Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas shpërthimit të krizës globale të vitit 2008, Shqipëria ka mundur të shmangë një rënie të menjëhershme të prodhimit dhe ka ruajtur stabilitetin e sistemit të vet bankar, në sajë të stimulit fiskal, një politike te suksesshme monetare dhe veprimeve të matura e të efektshme makroekonomike. Por, tani rritja po ngadalësohet dhe çekuilibrat e vazhdueshme makroekonomike duhet të rregullohen. Në një raport të misionit, që sapo u largua nga vendi ynë, theksohet se përparësitë kryesore në periudhën që vijonë janë: të sigurohet përballimi i borxhit, të forcohet rimëkëmbja e sistemit bankar dhe avancimi drejt reformave strukturore që nxitin zhvillimin.
Më poshtë, paraqiten 12 pikat e vlerësimeve dhe vërejtjeve të ekspertëve të FMN.
1. Pasi ka treguar aftësi rimëkëmbëse në dy vitet e fundit, ekonomia shqiptare tani ka nisur të ngadalësohet. Prodhimi pati rënie 0.2 për qind në tremujorin e parë të vitit 2012 si pasojë e impaktit të krizës së eurozonës, kërkesës së ulët vendase dhe një bllokimi të ndjeshëm të furnizimeve si pasojë e dimrit të ashpër. Ndërkohë që aktiviteti ekonomik mund të rimëkëmbet në gjysmën e dytë të vitit, rritja pritet të rrudhet në vitin 2012 në rreth 0.5 për qind. Ekonomia do të operojë nën mundësitw e veta në vitin 2012, por sërish do të ketë një rritje në linjë me vendet e tjera të rajonit.
2. Kriza aktuale e eurozonës do të vazhdojë të krijojë kokëçarje ekonomike në afatshkurtër dhe mendohet kryesisht se rrezikon të ulë parashikimet. Në vitin 2013, rritja ekonomike mund të rimëkëmbëhet lehtë në 1.3 për qind, si pasojë e kërkesës së ulët vendase dhe mjedisit të dobët rrethues. Inflacioni duhet të mbetet brenda objektivit të Bankës qendrore, në 3%, plus ose minus 1%.
3. Politikat e pandryshuara fiskale nuk mund të përballojnë problemet e fshehura. Borxhi publik është i lartë dhe kërkesat për financim fiskal janë më të lartat në rajon, kryesisht si pasojë e pagesave të mëdha, ndërkohë që ribalancimi ekonommik nuk është i plotë, duke përfshirë një deficit të madh aktual të llogarisë korrente që mbetet me dy shifra. Pavarësisht nga përpjekjet për të kontrolluar deficitin buxhetor, borxhi publik mund të kapërcejë këtë vit limitin ligjor prej 60 përqindësh.
4. Me një borxh të lartë publik, Shqipëria ndodhet përballë rreziqeve të mëdha. Pjesa e madhe e borxhit publik me afat të shkurtër përmban rreziqe të larta financimi fiskal. Në afatmesëm, rritja e borxhit publik gjithashtu pengon perspektivat duke bllokuar kredinë e sektorit privat dhe duke prekur mundësinë e qeverisë për të financuar projekte të rëndëishme zhvillimi.
5. Me qenë se janë përdorur rezervat, nuk ka më mundësi për stimuj të rinj fiskalë për të mbështetur ekonominë e dobët. Ekonomia do të forcohej në rast se do te vendosej një objektiv afatgjatë, ambicjoz por i leverdisshëm, për të synuar një politikë fiskale që të sillte nivelin e borxhit në 40 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2020.
6. Reformat e taksave dhe shpenzimeve kërkohet të arrijnë objektivin aftgjatë të borxhit, ndërkohë që të nbeshtetin rritjen. Me shpenzime të mëdha tashmë të porositura, ulja e deficitit fiskal kërkonë të ardhura më të larta për një periudhë të shkurtër. Një ndihmë do të jepte heqja dorë nga praktika e planifikimit të të ardhurave buxhetore optimiste, që, kur rezultojnë më të ulta, sjellin stres për buxhetin dhe kjo do të sillte edhe pakësimin e faturave të papaguara.
7. Të ardhurat nga privatizimi duhet të përdoren në një mënyrë të ekuilibruar, për të pakësuar borxhin dhe për të mbyllur faturat e papaguara. Duke mbajtur parasysh se pasuria e burimeve natyrore që privatizohen u përket brezave të tanishëm dhe të ardhshëm të shqiptarëve, paratë e privatizimit duhej të përdoreshin për të zvogëluar borxhin, që është e domosdoshme për të ulur rrezikimin e ekonomisë, duke mbajtur parasysh stokun e lartë të borxheve dhe strukturën e tij me maturim afatshkurtër, të siguronin përballimin e borxhit dhe të krijonin rezerva për t'u ruajtur nga goditje të ardhshme.
8. Politika monetare ka qenë një vegël për stabilitetin makroekonomik, por ka limitet e veta. Kursi i ndryshueshëm i këmbimit dhe regjimi i targetimit të inflacionit nga Shqipëria kanë mbajtur me sukses një inflacion të qendrueshëm dhe të ulët, që, nga ana e vet, ka sjellë mundësinë që edhe autoritetet të mbanin një stabilitet makroekonomik.
9. Pavarësisht nga fakti që shumica e bankave janë evropiane, sistemi bankar ka qenë vetëmjaftues dhe nuk ka patur nevojë për mbështetje publike. Pjesa e madhe e bankave evropiane në sistem dhe turbullirat e vazhdueshme bankare në Evropë rritin problemet edhe në sistemin bankar shqiptar.
10. Pavarësisht nga kjo, vigjilenca në mbikëqyrje është thelbësore për periudhën pasardhëse. Kreditë e mëdha, të marra në valutë të huaj, ekspozojnë bilancet e bankave ndaj rrezikut të kursit të këmbimit valutor, ndërkohë që rrezik tjetër përbën sasia e madhe e letrave me vlerë të qeverisë, në rast se nuk merren masa për të ulur sasinë e borxhit publik.
11. Niveli në rritje i kredive të këqia përbën shqetësim dhe kërkon një veprim të shpejtë. Ato janë kryesisht në sektorët tregtisë, ndërtimit dhe industrisë përpunuese, janë rritur me ritme më të shpejta se në vende të tjera të rajonit, kryesisht si pasojë e ngadalësimit ekonomik, mospagesës nga qeveria për faturat e kontraktorëve dhe vonesave të vazhdueshme në ekzekutimin e kolateraleve.
12. Dobësitë e mjedisit të biznesit janë një pengesë për investimin dhe rritjen afatmesme. Dobësitë e vazhdueshme në kuadrin ligjor, sidomos në të drejtat e pronësisë dhe zbatimine kontratave, vazhdojnë të mbeten probleme madhore. Arbitrariteti në mbledhjen e taksave dëmton efektivitetin e normave të ulta të taksave në Shqipëri. Një sektor informal punësimi, gjerësisht i përhapur, kërkon që punësimi sipas ligjit të bëhet më elastik. Ndërkohë, saktësia e shifrave statistikore, sidomos në llogaritë kombëtare e ato të huaja, si dhe zbatimi i afatit të publikimit të tyre do të kontribuonin në një mbikëqyrje më të mirë dhe një politikëbërje më të mirë.
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)