Dy qytetet bregdetare Vlora dhe Lezha po përballen me trafik të rënduar këtë fillim jave. Kjo vjen për shkak të fluksit të lartë të pushuesve në kulmin e sezonit.

Trafiku i rënduar që shoqëroi Vlorën gjatë gjithë fundjavës ka vijuar në nisje të kësaj jave. Situata më problematike paraqitet në rrugën Transballkanike dhe përgjatë Lungomares.

Sezoni turistik ka shtuar ndjeshëm numrin e mjeteve që qarkullojnë çdo ditë në qytet, ndërsa problematikës i shtohen edhe parkimet dyshe.

Kjo fillimjave ka nisur me trafik të rënduar edhe në Lezhë. Drejtuesit e mjeteve qëndrojnë për disa orë në pritje për të kaluar sidomos në segmentin Milot–Balldren.

Siç shihet në pamje qarkullimi është plotësisht i bllokuar dhe në rrugën drejt Shëngjinit. Për menaxhimin e trafikut, policia ka devijuar lëvizjen në rrugët dytësore.

Me fluksin e lartë të turistëve dhe emigrantëve, trafiku pritet të jetë i njëjtë gjatë gjithë gushtit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:44
Sezoni turistik, e hëna nis trafik të rënduar në Lezhë e Shëngjin (VIDEO)

 

Kjo fillim jave ka nisur me trafik të rënduar në Lezhë. Që në orët e para të mëngjesit, fluksi i lartë i automjeteve ka sjellë vështirësi në qarkullim, duke krijuar radhë të gjata dhe kaos në disa prej akseve kryesore të qytetit.

Ngarkesa më e madhe është konstatuar në aksin Milot–Balldren, ndërsa trafik i rënduar është raportuar edhe në rrugën drejt Shëngjinit, një nga zonat më të frekuentuara gjatë sezonit turistik.

Problematika nuk është kufizuar vetëm në këto dy akse. Fluks i lartë automjetesh është shfaqur edhe në rrugët e qytetit të Lezhës dhe në zonat periferike, duke e bërë lëvizjen të vështirë dhe duke zgjatur ndjeshëm kohën e udhëtimit.

Situata lidhet me pikun e sezonit turistik, por edhe me kthimin e emigrantëve që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në Shqipëri. Rritja e numrit të automjeteve ka sjellë një ngarkesë të shtuar në rrjetin rrugor të Lezhës, veçanërisht në akset që lidhin qytetin me zonat bregdetare.Për menaxhimin e trafikut, policia është vendosur në disa pika problematike, duke ndërhyrë për orientimin e automjeteve dhe lehtësimin e qarkullimit.

Me fluksin e lartë të turistëve dhe emigrantëve që pritet të vijojë gjatë gjithë muajit gusht, ku trafiku i rënduar pritet të mbetet një problem i përditshëm në rrugët e Lezhës, veçanërisht në oraret e pikut dhe gjatë fundjavave.