Fluturo Lea Ypi, ti je vërtetë e lirë!

Fluturo Lea Ypi,  ti je vërtetë e lirë!

Libri i Lea Ypit

Pas publikimeve tashmë në disa vende të botës, libri i Lea Ypit erdhi dhe në Shqipëri. Dhe bashkë me të edhe Lea vetë, një vajzë durrsake e larguar nga vendi pas vitit të mbrapshtë 1997, e studiuar në Itali e pastaj në Angli, ku dhe jep mësim si pedagoge në një nga Universitetet aty. Me siguri, ndryshe nga promovimet në vende si Italia, Anglia apo Shtetet e Bashkuara, këtu, nuk do ta pyesin Lean shumë për librin, por për rrogën, apo për miqësitë, apo për bashkëshortin, e sidomos do të duan të njohin miqtë e famshëm, e sidomos, sidomos, do të duan të “gërrmojnë” se kush e mbështet drejt suksesit. Pak do ta lexojnë librin, madje disa do ta këshillojnë apo kritikojnë se si do të duhet ta shkruante apo se çfarë i mungon librit, sigurisht pa e lexuar atë. Pavarësisht kësaj, pikërisht në këtë ballafaqim me Shqipërinë, pikërisht në ditët e qëndrimit dhe të vëzhgimit në këtë botën tonë të provincës, Lea do ta kuptojë thellësisht se është vërtetë e lirë. Ashtu si dhe libri i saj i sapobotuar nga “Dudaj me titullin “Të lirë”, ose në italisht “Libera” Feltrinelli, (E lirë) që pata fatin ta lexoja.

***

Sinqeriteti dhe vërtetësia e rrëfimit të Lea Ypit në librin e saj shënon një ndryshim thelbësor në letërsinë shqiptare të tranzicionit. Ndërsa tregon, autorja, nuk njeh recitimet pompoze dhe patetike për të vendosur veten në piedestal si për të thënë: “Ja unë po tregoj, ndaj më admironi!”. Jemi mësuar me fryrje të padurueshme shkrimtarësh të tranzicionit aq sa shumë libra të sapopublikuar i marrim me skepticizëm në dorë: peshon më shumë “Uni” i autorit se sa personazhet dhe historia! Lea, dashje pa dashje hap një tjetër kapitull, atë të vërtetësisë dhe të sinqeritetit, të nisur në fakt nga Helena Kadare me të sajin “Kohë e pamjaftueshme”, që e rigjejmë nga Lea pa asnjë kompleks. Ndoshta kjo është esenca e fitores së vërtetë të lirisë personale të Leas si grua dhe krijuese, por edhe e kujtdo që do ta lexojë e do ta perceptojë këtë liri.

Edhe pse që në faqet e para shkruan se ishte ndryshe nga të gjithë, lexohet haptazi se kërkon të bëjë transparencën e pakompromistë të historisë së saj personale: Çanta e kuqe e shkollës, e folura frëngjisht në shtëpi, shahu, futja në shkollë më herët se të tjerët, rrëfimi për shoqet e shokët e fëmijërisë që u bënë tragjikisht trafikantë e prostituta, leximi i Lufta e Paqja që e vogël, gjyshërit e stërgjyshërit që patën studiuar jashtë, familja e persekutuar, postet dhe impenjimet politike të prindërve në kohën e demokracisë,  e bëjnë të vecantë sigurisht, por në të njëjtën kohë tmerrësisht të ngjashme dhe të njëjtë me të tjera fëmijëri në atë kohën shqiptare mes dy historish.

***

Humnera në ditarin e vitit 1997.  Në ato pak rreshta të ditëve të marsit ku ankthi, frika, tmerri i një adoleshenteje të ngujuar mes mureve të shtëpisë arrin humnerat e njerëzores, humb fjalën, humb mamanë, (intelektualja “superiore” dhe demokrate e shtëpisë që merr vëllanë e vogël dhe ngjitet në anije për të ikur në Itali, duke braktisur Lean, bashkëshortin dhe gjyshen). Aty Lea është e pamëshirshme ndërsa gjykon mamanë që nis një jetë “të re” duke pastruar banjot në apartamentet e vendit fqinj, ndërsa nuk donte të armatosej sic i ishte thënë në mbledhjen e partisë. Admirimi dhe mëbshtetja të gjyshja, keqardhja për zhgënjimet dhe ëndrrat e babait të saj të etur për liri dhe demokraci e barazi sociale, e bëjnë librin e Lea Ypit jo vetëm të vërtetë, shpeshherë të pamëshirshëm siç një adoleshente di të jetë, por edhe clirues për një brez që është rritur në të njëjtat kushte, me të njëjtat ëndrra dhe zhgënjime. Në këtë kapitull lotët janë të një hidhërimi çlirues.

Për të vërtetat që i ka shkruar me sinqeritetin dhe me vërtetësinë dhe lirinë e një filozofeje, libri i Lea Ypit meriton të lexohet vërtetë me vëmendje dhe të promovohet, pasi ka bërë hapa konkretë e të bukur për të dalë mbi “defektin” provincial të librave të shkrimtarëve tanë të këtyre kohëve që “ulërasin” nga bibliotekat: “Unë jam më i vecanti, unë jam më i miri! Unë jam më i shituri dhe më i kërkuari! Le ta marrin vesh të gjithë!”.

Kapitulli i “Kokodrilit” sqaron hendekun e madh mes shqiptarëve dhe të huajve

Libri i Lea Ypit nuk është vetëm trishtim, zhgënjim, por edhe shumë humor dhe ironi. Kapitulli “Kokodrili” që ka në qendër një nëpunës të Bankës Botërore të vendosur në Shqipërinë e tranzicionit e që Lea pati fatin ta ketë në lagje e bashkëpunëtor me babain e saj, është një perlë. Të kujton këngët e Goran Bregoviç me ciganët e tij, por edhe i tejkalon, duke treguar në mënyrë të pamëshirshme diferencën thelbësore mes shqiptarëve që dalin pas një izolimi 45 vjecar dhe... të huajve.

Lea Ypi, tani dhe Ermal Meta

Djemtë e vajzat tanë më të mirë po ulen të tregojnë atë që Shqipëria ishte në 45 vite çmendurie diktature. Për ironi, në Europë mund të flasin rrjedhshëm për Korenë e Veriut, për Kubën, por për Shqipërinë dhe çmendurinë e diktatorit të saj, pak vetë dinë dhe duan të dinë. Lea Ypi përmes të sajit “E lirë” dhe Ermal Meta me të sapopublikuarin “Domani e per sempre” (Nesër dhe përgjithmonë) nga “La nave del Teseo", Itali, hapin dritare që mund të jenë një dritë e vërtetë mbi Shqipërinë. Lum ne që i kemi!

Libri i Lea Ypit

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja