Florian Vlashi 700 vjet muzikë
nga Kukuzeli në ditët tona

Florian Vlashi 700 vjet muzikë<br />nga Kukuzeli në ditët tona
TIRANE - Festivali "Netët e muzikës klasike" në Durrës ka mbërritur në edicionin e 6-të të tij, çka përkon edhe me 10-vjetorin e krijimit të tij. Ideatori dhe drejtuesi i Bienales, Florian Vlashi, thotë se programi për edicionin 2013 është përgatitur prej kohësh, megjithëse nuk ka patur përgjigje konkrete për mbështetjen financiare të veprimtarisë, e cila është pjesë e përhershme e kalendarit veror të qytetit bregdetar.

Violinisti durrsak që punon prej 21 vjetësh në Orkestrën sinfonike të Galicisë në Korunja (Spanjë), dhe bashkëpunëtori i tij, kompozitori Hajg Zacharian, e kanë emërtuar edicionin e këtij viti "Durrës: 700 vjet muzikë, nga Kukuzeli në ditët tona". "Netët e muzikës klasike 2013" do të organizohen nga 1-8 gusht dhe do të kenë në program një sërë veprimtarish shumë interesante, që përbëjnë risi, ndërsa do të interpretohen mjaft vepra premierë për Shqipërinë.

"Nata e muzikës së vjetër" do t'i kushtohet Jan Kukuzelit (shek. 13)", shprehet Florian Vlashi, duke shtuar se në këtë edicion është programuar "Nata e muzikës mesjetare" e Antifonarit durrsak Gjergj Danush Lapacaj (shek. 16). Edhe "Nata e muzikës baroke" është "ndërtuar" me arshivën e Familjes Durazzo, e cila ka një emër të nderuar në Itali që nga shekulli 18-të", vijon Florian Vlashi.

"Arti i violinës", veçanërisht zhvillimi i tij në Durrës, do të jetë tema qendrore e koncertit me titull "Nata e muzikës shqiptare"", tregon violinisti i njohur Vlashi, i cili ka parashikuar një spektakël të pazakontë me motivet e muzikës së Jan Kukuzelit.
10 kompozitorë nga Durrësi do të shkruajnë secili me Variacione mbi një Korale të muzikantit të shquar mesjetar.

"Ne duam t'i ngremë qytetit të Durrësit një "monument tingujsh", nënvizon artisti shqiptar, që jeton dhe punon prej më shumë se 20 vjetësh në Spanjë. Në vitin 2003 "Netët e muzikës klasike" ishin e para veprimtari e muzikës klasike në Durrës dhe organizatorët po kërkojnë mbështetjen e domosdoshme financiare për të realizuar objektivat e tyre artistike.

Thuajse të gjitha veprat do të jenë premierë në Shqipëri, ndërsa instrumentistët pjesmarrës do të jenë solistë durrsakë që intepretojnë në skena prestigjioze të botës.

Në koncertet e këtij edicioni do të jenë pjesmarrës si në çdo Bienale edhe artistë nga Grupi instrumental "Shekulli XX", që drejtohet në Korunja nga themeluesi i tij Florian Vlashi. Instrumentisti nuk ka harruar të programojë një leksion të veçantë me temë "Matematika dhe muzika", në të cilin janë ftuar bashkë me prindët edhe nxënësit e shkollës së mesme artistike "Jan Kukuzeli" të Durrësit.

Një pjesë e këtyre nxënësve do të konkurojnë për çmimin e parë në "Naten e yjeve të rinj", duke fituar si përherë të drejtën e një koncerti në Spanjë në vjeshtën e këtij viti.

Këto koncerte do të jenë një dëshmi e kontributit të jashtzakonshëm që ka dhënë ky qytet në muzikën shqiptare dhe atë europiane e në të njejtën kohë, do të jenë shprehje e mirënjohjes së thellë dhe e një borxhi moral që të gjithe ne, muzikantët dhe artdashësit, i detyrohemi qytetit tone, nënvizon artisti 49-vjeçar.

Violinisti Florian Vlashi, i formuar në shkollën e mesme artistike të qytetit dhe në Institutin e Arteve (sot Universiteti i Arteve) në Tiranë, është një nga artistët më aktivë në skenat ndërkombëtare, njëkohësisht drejtues i Festivalit me traditë 10-vjeçare "Netëte e muzikës klasike" në Durrës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor