindjen time, shpesh dy ose tre herë në vit,   dalëngadalë  ajo copëz e kishte gjetur vetveten. Pa e kuptuar as vetë, babai ma kishte shëruar atë plagë, me dashurinë e pakufishme atërore, me fjalët e tij të mençura e këshilluese, me bisedat e tij interesante dhe debatet e gjalla që bëja me atë mbi historinë, politikën, kulturën, edukatën, vlerat morale të familjes dhe shoqërisë, me gjallërinë, përkushtimin, vullnetin, bindjet, humorin, largpamësinë dhe optimizmin e tij, të cilat e karakterizuan gjithë jetën.

Papritmas duke hipur në avion, dhimbja në gjoks u shtrëngua më shumë! Befas kuptova se tashmë kisha humbur jo vetëm prindin, por edhe  mikun, shokun, kolegun dhe … busullën e jetës sime…!
                                ***
Para pak ditësh duke ndjekur shtypin shqiptar në internet, më tërhoqi vëmendjen një shkrim paksa i çuditshëm.  E kam fjalën për shkrimin e zonjës së nderuar Rudina Xhunga në një gazetë ditore me titull “Umberto Eco dhe Kristo Frashëri ynë”, postuar më 22 shkurt 2016, ku përmendej edhe Prof. Frashëri.
Me zonjën  Xhunga jemi takuar një pasdite në shtëpinë e Prof. Frashërit. Kishte ardhur për interesat e saj atje.

Prof. Frashëri si gjithmonë ishte mjaft i sjellshëm, i respektueshëm  dhe bënte ç’të kishte në dorë për të furnizuar me informacione  këdo që i vinte për vizitë, por ndërkohë duke i servirur edhe ndonjë kërkesë. E kisha vënë re shumë herë. Të gjithë që vinin aty, duke ikur  merrnin çka kishin nevojë. Ai ishte i pashtershëm dhe i pakursyer.

Zonja mbase nuk më mban mend dhe nuk ka problem,  por unë e kujtoj mu si sot, sepse ishte mjaft e interesuar për bisedën me babanë, e cila u bë në praninë time, mbasi ai më prezantoi tek ajo. Me babanë bënim vazhdimisht  biseda profesionale siç e dinë dhe shumë nga kolegët e tij, për më tepër meqë edhe unë ndoqa degën e tij, historinë.

Madje këto biseda  vazhdonin edhe në telefon, unë nga Amerika, ai nga foleza e tij në Tiranë. U trishtova jashtë mase nga sa lexova. Në shkrimin e zonës Xhunga thuhet se me të dëgjuar njoftimin  zyrtar të vdekjes së babait, ajo nxitoi menjëherë të shkonte në shtëpinë e profesorit dhe duke trokitur disa herë kërkonte të hynte brenda. Madje siç shkruan ajo, “plasa në vaj jashtë dere” , në pamundësi për të hyrë brenda. 

Dua t’i them zonjës në fjalë: a nuk e di një zonjë e nderuar, se kur ndodh një vdekje në një shtëpi, familja ka nevojë për kohë private për të përballuar dhimbjen e humbjes dhe situatën komplekse? Si mund të pretendojë zonja që familja e xhenazesh ta lejojë të hyjë brenda në një moment të tillë një gazetare? A nuk është kjo një shenjë mosrespekti? Megjithatë  ajo insistoi me  këmbëngulje  të hynte brenda në shtëpi, madje duke bërë edhe komente dhe piskama jo të hijshme, në një kohë kur lajmërimi zyrtar për homazhe dhe pritje familjare është shpallur publikisht.

Ku është respekti dhe edukata qytetare? Ku është mbështetja morale ndaj dhimbjes humane? Ku është tradita  e lashtë shqiptare e respektimit të të ndjerit dhe ndjenjave të familjarëve? A mos vallë mendojmë se të qenit gazetar na jep vizën të ndërhyjmë në momentet më private mortore të familjeve?  Me keqardhje them, se ajo nuk e tregoi as konsideratën dhe as respektin ndaj profesorit, mikut të saj, të shfaqej në Altarin e Shkencës Shqiptare, Akademinë e Shkencave , e cila ishte dhe shtëpia e dytë e profesorit, atje ku deshi atdheu i tij dhe shqiptarët tejembanë ta nderonin.

Ajo nuk u shfaq as në ceremoninë funerale, madje as në ditët e pritjes së vizitave që fëmijët e tij kishin organizuar.  Me sa duket, ajo donte të hynte me çdo kusht brenda shtëpisë së tij dhe nuk i interesonte fare protokolli i nderimeve dhe  i vizitave ngushëlluese ndaj profesorit. Më duhet të shtroj një pyetje retorike këtu, që të kuptoj edhe unë ç’po ndodh: mos vallë kemi ndryshuar definicionin e termit “respekt ndaj të vdekurit dhe familjes”?

Meqë shkrimi i saj shkon edhe më tej, jam e detyruar  t’iu përgjigjem. Ju lutem zonjë, mos luani me emrin e babait tonë. Nuk ju takon aspak të vini  emra njerëzish apo personalitetesh në gojën e babait tonë kur ai nuk mund t’ju përgjigjet. Po ashtu nuk mund  të bëni krahasimet  tuaja duke shfrytëzuar emrin e Prof. Frashërit. Nuk është e hijshme të përdorni emrin e tij për çfarëdolloj interesash që ju mund të keni, qoftë gazetareske, profesionale apo politike. Për më tepër nëse pretendoni se jeni një nga miqtë e tij.

Po ashtu, do t’ju lutem të  mos merrni përsipër të thoni, se çfarë do të kishte dashur  dhe si do të kishte dashur të përcillej Prof. Frashëri, madje hamendësimet tuaja, nëse ai donte apo jo të përcillej nga politika e lartë. Thjesht ky është një angazhim  që nuk ju takon juve aspak . Gazetaria, zonjë e nderuar nuk ju jep liri të pakufishme të lozni me gjërat e shenjta të një familjeje! Flisni apo shkruani çfarë të doni për pikëpamjet, mendimet tuaja, ju siguroj se nuk kam asnjë interes personal ti lexoj, por nuk ju lejoj në asnjë mënyrë të vini fjalët tuaja  në gojën e babait tonë të nderuar. Do marr guximin t’ju kujtoj, se gazetaria edhe në demokraci ka ligje, vërtet ka liri mendimi dhe shprehjeje, por ka edhe rregulla dhe kufij. Ju lutem respektojini ato!

Më tutje shkruani se  Prof. Frashëri ..”dha shpirt në atë shtëpi modeste deri në dhimbje”… Unë, vajza e tij, ju siguroj se  ai ishte i lumtur në atë shtëpi modeste, se  ajo shtëpi modeste nuk  rrezatonte dhimbje por dije dhe  kulturë, historinë e popullit shqiptar, patriotizëm dhe atdhedashuri, rrezatonte analiza historike e shkencore mbi çështjet kritike të kombit tonë… ashtu siç e kanë vlerësuar miqtë e tij të vërtetë.  Është për të ardhur keq, që gjatë vizitave tuaja aq të shpeshta sa thoni nuk e paskeni  ndjerë këtë …!

Prof. Frashëri kishte një karakter, vullnet e personalitet të fortë si askush tjetër. Ai  nuk lejonte njeri, madje as neve fëmijëve të tij, t’ua prishte ritmin e punës, rutinën e përditshme,  pozicionet e librave dhe skedave,  madje refuzonte me pasion çdo tendencë  sado të vogël për ndryshime  në mbretërinë e tij të punës. Ju siguroj se “dhimbjes” tuaj, Prof. Frashëri  do t’i përgjigjej me një të qeshur sarkastike! Sepse për të puna, librat, skedat  dhe dokumentet, të cilat i gjente ku ishin me sy mbyllur edhe mbas dhjetëra vitesh,  ishin jeta, drita, dituria, mençuria dhe qëllimi i tij i jetës. Shtëpia e tij vërtet ishte modeste, por ishte e tillë sepse ashtu e donte ai. Ju duhet ta kishit mësuar këtë, meqë pretendoni se ishit mike e afërt e tij, ashtu siç e dinë gjithë miqtë e tij të ngushtë.   

Ato orendi të thjeshta  që ju shihnit në atë shtëpizë të vogël ishin dhe janë dëshirat e tim Eti, të cilat nuk ju lejoj ti prekni, as ti komentoni për qëllimet tuaja profesionale apo egoiste, mbasi janë të shenjta për ne të tre fëmijët e tij, ashtu si dhe për gjithë miqtë e tij të vërtetë! Prof. Frashëri  jetonte në komoditetin që ai kishte zgjedhur vetë, në përshtatje të nevojave të tij.

Ndërkohë, Prof. Frashëri kishte edhe 6 punonjës të cilët kujdeseshin për të vite me radhë në të gjitha drejtimet, duke filluar nga përgatitja e ushqimit, mbajtja e shtëpisë, shërbimet e natës e deri tek dy sekretarët e tij që punonin pa pushim nën drejtimin e tij, të gjithë këta punonjës të siguruar nga fëmijët e tij. Qëllimi i vetëm deri në momentin e fundit të jetës së tij ishte të shkruante, të plotësonte boshllëqet që ekzistonin në temat kritike  të historisë së vendit të tij, për tu lënë brezave të ardhshëm  një  vlerë kombëtare. Ajo foleza e tij për të cilën ju ndjeni “dhimbje” do të mbetet  një vatër frymëzimi për gjithë brezat e ardhshëm! Duke përfunduar, sinqerisht ju uroj suksese në profesionin tuaj!


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë