Trafiku i rënduar që shoqëroi Vlorën gjatë gjithë fundjavës ka vijuar edhe në nisje të kësaj jave. Që në orët e para të mëngjesit të së hënës, në disa prej akseve kryesore të qytetit është regjistruar fluks i lartë automjetesh dhe lëvizje e ngadalësuar.

Situata më problematike paraqitet në rrugën Transballkanike dhe përgjatë Lungomares, dy prej akseve me qarkullimin më të lartë gjatë sezonit veror. Në segmente të caktuara janë krijuar radhë automjetesh, duke vështirësuar lëvizjen e drejtuesve të mjeteve. Edhe gjatë fundjavës, këto akse ishin ndër më të ngarkuarat në qytet.

Edhe pse fundjava ka përfunduar, trafiku në Vlorë nuk është lehtësuar. Fluksi i pushuesve dhe numri i lartë i automjeteve që qarkullojnë në qytet vijojnë të krijojnë ngarkesë në rrugët kryesore, veçanërisht në zonat që të çojnë drejt bregdetit.

Sezoni turistik ka shtuar ndjeshëm numrin e mjeteve që lëvizin çdo ditë në Vlorë, ndërsa problematikës së trafikut i shtohen edhe parkimet e dyfishta në disa prej zonave më të frekuentuara.

Ngarkesa pritet të mbetet e lartë përgjatë muajit gusht, periudhë që përkon edhe me kulmin e sezonit turistik. Drejtuesve të automjeteve u kërkohet respektimi i rregullave të qarkullimit për të shmangur bllokimet dhe situatat e rrezikshme në rrugë.