Ulja e temperaturave ka rritur numrin e fëmijëve të prekur nga virozat dhe gripi sezonal në Lezhë. Rreth 1 mijë pacientë kanë kërkuar ndihmë në urgjencën pediatrike gjatë 20 ditëve të fundit, ku 92 prej tyre janë shtruar në spital.
Mjeku pediatër Bardhok Gjoka thotë se 3 raste kanë qenë në gjendje të rënduar dhe janë dërguar për mjekim të specializuar në Tiranë, ndërsa nuk mungojnë as fëmijët e prekur nga SARS-CoV-2.
“Rastet më të shtuara janë rastet e gripit, ku janari është piku. Zakonisht shoqërohen me temperaturë të lartë, me kollë, sekrecione. Në qarkullim është edhe Covid i cili është pak më i lehtë tani. Grupmosha më e prekur është ajo 5 vjeç. Gjatë janarit kemi pasur një mijë raste në urgjencë, nga këta 92 i kemi shtruar në urgjencë. Tre raste që kanë qenë më rëndë i kemi nisur në Tiranë. E kemi mbuluar shërbimin 24 orë me mjekë pediatër”, tha mjeku.
Fluksi i fëmijëve të prekur nga virozat dhe gripi pritet të jetë i lartë edhe në javët në vijim, ndaj bluzat e bardha apelojnë për kujdes maksimal që virusi të mos përhapet. Urgjenca Pediatrike është funksionale përgjatë 24 orëve, bashkë me personelin e nevojshëm mjekësor.
Komente










