VLORE- Rritja e temperaturave por edhe e numrit të turistëve ka sjellë shtim të vizitave ditore por edhe të shtrimeve në repartin e Pediatrisë pranë Spitalit Rajonal të Vlorës.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 55 vizita ambulatore dhe 35 shtrime ne spital.

Shefja e Pediatrisë në Vlorë, Rina Llanaj shprehet se temperaturat e larta sjellin çrregullime gastrointestinale, me diarre dhe temperaturë. Një pjesë e fëmijëve vizitohen, marrin mjekim ambulator dhe ndiqen nga mjeku i familjes. Pjesa tjetër kur kane komplikacione, ne i hospitalizojmë dhe i ndjekim në pavionin tonë. Përveç çrregullimeve gastrointestinale ka dhe fëmijë me çrregullime të aparatit respirator, me laringite, me bronkite, me trakeobronkite. Një pjesë e tyre vijnë kryesisht me alergji, qofshin nga deti. Mund të vijnë goditjet nga dielli mund të vijnë pickimet nga insektet dhe alergji të ndryshme ushqimore”.

Rastet më të shpeshta lidhen me alergjitë e ndryshme, problemet respiratore, si edhe pickimet nga insektet.  Shefja e pediatrise thekson se fëmijët duhet të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve te mesdites.

“Tërheq vëmendjen e prindërve sepse pavarësisht sensibilizimit që ne bëjmë në media për mosekspozimin e fëmijëve në temperaturat e larta, kryesisht mbas orës 11:00, këtë këshillë nuk e zbatojnë dhe të gjithë fëmijët ekspozohen ne diell. Mbas orës 11:00 rrezet e diellit janë të dëmshme, qoftë për goditjen nga dielli që mund të reflektohet me dhimbje të forta koke, me edeme të syve, me të vjella dhe me humbje ekuilibri. Kështu që në këtë pikë të bëjnë kujdes mos t’i ekspozojnë fëmijët ne diell. E dyta, sensibilizojmë qe per hidrimin e fëmijës, të jepen lëngje në formën e ujit, të çajit, të kosit dhe jo lëngje të gatshme (të paketuara)”.

Llanaj shton se kjo periudhë shoqërohet çdo vit me një rritje të numrit të fëmijëve që kanë nevojë për ndihmë mjekësore.